Dy faqe nga botimi i parë i “Komedisë Hyjnore” janë gjetur gjatë transferimit të Arkivit Shtetëror nga Spezia, në Italinë veriperëndimore.
Kryebashkiaku i Spezias, Pierluigi Peracini, e bëri të ditur lajmin për gjetjen në botimin lokal “Il Secolo XIX”, duke shpjeguar se këto janë dy faqe autentike nga pjesët Purgatori dhe Parajsa nga botimi i parë i Komedisë Hyjnore të Dante Alighieri dhe se është qartësisht një origjinal i shekullit të 14-të, shkruan Ansa.
“Është një fakt i jashtëzakonshëm, zbulimi i një thesari me vlerë të paçmueshme”, tha Perakini.
Ai tha se tani synojnë që së shpejti të merren vesh me Ministrinë e Kulturës për organizimin e ekspozitës.
“Ashtu si mbetjet e Komedisë Hyjnore. Është një fakt i jashtëzakonshëm dhe me rëndësi absolute për qytetin dhe kulturën tonë”, shtoi Perakini./KultPlus.com
Mënyra se si përjetimi krijues poetik gjen shtegun për të komunikuar me njerëzit përmes artit figurativ, është nevoja e gjithmonshme që shtresëzimet e artit kanë rrëmuar gjasshmëri për të mbërritur më hirshëm te dëshirimet për t’u ndjerë përplot me frymën hyjnore.
Si çdo tjetër vepër ikonike, e cila u bë thesar në historinë e njerëzimit, edhe Komedia Hyjnore e Dante Aligerit u lexua nga mendje të dritura dhe doli së andejmi si një zë krijues përmes ngjyrës dhe përfytyrimit. Dhe bota nuk mund ta konsiderojë këtë udhëtim poetik nga toka në qiell, prej thellësisë së ferrit deri në lartësitë e qiellit dhe shpirtit, pa idealizimin që piktorë i bënë kulmimeve të këtij udhëtimi epik të njeriut në përjetësi.
Aty ku ngjitej virtyti dhe groposej vesi, ku shpërbleheshin misionarët dhe ndëshkoheshin mëkatarët, aty lindë personazhet dhe u përjetësuan figurshmëria e frymës së Dantes.
Virgjili udhëzon Danten në Ferr dhe Purgator. Megjithatë, kur Dante arrin në majë të Purgatorit (ku është Kopshti i Edenit), Virgjili zhduket. Në vend të kësaj, shfaqet Beatrice, dashuria e humbur e Dantes. Ajo bëhet udhërrëfyesi i tij i ri.
Kjo e kësisoj magjish krijimi në vargje dhe besim, në mendim dhe mesazh, janë tashmë art, kryevepra, është vetë teatri i madh i Komedisë Hyjnore.
Cekim këtë idilikë përjetimi të një shkalle qiellore përjetimi dhe përjetësimi në vepër arti përmes Gustave Doré, piktor francez (1832–1883) me tablonë “Dante dhe Virgjili në rrethin e nëntë të ferrit”, punë e realizuar në vitin 1861, vaj në kanavacë.
Për të vijuar me Roberto Bompiani, piktor italian (1821 – 1908) “Dante dhe Virgil merren fluturim nga Ceron. 1893. Në këtë jetësim të përfytyrimit të mistikës së “Komedisë Hyjnore”, cek edhe Ary Scheffer, piktor holandez-francez (1795–1858) me veprën “Dante dhe Virgjili me Paolën dhe Françeskën”.
Dhe vijon kjo paradë ferrparajse me Eugène Delacroix (1798-1863), dhe tabloja “Dante dhe Virgjili në ferr”, i njohur gjithashtu si Barku i Dantes, 1822, vaj në pëlhurë, një pikturë kjo shumë përfaqësuese dhe me një popullaritet të madh, madje sinjifikuese e gjithë asaj që arti ka mundur të sjellë në joshjen tonë për t’u ballafaquar me të figurshëm vizuale përtej shprehshëmërisë në vargje të Dantes.
Dhe rendim në këtë prezantim të Virtual Art Museum një punë të piktorit francez, Jean-Baptiste-Camille Corot, piktor francez (1796 – 1875). Rendim në këtë rrugëtim imagjinar me rikthimin e piktorit holandez-francez Ary Scheffer, (1795–1858) “Fantazmat e Paolës dhe Françeskës që kundrohen me kureshti dhe nga poetët Dantes dhe Virgjili” (1855) vaj në kanavacë, punë kjo, pjesë e Muzeut të Luvrit, Paris.
