Era Berisha
Koleksioni privat i titulluar ”Rozeta”, i krijimtarisë së instrumenteve frymore së figurës së njohur Shaqir Hotit, sot u shpalos në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku të vendosua ishin instrumentet e ndryshme unike të vetë punuara nga krijuesi i papërsëritshëm që kompozoi mjaft krijime të muzikës tradicionale shqiptare, shkruan KultPlus.
Në këtë ngjarje, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, përveç artistëve, familjarëve dhe dashamirëve të muzikës së Hotit, të pranishëm ishin edhe drejtori i Muzeut të Kosovës Ajet Leci, Ministri Hajrulla Çeku, këshilltari i Çekut, Librun Jupolli si dhe artisti Ilir Shaqiri.
“Jam shumë i nderuar që kjo ekspozitë po mbahet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Baca Shaqë edhe pse jo fizikisht me ne, krijimtaria e tij artistike do të jetojë për ne dhe shumë breza të ardhshëm. Kurse, veprat e tij artistike që po ekspozohen flasin më shumë sesa që ne mund të flasim”, nisi kështu fjalimin Leci për të shënuar aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeut.
Po ashtu, ministri Çeku është shprehur se po ndjen një kënaqësi të madhe për praninë e tij dy ditë radhazi në Muzeun Kombëtar e për të parë diçka të re.
“Sot është një moment i veçantë sepse figura e Hotit është një figurë mjaft komplekse me interpretimin muzikor, multinstrumentizmi, kompozimin, tekst shkrimin dhe ndërtimin e skenës muzikore në Kosovës”, thotë Çeku.
Sipas tij, potenciali i Hotit është një model që gjithmonë duhet ndjekur sepse Hoti përfaqësonte folklorin, natyrën e pasur, thjeshtësinë dhe madhështinë e Kosovës, tregimet e njerëzve të Kosovës.
“Ai komunikonte me të gjithë ku vetë pati një qasje të ndjeshme dhe vetë përkushtuese. Profesionalizmi i tij dhe vlerat e tij ndaj kombit tregojnë se Kosova është me fat që pati një njeri si ai”, përfundon Çeku.
Ndërsa, muzikanti Librun Jupolli foli për figurën e Hoti që për të ishte një shembull i rrallë i komunikimit.
“Ndoshta kjo është vetia e tij kryesore sepse secili artefakt në këtë ekspozitë është mjet komunikimi. Me instrumentet e tij ai takonte frymën, ajrin dhe erën për të komunikuar me gjuhën e muzikës, me gdhendjet në punëtorinë e tij, me pajisjet radiofonike, ai ishte kampion i komunikimit”, thotë Jupolli.
Sipas tij, këto veti janë të njohura nga të gjithë sepse ai kapërceu zhanre, stile e formate të llojllojshme artistike. Për Jupollin, komunikimi i Hotit kishte aftësinë për të transformuar, përshtatur, adaptuar me lehtësi folklorin me të gjitha rrymat e tjera.
Kështu krejt në fund, ky aktivitet u përmbyll me fjalën e rastit nga artisti Ilir Shaqiri.
“Jam shumë i lumtur që sot po tregohen këto vlera kulturore, etnografike dhe semiotike të kulturës tonë bashkëluftëtare të punuara nga një artist i veçantë që sot na la trashëgimi këto vlera që duhen të trashëgohen brez pas brezi”, përfundon Shaqiri.
Shaqir Hoti interpretonte në instrumente të shumta ku me mjeshtërinë e tij në veglat muzikore ai do të mbetet një identitet kulturor dhe do të mbahet mend edhe për shndërrimin e instrumentit të Okarinës në jetë që sot dashamirë të shumtë të muzikës mund ta shohin në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com