Komuna e Gjilanit merr vendim për ndalimin e fishekzjarreve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në prag të festave të fundvitit.

“Ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike fishekzjarrëve në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë e sheshe”, thuhet në një njoftim për media.

Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 20 dhjetor 2024 deri më 03 janar 2025.

Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë urdhëresë do të gjobiten në shumë prej 100 euro.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia.

Komuna e Prishtinës me vargje të zgjedhura shënon Ditën Ndërkombëtare të Poezisë

Komuna e Prishtinës, Ditën Ndërkombëtare të Poezisë ka zgjedhur ta shënojë përmes vargjeve të zgjedhura të poetëve më të mirë të vendit, shkruan KultPlus.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka ftuar të gjithë dashamirët e vargjeve dhe poezisë që t’i bashkangjiten kësaj ngjarje astistike, e cila do të mbahet në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”.

“Ditën Ndërkombëtare të Poezisë do ta festojmë mes vargjeve të zgjedhura 📚dhe tingujve të muzikës 🎼, ku poetët më të mirë të vendit do të lexojnë poezi nga krijimtaria e tyre e çmuar.

Në emër të Drejtorisë së Kulturës, ju ftoj të gjithëve për të përjetuar një mbrëmje plot art e inspirim, me ngrohtësinë e pranverës dhe emocionin e poezisë; më 21 mars, në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”.

Me poezi për një botë më të mirë!”, ka shkruar Halimi./KultPlus.com

Komuna e Prizrenit dhe UNDP fillojnë një Projekt për Promovim të Turizmit

Në përpjekje të përbashkët për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të sektorit privat, Komuna e Prizrenit dhe UNDP në Kosovë nënshkruan marrëveshje për të zbatuar një projekt që do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në qytet.

Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queiros, theksoi se qëllimi i tyre nuk është thjesht të rrisin numrin e vizitorëve por, i një rëndësie vendimtare është të sigurojnë që rritja e turizmit të reflektohet në përfitime të qarta për ekonominë vendase dhe sektorin privat.

“Duke rigjallëruar modelet tradicionale të biznesit, ne synojmë të ndërtojmë një themel ekonomik të qëndrueshëm që mund të përshtatet dhe të lulëzojë. Ky partneritet i fundit plotëson bashkëpunimin që daton më shumë se 10 vjet në mes të UNDP-së dhe Komunës së Prizrenit dhe është një testament për atë që ne mund të arrijmë së bashku. Unë besoj fuqimisht se së bashku do të nxisim potencialin e plotë të Prizrenit si destinacion kryesor për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, vuri në pah rëndësinë e projektit, duke thënë se zhvillimi i turizmit në Prizren është një mundësi e mirë për ta stimuluar ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke rritur nivelin e cilësisë së jetesës së banorëve.

“Investimi në infrastrukturën turistike dhe promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit, domosdo tërheq vizitorë dhe forcon ekonominë lokale. Prioriteti i zhvillimit të turizmit përputhet me aspiratat tona për t’u bërë një destinacion i njohur, duke kontribuar në zhvillimin rajonal dhe njohjen ndërkombëtare të Prizrenit”./KlanKosova/KultPlus.com

Komuna e Prizrenit

Komuna e Vushtrrisë organizon turne futsalli në nderim të heroit Afrim Bunjaku

Komuna e Vushtrrisë me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës  do të organizojnë turneun treditor të futsallit, në nderim të rreshterit të policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht pas sulmeve terroriste në veri të vendit më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi, organizohen aktivitete të shumta për shënimin e kësaj dite”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Komuna e Prishtinës njofton se alarmi publik do të testohet të shtunën

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se testimi i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet gjatë ditës së shtunë, në ora 12:05.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës në facebook.

“Ju njoftojmë se testimi i radhës i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet me datë 02.12.2023  (e shtunë)  ora 12:05 më zë të njëtrajtshëm dy here nga 30 sek”, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës në llogarinë e saj në Facebook./KultPlus.com

Komuna e Prishtinës fton nxënësit e klasave të dhjeta të aplikojnë për regjistrime në gjimnaze dhe shkolla profesionale

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nga nesër shpallë të hapur konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, në gjimnaze dhe në shkollat profesionale të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se konkursi do të jetë i hapur nga data 18.07.2023.

