Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur sot të hapur konkursin për hartim të Master Planit për “Kompleksin Memorial Adem Jashari” në Prekaz.
Pas formulimit të detyrës projektuese nga Komisioni i Ekspertëve si dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është shpallur Konkursi i projektimit.
Afati i fundit për dorëzim të propozimeve është data 07.07.2023.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pika e parë e rendit të ditës ishte projekti për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se për projektin do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.
Në mbledhje u miratua vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit.
Kujtojmë që vitin e kaluar MKRS ka ndarë mbi 45 mijë euro për restaurimet emergjente brenda kompleksit të Jasharajve.
Këto ndërhyrje u bënë për të mënjanuar rrezikun e shembjes, së kompleksit. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se së shpejti do të nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku ka njoftuar se përgjatë muajve të fundit kanë bërë hapa konkret.
“Kemi vlerësuar gjendjen fizike të ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente me karakter shpëtimi. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë të vendit dhe nga jashtë, dje kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial.”, shkruan ai mes tjerash.
Minitri tutje shpjegon se gjithashtu në mbledhjen e tretë, që u zhvillua dje, te Komitetit ndër-ministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili kryesohet nga Kryeministri Albin Kurti, morën vendime të rëndësishme.
Gjatë prillit të këtij viti, Qeveria Kurti kishte themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. /KultPlus.com
Në mbledhjen e tretë të Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u prezantua procesi për ndërhyrjet emergjente në këtë kompleks memorial, si dhe u miratua përbërja e Komisionit të Ekspertëve.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e Republikës është duke e trajtuar me prioritet të lartë dhe kujdes të veçantë projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Duke veçuar veprimet konkrete të deritanishme, kryeministri tha se me ndihmën e inxhinierëve dhe profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë kemi vlerësuar gjendjen e ndërtesave brenda kompleksit dhe javën që vjen po nisim ndërhyrjet e para emergjente. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë dhe tani po themelojmë Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështje pronësore brenda kompleksit dhe në fillim të vitit të ardhshëm në agjendën tonë dhe të këtij komiteti do të jetë master-plani për kompleksin memorial, tha kryeministri Kurti.
Hartimi i projektit dhe nisja e punimeve brenda Kompleksit janë detyrat ligjore të këtij Komiteti, por njëherit edhe detyrimi ynë moral ndaj familjes Jashari, tha ai.
Si Kryeministër i Republikës u zotua për të bërë më të mirën e mundshme, bashkë me qeverinë, që në afatin më optimal të nisin punimet për të jetësuar projektin e madh kombëtar, master-planin e Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Gjatë prezantimit të procesit të hartimit të planeve për ndërhyrjet emergjente, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani tha se tashmë kanë hartuar planin për ndërhyrjet emergjente i cili do të sigurojë mënjanimin e rrezikut të dëmtimit të mëtejmë, por edhe do të ruajë integritetin e ndërtesave dhe vlerave të trashëgimisë kulturore që ato kanë.
Në këtë mbledhje po ashtu iu urua mirëseardhje z. Fadil Nura, i cili si Kryetar i Komunës së Skenderajt i bashkohet përbërjes së Komitetit, ndërsa z. Bekim Jashari do të vazhdojë të jetë anëtar i Komitetit, nga tani e tutje si përfaqësues i familjes Jashari./KultPlus.com