Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.
“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.
“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com
Mbrëmë, në hapje të sezonës artistike 2025, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka përcjellë mesazhe shprese përmes shfaqjes premierë “Hope” me koreografi të Sead Vuniqit, në kuadër të Ditës Botërore Kundër Kancerit, shkruan KultPlus.
Një udhëtim emocional që trajton një sfidë madhore, atë të përballjes së individit me sëmundje të Kancerit u paraqit mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë përmes lëvizjeve artistike të balerinëve profesionistë, duke dhuruar emocione të përziera që në fund triumfojnë me shpresë, paqe e dashuri.
Një ambient i errët e shoqëroi rrjedhën e pjesës së parë të shfaqjes, e cila në mënyrë simbolike paraqiste ditët e para kur personi ballafaqohet me sfidën, kur individi është i thyer, i vrarë dhe i mbyllur përbrenda.
Skenës i shtohen edhe balerinët të cilët përfaqësojnë familjarët dhe njerëzit që janë pjesë e jetës së individit i cili sfidohet me Kancer, kurse balerina Behie Murtezi e cila është e veshur në të bardha prezanton rolin e personit të sfiduar me sëmundje. Fustani i bardhë paraqet shpresën dhe fuqinë e pashterrshme brenda saj, që ndriçon rrethanat dhe ambientin e zymtë.
Çdo prekje që ajo me plotë emocion e bënte në trupin e saj shprehte në mënyrë jo dramatike molisjen dhe plagët që ishin shkaktuar nga dhimbja. Ato dhimje fizike që përjetoheshin nga personazhi kryesor përcilleshin në formë të dhimbjeve emocionale te tërë rrethi i saj, që shpesh herë ‘shtriheshin përdhe’. Ndërkaq, një dritë që ndizej vetëtimthi nënkuptonte që personazhi kryesor kishte shpresë dhe motiv për jetë dhe se bashkë me të ‘ringriheshin’ edhe familjarët duke i dhënë mbështetje dhe dashuri.
Në prapavijë qëndronte një pemë, e cila në mënyrë figurative po ashtu portretizonte personazhin kryesor, rrënjët dhe degët e së cilës ishin të thara fillimisht. Mirëpo, motivi dhe dëshira për të jetuar e paraqitur mjaft bukur nga artistët e skenës, fillojnë t’i japin personazhit dhe pemës sythe të reja, gjethe dhe rrënjë plotë jetë e vitalitet në fund të shfaqjes artistike, përfundimisht duke paraqitur triumfin mbi sëmundjen.
Shfaqja “Hope” dedikuar ndërgjegjësimit dhe luftës ndaj stigmatizimit të ndërlidhur me sëmundjet ka ardhur si bashkëpunim i Baletit Kombëtar të Kosovës në përbërje me balerinët: Aulonë Nuhiu, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Jeta Musolli, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha, Rigon Krasniqi, Isa Beg Gjocaj dhe organizatës “Action For Health”.
Nezaqete Rukovci, udhëheqëse e organizatës “Action For Health” ka thënë se është nder për organizatën që Baleti Kombëtar i Kosovës shfaqjen e parë për vitin 2025 i ka dedikuar një kauze që i prek të gjithë, në mënyra të dukshme dhe të padukshme.
“Sot, jam krenare të them se baleti ynë do të qëndrojë për një kauzë të rëndësishme-ngritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën kundër stigmatizimit që lidhet me sëmundjet, veçanërisht kancerin. Baleti, në formën e tij më të pastër, nuk është vetëm një art; është një gjuhë e shpirtit. Ai flet me zemrat tona përmes lëvizjes, emocioneve dhe bukurisë. Si balerinë, keni aftësinë jo vetëm të shprehni përvojën njerëzore, por edhe tu jepni zë atyre që mund të ndihen të heshtur nga lufta e tyre” ka thënë Rukovci.
