Santori, ky pionier në fushën e dramaturgjisë arbëreshe (dhe shqiptare), për një kohë të gjatë është njohur vetëm në saje të dramës së parë të shkruar në prozë në gjuhën shqipe. Po ai ka lëvruar llojet më të larmishme të dramaturgjisë, kështu mund të përkufizohet si themelues i tragjedisë në letërsinë e arbëreshëve të Italisë dhe tërë letërsinë shqiptare me veprën në vargje.
“Neomenia”, i melodramës me disa krijime të panjohura për një kohë të gjatë si “Aleks Dukagjini”, “Sofia”, “Leukotea”, “Pjetër Shterori”, “Klementina” [………………] dhe gjithashtu i komedisë me dy komeditë e mbetura në dorëshkrim “Kallogrea karroqare” (“Vejusha koprace”) dhe “Polikarpi”.
Të gjitha këto vepra me përjashtim të “Emirës” që u botua pjesërisht në “Fjamurin e Arbërit” të De Radës, kishin mbetur dorëshkrim dhe u zbuluan gradualisht falë zellit të studiuesve arbëreshë që bashkëpunuan aktivisht edhe me kolegët shqiptarë. Ata gërmuan në minierën e pasur dhe të pashfrytëzuar të dorëshkrimeve, Françesk Anton Santorit. Dy komeditë e panjohura të këtij autori tepër pjellor arbëresh pati mirësinë të m’i vinte në dispozicion studiuesi Belmonte.
Komedinë “Kallogrea karroqare” që ka shumë gjasa të jetë e para komedi arbëreshe dhe shqiptare dhe ka vlera të padiskutueshme estetike, ndonëse e papërfunduar, e kemi trajtuar në një tjetër shkrim dhe konkretisht në një kumtesë të mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Franqisk A.Santori” dhe trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe”, e mbajtur me rastin e 200-vjetorit të lindjes së autorit.
“Polikarpi” është një komedi satirike që e ka të dukshëm elementin autobiografik. Autori e ka vendosur në vendlindjen e vet, në Picilje (Santa Caterina Albanese). Santori e sheh aty veten në optikën aspak përkëdhelëse të bashkëfshatarëve, i satirizon ata dhe veset e tyre, duke mos lënë mënjanë humorin me vetveten. Ai s’del konkretisht si personazh veprues, po vizatohet përmes dialogëve të të tjerëve.
Një nga personazhet e kësaj komedie është prifti Belvin (armik personal i Santorit) i cili e vetëdemaskon veten duke shprehur lakminë për para dhe vesin e pijes që e karakterizojnë, vese këto që bien në kontrast me vetëpërmbajtjen dhe thjeshtësinë që duhet të dallonin në parim një klerik, po pasqyrojnë realitetin shoqëror të fshatit ku shumica e klerikëve ishin të tillë.
Autori i largohet këtu atij idealizimi të klerikëve që te “Emira” shprehej te figura e Motëmadhit, njeri me virtyte të larta.
Belvini vetërrëfehet përmes dialogut duke treguar kështu edhe mungesë zgjuarsie. Ai as nuk orvatet të mbulojë vetveten me një tis hipokrit morali fetar si bënte përkundrazi vejusha në komedinë omonime. Ai shprehet kështu: “Një mesh nëng të ndën/ njeri. Petëkat së japin gjë …/ Mos pafça allmonu një gjips litri ver ditën/ ndihem si ji dekur… (S’të kërkojnë meshë/ Tokat s’të japin gjë; / Po s’pata gjysmë litri verë të pi ditën, ndihem si i vdekur).
Në këtë komedi Santori shpreh aftësitë e veta si vëzhgues të realitetit që e çojnë nga romantizmi, një romantizëm i stuhishëm, i afërt me romantizmin kalabrez te realizmi, një realizëm të ngjashëm me verizmin italian, i cili përfshinte edhe elemente të natyralizmit, të një fotografimi tepër besnik të realitetit.
Ky autor zbulohet te “Polikarpi” edhe si psikolog që depërton me mprehtësi në shpirtin njerëzor dhe di ta pasqyrojë atë jo vetëm përmes patosit dramatik ose tragjik që i ofronte realiteti i kohës, po edhe përmes një patosi komiko-satirik duke e pasuruar letërsinë arbëreshe dhe shqiptare për herë të parë me përmasën e humorit, të vështrimit të të metave dhe veseve njerëzore përmes lentes zmadhuese të komizmit!
