Aktori shqiptar Nik Xhelilaj prej disa vitesh është përfshirë në tregun ndërkombëtar, duke u kthyer shpesh në qendër të vëmendjes lidhur me projekte të ndryshme.
Seriali “Zgjimi: Selxhuku i Madh”, është projekti më i fundit ku luan aktori shqiptar. Ky serial nisi transmetimin në Turqi më 28 shtator, dhe vetëm në pak ditë theu rekordet e shikueshmërisë.
Kjo nuk është hera e parë që aktori bëhet pjesë e prodhimeve të sukseshme kinematografike në Turqi, por shikueshmëria e lartë e këtij seriali do të ndikojë pozitivisht edhe në karrierën e Xhelilajt.
Aktori ka spikatur me rolin e tij si një ushtar bizantin. Emri i tij në rol është Yorgos, një komandant i patrembur bizantin, që i konsideron selxhukët dhe turqit si përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij. Yorgos, e mendon veten si një njeri i pathyeshëm.
Ky rol interesant ka bërë disa media turke të shkruajnë për aktorin shqiptar menjëherë pas nisjes së serialit.
Seriali ka mbledhur disa nga aktorët më në zë të Turqisë.
Nik Xhelilaj është angazhuar edhe në prodhime kinematografike gjermane, duke marrë pjesë në festivalet evropiane të filmit./ KultPlus.com