Më tej, ajo ka falënderuar artistët që kanë dhuruar talentin e tyre të jashtëzakonshëm për një kauzë që prek shumë jetëra njerëzish.
“Kjo nuk është vetëm shfaqje. Është një deklaratë uniteti dhe dhembshurie. Është një thirrje për shoqërinë tonë që të jetë edhe më empatike më mirëkuptuese dhe më mbështetëse ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Është një moment që na kujton se arti, dhe baleti në veçanti, ka një aftësi unike të na bashkojë të githëve, pavarësisht prejardhjes sonë, për të qëndruar së bashku përballë sfidave”, ka thënë Rukovci.
Ndërkaq, koreografi Sead Vuniqi ka falënderuar kolegët e tij balerinë për atmosferën e mrekullueshme të punës, e cila është respektuar edhe më pasi koreografia është realizuar nga pjesëtarët brenda institucionit.
“Gjatë procesit të punës me balerinë normalisht ka qenë pak e vështirë pasi kemi pasur një kohë mjaftë e shkurtë për përgatitje, e përveç kësaj edhe angazhime të tjera. Ne jemi një institucion që sfidohemi shumë, por që gjithmonë i tejkalojmë ato dhe mundohemi t’i arrijmë sukseset që i posedojmë. Mjedisi i punës me balerinë ka qenë shumë i mirë për shkak se janë shokët e mi, unë jam rritur me ata. Shumicën e kohës e kaloj me ta, kështu që për të punuar në cilësinë e koreografit është një ndjenjë jashtëzakonisht shumë e madhe. Ata gjithmonë janë përkrahës, por sidomos kur e dinë që produkti është nga brenda përkrahja është edhe më e madhe” ka thënë koreografi Vuniqi, i cili është i vetëdijshëm për kohën e limituar me të cilën është dashur të realizohet kjo shfaqje, si dhe për vullnetin e jashtëzakonshëm të kolegëve të tij brilant.
Ndërkaq, balerina Behie Murtezi ka thënë se për BKK ka qenë shumë e rëndësishme të trajtoj një aspekt me tematikë të rëndësishme dhe të ndjeshme në shoqëri.
“Mendoj që ne si Balet i Kosovës kemi bërë sado pak për njerëzit që janë të prekur me këtë sëmundje, ndjehem shumë e lumtur për këtë aspekt. Jam shumë e lumtur që të paktën e kemi dhënë një shfaqje që i ndërgjegjëson dhe ju jep shpresë të gjithë atyre që janë të sëmurë. Uroj që aktivitete të tilla të kemi edhe më shpesh” ka thënë balerina Behie Murtezi, duke potencuar edhe brengën e saj sa i përket realizimit në aspektin e kohës.
“E vetmja gjë që e kam si brengë është koha e shkurtë që e kemi pasur për realizimin e kësaj shfaqje. I gjithë procesi ka qenë shumë i shpejtë, kurse për emocionet të cilat janë shumë të forta që i bartim përmes kësaj shfaqjeje ndoshta do të duhej një kohë pak më e gjatë për tu përgatitur. Mirëpo, megjithatë shfaqja ka dal shumë mirë dhe mendoj që publiku e priti jashtëzakonisht mirë” ka thënë gjithashtu ajo.
Kurse, balerini Isa Beg Gjocaj ka përmendur edhe sfidat tjera të cilat e përcollën realizimin e këtij projekti, për të cilin ka punuar me plot pasion e përkushtim.