Sërish “Dante dhe Virgjili takohen me Paolën dhe Françeskën, 1846, punë nga italiani Giuseppe Frascheri. Dhe vijon kjo paradë yjesh me Gustave Courtois (1852-1923) “Dante dhe Virgjili në ferr”, Gustave Doré, piktor francez (1832–1883) me “Dante dhe Virgjili në rrethin e nëntë të ferrit”, 1861, vaj në kanavacë. Bëhet më i ashpër ky komunikim me “Dante dhe Virgil”, pikturë e William-Adolphe Bouguereau, (1825 – 1905) Dante dhe Virgil 1850, vaj në kanavacë.
Krejtkjo madhështi arti e sendërgjuar me një shpirt të thekur pavdekësie dhe përjetësimi të veprës monumentale “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit, është mënyra e shprehshmërisë së figurshme, e cila e përafron krijimin poetik, eposin, misticizmin e shtresëzimit të përjetësisë, me njerëzit me adhuruesit e pikturës, me ata që shohin dhe ndjejnë më shumë se përmes muzikalitetit të fjalës dhe vargut, me koloritin, me dritëhijen, me dramacitetin e përfytyrimit që del nga shpirti i piktorit më shumë se sa nga vlaga e përjetimit poetik.
Në një nga fotot e viteve të fundit të jetës, portreti i tij, vjen i plotë teksa ndez një cigare. Burri që u end aq gjatë në botën e Dantes apo të Homerit lindi më 7 shtator 1918 dhe u nda nga jeta më 21 janar 2010. Pashko Gjeçi studioi në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare.
Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, djaloshi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës . Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko Gjeçi vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu e arrestuan si të implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri.
Gjyqi do ta dënonte me pesë vjet burg të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku e dërguan muajt e verës. Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty ai vendosi që të përkthejë poetin e famshëm italian Dante Aligerin. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia Hyjnore dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010.
Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhërin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes . Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa I) të Gëtes. Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare.
Në mes te shtegtisë së kësaj jete U gjeta në një pyll krejt errësi, Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë. Si ish ta them sa kam vështirësi Ai I egri pyll, I ashpër, pyll hata, Sa ta mejtoj me kall frike përsëri!…
Vargjet e mësipërme janë marrë nga Kënga XXXIII, e Komedisë Hyjnore, një vepër shqipëruar nga Pashko Gjeçi. / KultPlus.com
Libri zanor “Komedia Hyjnore” i Dante Aligerit do të vij në 33 gjuhë të ndryshme. Ky është një prodhim nga Ministria e Punëve të Jashtme Itali me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë për të shënuar 700 vjetorin e vdekjes së Dante. Kjo nismë u mundëson njerëzve të dëgjojnë një përzgjedhje të gjerë të poezisë së tij në 33 gjuhë.
Ndër gjuhët e përzgjedhura është edhe gjuha shqipe. Gjithashtu libri audio është i disponueshëm në: italisht, arabisht, bullgarisht, katalanisht, kinezisht, kroatisht, çekisht, anglisht, finlandisht, frëngjisht, galisht, gjermanisht, greqisht, hebraisht, hungarez, indonezisht, japonez, koreane, lituaneze, malteze, norvegjeze, Polake, Portugeze, Rumune, Ruse, Serbe, Sllovake, Sllovene, Spanjolle, Suahili, Turke dhe Ukrainase.
Libri audio është në dispozicion falas në tridhjetë e tre gjuhë në platformat Spreaker, Spotify, Deezer, Applepodcast dhe Googlepodcast në adresën “Dalla selva oscura al Paradiso”.
Udhëzimi i dëgjuesve përmes tre pjesëve të Komedisë Hyjnore – Inferno, Purgatorio dhe Paradiso -, është një mënyrë unike për të ndihmuar njerëzit të zbulojnë ose rizbulojnë një poezi të shquar, e cila vazhdon jo vetëm të stimulojë interesin e lexuesve në të gjithë botën, por edhe të frymëzojë artistë, shkrimtarë, muzikantë dhe regjisorë të filmit dhe teatrit.
Libri audio u prodhua përmes bashkëpunimit të tridhjetë e dy Instituteve Kulturore Italiane, secili prej të cilëve dërgoi një regjistrim, në gjuhën e tyre përkatëse, të leximeve të fragmenteve të zgjedhura nga Komedia Hyjnore e interpretuar nga aktorë vendas.
Sponsorizuar nga komiteti kombëtar për festimet e Dantes dhe grupi Dante i ADI (Shoqata e Studimeve Italiane), projekti u zhvillua së bashku me Komunën e Ravenës, mbështetur nga dy studiues kryesorë të Dantes, Alberto Casadei (Universiteti i Pizës) dhe Sebastiana Nobili (Universiteti i Bolonjës-Ravenës)./ KultPlus.com