Kampioni i Evropës më 2021, Akil Gjakova feston sot ditëlindjen e tij të 27-të, shkruan KultPlus.
Gjakova konsiderohet si një nga sportistët më të suksesshëm në historinë e Kosovës.
Ai fitoi medaljen e artë në peshën 73kg për meshkuj në Lojërat Mesdhetare 2018 të mbajtura në Tarragona të Spanjës.
Në vitin 2021, ai fitoi medaljen e artë në peshën 73kg për meshkuj në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.
Ai po ashtu përfaqësoi Kosovën në Lojërat Evropiane 2015 në Baku të Azerbajxhanit dhe në Lojërat Evropiane 2019 në Minsk të Bjellorusisë.
Ndërkaq, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës i ka uruar ditëlindjën xhudistit, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
“Kampion i Evropës 2021 7️⃣-ti në LO Tokyo 2020 🥇🥉në Lojërat Mesdhetare 3X Sportist i Vitit në Kosovë Urime ditëlindja🎂 Akil Gjakova. U bëfsh 100!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës ka fituar një nga çmimet që janë ndarë në edicionin e 40-të të Kampionatit Botëror të Filmit Sportiv, të organizuar për pesë ditë në Milano të Italisë.
KOK-ut iu nda çmimi “Mention D’Honneur” në kategorinë “Shpirti Olimpik”.
Dokumentari i dedikohet rrugëtimit të dy kampioneve tona olimpike Tokio 2020, xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
Çmimin, autorit të dokumentarit, Kushtrim Krasniqi, ia ndau presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kinemasë Sportive Televizive (FICTS), Franco Ascani.
Rreth 300 mysafirë ishin të pranishëm në ceremoni, mes tyre edhe personalitete të larta nga Komiteti Olimpik i Italisë, Ministria e Sportit të Italisë, drejtues të Federatave Ndërkombëtare, medalistë olimpikë, ish futbollistë të mirënjohur, regjisorë, producentë, etj.
Me një video mesazh të pranishmit i përshëndeti edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
140 filma (dolumentarë) sportivë nga mbi 100 shtete kishin aplikuar për çmime./ KultPlus.com
Pritjeve të shumta u ka ardhur fundi. Edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC).
Lajmin e ka konfirmuar për Komitetin Olimpik të Kosovës, presidentja e KPK-së, Njomza Emini. Sipas saj, është Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim.
“Bordi Ekzekutiv i IPC na ka pranuar me të drejta të plota. Nuk ka pasur asnjë votë kundër ose abstenim. Është lajm i shumëpritur, nga i cili do të përfitojnë më së shumti paralimpistët”, ka deklaruar Emini.
KOK ka siguruar edhe mesazhin e urimit të presidentit të IPC-së, Andrew Parsons, dëruar KPK-së. “Të dashur paralimpistë të Kosovës, mirë se vini në familjen paralimpike ndërkombëtare. Është privilegj për neve t’ju kemi anëtar. Ne ju mirëpresim në Lojërat Paralimpike Paris 2024. Do të jetë mahnitëse të shohim flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LP Paris 2024”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Parsons.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.
“Urojmë dhe besojmë që edhe përfaqësimi juaj ndërkombëtarë do t’i sjell Kosovës medalje të shumta, dhe pse jo edhe nga debutimi në Lojërat Paralimpike Paris 2024”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com
Pingpongistëve kosovarë u është mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21 që po mbahet në Beograd, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Komiteti Olimpik i Kosovë e ka konsideruar përzierje të politikës serbe në sport duke diskriminuar pjesëmarrësit kosovarë.
Në vijim gjeni postimin e Komitetit Olimpik të Kosovës:
Politika serbe sërish përzihet në sport, pingpongistëve kosovarë iu mohohet pjesëmarrja në Evropian!
Politika serbe vazhdon të përzihet në sport, dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë.
Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë.
KOK shpreson që Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të Evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë./ KultPlus.com
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 15-të tij, në të cilën shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.
Ndër pikat e shumta veçohet shpërblimi i ndarë për medalistët e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”.