“Me sfida jemi duke u ballafaquar me vite të tëra, prej kohës kur është mbyllur Teatri i Kosovës. Si trupë e Baletit kemi mbetur pa shtëpi. Nuk e kemi sallën tonë adekuate por duhet në njëfarë mënyre ta huazojmë. Ushtrimet dhe provat janë mbajtur te salla e Ansamblit “Shota”. Këtë herë kemi pasur ballafaqime me disa sfida akoma më të mëdha, pasi skena e amfiteatrit të cilën e kemi pasur në shfrytëzim është jashtë përdorimit për shkak të grevës nga ana e aktorëve. Po ashtu e kemi pasur një kohë shumë të shkurtë për përgatitje të këtij projekti, pasi në fillim të këtij viti e kemi qenë në një udhëtim në Berlin të Gjermanisë me një shfaqje tjetër. Të gjitha këto kanë qenë bllokada në njëfarë mënyre. Por edhe këtë herë ja dolëm fatmirësisht”, ka thënë Gjocaj.
Tutje, ai ka thënë se si Trupë e Baletit janë shumë të kënaqur me rezultatin që është arritur mbrëmë pas reagimeve të publikut pas performancës së tyre.
“Shfaqja e sotme e ka një rëndësi shumë të madhe për ne, sepse ka pasur një tematikë mjaftë prekëse. Besoj që të gjithë e kanë përjetuar, së paku kushdo që ka pasur një përvojë të tillë, apo ndonjë të afërm që është ballafaquar me këtë, e kuptojnë sfidën emocionale dhe fizike që vijnë me sëmundjen. Normalisht, ka qenë prekëse edhe për ne. Shpresoj që ja kemi arritur ta realizojmë, në një mënyrë jo shumë dramatike, ngase ky ka qenë synimi ynë kryesorë, që mos ta bëjmë dramatike, dhe të shpërndajmë shpresë që gjithçka mund të kaloj me mundin dhe ndihmën e njerëzve rreth nesh”, ka përfunduar balerini Gjocaj./ KultPlus.com
Kjo javë e muajit shkurt do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar (Tiranë) disa aktivitete. Përveç shfaqjeve teatrale, “ArTurbina” gjatë kësaj jave do të vihet në dispozicion edhe të një shfaqjeje të artistëve të Cirkut Kombëtar.
Komedia “Fundjava”, me regji nga Elma Dorezi është shkruar nga Norm Foster, do të rikthehet në Teatrin Kombëtar.
Gjatë një vizite në fundjavë mes dy çifteve, natyra e vërtetë e marrëdhënieve të tyre del në sipërfaqe ndërsa katër të ashtuquajturit “miqtë më të mirë” zbulojnë ngadalë se si ndihen vërtetë dhe çfarë mendojnë për njëri-tjetrin.
“Fundjava” është një ndërthurje e të qeshurës dhe të vërtetës, mashtrimit dhe surprizave, që e lë audiencën të hamendësojë dhe të qeshë deri në fjalën e fundit. Tek “Fundjava” interpretojnë: Helidon Fino, Monika Lubonja, Arjola Demiri, Klodian Hoxha. Komedia do të shfaqet nga data 6 deri më 9 shkurt.
Më 8 dhe 9 shkurt, orari i paradites në “ArTurbina” i është rezervuar publikut të Cirkut Kombëtar.
Ndërkohë që ka edhe një rikthim tjetër në skenën e TK të shfaqjes “Fausti”, me regji të Davide Iodice.
“Fausti” u shfaq edhe gjatë vitit 2024 dhe mori vlerësime. Regjisori italian Iodice veç regjisë së “Faustit”, ka marrë përsipër edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet./atsh/ KultPlus.com
Elenita Roshi do të jetë drejtuesja e Muzeut Historik Kombëtar.
Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se Roshi sjell mbi 20 vite përvojë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, turizmit të trashëgimisë, dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror.
Elenita Roshi ka punuar gjerësisht me organizata ndërkombëtare, në projekte që fokusohen në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, sidomos në Butrint dhe Gjirokastër. Bazat e saj akademike, përfshirë një doktoraturë në marketingun e trashëgimisë kulturore dhe një bursë Humphrey/Fulbright në Universitetin Cornell të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësojnë përvojën e saj praktike.