“Të dashur nxënës

Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës nesër më datën 18.07.2023 shpall konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë në gjimnaze dhe në shkollat profesionale.

Ju ftojmë që të aplikoni në shkollat tuaja të preferuara, duke dorëzuar dokumentet e kërkuara në shkollën përkatëse.

Ju urojmë sukses dhe regjistrim në shkollat e preferuara nga ana juaj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./KultPlus.com

Ahmeti: Për Komunën është përgjegjësi, për BIK është thirrje për harmoni

Shpend Ahmeti sërish ka shkruar në facebook në lidhje me varosjen e gruas serbe, shkruan KultPlus.

Akuzave të komentuesve të shumtë ai ka vendosur t’iu përgjigjet për herë të fundit sipas tij, nëpërmjet një statusi. Ai ka shpjeguar të gjitha procedurat që janë ndjekur për varrosjen e qytetares serbe, teksa ka shtuar se kjo çështje për Komunën e Prishtinës është përgjegjësi, ndërkaq për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë vullnet dhe thirrje për harmoni.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Ahmetit:

Pash reagime nga webfaqe serbe! Ky është reagimi im i fundit në lidhje me këtë nga respekti për qytetaren R.Z. të ndjerë e cila nuk meriton përmendje të tillë pas vdekjes!

Për bashkëqytetarët e mi serb:

Nuk është varrimi kredit për askënd, e as akuzë për dikënd. As nuk është garë. Shtepia e Pleqeve e ka thirre BIK-un dhe ata neve, pastaj ne e kemi thirre komunen e Gracanices ku personalisht është marr një zyrtare por si qytetare. Ka ndihmu edhe OSBE-ja. BIK-u e ka dergu arkivolin, e kane transportu deri te varrezat ortodokse bashke me krejt çka është kërkuar. Ideja ka qene me falenderu Bashkesine Islame qe nuk jane marre me elemente fetare dhe gjera te tilla, por vetem kane ndihmuar. Për neve si Komunë është përgjegjësi. Për BIK është edhe vullnet edhe thirrje për harmoni. Për tu aplauduar toleranca.

Mua fare nuk më bën përshtypje se a është shqiptare apo serbe, më bën përshtypje se si dikush mbetet vetë, pa askënd dhe pa ndihmë. Sikurse ndër viktimat e para të Covidit që ishte bashkëqytetari shqiptar që nuk kishte njeri për ta varrosur ashtu edhe sot e ndjera Radmila.

Publikimi im ishte thirrje për mirëkuptim e jo për inat. Prandaj, le të jetë komuna e Prishtinës apo Graqanicës, e le të jetë edhe Kisha Ortodokse organizazorja. Por mos ja humbni veprimin e mirë BIKut. / KultPlus.com

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore demanton Komunën e Prizrenit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka mohuar lajmin se komuna e Prizrenit dhe kjo qendër ka përpiluar listë të objekteve që paraqesin rrezik brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas kësaj qendre, lista e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë ka ardhur si kërkesë për shqyrtim në QRTK, kërkesë të cilën e kanë shqyrtuar në Qendrën Rajonale dhe iu kanë kthyer përgjigje, duke dhënë konkluzionet për çdo objekt i cili ka qenë në listë.

”Dje në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit është plasuar një lajm, ku tregon për punët e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë, si dhe Drejtorisë së Inspektoratit në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht zbatimin e disa veprimeve për rrënim të objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, duke u bazuar në një listë kinse të përpiluar në bashkëpunim me QRTK-në. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në asnjë moment nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, përkundrazi, ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të bëj përforcimin dhe sigurimin e strukturave të objekteve, përveç rasteve të evidentuara për pastrim të rrënojave të objekteve të cilat janë të rrënuara”, thuhet në komunikatën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore./ KultPlus.com