Më poshtë i gjeni vendimet e dala nga mbledhja:
– Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 u vlerësua sukses i madh për ekipin tonë, i cili fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, me sportet e xhudos (pesë) dhe boksit (një).
– U vendos të shpërblehen sportistët që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare Oran 2022. Medalistet e arta, xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, do të shpërblehen me nga dy mijë euro, ndërsa medalistët e bronztë, boksieri Shpejtim Bajoku dhe xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha, do të shpërblehen me nga një mijë euro. Trajnerëve do t’u takojë gjysma e shpërblimit të sportistit. Në total, shuma e ndarë është 13500 euro.
– U miratua raporti financiar për periudhën TM1
– U vendos që anëtari i BE, Bujar Turjaka, të përfaqësojë KOK-un në cilësinë e anëtarit të komisionit për licencimin e federative sportive, komision ky i formuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.
– Shefi i misionit, Jeton Rudari, raporti për përgatitjet e pjesëmarrjes së ekipit të Kosovës në Festivalin Evropian Veror për të Rinj (EYOF), që prej 24-30 korrik 2022 mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë.
– U vendos që xhudistja, Fatjona Kasapi, Shpresë Olimpike 2022, të mbështetet me një mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit.
– U aprovua kërkesa e Federatës së Karatesë së Kosovës për karateistin Elhami Shabani, i cili rekomandohet në MKRS për marrjen e shpërblimit, pas medaljes së bronztë të fituar në Kampionatin Evropian 2021, të mbajtur në Stamboll të Turqisë. /KultPlus.com
Lojërat Olimpike Dimërore janë duke u zhvilluar në Pekin të Kinës këtë vit, derisa shteti i Kosovës është duke u përfaqësuar nga Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, sot në një intervistë të dhënë për televizionin e Kinës ‘CGTN’, televizon ky që po i transmeton Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022, skiatori Albin Tahiri kërkoi nga Kina që ta njeh Kosovën si shtet.
Më poshtë gjeni intervistën e skitarëve Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Albini, duke folur për mikpritjen e mirë të Kinës (1:00′ – 1:43 min) për ekipin olimpik të Kosovës, kërkon nga Kina që ta njeh Kosovën si shtet. / KultPlus.com
Lojërat Olimpike Dimërore janë duke u zhvilluar në Pekin të Kinës këtë vit, derisa shteti i Kosovës është duke u përfaqësuar nga Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, shkruan KultPlus.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar një video, ku shihet befasia që ata kanë përgatitur për skiatorin Tahiri, i cili feston ditëlindjen e tij të 33-të.
Këto janë Lojërat e dyta Olimpike Dimërore në të cilat Tahiri po përfaqëson Kosovën, derisa Kryeziu shkroi histori duke u bërë vajza e parë që arrin një gjë të tillë.
Në anën tjetër, së bashku me ta janë edhe pjesëtar nga Komiteti Olimpik. /KultPlus.com
Për shekuj me radhë, njerëzit janë magjepsur nga malet e shumë prej tyre madje edhe janë tmerruar nga ta. Sporti i alpinizmit përfshin në vete ngjitjen e majave të ndryshme të botës, gjë që mund të jetë e rrezikshme e jo edhe shumë e preferueshme për shumë njerëz, megjithatë një rast i tillë nuk është Uta Ibrahimi, e cila hoqi dorë nga “jeta” e saj e kaluar për të filluar sportin e alpinizmit, e madje për të hyrë edhe në librat e rekordeve, shkruan KultPlus.
Thënia “Bëni një karrierë të asaj që ju pëlqen të bëni. Suksesi do të vijojë”, doli të jetë e vërtetë për alpinisten Uta Ibrahimi ,e cila në të kaluarën ka qenë drejtoreshë e marketingut nëpër kompani të ndryshme të Kosovës, por lidhja e madhe me natyrën rezultoi që ajo të ndjek zemrën e saj dhe realisht të pushtojë majat më të larta të botës.
Si filloi të merrej me sportin e alpinizmit, si ishte jeta e saj në të kaluarën, cilat janë vështirësit më të mëdha që ajo ka hasur, arritjet e jashtëzakonshme dhe jeta personale, Uta Ibrahimi në një intervistë për KultPlus rrëfen shumëçka për karrierën e saj të bujshme, duke mos harruar edhe misionet e së ardhmes.
