Veprat e artistes Valbona Zherka kthehen në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pas restaurimit

Në një ceremoni solemne të organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Autostrada Biennale, drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha dhe Vatra Abrashi, kanë pritur në takim artisten e mirënjohur Valbona Zherka, autore e dy veprave të artit të cilat janë pjesë e ekspozitës së përbashkët të krijuesve figurativ në sektorin e Galerisë së Arteve në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjellë KultPlus.

Veprat e autores Zherka “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” kanë qenë të ekspozuara në sektorin e Galerisë së Arteve që nga viti 1978 me rastin e shënimit të njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, andaj ato paraqesin frymëzimin e artistëve tanë të cilët me pasion të madh, për shkak të rëndësisë që kishte ky shënim, realizuan një radhë krijimesh të bukura për nderë të këtij përvjetori jubilar.

Restaurimi i dy veprave “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” të autores Valbona Zherka, të punuar me teknikën thurje klasike e leshit, ishin në gjendje jo të mirë dhe mjaft të dëmtuara, si rezultat i vjetërsisë së tyre, andaj kanë pasur nevojë imediate për trajtim dhe restaurim urgjent.

Artistja me vetë iniciativë ka marrë përsipër të bëjë restaurimin e këtyre dy veprave dhe të njëjtat pas restaurimit dhe dokumentimit të këtij procesi i ka rikthyer për ekspozim në ambientet e sektorit të Galerisë së Arteve në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, theksoj se “si rezultat i këtyre veprave të bukura artistike dhe shumë tjerave, u përurua edhe Galeria e Arteve Figurative, pranë Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me 10 qershor të vitit 1978”.
“Andaj ekspozita tematike, kushtuar kësaj ngjarje madhore, ku veprat ekspozuara pasqyrojnë personalitete, ngjarje dhe situata të rëndësishme të historisë sonë, na detyrojnë që të ndërmarrim veprime konkrete për të mirën e Galerisë dhe të kaluarës sonë të lavdishme”, ka theksuar drejtori i këtij institucioni, Samir Hoxha.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e çmuar në fushën e artit dhe të trashëgimisë kulturore Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha dhe Drejtuesja e Festivalit Autostrada Biennale ndau mirënjohje për artisten Valbona Zherka. / KultPlus.com

Foto: QRTK

Hartohet koncept dokumenti i ekspozitës së etnologjisë në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar Koncept Dokumentin për ekspozitën etnologjike e cila së shpejti planifikohet të ridizajnohet në sektorin etnologjik të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjellë KultPlus.

Ekspozita do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional.

Samir Hoxha, Drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore tregon se përmes këtij koncept dokumenti do të bëhet ridizajnimi i sektorit etnologjik në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast synohet të arrihet aplikimi i metodave të ndryshme instruktive, përmes të cilave do të përcillet tek vizitorët.

Prezantimi përveç se vizualisht në formë fizike planifikohet të përcillen edhe me video, audio (muzikë), reprodukime, teksturë (të prekshme) që mund t’u japë qasje çdo vizitori të ndjejë dhe të përjetojë artin tradicional të pasqyruar përmes kësaj ekspozite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.

Duke u bazuar në koleksionin ekzistues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të sektorit etnologjik vizitori mund të mësojë për artin tradicional të shprehur përmes zejeve të ndryshme. 

Koleksioni i pasur me tekstil mund të paraqesë veshje të burrave, djemve, grave, nuseve dhe vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse nga trevat shqiptare njëkohësisht duke treguar për llojllojshmërinë e ngjyrave, mënyrës së punimit, materialit dhe formave që ato paraqesin.

Grupi punës i ekspozitës do të angazhohet në bashkëpunim me dizajnerin e enterierit, dhe të brendimit të ekspozitës  për organizmin e hapësirës në mënyrë që koncepti të jetë në përputhje me hapësirën aktuale në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com