27 maji i vitit 1992 ishte dita kur sporti i Kosovës u bë me institucionin më të lart sportiv të vendit, Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Në këtë ditë, në objektin e Rilindjes në Prishtinë, ishin mbledhur emra të njohur të sportit, kontribuues të mëdhenj, të cilët themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës.
Me këtë rast, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shpreh mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e panumërta për të gjithë ata që kontribuuan dhe u mblodhën për ta themeluar KOK-un.
“I falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që morën guximin dhe u mblodhën për të themeluar KOK-un, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre nga regjimi serb, i cili me arrestime dhe burgosje të kontribuuesve të sportit, tentonte të ndalonte çdo veprimtari tonën sportive. 27 maji i vitit 1992, është datë me rëndësi të veçantë për lëvizjen olimpike, pasi themelimi i KOK-ut u hapi rrugën edhe shumë federatave sportive, të cilat nisën veprimtarinë e tyre të pavarur nga sporti i ish-Jugosllavisë”, tha presidenti Krasniqi.
“Në këtë përvjetor jubilar, KOK-u ndodhet në rrethana tjera, i barabartë me të gjitha Komitetet Olimpike Kombëtare, falë anëtarësimit në IOC më 9 dhjetor 2014, dhe për më tepër është përmbushur edhe synimi i atyre që e themeluan, jo vetëm për ta parë ekipin tonë olimpik duke parakaluar në Lojërat Olimpike, por edhe duke u ngjitur tri herë në podiumin më të lartë olimpik, me vetëm dy pjesëmarrje në Olimpiadë”, ka shtuar më tej numri një i KOK-ut.
Presidenti Krasniqi ka falënderuar edhe të gjithë anëtarët e Bordeve Ekzekutive, si dhe ish-presidentët që drejtuan KOK-un: Veton Surroi, Shaqir Shaqiri dhe Besim Hasani.
Atëbotë, më 27 maj 1992, kryesia e parë e KOK-ut përbëhej nga nëntë anëtarë si: Veton Surroi (kryetar), Prof. Dr. Behlul Brestovci (nënkryetar), Prof. Dr. Esat Staviceli (basketboll), Aziz Salihu (boks), Fahri Buçinca (hendboll) dhe Hysen Rakovica (FKF), derisa një anëtar u zgjodh më vonë. Këshilli mbikëqyrës u përbë nga Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu. Krahas anëtarëve, që vinin kryesisht nga sportet olimpike, u zgjodhën edhe punëtorët dhe ish-sportistët meritorë si: Fadil Vokrri, Hysen Syla, Mustafë Syla, Muhamet Berisha, Mehmet Bogujevci, Sefedin Reçica, Agim Kasapolli dhe Isak Latiti.
“Pas këtij akti solemn të themelimit të KOK-ut, mund të përfundojmë sa e këndshme do të jetë dita kur sportistët kulminantë kosovarë, në vend të afirmimit të një krijese artificiale shtetërore që quhej Jugosllavi, në shfaqjet sportive ndërkombëtare dhe në Lojërat Olimpike do të luftojnë për afirmimin e vendit të vet – shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës”, thuhej mes tjerash në shkrimin e ish-gazetarit të Rilindjes, Musa Alaj. /KultPlus.com