Si pedagoge e jashtme në Universitetin Politeknik të Tiranës, Elenita kontribuon gjithashtu në ndërtimin e ekspertizës së ardhshme në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
“Pasioni i saj për ta bërë trashëgiminë tonë tërheqëse dhe edukative, si për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët, do t’i shërbejë procesit të rëndësishëm të rindërtimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të shndërrimit të tij në një hapësirë për edukim, frymëzim dhe dialog”, theksoi Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se punimet e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar po vazhdojnë me dinamikë të lartë.
Ministri Çeku ka thënë se përmes një investimi mbi shtatë milionë eurosh ndërtesa e TKK po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme për artistin, stafin dhe publikun artdashës.
“Puna profesionale që është bërë në hartimin e projektit po vazhdon edhe në zbatimin e punimeve restauruese nga operatorë të licencuar për konservim. Profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar me përkushtim nga fillimi i këtij procesi delikat.
Po investojmë mbi shtatë milionë euro për modernizimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar, duke u siguruar që vlerat e asetit do të mbrohen me përpikëri”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com
Gati 20 mijë vizitorë admiruan thesaret e Muzeun Kombëtar “Onufri” gjatë muajit shtator.
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerëson interesin në rritje për pasurinë e jashtëzakonshme të artit ikonografik në Muzeun Kombëtar “Onufri”.
Interesi i madh për këtë trashëgimi, shprehet Gonxhja, ka bërë të mundur që vetëm gjatë muajit shtator gati 20 mijë vizitorë të kenë admiruar thesaret që mban ky muze.
Koleksioni i Muzeun Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht 1968 u zbuluan dy kodikët e famshëm të Beratit, “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus”) i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX pas Krishtit.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës për herë të parë që nga themelimi do të prezantohet në Azi, në festivalin ‘Cheonan World Dance Festival 2024’, të Koresë së Jugut.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”.
“Baleti Kombëtar i Kosovës, me datën 23 shtator, do të udhëtoj për në Seul, ku për herë të parë që nga themelimi 52 vite më parë, do të prezantohet në Azinë e largët, përkatësisht në Festivalin ‘Cheonan World Dance Festival 2024’ në Korenë e Jugut”, thuhet në njoftimin e BKK./ KultPlus.com
Turistët vendas e të huaj gjithnjë e më shumë kanë kuriozitet për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga turistët të cilët kanë shijuar perëndimin e diellit në oborrin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri.
I vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982.
Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare, me fokus kryesor dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar./ atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot është marrë vendimi për mbylljen e Muzeut të Kosovës, për shkak të resturimit të përgjithshëm të cilit do t’i nënshtohet ky institucion.
Ministri Çeku tha se Këshilli Drejtues ka vendosur që mbyllja e muzeut do të bëhet për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.
Ai më tej ka potencuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës pas restaurimit do të jetë institucion modern muzeal, me standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë.
“Kontrata për restaurimin e përgjithshëm tashmë është nënshkruar, ndërsa sot Këshilli Drejtues ka marrë vendim për mbylljen e Muzeut për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.
Krahas restaurimit po vazhdon trajtimi i fondit muzeor, ndërsa po formohet komisioni profesional për rikonceptimin e ekspozitave të përhershme”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente të veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut.
Në këtë park mund të shihet me sy të lirë shiu i meteorëve, duke ofruar një përvojë të kompletuar të turizmit natyror.
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga eventi i përvitshëm organizuar nga “Shebenik Egnatia Explorers”, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nga ku “shiu i meteorëve duket me sy të lirë dhe atraksionet e parkut të ftojnë për një përvojë të kompletuar të turizmit natyror”.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
“Shiu i meteorëve”
Një herë e një kohë mendohej se yjet në rënie ishin lotët e Shën Lorencit, i martirizuar në vuajtje. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për yje të vërteta, por për mbetjet e perseidi, që e kanë origjinën nga kometa suift-tuttle, e zbuluar në 1862 nga astronomi italian Giovani Vrginio Schiaparelli.