E ke përmendur që karrierën profesionale e ke filluar në 2011, mirëpo përpara saj çfarë ka qenë duke bërë Uta realisht? Si lindi pasioni për të filluar me “Hiking”?
Uta Ibrahimi: E vërtetë. Ju edhe shumë të tjerë mundeni me mendu që është shumë vonë me fillu diçka të re në atë moshë. Në vitin 2011 kam qenë 28 vjeç. Ecjet ditore, të shkurtëra, nëpër male dhe natyrë kam bërë edhe para vitit 2022, me familje po edhe me shoqëri. Ndërkaq, me klube bjeshkatare, më saktësisht me Arben Islamin apo “Hiking Njeri” ka qenë po ashtu ky vit.
Çka kam qenë duke bërë përpara? Shumë përpara, unë kam lind e jam rrit në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme e kam përfundu atje. Gjithashtu, kam qenë bashketbolliste e Klubit “Drita” për 7-8 vite. Sporti gjithmonë më ka pëlqy shumë. Ëndrra ime ka qenë me vazhdu me u marrë me basketboll edhe profesionalisht, mirëpo në atë kohë, nuk kam pas shumë mundësi me e zgjedh një rrugë të tillë. Kështu, pasi përfundova shkollimin e mesëm, erdha në Prishtinë dhe fillova fakultetin ekonomik, ofertën me fillu punën si asistente e lëndëve të Makroekonomisë dhe Marketikungut për dy vite ma ofruan vetë universiteti. Më pas nëpër kompani kogja të njohura si drejtoreshë e departamenteve të marketingut. Kam punuar punë shumë të mira dhe lezetshme, deri në vitin 2015 kur e ngjita Malin e Bardhë apo Mount Blanc dhe vendosa t’i lë të gjitha punët dhe t’i përkushtohem një profesioni të ri të punës, atë si guide dhe ngjitjes nëpër malet e vendit, rajonit dhe pse jo edhe botës.
Pasioni – gjithmonë më ka pëlqy me u marrë me sport. Çfarëdo. Edhe futboll shpesh. E gjithashtu natyra dhe dashnia për drunjtë e lumejtë, ka ardh qysh në moshën e vogël, kur me prindërit, motrat e vëllaun, pushimet verore gjithmonë i kemi kalu nëpër tenta dhe kampe të ndryshme. E Hiking, ka qenë vetëm vazhdimësi e asaj që e kam fillu që e vogël, vetëm se deri në atë kohë, nuk kam pas shumë informacione se si mundem me fillu diçka të tillë.
Të bëhesh personi i parë që arrin të ngjitet në majën më të lartë në botë nga Kosova, është diçka e jashtëzakonshme. Si u ndjeve kur ndodhi kjo gjë?
Uta Ibrahimi: Jam ndje njeri më i lumtur në botë. Kurrë as edhe një ndjenjë tjetër deri më tani nuk e ka zëvendësu ndjenjen e arritjes në çatinë e botës, e lindjen e diellit me pa prej atje. Thjesht, zemrën në kuptimin e plotë të fjalës e kam pas plotë e përplotë.
Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vëhen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?
Kohë të ndryshme, kam dhënë mesazhe të ndryshme për gratë. Ndoshta edhe duke kalu nëpër faza të jetës, e gjithashtu duke punu shumë që me ndryshu këtë mentalitet.
Mendoj qe në Kosove për çka ne mburremi më së shumti është për gratë e Kosovës. Kur ndalem me mendu se cilët janë emrat e njerëzve që nime kanë bë dicka për këtë vend, as edhe nje burrë nuk më bjen në mend.
Me këtë fakt, mendoj qe diskriminimu na ka ba ma të forta. Nime na kanë dhanë krah.
Une personalisht para tentimit për në ngjitjen e Majës Everest, kam pas marrë komente prej më të ndryshmëve, e tani mendoj që ato veç më kanë bë më të fort, edhe më kanë ndihmu me arrit qëllime të medha.
Mesazhi per grate:
Gratë duhen me i përkrah gratë. Vetëm atëherë diskrimini s’ka me ekzistu.
