Teatri Kombëtar do të sjellë në ArTurbina komedinë “La Baby-sitter” i shkrimtarit francez Rene De Obaldia.
Komedia është parashikuar të shfaqet 4 herë, në datat 2,3,4 dhe 5 shkurt.
“La Baby Sitter”, është një komedi ngacmuese, ku trajtohet problemi universal i marrëdhënieve në çift. Jeta me të gjithë vështirësitë dhe problemet e saj, si pakuptuar, na bën të harrojmë atë që është më esenciale në marrëdhëniet bashkëshortore, dashurinë.
Regjisori i veprës është i mirënjohuri Vasjan Lami, i cili ka bërë bashkë aktorët Luiza Xhuvani, Genci Fuga dhe Andia Xhunga.
Autori i veprës, Rene de Obaldia, ishte nje poet, romancier dhe dramaturg i lindur në 1918, në Hong Kong por i rritur në Paris.
Ai e filloi karrierën e tij si dramaturg në 1960-ën, i influencuar nga surrealizmi dhe teatri i absurdit. Për 50 vjet ishte një nga dramaturgët francezë që janë vënë më shumë në skenat botërore. Veprat e tij janë përkthyer në 28 gjuhë të ndryshme. Në vitin 1999, u bë pjesë e Akademisë Franceze, ndërsa në 2022 u nda nga jeta në moshën 104-vjeçare.
Komedia që do sjellë Vasjan Lami, rrëfen jetën bashkëshortore të Elvirës dhe Franklinit, pas 13 vjetësh martesë, kur shkëndijat e dashurisë ka kohë që janë fashitur. Futja në skenë e një dadoje, do të bëjë që marrëdhënia e tyre të pësojë një “shkundje”. /atsh / KultPlus.com