10 gushti është dita e përcaktuar në kalendarin fetar, por sidoqoftë, për të parë më mirë shiun e meteorëve, duhet pritur 12 gushti, kur perseidet janë më të dukshme në qiell.
Kulmi shënohet natën mes 12 dhe 13 gushtit, rreth orës 22 të mbrëmjes, aq sa mund të shihen deri në 50 meteorë në orë. Por duhet patur kujdes nga ndotja nga ndriçimi; për të admiruar yjet që bien më mirë, duhet zgjedhur një vend i errët, larg nga qytetet, e nëse është e mundur në lartësi.
Astronomët sugjerojnë se duhet parë në drejtimin veri lindje, në natë të plotë, kur hëna ka perënduar./atsh/ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet në Lisbonë të Portugalisë, me shfaqjen “Aeon” më 27 korrik.
Premierën e shfaqjes ‘Aeon’ Baleti Kombëtar e pati në Prishtinë gjatë muajit qershor duke shënuar premierën e katërt gjatë këtij viti, që këtë herë erdh si bashkëpunim me koreografin Daniel Cardoso.
Shfaqja jepet më 27 korrik, në CINETEATRO D. JOÃO V, në ora 19:00, në Lisbonë, Portugali.
Në Gjirokastër u zhvillua edicioni i pestë i Panairit Kombëtar të Artizanatit.
Panairi Kombëtar i Artizanatit u zhvillua në Pazarin e Vjetër dhe pati mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, QKVT dhe bashkisë Gjirokastër.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se ky panair priti rreth 70 artizanë nga e gjithë Shqipëria, ku u promovuan zanatet e gdhendjes së drurit dhe gurit, arti i qëndistarisë, bizhuteritë artizanale e një pjesë e mirë e gatimeve tradicionale të zonës së Gjirokastrës.
Ky ishte një aktivitet ku u ndërthur folklori dhe artizanati, prej gurrës së traditës sonë më të mirë popullore.
Panairi u shoqërua me muzikë folklorike nga grupi i Libohovës dhe orkestrina me violinistin Xhorxh Gramozi, të cilët shtuan akoma më shumë gjallërinë në këtë festë.
Panairi u organizua nga Qendra Kulturore e Veprimtarive Tradicionale dhe TID Gjirokastër./atsh/ KultPlus.com
Shfaqja “Megalomani” do të luhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me datë 29 qershor nga ora 20:00.
Shfaqja Dance Teater- Komedi “Megalomani” nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore dhe gërshetimit të gjuhës së trupit, fjalës, dhe pantomimës shpërfaqë situata në formë komike, në të cilat trajtohet fenomeni i “madhështisë”, pushteti absolut, dhe absurditeti dhe pasojat e këtij fenomeni.
Shfaqja ngre disa pyetje për individin dhe për shoqërinë mbi fenomenin e Megalomanisë.
Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën e katërt për vitin 2024 “AEON”, me koreografi të Daniel Cardoso.
Pjesëtarët tjerë që mundësuan shfaqjen “AEON” janë: Asistente e koreografit: Inês Godinho Udhëheqëse e provave: Luljeta Ademi Kostumet: Inês Godinho & Helena Pereira Fustanet: Ines Godinho & Elva Bella
Shfaqja premierë jepet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 27.06.2024, kurse repriza jepet më 28.06.2024/ KultPus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet me shfaqjen “Shtegtimi” në teatrin e Manhattanville University të New York-ut.
“Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Pio Fini, u realizua si premierë në Kalabri të Italisë, në korrik tē vitit 2023.
Koreografia “Shtegtimi” nga Antonio Finì, një balerin dhe koreograf me origjinë arbreshe, eksploron tema universale të migrimit përmes gjuhës së lëvizjes. Kjo performancë nxjerr në pah përvojat dhe sfidat me të cilat përballen emigrantët, duke ofruar një anë emocionale dhe të fuqishme interpretimi të udhëtimit të tyre. Në koreografinë “Shtegtimi”, ngjyrat luajnë një rol të rëndësishëm.
