Përkujtohet Palok Kurti, ndër kompozitorët e parë shqiptarë

Artisti i madh Palok Kurti u përkujtua sot në kuadër të muajit të Muzikës, shpallur nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, përcjell KultPlus.

“Kujtojmë sot Palok Kurtin, një nga kompozitorët e parë shqiptarë, që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në Shkodër!”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Palok Kurti u lind në Shkodër më 3 korrik 1860 në një familje zanatçinjsh.  U rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian P. Tomë Markoci (Tommaso Marcozzi), prej të cilit mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në kafe “Adriatik”  ku qe në kontakt me muzikën qytetare, por edhe me ndikimet e huaja ardhur nga italianët që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.

Më 1876 hapi bandën e parë muzikore në qytet, ku së bashku me të  u bënë pjesë edhe Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Banda u krijua dhe më 1880. Banda që njihej në mjediset shkodrane si Daulla, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të ”Lidhjes së Prizrenit”  më 1881, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën “Bashkimi i Shqypnisë” dhe marshin “Turqit në Maqedoni”. Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.

Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë “Daullen”. Pas një viti shkolla italiane “Arti e mestieri” e hapur në Shkodër pajtoi Palokën për mësimdhënie dhe krijimin e bandës së shkollës, bandë e cila qe aktive për një dhjetëvjeçar, deri në mbylljen e shkollës më 1911.

Jepte mësime muzike në privat, por me pushtim-administrimin austro-hungarez u arrestua në maj të 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit deri me 1 maj të 1917. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në ishullin grek të  Korfuzit. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e shpunë në Ostia ku kishte dhe familjen, dhe u kthyen vetëm pas “Luftës së Vlorës” në vendlindje.

Kurti ka qenë kompozitori i parë që shkroi këngë, shumica e të cilave të mbështetura te sharkia ose peshrefi. Popullariteti i këngëve të Kurtit bëri që ahengxhinjtë të përvetësonin dhe shpërndanin një muzikë më të përpunuar sesa tonet instrumentale të deriatëhershme.

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ,“Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares dhe artistes së madhe shqiptare Marie Kraja do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi edhe vepra liturgjike.
Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj…

Palokë Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1920. /atsh/ KultPlus.com