Ushtrimet për një sport sikurse futbolli ndodhin në një fushë ose diku tjetër. Por, çfarë përfshijnë ushtrimet e një personi që merret me “Hiking”, pra, si ushtrojnë alpinistët?
Uta Ibrahimi: Ushtrimet që unë i bëj janë shumë të laramanishme. Bëj vrapim malor gati çdo mengjes me grupin “X Trailers” në Germi. Kur nuk jam në Kosovë, vrapoj kudo tjeter. Gjithmonë, kah do që shkoj, e kam një çantë me veshje të vrapit.
Pastaj, CrossFit – me Crossfit Prishtina. Verës bëj biçikletë, e rock climbing, dimrit bëj ski edhe ice climbing, edhe normalisht seanca e tretë e ditës është yoga, para gjumit.
Zakonisht flej në orën 21.30 edhe zgjohem në orën 5.30. Ushqehem shumë mirë, edhe tentoj me pas disipline.
Normalisht gjatë ditës punoj me Fondacionin Utalaya edhe gjatë fundjavës punoj si guide për Butterfly Outdoor Adventure. Shumë shpesh edhe bëj punë vullnetare – përmes prezantimeve nëpër shkolla dhe çerdhe, etj.
Eksperiencat e vazhdueshme me “Hiking” kanë ndikuar që ju të përjetoni aventura të ndryshme, por cilën e veçoni ju më së shumti?
Uta Ibrahimi: Eksperiencat nëpër male e maja të nalta qesin në pah vetëm vlerat e mira e të bukura që i ke. Ato te cilat ti nuk je krenar që i ke, ngadal ngadal ju vazhdoni t’i eliminoni. Kështu gjithmonë kam thënë që malet të tjetërsojnë, e sidomos “Himalayat” më kanë ba me kuptu se sa te vegjël jem, e sa të pa rëndësishme janë gjërat e pa rëndesishme, zënkat, inatet, xhelozitë, etj. Malet per mu nuk janë vetëm sfida fizike, po shumë sfida psiqike. E kjo, të transformon si njeri. Te bon njeri ma të lumtun. E të bon me ju dijtë rëndësinë edhe gjerave shumë të vogla në jetë.
Ke hapur librin e rekordeve dhe historisë disa herë për Kosovën, a ka qenë ky një synim i menduar qysh kur ke filluar karrierën?
Uta Ibrahimi: Jo asnjëherë nuk e kam nis ecjen në mal për me shënu rekorde apo histori per vendin. Ecjen e kam fillu vetëm për me jetu ma ndryshe, më shëndetshem. Me qenë ma afer ma natyrën e malet, me vetën.
Po sikur idea të kishte qenë më shënu rekorde, atëherë edhe kur e kam përfundu Everestin, kam mundur edhe me u ndal, sikurse plotë alpinistë nepër botë. Por unë e kam vazhdu, dhe jo vetëm në ngjitjet në Himalaya, por secili njeri që më percjell pak në rrjete sociale e dinë që unë malet e sportin e bëj në baza ditore, dhe jo vetëm për rekorde.
Viti 2020 dhe 2021 ka qenë shumë ndryshe për të gjithë njerëzit, si ishte për ty viti me COVID-19? Si shkuan ngjitjet, a u anulua gjithçka? Pra, eksperiencat e juaja gjatë dy viteve të fundit?
Uta Ibrahimi: Në vitin e parë të pandemisë gjithcka është anuluar për mua. Pavarësisht që ka pas ngjitesa që kanë vazhdu ekspeditat, mirëpo unë kam dasht me i respektu rregullat e udhëtimeve, edhe kërkesën e nanës natyrë, e me e lanë me marrë pak frymë.
Mendoj që ka qenë nje pazuë e domosdoshme për tokën. Mendoj që secilit prej neve, na ka bë mirë ajo kohë, ku secili kemi pas kohë me reflektu, me pushu prej intensitetit, prej zhurmave, etj.
Personalisht kam qëndruar kryesisht në Kosovë, duke bërë vrapime çdo ditë, kam be rekorde në vrapime, kam bërë gara në vrapime ultra 100 më shumë kilometra, etj.