Ndërsa kërcimtarët lëvizin nga një skenë në tjetrën, shtohen shtresa ngjyrash të gjalla, që përfaqësojnë kulturat e ndryshme që kanë emigrantët të cilat i bartin me vete dhe i fitojnë përgjatë udhëtimit të tyre, ngjyra të simbolizojnë pasurinë dhe diversitetin që lindë nga takimi i traditave dhe historive të ndryshme.
Një element dallues i kësaj shfaqjeje është përdorimi i këngëve arbreshe, të cilat kërcimtarët i këndojnë gjatë performancës së tyre. Këto këngë jo vetëm që i shtojnë një element muzikor tërheqës koreografisë, por edhe një lidhje të thellë me kulturën dhe rrënjët e arbreshëve. Te meloditë dhe tekstet e këngëve rrëfejnë historitë e një komuniteti emigrant, duke ngjallur ndjenja të nostalgjisë, shpresës dhe qëndrueshmërisë.
Nëpërmjet “Shtegtimit”, Antonio Finìi përcjell një mesazh mirëkuptimi dhe solidariteti ndaj atyre që e gjejnë veten në një rrugë migrimi. Koreografia e tij kap bukurinë dhe kompleksitetin e kësaj përvoje universale, duke i kujtuar audiencës rëndësinë e mirëseardhjes dhe respektimin e kulturave dhe identiteteve të ndryshme.
Shfaqja jepet më 6 qershor, në teatrin e Manhattanville University në New York./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se janë ndarë tre milionë euro për restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Ministri Çeku ka thënë se Muzeu do t’i nënshtrohet restaurimit të përgjithshëm, me fokus në konsolidimin e kushteve të deposë.
“Vlera që kemi ndarë për këtë ndërhyrje kapitale është tre milionë euro. Krahas restaurimit, gjatë periudhës sa Muzeu do të qëndrojë i mbyllur, do të bëhet edhe rikonceptimi dhe përditësimi i ekspozitave të përhershme” thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se sa turistë i pati shteti shqitparë për tre muajt e parë të vitit 2024.
Ai, me anë të një postimi në Facebook, tha se pati një rekord të vizitorëve në muzetë kombëtare.
“54,721 turistë kanë vizituar muzetë kombëtarë në periudhën janar-mars 2024, 122% më shumë krahasuar me vitin 2023, falë edhe rritjes së fortë të turizmit e cila vazhdon”, ka thënë Rama.
Baleti Kombëtar i Kosovës, hapë thirrje për angazhimin e 60 (gjashtëdhjetë) fëmijëve për shfaqjen e baletit “Peter Pan” me koreografi nga Olga Pango.
Ky projekt do të realizohet si premierë me dt 01.06.2024, në Ditën Botërore të fëmijëve.
BKK, fton të gjithë të interesuarit për të aplikuar në audicionin e hapur, I cili do të mbahet me dt 27.04.2024 (e shtunë) në sallën e AKV Shota në Prishtinë me fillim në ora 13:00.
Koha e realizimit të projektit është nga dt 02.05.2024 deri me 01.06.2024
Provat e shfaqjes përgjatë këtyre ditëve, do të mbahen çdo ditë me fillim në ora 17:00 dhe orari i provave do të zgjasë në varësi të nevojave të procesit të punës. Puna përgjatë fundjavave, nuk përjashtohet!
Detaje për audicion:
Mosha e kërkuar – 9 deri në 15 vjeç.
Audicioni do të mbahet në grupe, në varësi të numrit të pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit në audicion, do të vlerësohen nga Komisioni profesional, në krye me koreografen e shfaqjes.
