Komuna ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të organizohet aktiviteti “Prite n’Shesh”.
Sipas Komunës, ky aktivitet do të mbahet nga 10 dhjetori deri më 31 dhjetor.
Njoftimi i plotë i komunës:
Komuna e Prishtinës ka kënaqësinë të ju ftojë në aktivitetin e njohur të komunës të quajturin Prite n’Shesh!
Ky aktivitet hapet me 10 Dhjetor 2021 duke filluar nga ora 20:00 dhe do të vazhdojë deri më 31 Dhjetor 2021.
Gjithashtu, 26 bizneset fituese ftohen nesër me datën 8 Dhjetor prej orës 14:00 në Komunën e Prishtinës për t’a tërhequr shortin për numrin e shtëpizës që do të posedojnë përgjatë këtij aktiviteti.
Falënderojmë të gjitha bizneset që aplikuan!/KultPlus.com
Komuna e Prishtinës njofton se e përmbyllën aktivitetin Akull n’Verë, duke thënë se për tridhjetë ditë arritën që bashkërisht t’ia kthejnë sado pak shpirtin Prishtinës, transmeton KultPlus.
“Si Komunë jemi të lumtur që ky aktivitet u përmbyllë me sukses dhe që këtë verë, sado pak, arritëm ta kremtojmë bashkë me bashkatdhetarët tanë, duke lënë pas një vit të vështirë”.
“Jemi të lumtur po ashtu që arritëm të përkrahim biznese të vogla gastronome përgjatë procesit të tyre të rimëkëmbjes nga pandemia, si dhe shumë artistë lokal që ju dha mundësia e performimit përmes subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës”, thuhet mes tjerash në postimin e Komunës së Prishtinës në Facebook. / KultPlus.com
Sot drejtori në Drejtorinë e Kulturës, Adrian Berisha ka bërë të ditur se është nënshkruar një marrëveshje për një nga objektet më të rëndësishme kulturore, ‘Kino Rinia’, përcjellë KultPlus.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Edhe nje marreveshje te rendesishme e nenshkruam sot. Kesaj rradhe me Shtatëmbëdhjetë per njerin nga objektet me te rendesishme kulturore te qytetit tone, objektin e “KINO RINIA”. “Kino Rinia” ka kohe qe po e pret shpetimin dhe pikerisht per nje hap tutje ne kete drejtim, sot kemi nenshkru marreveshje bashkepunimi per hulumtim e intervenim artistik ne kete objekt. Ky objekt ku per me shume se gjysme shekulli ka qene vendtakim per filmdashesit, ka kohe qe ka mbet i braktisur e i pashfrytezuar, por tani bashke me Zyren Zvicerane per Bashkepunim (SDC) dhe Fondacionin Shtatembedhjete po synojme qe ta perdorim artin dhe kulturen si mjet i cili do te sherbejne per ringjalljen e objekteve te harruara. Po ashtu po synojme te kete zgjerim te pjesemarrjes se komunitetit ne jeten publike duke zgjeru mundesite per artistet vizuale dhe interpretues. Ta kthejme vemendjen tek objektet e braktisura dhe t’i shfrytezojme ne te mire te komunitetit. / KultPlus.com
Sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancimin e restaurimit të Sahat Kullës, me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, përcjellë KultPlus.
Sahat Kullla, si një prej monumenteve me të shquara të trashëgimisë kulturore në Prishtinës, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohet duke rikthyer kujtimet e së kaluarës sonë të përbashkët.
Projekti po realizohet me propozimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, nën mentorimin e profesoreshës Florina Jërliu dhe asistentit të saj Rron Beqiri dhe do të implementohet bashkë me organizatën CHWB./ KultPlus.com
Të enjten do të nënshkruhet marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe UNDP-së për restaurimin e Sahat Kullës, njofton Komuna e Prishtinës.
Marrëveshja do të nënshkruhet me fillim në ora 10:00 në afërsi të këtij objekti.
“Nesër nga ora 10:00 deri ora 10:35, Komuna e Prishtinës dhe UNDP do të nënshkruajnë marrëveshjen për restaurimin e Sahat Kullës, pranë këtij objekti kulturor. Më këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha si dhe përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko do të mbajnë një fjalë rasti”, thuhet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me departamentin e sportit dhe kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes të artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”.