Ky komizëm në komedinë në fjalë përqendrohet te karakteret, njëri prej të cilëve është vetë autori, personazh mungues, po që jeton përmes perceptimit të personazheve të tjerë. Kjo komedi ka një shije moliereske (le të kujtojmë se si vetë Molieri bën ironi me veten dhe alergjinë e vet ndaj mjekëve te “I sëmuri imagjinar” nëpërmjet thënieve të protagonistit, Argantit, njeri narçizist dhe me një kujdes të tepruar ndaj vetes që shpik njëmijë sëmundje imagjinare nga frika dhe egoizmi i tepruar.
Ky personazh që është bërë skllav i mjekëve, shfaq armiqësi ndaj vetë autorit duke folur për të me tallje dhe nënvleftësim. Në mënyrë analoge, bashkëfshatarët e quajnë Santorin njeri pa vlerë dhe të paditur që, sipas tyre, pretendon më kot nëpërmjet disa shkrimeve “të kopjuara andej – këtej” për mendimin e tyre, të luajë rolin e një njeriu të përgatitur dhe të talentuar, prandaj ai quhet prej tyre me llagapin “gomar”. Njëkohësisht, ata duke bërë aluzion për aventurat e tij me vajzat që s’i përshtaten një kleriku, e quajnë “cjap”.
Këtu Santori, përveç qëndrimit satirik ndaj bashkëfshatarëve që e gjykojnë atë me rreptësi të tepruar pa qëndruar aspak më lart nga morali, ka edhe një qëndrim ironik ndaj vetes. Vlerësimit të rreptë dhe të pamëshirshëm të bashkëfshatarëve të paditur dhe ziliqarë (jo më kot, njëri prej tyre, sipas zakonit të autorit për t’i individualizuar personazhet sipas emrit quhet Cilosëri – Zilitari). Santori i kundërvë vlerësimin plot respekt e dashamirësi ndaj tij të Dora d’Istrias dhe krijon efekte komike duke ia kundërvënë famën e saj të madhe paditurisë së ndonjë bashkëfshatari që duke mos ia njohur emrin, e gjykon si po aq të paaftë dhe të paditur se sa njeriu që ajo vlerëson (pra, ai vetë).
Autori gjen rast këtu për ta lartësuar emrin e kësaj princeshe shqiptare të famshme përmes thënieve të intelektualëve të shquar evropianë për të: të parën Zonj të Europs, atë çë gjith shkruaj tart/ allaman, frangjiz, glereq e itallir e vun/ për urtëri mbi Modhamen Stall, atë çë thon/ se s’ka nj’etër grua të e përgjas ndë sa gjëllinjën sod ditë … (të parën Zonjë të Europës, atë që tërë shkrimtarët gjermanë, francezë, grekë dhe italianë e vunë/ për urtësi më lart se Madam de Stal; atë për të cilën thonë se s’ka grua tjetër t’i përngjajë ndër ata që jetojnë sot).
“Polikarpi” njihet përmes një dorëshkrimi prej vetëm tri faqesh. Nuk dihet nëse autori nuk ka arritur dot ta përfundonte veprën ose nëse dorëshkrimi i saj ka humbur.
Kjo komedi, tok me binjaken e saj “Kallogrea karroqare” (binjake nga lloji se nuk u dihet viti i saktë në të cilin janë shkruar, sipas të gjitha gjasave në vitet e pjekurisë së autorit – 60-70 të shekullit XIX), ndonëse e paplotë, dëshmon për aftësinë e autorit arbëresh për të lëvruar llojin e komedisë së karaktereve.
Pra, ndonëse çan në një “tokë të virgjër” Santori shfaq vlera estetike në vizatimin e karaktereve dhe në humorin e mprehtë që është i afërt me humorin e “satirave” dhe “rrëfimeve satirike”, të zbuluara dhe të analizuara më parë nga studiuesit, të cilave edhe ne u kemi kushtuar një shkrim të veçantë.
Është për të ardhur keq që ky autor, nismëtar dhe tepër pjellor në aq fusha, të mos ketë arritur as t’i shfaqë, as të paktën, t’i botojë komeditë e veta në mënyrë që të ballafaqohej me bashkësinë e vet arbëreshe dhe me kritikën e kohës, meqenëse, si komediograf, i ka prirë shumë në kohë Çajupit që për një kohë të gjatë është quajtur si komediografi i parë shqiptar.
Santori, pra, ka qenë, në vijë kronologjike, komediografi i parë shqiptar dhe, për më tepër, një komediograf i talentuar./ KultPlus.com