Ndërsa, në vitin e dytë, kur filloi gjithçka me u kthy si ma parë, edhe unë u ktheva në ekspedita dhe e ngjita Majën Annapurna 8091 metra, si maja me vdekjet me te medhaja në historinë e Himalayave, e më pas edhe Majën Lenin 7134 metra, etj.
E gjithashtu në vitin 2021, gjatë kohës sa isha në ekspedita në Himalaya, në kampin bazë të. Dhalagirise, në mes të akullnajave në 4600 metër lartësi mbidetare, e mora lajmin e humbjes së babait, njerit ma të dashtun të jetës, shokut ma te mirë në jetë, e përkrahësit ma te madh të jetës time. Ky lajm përveç që mka trondit, e m’ka mërzit jashtëzakonisht shumë, m’ka ndryshu ne përceptimin e jetës, e planeve për të ardhmen.
Ke marrë pjesë dhe je ftuar në shumë vende të botës dhe rrjedhimisht ke bërë edhe promovimin e Kosovës në shumë vende, madje në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Si e vlerëson këtë?
Uta Ibrahimi: Jam e ftuar, vizitoj vende të ndryshme – kryesisht aty ku ka male, bej prezantime për Kosovën, për historinë, kulturën, jetën e njerëzve këtu. Shumë shpesh përceptimet e njerëzve kanë ndryshu tepër shumë në momentet që kemi diskutu. Edhe mendoj që kjo është një punë që e bëj për vendin tem, sepse me të vertetë besoj që Kosova është vend shumë i bukur, me shumë potencial, me shumë njerëz të mirë, dhe njerëzit rreth e rreth botes duhen me e kuptu.
Kjo, ka qenë dhe vazhdon të jetë një mision i imi i ngjitjeve në 14 majat më të larta të tokës, ku nëpërmjet ngjitjeve, une dua të promovoj vendin dhe në të njejtën kohë t’i inspiroj gjeneratat e reja në Kosovë për ta parë jetën më ndryshe, me më shumë ngjyra.
Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka të përfshirë “alpinistët” si pjesë të tyre, e së fundmi ke zhvilluar një takim me ta. Për çfarë biseduat?
Uta Ibrahimi: Ka qenë hera e parë që jam taku me Kryetarin e Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti. Pas sa viteve ngjitje nepër majat e botës.
Më kanë prit shumë mire. Jam njoftu më detajisht me procedurat dhe punën e Komitetit Olimpik. E kam kuptu që alpinizmin në formën që unë e bëj ( pasi që nuk është garë), nuk hyn në listën e sporteve garuese dhe nuk është pjesë e garave olimpike. Por prapë, nuk duhet me u anashkalu mundësia e takimeve më të shpeshta, apo edhe ndihmesave në përkrahje financiare të ekspeditave të mia etj. Por pavarësisht kësaj, se çka unë kam postu në rrjtete em ia sociale, me të vërtet nuk ka pas kurrëfar prapavije mbrapa, krejt çka kam dasht është të sjellë debat në mes të KOK apo edhe Federatës Bjeshkatare të Kosovës.
Së fundmi ke qenë pjesë e Festivalit “Erzurum”, e fillove këtë vit me një vend shumë të ftohtë. Por, cila do të jetë e ardhmja e juaj, apo maja e re që do ta ngjitësh?
Uta Ibrahimi: Çdo vit, gjatë dimrit tentoj me gjetë një vend më të afërt edhe me ushtru në ngjitje në akull – sikurse kjo e Erzurumit.
Këto ngjitje më ndihmojnë në përgratitjet e mia drejt Majave 8000 metra, e përveç tjerash atje takoj njerëz nga bota e profesionit të njejte dhe normalisht ndajmë eksperienca të ngjitjeve, ideve peër projekte të përbashkëta, etj. kështu që këto ekspedita janë gjithmonë të mirëseardhura.
E ardhmja është Maja Makalu 8643 metra, Maja e 5 me e nalta në botë. Dhe tani jam në fazën e parë të gjetjës së fondeve.
Fondet janë gjithmone problematike. Une nëpër secilën ekspeditë kam punu shumë që me i siguru financat për ekspedita. Së fundi jam në një fushatë për shtijen e kapelave dhe bandave me brendin Utalaya 14×8000 , ku secili qe po e blen kapelen po e ndihmon ngjitjen në Makalu.
Si një eksperte dhe profesioniste e jashtëzakonshme në fushën e alpinizmit, cilat janë këshillat e juaja për të rinjtë ose njerëzit që aktualisht merren me këtë fushë?
Uta Ibrahimi: Mos me harru sigurinë për vetën, me shpërnda sa ma shumë te të tjerët dhe me bo maksimumin që me e rujt natyrën.
Majat e botës janë bërë diçka e zakonshme për ty, por a ke menduar (ose a ka pasur momente) që ndonjëherë të largohesh nga ky profesion?
Uta Ibrahimi: Ka pas momente, sidomos kur e kam humb babain. Kur flas për sakrificë, shpesh njerëzit nuk e kuptojnë se për çka e kam fjalën. Eh, nuk po flas që mungoj nëpër evente të tjera në jetë, por edhe kur nuk je afër atëherë kur njerin ma të dashtun të jetës nuk kam arrit me e taku, edhe një herë përpara se me shku në botën tjetër. /KultPlus.com
Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sportit në Republikën e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe akterët tjerë institucional e sportivë, po organizon sot dhe nesër “Tryezën e Sportit”, i cili është një takim diskutimi ku po marrin pjesë niveli më i lartë i komunitetit të sportit në vendin tonë dhe po mbahet në Brezovicë.
Konkretisht, synohet që bashkërisht të gjithë akterët e sportit të krijojnë një platformë të përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe zhvillimi i mëtejmë në sportin e Kosovës. Në ditën e parë të tryezës u diskutua mbi gjendjen ekzistuese të sportit në Kosovë dhe për programin e qeverisë.
Në këtë tryezë të parë, morën pjesë Ministri Hajrulla Çeku, Ismet Krasniqi, Kryetar i KOK-ut, Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Musa Selimi, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Prishtinës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sport, drejtuesit e përfaqësuesit e federatave sportive, përfaqësuesit e nivelit lokal në Kosovë, të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive tjera negative në Sport si dhe përfaqësuesit e vet sportistëve.
Në hapje të tryezës, Ministri Çeku, tha se ky është takimi i parë i përbashkët që po mbahet në këtë format përfaqësimi të gjithë akterëve të përfshirë në sport, si një pikënisje për të diskutuar për gjendjen aktuale në këtë fushë, ndërsa shtoi që këto diskutime do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.
Tutje, ministri theksoi se kjo tryezë e diskutimit është fillimi i krijimit të një platforme zyrtare dhe profesionale të diskutimeve tona të përbashkëta. Ky lloj i tryezës do të zhvillohet minimalisht dy herë gjatë vitit.
Ministri paralajmëroi se ndër temat që do të diskutohen në këtë tryezë dyditëshe janë: Gjendja ekzistuese në sport, Politikat e zhvillimit të sportit; Plani Operacional Strategjik i Qeverisë për fushën e sportit, si dhe një projektin e ri “Baza e të dhënave të sportit në Kosovë” si një nismë e re që do të na ndihmojë shumë për zhvillimin e sportit. Po ashtu, ju ftojmë që të diskutojmë për dy shtyllat themelore të orientimin tonë qeveritar për sportin: Sporti për të gjithë dhe Sporti elitar, që ka të bëjë me rezultatet e sportit tonë në arenën ndërkombëtare; Parandalimi i Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport; dhe Infrastruktura Sportive.
Nga këto tema, të nxirren konluza dhe rekomandime që të jenë një orientim për një mobilizim të gjithëmbarshëm të gjithë akterëve të sportit, tha ministri. Çfarëdo strategjie që do të ndërtojmë për sportin, mos të shihet si një strategji e ministrisë për sportin por një strategji e sportit e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se për dy ditë radhazi do të kemi mundësinë që bashkërisht të diskutojmë për sfidat me të cilat përballet sporti ynë.
“Këto ditë, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka përfunduar procesin e vështirë dhe të mundimshëm të kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2022, ku sipas statistikave të nxjerra, del se gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rreth 50 mijë sportistë aktivë, që i bie se vetëm rreth 3 për qind e popullsisë tonë merret me sport”, ka thënë kryetari Krasniqi, duke shtuar se ne duhet të punojmë që këtë përqindje ta rrisim.
Ndërsa në fjalën e tij, dekani Musa Selimi, tha se tryeza e këtillë është shumë e mirëpritur sepse po ndodh për herë të parë ku mblidhen të gjithë akterët e sportit për të diskutuar për këtë fushë.
“Duhet ta rrisim fondin e numrit të orëve të edukatës fizike në shkolla sepse me vetëm dy orë në javë, ne jemi të vetmit në Ballkan dhe Bashkimin Evropian që kemi kaq pak orë”, ka thënë mes tjerash Selimi.
Zëvendësministrja Daulina Osmani, prezantoi planin strategjik dhe operacional të Qeverisë së Kosovës për sektorin e sportit, i cili është hartuar mbi të gjeturat e raportit hulumtues që ka realizuar Departamenti i Sportit i MKRS-së, por që me kontributin e këtyre dy ditëve ky draft do të pasurohet edhe me idetë dhe kontributet e pjesëmarrësve të tryezës.
Klodeta Krasniqi, Shefe e Kabinetit të ministrit, prezantoi të gjeturat për gjendjen momentale në sportin e Kosovës, ku përfshihet infrastruktura momentale ligjore, forma e mbështetjes së aktiviteteve sportive, investimet në infrastrukturën fizike të sportit dhe menaxhimi i infrastrukturës sportive në Kosovë.
Ndërsa Masar Gjaka prezantoi projektin e Bazës së të Dhënave për sportin në Kosovë.
Tryeza do të vazhdojë punimet edhe nesër. / KultPlus.com
Alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi, së fundmi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar rreth mos përfshirjes së alpinizmit dhe bjeshkatarisë në listat e Komitetit Olimpik të Kosovës, përcjell KultPlus.
“Para dy jave në shtetin fqinjë – Maqedoni, janë shpërbly sportista e alpinista për secilën arritje që e kanë ba .. e mos te harrojmë që Kosova ka mjaftueshëm alpinista që kanë ba mjaftueshëm jo veq në Kosovë por edhe në botë”, ka shkruar Ibrahimi.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:
Nëpër krejt shtetet e botës, e edhe shtetet fqinje, në çdo fund-vit Komitetet Olimpike apo edhe Federatat Bjeshkatare mbedhen dhe shpërblejnë sportistët, të fushave të ndryshme, e tu mos e lan anash asnjiher alpinizmin – ngjitjet në vend apo ngjitjet nëpër maja të nalta!
Mirënjohjet janë njifar motivimi, shtyse, për sportista. Na japin zemër me vazhdu ma shumë, edhe vitin tjetër, e tjetrin e kështu me radhë!
Në Kosovë, Komiteti Olimpik i Kosovës nuk e kanë fare në listat e tyne alpinizmin / bjeshkatarinë .. personalisht, përveq shares në FB, skam pas as takime e as ftesa në asnjërën prej organizimeve të tyre.
A duhet me na konsideru si sportista?! A duhet me na shpërbly? A duhet edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës – FBAK me ba organizime të tilla? A duhet Federata me u aktivizu edhe me shty alpinizmin në listën e sportiseve në Komitet sikurse sportet e tjera?!
Para dy jave në shtetin fqinjë – Maqedoni, janë shpërbly sportista e alpinista për secilën arritje që e kanë ba .. e mos te harrojmë që Kosova ka mjaftueshëm alpinista që kanë ba mjaftueshëm jo veq në Kosovë por edhe në botë.
Ky postim është bë veq per me sjell debat konstruktiv, e me u mundu qe ndoshta bashkarisht me u permiresu.
Fotoja nga Ekspedita e Annapurna 8091. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës ndau shpërblimet për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” dhe ka bërë nënshkrimin e Bursave Olimpike “Paris 2024”, shkruan KultPlus.