Prindërit, së bashku me fëmijët, duhet të paraqiten në objektin e AKV shota, të paktën një orë para fillimit të audicionit, për t’i kryer procedurat e regjistrimit për audicion dhe për të gjithë fëmijët e interesuar, prindërit ose personat përcjellës të fëmijëve, duhet të paraqesin certifikatën e lindjes në momentin e regjistrimit për audicion.
Mënyra e vlerësimit, do të bëhet përmes mbajtjes së klasës së baletit (ushtrimet në levë dhe në mesin e sallës, në varësi të kërkesave të Komisionit)./KultPlus.com
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i dhuroi dhe dorëzoi Muzeut Kombëtar të Kosovës, penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Këtë dhuratë e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.
“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar. Ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.
Mirëpo, pak e dijnë se dikur objekti i Muzeut ka shërbyer si kazermë ushtarake e Komanës së Divizionit të Kosovës, në viteet 1930-32.
Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. / KultPlus.com
(Fotot marrë nga ‘Foto dhe dokumente të vjetra historike’)
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981), krijimet e së cilës mbetën në sirtar, në periudhën kur ajo i shkroi. Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin tʼi ndante ato me të tjerët. Poezitë e saj panë dritën e botimit në vitin 1997, kur doli libri “Dritë që vjen nga humnera”, një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i Çomos.
Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.
Drita Çomo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.
Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23-vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj./atsh/KultPlus.com
Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar duhet të ishte bërë edhe më herët. Ish-drejtori, Melsi Labi në një intervistë për Euronews, tha se punimet mund të zgjasin më tepër se afati i vendosur nga vetë ministria dhe drejtoria.
Rikonstruksioni i Muzeut historik Kombëtar do të kushtojë 26 milionë Euro. Ndonëse për këtë ndërhyrje nevoja ishte imediate, shumë pikëpyetje fshihen pas vendimit për mbylljen e përkohshme të tij. Kështu u shpreh Melsi Labi, ish-drejtor i muzeut kombëtar për Euronews Albania.
Transferimi i objekteve, artefakteve dhe shumë sendeve që na përfaqësojnë ne si identitet, mund edhe të ketë pasoja si dëmtim apo dhe humbje për aq kohë sa deri më tani asnjë ekspert i etnografisë apo studiues i muzeve nuk është kontaktuar.
Projekti i ri i muzeut ka 6 variante por deri më tani ende nuk kemi një zyrtar nga drejtuesit apo vetë ministria ndonëse ndonëse paratë e rikontruksionit janë të taksapaguesve.
Nesër është dita e fundit kur një qytetar mund të vizitojë për herë të fundit Muzeun Historik Kombëtar me imazhin e 43 viteve që nga ndërtimi i tij. Pas marsit të 2028-ës mund të jetë i aksesueshëm, gjithmonë nëse puna ka përfunduar./euronews/KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.
Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës sjellë shfaqjen premierë “Kamarja e Turpit” të autorit Ismail Kadare, me regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.
Në këtë premierë, trajtohet tema ku perandoria osmane duke bërë çmos që ta zë kokën e kryerebelit, Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët do t’i shkojnë pas siç i shkuan Skenderbeut dikur.
Perandoria Osmane ka filluar të dobësohet ngaqë shtetet nën pushtimin e saj kanë nisur përpjekjet për pavarësi. Për ta ruajtur pushtetin dhe imazhin në sytë e qytetarëve të vet, perandoria ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit kamaren e turpit: vendin ku do të ekspozohen kokat e tradhëtarëve që e gjithë bota t’i shohë. Por një kokë paraqitet sfiduese për t’u kapur: ajo e kryerebelit shqiptar, 80-vjeçarit Ali Pashë Tepelenës.
Por Sulltani është në gjendje të bëjë çmos për ta kapur kokën e Ali Pashës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët e të gjitha anëve do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij për t’iu bashkuar në luftë kundër perandorisë, ashtu siç bënë me Skenderbeun disa shekuj më parë.
Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi