Koalicioni i Fëmijëve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, kërkon nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vinë tek fëmijët si pasojë e kësaj pandemie. Bazuar në informatat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, fatmirësisht deri në këto momente, asnjë fëmijë në Kosovë nuk është evidentuar që është prekur nga virusi COVID-19.
KOMF vlerëson masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Përkundër masave të ndërmarra deri më tani, KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të siguruar parandalim, mbrojtje, informim të saktë dhe mirëqenie për fëmijët.
KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë të fëmijëve, që të mbani fëmijët e sigurtë brenda ambientit familjar, në shtëpi, e cila në këtë periudhë po konsiderohet si masë e domosdoshme për mos ekspozimin e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së virusit. Prindër, reduktoni daljet veç në raste emergjente! Lidhur me masat parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve nga virusi COVID- 19, prindër, ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandime këto sikur larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, mbajtja e higjienës personale dhe higjienës së shtëpisë, ajrosja e shtëpisë, qëndrimi në distancë nga njëri tjetri së paku 2 metra.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar, është e kuptueshme që ju prindër dhe kujdestarë të ndjeheni të mbingarkuar nga gjithçka që dëgjoni për pandeminë COVID-19. Është gjithashtu e kuptueshme nëse fëmijët tuaj ndjehen të shqetësuar. Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizion ose që atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes. Prandaj KOMF ju bën thirrje juve prindër që të keni një diskutim të hapur dhe mbështetës me fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i ndihmoni ata të kuptojnë, të përballojnë dhe madje të japin një kontribut pozitiv për të tjerët.
Për të zvogëluar ndikimet e mundshme negative të situatës së krijuar tek fëmijët, prindër dhe kujdestarë ndiqni rekomandimet për kujdesin ndaj fëmijëve:
· Inkurajoni fëmijët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar;
· Informoni drejt dhe saktë fëmijët lidhur me virusin COVID-19. Varësht nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës, ofroni informacionin, zgjedhni qasjen dhe metodologjinë e përshtatshme. Gjatë diskutimit, tregohuni të gatshëm t’i dëgjoni, ofroni mbështjetje, vëmendje dhe siguri;
· Informoni fëmijët për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të shpërndarjes të virusit siç janë larja e duarve, dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës së nevojshme dhe të ngjashme. Bëjeni këtë bashkarisht duke përdorur metoda argëtuese, përmes lojës, leximit, këngës dhe vizatimit;
· Vazhdoni rutinën familjare normalisht, zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët;
· Hulumtoni për libra, filma, lojëra të ndryshme për angazhim të familjes gjatë kësaj kohe;
· Punoni më fëmijët në mënyrë që të mos shkëputen nga sistemi arsimor;
· Mundësoni komunikimin në distancë (online) me shoqërinë e tyre, në mënyrë që të mos ndërprejnë jetën sociale;
· Punoni dhe hulumtoni me fëmijët për të zhvilluar aftësi të reja tek ta.
KOMF kërkon angazhim maksimal të të gjithë prindërve dhe akterëve të përfshirë në menaxhimin e situatës më COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të fëmijëve.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i themeluar në 2011, është koalicion i përbërë nga 31 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
Organizatat anëtare të KOMF: Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim –ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof/CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – Ora, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile – CRP/K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të qenieve njerëzore – MVPT, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë – SDSF, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK Kosova, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM, Qendra Sociale – Edukative SOS Kopshti, Nevo Koncepti, Qendra Labyrinth dhe Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN). / KultPlus.com