Me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit të KOK në Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u organizua ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për sportistër pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe ndarjen e pinëve të dërguar nga IOC, si dhe nënshkrimin e Bursave Olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në hotelin Swiss Diamond, krahas drejtuesve të KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi, sekretarit të përgjithshsëm Besim Aliti dhe anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, ishin edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, u.d. i drejtorit në Departamentin e Sportit në MKRS, Fikret Shatri, trajneri tri herë kampion olimpikë, Driton Kuka, kampionia olimpike, Nora Gjakova, sponsorë të KOK-ut, etj.KOK shpërbleu me nga 10 mijë euro kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, me 5 mijë euro trajnerin Driton Kuka dhe me nga 500 euro të gjithë sportistët pjesëmarrës.Presidenti Krasniqi, duke uruar për 7-vjetorin, theksoi se anëtarësimi në IOC u hapi rrugën sportistëve tanë që sot vendi ynë të ketë tri medalje të arta olimpike, derisa u ndalë tek suksesi i fundit, ai i Lojërave Olimpike Tokio 2020 dhe rruga drejt Paris 2024.“Sot, po e mbyllim ciklin e LO Tokio 2020 me dhënien e pinave të Komitetit Olimpik Ndërkombetar dhe ndarjen e shpërblimeve prej 500 deri në 10 mijë euro, shuma këto që KOK i ka siguruar nga sponsorët. Premiot do t’u ndahen dy kampioneve olimpike, bashkë me trajnerin e tyre, Driton Kuka, si dhe nëntë sportistëve tjerë, që pavarësisht se nuk ishin në podium, dhanë maksimumin e tyre.
Me mbylljen e Tokio 2020, sot po e hapim rrugën drejt Paris 2024, ku do të nënshkruajmë bursa me 22 sportistë të përzgjedhur nga Komisioni i Sportistëve, listë kjo që mund të ndryshojë varësisht nga performanca e tyre, e cila do të monitorohet vazhdimisht nga ky Komision”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke uruar që shumica e këtyre sportistëve të fitojnë normën olimpike.
7500 dollarë në muaj është shuma që ndanë Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për bursistët, ndërsa me vendim të Bordit Ekzekutiv, KOK-u ka shtuar edhe 1550 euro në muaj, që në total për 2 vjet e gjysmë, do të ndahen 46 500 Euro, pa i llogaritur këtu përfitimet tjera që do të kenë sportistët, me dërgimin në kampe jashtë vendit, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për Lojërat e ardhshme Olimpike. 22 sportistët do të mbështeten me shuma prej 250 dollarë deri në 1 mijë dollarë.
Nga 1 mijë dollarë u takojnë kampioneve olimpike, Krasniqi e Gjakova.Në fjalën e tij, ministri Çeku, foli për rëndësinë që kishte pranimi i KOK-ut dhe federatave sportive në arenën ndërkombëtare, derisa u ndalë tek suksesi në Tokio 2020 dhe mbështetja e KOK-ut drejt Paris 2024.
“Është kënaqësi e madhe kur në listën e bursave shoh sportistë që ishin edhe në Tokio. Drejt Parisit ju pret një rrugë e gjatë përpara. Ju uroj suksese në procesin përgatitor, jo vetëm juve, por gjithë sportistëve që kanë për qëllim të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Shpresoj shumë që në Paris të shkojmë me më shumë sportistë, më shumë norma olimpike dhe të kthehemi me më shumë medalje”, tha mes tjerash ministri Çeku.
Mjeshtri ndërkombëtar, Driton Kuka, përgëzoi KOK-un për përkrahjen që po u bënë sportistëve, me theks të veçantë u ndalë tek 22 Bursat Olimpike Paris 2024.“Është kënaqësi që KOK po i drejton 22 sportistë drejt Parisit, dhe tani nuk kanë arsye për ankesa. Shpresoj që të paktën të kemi 10 të kualifikuar, kurse unë si trajner shpresoj të kthehemi me medalje, sepse të kalohet Tokio 2020 është shumë e vështirë”, theksoi Kuka.
KOK-u u falënderua edhe nga kampionia olimpike, Nora Gjakova, dhe mundësi Egzon Shala, të cilët folën në emër të sportistëve, me besimin se drejt kryeqytetit të Francës do të udhëtojnë me më shumë norma olimpike dhe të arrijnë sa më shumë suksese. /KultPlus.com