Thimi Mitko, veprimtari që mblodhi burime të folklorit shqiptar që prej vitit 1866

Thimi Mitko lindi në Korçë në vitin 1820, ku ndoqi shkollën vendore greqisht. Xhaxhai i tij, Peti Mitko, kishte qenë një ndër krerët e kryengritjes së vitit 1847 kundër Tanzimatit. Të dy e lanë atdheun në vitin 1850, duke shkuar së pari në Athinë, më pas në Plovdiv të Bullgarisë, dhe më vonë në Vjenë, ku Thimi punoi si rrobaqepës.

Në vitin 1866 Thimi Mitko mërgoi drejt Egjiptit, ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare dhe ngritjes së një biznesi të suksesshëm në Beni Suef, ku edhe vdiq në vitin 1890. Mitko mblodhi burime të folklorit shqiptar që prej vitit 1866.

Thimi Mitko kishte lidhje me personalitetet e mëdha të letrave shqipe, si Jeronim De Rada, Demetrio Camarda, Dora d’Istria, Jan Urban Jarník, Kostandin Kristoforidhi, Gustav Meyer, etj., duke iu dhënë atyre këngë popullore, gjëegjëza dhe tregime.

Ai ishte edhe autor i shumë shkrimeve në shtypin evropian në mbështetje të çështjes shqiptare. Koleksioni i folklorit shqiptar të Mitkos përmbante këngë, tregime dhe thënie popullore nga Shqipëria e jugut.

Vepra madhore e Mitkos “Bleta Shqiptare” (Alvaniki Melissa) u botua në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1878. Sipas autorit, koleksioni kishte si qëllim të ndihmonte bashkësinë shqiptare në Egjipt, duke e ushqyer me të dhëna mbi kulturën shqiptare. Në vitin 1924 kjo vepër u ribotua e rishikuar nga Gjergj Pekmezi në Vjenë, me titullin “Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos”. / KultPlus.com

Koleksionisti i tankeve nga Lufta e Dytë Botërore: Janë në gjendje pune, me pjesë origjinale

Christian Dours ka një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të tankeve amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, në gjendje pune dhe me pjesët origjinale. Në moshën 69-vjeçare, ai po përgatitet të marrë pjesë, siç ka bërë 15 vitet e shkuara, në paradat në nder të përvjetorit të 75-të të zbarkimit në Normandi.

“Aktualisht kam 10 tanke, përfshirë 7 tanke ‘Sherman’. Ata janë të viteve 1942-’43 dhe jam i pari koleksionist evropian tankesh ‘Sherman’ në gjendjen e tyre origjinale, me motorët e epokës”, tha Christian Dours, koleksionist.

Kur ishte fëmijë, ai luante me modele të tankeve amerikane të Luftës së Dytë Botërore. Sot, ai zotëron një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të modeleve të vërteta.

“Të gjitha tanket e mia funksionojnë dhe kam bërë disa filma me ta. Kam marrë pjesë edhe në demonstrime dhe parada”, tha Christian Dours.

“Unë ia bleva tankun tim të parë një polici në Francën veriore, – rrëfen më tej ai. – Ai e shiti sepse gati kishte vrarë veten duke u marrë me të”.

Atij i është dashur të krijojë madje një rrjet të apasionuarish që e ndihmojnë atë me pjesë origjinale tankesh nga e gjithë bota.

Ideja e hapjes së një muzeu nuk duket se i pëlqen shumë. “Ajo që më pëlqen, – thotë ai, – është të ngas tanket e mia në fushën përreth shtëpisë, pavarësisht se konsumojnë rreth 420 litra karburant për orë. Si dhe t’i shoh tanket në përkujtimore e parada, në mesin e mijëra njerëzve”.

“Një muze, – thotë ai, – është statik, është vdekje”.