Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99.

Komisioni Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99, themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, sot në praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe anëtarëve të komisionit mbajtën takimin e parë konstituiv.

“Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai gjithashtu theksoi se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën.
Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili edhe udhëhoqi takimin e parë të komisionit foli për rëndësinë me të cilën do të trajtohet kjo cështje.

“23 vite pas luftës së viteve 1998 – 1999 kur krahas humbjeve fatale të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale, janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore për herë të parë kemi ndërrmarë nismën për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, u shpreh ministri Çeku.

Në takimin e parë u bë njoftimi për fushëveprimin e komisionit, planin e punës, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të komisionit. U diskutua për pikëpamjet e ndryshme të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore për gjatëve 1998-99, për qasjen e dokumentimit dhe rolin e komisionit në këtë aspekt si dhe metodologjinë e punës që duhet ndjekur nga komisioni shtetëror. / KultPlus.com

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini

Sot u mbajt takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini, i cili për herë të parë në Kosovë është themeluar nga Qeveria e Kosovës si një mekanizëm koordinues ndërinstitucional dhe përgjegjës për zhvillimin e dokumenteve strategjike të Qeverisë për fushën e rinisë.

Komisioni kryesohet nga zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Në takimin e parë mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili themelimin e Komisionit Shtetëror për Rini e konsideroi si një hap të rëndësishëm për avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti ndër të tjera u shpreh se: “duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmojnë të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm por edhe kontribuues në shoqëri civile e treg të punës.”

Më tutje Kurti ju tha anëtarëve të komisionit: “Unë pres që përveç fushave të bashkëpunimit, të bëhet edhe një ndarje e qartë e roleve dhe përgjegjësive. Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete.”

Ndërsa në cilësinë e kryesueses së Komisionit Shtetëror për Rini, zëvendësministrja Osmani shprehu përkushtimin e Qeverisë për të bërë maksimumin që fokusi primar të jetë në rininë.

Ajo tha: “Në shëndetësi, ekonomi apo arsim, nevojitet nga një vendimmarrës politik që sigurohet që qeveria jonë në mënyrë të drejtpërdrejtë po përmirëson jetët e të rinjve tanë. Këtë, ne e kemi arritur duke emëruar zëvendësministrat për rini të cilët do përqendrohen në politikat sektoriale me fokus te rinia.”

Anëtarë të komisioni janë zëvendësministrat e tetë ministrive qendrore për rininë, të cilat janë emëruar përgjegjës për rini në ministritë dhe sektorët që mbulojnë. Në takimin e sotëm pati edhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në sektorin rinor. / KultPlus.com

Për herë të parë, emërohet Komisioni shtetëror për vlerësimin e dëmeve në trashëgimi gjatë luftës së fundit në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 19-të ka marrë vendim për emërimin e Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999, përcjellë KultPlus.

Ky komision ka për detyrë të hulumtojë, grumbullojë dhe administrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë e nevojshme nga arkivat publike dhe jopublike si dhe nga të gjitha burimet e tjera të besueshme të informacionit zyrtar me qëllim të realizimit të plotë dhe në mënyrë shteruese të detyrës për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Komisioni obligohet të hartojë raporte për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe të njoftojë edhe Zyrën e Kryeministrit. Në fund punës, përkatësisht mandatit të tij, komisioni obligohet të hartojë një raport përfundimtar së bashku me një vlerësim të dëmit dhe/apo rëndësisë historike, kulturore, shoqërore dhe shpirtërore të objekteve të shkatërruara si dhe të kostos së përafërt financiare të tyre.

Ministri, Hajrulla Çeku e ka vlerësuar si moment shumë të rëndësishme këtë vendim të qeverisë, pasi zyrtarisht e nisim procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës.

Komisioni shtetëror përbëhet nga 14 anëtarë të cilët janë jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.

Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim, ka sqaruar ministri Çeku. / KultPlus.com