Musa Selimi anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.
Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.
“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.
Edhe Fitim Rexhaj nga drejtoria e departamentit të kulturës nga Komuna e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike.
“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha ai.
Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan video nga garat e Distria Krasniqit në ”Tokio 2020”, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.
Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore. / KultPlus.com
Ditën e djeshme, si shumë qytete të tjera në botë dhe në Kosovë, edhe Prishtina pati dëme të mëdha si pasojë e reshejve të dendura të shiut e erërave të forta, shkruan KultPlus.
Mirëpo, sot, Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka njoftuar se ekipet emergjente të Komunës në koordimin me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe kompanitë publike në kryeqytet, janë në teren duke intervenuar ndaj dëmeve të shkatuara.
Berisha ndër të tjera ka theksuar se situata është nën kontroll dhe se nuk ka dëme të mëdha dhe poashtu se ”Akull n’Verë” do të rikthehet që nga dita e nesërme për të të vazhduar me qëllimin kryesor që e ka pasur qysh në fillim, për t’i dhënë kryeqytetit harmoni. / KultPlus.com
Në jetën e njeriut frymojnë disa momente, ekzistojnë ca çaste e rastësi nga më të ndryshmet. Ka çudira e të papritura që herë lëshohen në sekondën e fundit duke gërvishtur lëkurën brenda qenies njerëzore e lëpirë shqetësimet, vuajtjet e dhimbjet më ekzistenciale e ndonjëherë struken përgjithmonë përbrenda duke të të përndjekur në heshtje dhe duke krijuar një shtëpizë në qoshet e shpirtit të gjallë. I abonuar ndaj një historie komplekse e të ndjeshme po aq edhe inspiruese e të fuqishme, identiteti i personazhit të guximshëm siç është drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha në një intervistë ekskluzive për KultPlus ka rrëfyer për të vërtetën e tij, një e vërtetë mbi të cilën asnjëherë nuk do të vendoset pluhuri i harresës, shkruan KultPlus.
I lindur dhe rritur në Prishtinë, një qytet për të cilin ai çdo ditë jeton e punon e në të cilën ai parashikon ta dhuroj edhe frymën e fundit, kësaj radhe ka shpalosur momentet dhe çastet më të vështira e sfiduese që kanë nisur qysh në fëmijëri, për të vazhduar e lënë gjurmë ende edhe sot. Por pavarësisht pengesave, ballafaqimeve e betejave të përditshme, ndërtimi i një karriere të suksesshme dhe fuqia e tij ndaj hasjes në rrugët e mbushura me përplot gropa tinëzare, përjetimet e tij i ka shndërruar në një reflektim që i dallohej në sy qysh nga nisja e kësaj interviste.
Dashuria e madhe për qytetin e Prishtinës, rrugët me kalldrëm, aktivitetet e larmishme e të shumta kulturore, muzikën elektronike e klasike e në veçanti për jetën e ekzistencën jetësore, janë këto ndjesi që ky njeri i cili ka përballuar qëllimet e ndryshme qoftë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme të njerëzve si: dëmtimi, frikësimi, detyrimi, poshtërimi dhe lëndimi, të cilat vijnë si pasojë e bullizmit, të dyfishohen. Ndërsa, këto rrethana të krijuara gjatë periudhës specifike të jetës së tij kanë ndikuar që sot personaliteti i tij i fortë, për të cilin ai ka luftuar duke kapërcyer gardhin e përballjeve e përfunduar në triumf, kanë bërë që sot ai ta konsideroj veten si një ballon i cili është fryrë derisa ka marrë një formë dhe sot vazhdon të fryhet më lehtë. Pra, përballjet e tij të tanishme në jetë për të janë krejtësisht të lehta e normale.
Bullizmi si një dukuri shqetësuese sot është mjaft prezente jo vetëm në shkolla por edhe në shtëpi, lagje e rrugë. Të rinjtë janë gjithmonë të ekspozuar ndaj një rreziku që fshihet prapa dyerve fizike e shpirtërore, e njëri ndër këta të rinj dikur ishte edhe Berisha, i cili rrëfen për dy pikat më të rëndësishme në përvojën e tij personale.
Pika e parë fokusohet në kohën e luftës, një kohë kjo e vështirë për secilin që e ka përjetuar. Një 9 vjeçar në vitin 1999, përjetimi i tij tejet shokues me të gjitha ngjarjet si bombardimet, problemet dhe largimet e shumta kanë ndikuar përgjithësisht në shëndetin mendor të tij. Pastaj, në vitin 2001, atij i shfaqet problemi i parë në të folur, belbëzimi, manifestimi i së cilit ka evoluar jashtëzakonisht shumë përgjatë klasës së tetë e nëntë kur ai ishte në moshën 13 vjeçare. Krizat e shumta të tij në të folur, për herë të parë evokuan bullizmin nga ana e shokëve e shoqeve të klasës të cilët përmes shakave të shumta kanë krijuar ndjesinë e ndrojtjes në të folurën e tij ku guximi për tu pyetur me gojë në klasë ishte pothuajse jo ekzistues. Andaj, zgjidhja e vetme mbeteshin testet me shkrim, dukë bërë që ai të mbyllej akoma më shumë në strofullën e vet.
Vitet pasonin e problemi në të folur ishte ende pjesë e tij e përditshme e e pandashme. Vizitat tek logopedi e mjekë të ndryshëm ndihmuan që të fillonte një përmirësim gradual por gjurmët ende vazhdojnë të jenë pjesë e nënvetëdijes së tij duke i futur rrënjët në brendësinë e tij e ndikuar në karakter. Fjalimet publike, intervistat, dalja në televizione dhe fjalimet në vende të ndryshme, ende krijojnë një emocion tek ai e që shumëfishohet kur debatet fusin kokën në atmosferë dhe shkaktojnë stres e tension përbrenda duke bërë që zanoret si: a, e dhe i, të ndërlidhura me disa shkronja si: p, të jenë një vështirësi bezdisëse ndaj potencialit energjik të personalitetit të tij.
Pika e dytë fokusohet në periudhën kur pas kimioterapisë si pasojë e diagnostifikimit me sëmundjen e kancerit në moshën 15 vjeçare, për herë të parë filluan të dalin akne në fytyrën e tij duke ndikuar fuqishëm në reagimet e ndryshme të njerëzve në rrugë, shkollë e shtëpi. Shikimet e tyre, frika dhe ndrojtja e shprehur në fytyra, vinin si një thithje që kapte frymën e tij dhe e mbante pezull atë duke mos e lëshuar deri në momentin kur ai ishte përsëri vetëm. Shakatë e ndryshme rreth fytyrës, ngjasimet me karaktere të ndryshme që e kanë fytyrën e djegur, rekomandimet absurde ushqimore si mjete shërimi, fshehja e prezencës së tij nga pronarët në lokalin ku punonte, gënjeshtrat se nuk ka vend pune për të ku në po të njëjtin lokal ai vite më vonë performoi e lëshoi muzikë duke shprehur talentin e tij qoftë edhe nën hijen e një kapuçi që nuk ndahej nga koka e tij, fjalët e rënda nga personat familjar të cilat ai i cilëson si një thikë në zemër, dëshpërimi i vajzave kur shihnin atë në realitet gjatë adoleshencës ku ai kishte kuptuar rëndësinë që të shpërndash foto ashtu siç je në të vërtetë, e problemet socio-ekonomike, kanë përhapur ndjenja të ftohta e tejet rrezikuese duke bërë që ai të izolohet në vetvete, përhumbur krejtësisht në një farë depresioni që e shtyri atë që të trajtohet tek psikologu.
Për këto karakteristika të rrezikshme që janë përhapur përgjatë eksperiencave të tij të ndryshme, ekzistojnë edhe disa strategji parandaluese që ndihmojnë në këto rrethana e për Berishën, ajo se çka ndihmon më së miri është injorimi, dakordimi dhe shndërrimi i fjalëve bulliste apo ofenduese në një shkaka, si një mënyrë që personat përballë nuk do ta merrnin me mend që përdoret nga një njeri që preket emocionalisht me diçka që ai po e vuan.
Fëmijëria e tij, në një kohë kur nuk është përdorë as termi bullizëm, gjatë periudhës kohore nga viti 2004 deri në 2010, për të konsiderohet mjaft e vështirë ku ideja se shprehja e ndjenjave ndaj familjes ishte e paparamenduar për arsye se ai ndjehej si një barrë që po shkaktonte mërzi ndaj prindërve dhe gjyshes së tij duke shtyrë që eventualisht shumë vonë ai të hapte zemrën e tij po asnjëherë qind për qind ndaj gjyshes e cila ishte edhe mbështetja më e madhe për të në mesin e nënës, babait, gjyshit dhe ndonjë shoku të mundshëm.
“Më ka munguar një dashuri nga të tjerët përveç familjes dhe e vërej këtë edhe sot”, thekson ai.
Ndërsa, raporti në shtëpi ku ngushëllimet nuk mungonin nga ana e familjarëve e që në realitet atij iu dukeshin si një gënjeshtër e vogël nga ana e tyre dhe jashtë shtëpisë ku bullizimi kishte gjetur vend çdo ditë dhe ishte bërë pjesë e përditshmërisë, kanë krijuar një balancë jo të shëndetshme duke bërë që edhe ngushëllimet e fjalët e mira që vinin nga personat e dashur, ta lëndonin atë akoma më shumë.
Kurse, tani pas shumë vitesh, raportet me ata njerëz që kanë ndikuar negativisht në gjendjen emocionale të tij, ai i konsideron normale por që gjithmonë përbrenda tij ekziston një neveri ndaj atyre personave, individë këta të cilët Adriani konsideron se nuk kanë faj për shkak të problemeve sistematike në shoqëri.
Për njërën nga momentet më të vështira në rrugëtimin e ashtuquajturës ‘jetë’, e që do të mbetet në kujtesën e tij përgjithmonë e tregon vetë Berisha.
“Kujtoj një çast kur një vajzë erdhi në një lokal dhe na përshëndeti në faqe të gjithëve në tavolinë dhe në mesin e gjashtë shokëve aty, unë isha i vetmi ndaj të cilit iu zgjat vetëm dora. Ai moment ka qenë njëri nga përjetimet më të rënda në jetën time dhe sa herë e kujtoj, e kujtoj se si ka ndikuar tek unë e se si gjesti i saj më ka mbetur në kokë për dy javë rresht ku as nuk kam dal nga banesa. Ende e vërej që edhe pse 31 vjeçar, brenda meje frymojnë gjestet e tjerëve”, thotë Berisha.
Sipas tij, pajtimi me realitetin në pjesën e të folurit ka ardhur përmes ushtrimeve në frymëmarrje me gjyshen ku një përmirësim i jashtëzakonshëm u shfaq gradualisht nga porositë e përshkruara nga një mjek në Zvicër ku edhe përmirësimi në lëkurë ishte tejet i dukshëm.
“Aty fillova të çelem sepse unë isha sikur një lule e cila përbrenda ka qenë duke lulëzuar, por jashtë ka qenë tepër e vyshkur. Andaj krahas çeljes së lules, fillova me pas një kontakt me njerëz dhe fillova me kuptu që është thjesht sipërfaqësore sepse më e rëndësishmja është ajo se çfarë ke në përmbajtje, në brendësi. Mëdyshjet se unë isha i vetëm kundër botës u shndërruan në pyetjet ndaj vetes si: a je njeri i mirë dhe a ke dëshirë të shohësh botën mirë?”, shpalos Berisha.
Për të, pika më e dobët ishin dhe ende sot janë fëmijët ku dëshira e madhe për të luajtur me ta ishte në një nivel të lartë ndërsa ata iknin nga ai, andaj brenda vetes së tij ende ekziston një hezitim ndaj mënyrës se si ata reagojnë sepse gjithçka shihet në sytë e tyre e kjo ishte përjetuar shumë rëndë nga ai.
“Mesazhi im ndaj të gjithë atyre që janë duke e përjetuar të njëjtën gjë që e kam përjetuar unë do të ishte: Këmbëngulni, qëndroni vetja. E rëndësishme është ajo se çfarë keni përbrenda e jo ajo se çka jeni jashtë. Nëse je njeri i mirë dhe vepron mirë, është shumë më e rëndësishme se çfarë do tjetër. E keqja nuk mundet me të keqën por me të mirë sepse e mira gjithmonë triumfon”, thotë Berisha.
Në mesin e rrëfimit të tij, ai tregon se si në fakt ekzistojnë probleme të vazhdueshme të cilat vijnë si pasojë e mos edukimit të duhur në aspektin që në shkolla fillore nuk ekziston një psikolog/e që tregon se është krejtësisht normale bashkëbisedimi me prind apo persona të tjerë për diçka që e shqetëson një njeri. Andaj, këshillimi tek psikologu, prindërit e shoqëria është një hapësirë ndaj të cilës mund të hapet zemra e të shprazet nga brengat e ndryshme që posedon shpirti i njeriut.
“Disa nga mënyrat më efektive për parandalimin e bullizmit në shkolla do të ishin: fushatat e edukimit brenda shkollave, programet antibulliste, shfaqja e filmave të ndryshëm që krijohen rreth dhe për bullizmin, psikologët në shkollat fillore e të mesme jo vetëm për viktimat por edhe për ata që shkaktojnë bullizëm, funksionimi i lëndës së edukatës qytetare në ndërlidhje me mësime informuese e përmbajtësore për bullizimin”, thotë Berisha.
Tutje, ai kujton edhe një histori të cilin e kishte parë në rrjetet sociale ku një gjest i arsimtarëve të një shkolle fillore apo të mesme në Spanjë kishte frymëzuar shumë njerëz për arsye se kur një djalë kishte veshur një fustan në shkollë, ai ishte ofenduar nga pothuajse të gjithë, ndërsa ishin pikërisht arsimtarët që për tre muaj rresht kishin veshur fustane në orë të mësimit për parandalimin e këtij fenomeni.
Duke pasur parasysh që seksizmi, bullizmi dhe racizmi janë shumë të përhapur në qytetin e Prishtinës , është shumë e rëndësishme që ai së bashku me Drejtorinë e Kulturës, të përdorin artin në mënyrë që të përçohen mesazhe të fuqishme drejt këtyre anëve negative të shoqërisë tonë.
“Ndoshta jo shpeshherë, por kemi diskutuar me organizata të ndryshme joqeveritare të cilat funksionojnë në qytetin e Prishtinës në krijimin e programeve parandaluese. Me datën 1 qershor janë shfaqur katër filma që kanë pasur në përmbajtje bullizmin nëpër shkolla tonat fillore dhe të mesme. Në bashkëpunim të mirë me organizatën Etea, kemi diskutuar se si mundemi me kriju programe që të shpërndahen edhe në shkolla në mënyrë që fëmijët të mos vijnë në programe por programet të shkojnë tek fëmijët. Kjo nënkupton që na duhet një flotë e njerëzve sepse ka shumë punë të mëdha logjistike”, tregon Berisha.
Emocionet e jashtëzakonshme e të një niveli të lartë që ndikon në thellësinë shpirtërore janë disa nga dhimbje të cilat Berisha i ka përjetuar e që dëshiron që askush në planet të mos ketë rastin t’i përjetoj.
“Në të njëjtën kohë, unë tani qesh me disa situata por që brenda vetes e shoh se e kam një shenjë që kur e rikujtoj, përsëri emocionohem tepër”, thekson Berisha.
Ndërsa, krejt në fund ai ka ndarë edhe disa nga krenaritë më të madhe në jetën e tij e që ai i kujtonte me shumë kënaqësi.
“Njëra nga kënaqësitë më të mëdha në jetë është kur e kam takuar nënën pas tre viteve sepse nëna ka qenë në Kanada duke u kuruar dhe kur ka ardhur në Kosovë, ka qenë një kënaqësi që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ndërsa, çmimin e triumfit si DJ më i mirë në Kosovë, zgjedhja në Ansambël dhe pozita e drejtorit në Drejtorinë e Kulturës janë po ashtu disa nga kënaqësitë e radhës”, thotë Berisha.
Tutje, pendesa më e madhe në jetën e tij do të konsiderohej nënvlerësimi i vetes së tij në situata të ndryshme.
“Jam penduar për shumë gjëra në jetë por nga çdo gabim që e kam bërë unë kam mësuar dhe jam munduar që ato gabime mos t’i përsërisë më, por besoj që njëra prej pendesave që kam në jetë është që shpeshherë e kam nënvlerësuar veten në situata të ndryshme dhe kam lejuar që njerëzit e tjerë të kenë aq shumë ndikim tek unë saqë më kanë penguar që të zhvillohem si një lule që unë jam”, përfundon intervistën Berisha për KultPlus.
Pas kësaj interviste që u shoqërua nën prezencën e lotëve, buzëqeshjeve, rikujtimeve dhe diskutimit rreth temës së bullizmit, intervista ruajti një ton origjinal deri në fund dhe përfundoi me një dakordim se ka ende shumë gjëra që mësojmë për krijimin e një të ardhme sa më të mirë e të cilat hedhin dritë mbi terrin e pranishëm që ka kapluar vëmendjen e prindërve, institucioneve dhe shoqërisë tonë, duke lënë një dilemë mbi tërësinë se ku prehet e mira nga e keqja. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, sot do të dalin në konferencë për të prezantuar gjetjet nga hulumtimet e realizuara në lidhje me reroprevalencën e COVID-19.
Në njoftimin e komunës bëhet e ditur se hulumtimi është i ndarë në dy pjesë dhe ofron të dhëna në lidhje me seroprevalencën te punonjësit shëndetësor dhe punonjësit e Komunës së Prishtinës.
Ndërkaq hulumtimi i dytë, ofron të dhëna në lidhje me seroprevalencën te qytetarët e Prishtinës.
“Hulumtimi i parë është i ndarë në dy pjesë dhe ofron të dhëna në lidhje me seroprevalencën tek punonjësit shëndetësor dhe punëtorët e Komunës së Prishtinës. Ndërkaq hulumtimi i dytë ofron të dhëna në lidhje me seroprevalencën tek qytetarët e Prishtinës. Që të dy hulumtimet janë realizuar nga Komuna e Prishtinës, në vazhdën e përpjekjeve për të menaxhuar dhe për të ju përgjigjur nevojave të dala si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia me sëmundjen COVID-19”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në korrik të vitit të kaluar, pati deklaruar se do të bëhen hulumtime me teste serologjike.
“Besoj se këto hulumtime dhe testimet e tjera do ta ndihmojnë IKSHP dhe Komunat e tjera për ta kuptuar më mirë situatën. E besojmë se kjo mund të kontribuoj edhe për hulumtuesit e tjerë. Këtë do ta bëjmë në koordinim me Odën e Mjekëve dhe institucionet e tjera relevante”, kishte deklaruar Ahmeti një vit më parë. / Gazeta Express / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Galerinë Kombëtare të Kosovës për bashkëpunim në realizimin e ekspozitave të ndryshme të cilat janë pjesë e programit kulturor të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori për kulturë në komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook.
Berisha ka shkruar se pjesë e ekspozitave do të jetë edhe ajo me koleksionin e veprave të Hotelit Grand dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’i ekspozojë veprat e tij jetësore që i ka realizuar gjatë 15 viteve të fundit.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Sot kemi nenshkru marreveshje me Galerine Kombetare te Kosoves per bashkepunim ne realizimin e ekspozitave te ndryshme si pjese e programit kulturor te qytetit te Prishtines.
Nder te tjera, vlen te permendet ekspozita me koleksionin e veprave te Hotel Grandit te trasheguara nga GKK dhe ajo e artistit Alban Muja ku do t’’i ekspozoje veprat e tij jetesore qe i ka realizuar gjate 15 viteve te fundit.
Marreveshjen e nenshkruam bashke me U.D i drejtorit i GKK-se, Naim Spahiun te cilin e falenderoj per pritjen dhe bashkepunimin e ndersjelle./ KultPlus.com
Aktiviteti më i ri socio-kulturor, ”Akull n’Verë për herë të parë vjen në kryeqytet.
Aktivitet ky i organizuar nga Komuna e Prishtinës që ka për synim t’i kthejë ditët e nxehta të verës në një freski të shpirtit për qytetarët, përcjell KultPlus.
Aktiviteti vjen si rezultat i gjashtë edicioneve të suksesshme të Verë n’Dimër. Ndërkaq, shtëpizat e drurit të cilat do ë vendosen në sheshin ”Zahir Pajaziti” do të ofrojnë laramani të përzgjedhjes së pijeve e gjërave të tjera freskuese.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, njoftoi se ky aktivitet përveç të tjerash, ka për synim që të mbështesë edhe bizneset e vogla në kryeqytet të cilët kanë qenë të prekur nga pandemia.
”Shoqëri, muzikë të mirë e pije freskuese janë krejt çka na duhen për me i kalu disa ditë të mira vere”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Berishës.
Bashkangjitur gjeni linkun për aplikim. / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se Komuna që ai drejton do të fillojë aksion për mbledhjen e mbeturinave të vëllimshme.
Sipas Ahmetit, aksioni do të zhvillohet nga data 28 qershor deri më 2 korrik në lagje të ndryshme të kryeqytetit.
‘’Përmes kompanisë rajonale “Pastrimi” do të bëjmë grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme si: orendi; shtretër druri ose metali; dollapë druri ose metali; tavolina druri ose metali; karrige druri ose metali; pajisje të kuzhinës; gjësende të tjera shtëpiake nga druri dhe metali. Ju lutemi që mbeturinat e vëllimshme të i vendosni para shtëpive apo vendet e caktuara për mbeturina sipas datave dhe orareve të caktuara’’, ka njoftuar Ahmeti. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Filharmoninë e Kosovës për bashkëpunim në promovimin dhe mbështetjen institucionale për realizimin e aktivitetit koncertal të Filharmonisë, përfshirë edhe aktivitete hapësirat në publike, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori në drejtorinë për kulturë në Prishtinë, Adrian Berisha, i cili ka treguar se koncerti i parë do të mbahet më 27 qershor në Amfiteatrin e qytetit.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Po e ndaj sot me ju edhe nje super lajm
Kemi arrit marreveshje bashkepunimi me Filharmonine e Kosoves ku do te bashkepunojme ne promovim dhe mbeshtetje institucionale ne realizimin e aktivitetit koncertal te Filharmonise ne qytetin tone – perfshire organizimin e nje pjese te aktiviteteve ne hapesirat publike.
Koncerti i pare ne kuader te ketij bashkepunimi vjen nga Orkestra e Filharmonise se Kosoves me date 27 qershor ne Amfiteatrin e Qytetit ne Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Komuna e Prishtinës bashkë me 2cm Humans kanë arritur memorandum bashkëpunimi me Fonacionin për të Drejtat e Kafshëve lidhur më projektin “Coloring Prishtina”, përcjellë KultPlus.
Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të tri palëve nënshkruese lidhur me projektin në fjalë.
Projekti ka të bëjë me dizajnimin/ilustrimin e një libri për ngjyrosje i cili do të shpërndahet nga Komuna e Prishtinës, por edhe do të shitet në Librarinë “Dukagjini”.
Libri kryesisht ka synim fëmijët dhe promovimin e kryeqytetit në formë artistike dhe kulturore dhe të gjitha fitimet nga shitja e librit do të shkojnë për Fondacionin e Kafshëve.
Për këtë lajm ka njoftuar drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili është shprehur se përmes këtij bashkëpunimi po lobojnë kundër të gjitha formave të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit të kafshëve.
“Te lumtur qe ne si Komune po financojme projekte te tilla qe kane per qellim mireqenien e kafsheve. Ta ngjyrosim Prishtinen tone me kreativitetin tuaj”, shkruan tutje Berisha. / KultPlus.com
Nesër Dita Ndërkombëtare e Mjedisit përmbyllet me ‘Bike in Cinema’. Duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të mirat që ai sjell, KSDW në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ‘Marakli t’Biciklave’ dhe Dokufest, do të shfaqin filmin ‘Bikes vs Cars’, përcjell KultPlus.
Ky aktivitet fillon nga ora 19:30 në Parkun e Qytetit të Prishtinës ku të gjithë inkurajohen të vijnë në park me biçikleta. Kurse, për shkak të situatës me pandeminë, në dispozicion do të jenë 100 ulëse.
Gjithashtu, në këtë aktivitet, shikuesi duhet të jetë i pajisur me maskë dhe duhet të mbajë distancën fizike. / KultPlus.com
Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.
Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.
Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.
“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.
Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.
“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.
Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.
“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.
Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës
“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.
Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.
Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.
Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.
Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.
Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka arritur sot marrëveshje me Unionin e Turizmit të Kosovës- UTK për rritjen e bashkëpunimit në përmirësimin e gjendjes në sektorin e Turizmit në Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha, i cili tutje ka njoftuar se në takim me Baki Hotin janë dakorduar në koordinimin dhe bashkëpunimin e aktiviteteve të ndërsjella, si në hartimin e politikave, strategjive zhvillimore dhe aktiviteteve turistike.
Gjithashtu, Berisha ka treguar se në bashkëpunim me shoqata e gastronomëve, përmes kësaj marrëveshje do t’i certifikojnë me SAVE Travel rreth 50 biznese që ndërlidhen me turizmin, duke përfshirë trafikun urban, kafiteritë, agjensionet e turizmit, hotelet, etj.
“Kjo marrëveshje është përpjekje për një ndikim pozitiv në mjedis, shoqëri dhe ekonomi.
Bashke për një turizëm sa më të zhvilluar”, shkruan Berisha. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka nisur projektin për të zbukuruar me vizatime të ndryshme hapësirat publike, shkruan KultPlus.
Projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës” kësaj radhe kishte në fokus trafot e rrymës në lagjen Pejton.
Me ngjyra e vizatime plotë jetë, trafot janë shndërruar në vepra arti dhe padyshim që kjo gjë po ju pëlqen edhe qytetarëve të cilët po ndalojnë t’i shohin e bëjnë fotografi.
Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha është shprehur se ky projekt në bashkëpunim me KEDS Energy, ndihmon në parandalimin e mbishkrimeve si dhe në rritjen e ambientit estetik të zonave përreth.
Ai tutje ka potencuar se përdorimi i ngjyrave në hapësirë publike nuk është vetëm akt artistik, por një formë e veprimit politik se si e shohim qytetin tonë.
‘’Permes artit, trafot e rrymes ne PEJTON jane mbeshtjelle me ngjyrat me te bukura. Mbeshtjellja e kutive me vepra arti na ndihmon ne parandalimin e mbishkrimeve si dhe ne rritjen e ambientit estetik te zonave perreth. Faleminderit per bashkepunim KEDS Energy dhe te gjithe atyre qe kane kontribu per realizimin e ketij projekti. Perdorimi i ngjyrave ne hapesire publike nuk eshte vetem nje akt artistik, perkundrazi eshte nje forme e veprimit politik se si e shohim qytetin tone”, shkruan Berisha. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtori i Kulturës Adrian Berisha, ka bërë të ditur se duke nisur nga java tjetër, do të sjellin eventin e veçantë ‘Drive In Cinema Prishtina’, përcjell KultPlus.
Open Air Cinema vjen me datë 17.04.2021 duke filluar nga ora 19:30 dhe është i hapur vetëm për personat mbi 18 vjeç.
Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook ka treguar se propozimi për këtë event ka ardhur nga Architecture for Humans, ku siç ka theksuar tutje ai, ky projekt është planifikuar për vitin që lamë pas por vetëm tash do të jetësohet.
‘Me qëllimin e vetëm për relaksimin tonë në këtë kohë pandemie, po sjellim eventin e veçantë DRIVE IN CINEMA PRISHTINA. Përmes këtij eventi, do të largohemi sadopak nga problemet ditore dhe do të udhëtojmë bashkë me filmin ‘Pulp Fiction’, drejt jetes amerikane të viteve të 90-ta’, ka shkruar Berisha.
Vendi ku do të mbahet ky event është në hapësirën parkuese të Prishtina Parking, mbrapa Pallatit të Rinisë. Ndërkaq, bartja e maskës dhe distanca gjatë transmetimit të filmit është obligative.
Bashkangjitur gjeni edhe linkun e eventit. / KultPlus.com
Projekte të reja të cilat për fokus kanë mbështjelljen e natyrës dhe artit në një rezultat të vetëm, për të kapërcyer sfidën e madhe të ‘luftës’ me ndotjen e ajrit në zonat urbane, tashmë po i shtohen Prishtinës. ‘Vertical Garden’ është projekti i radhës, një projekt ky mjaft vetëdijesues për rëndësinë e ambienteve të pastërta e të shëndetshme, shkruan KultPlus.
Duke pasur parasysh mungesën e madhe të gjelbërimit që ka mbetur nën hijen e betoneve, mureve dhe ndërtesave të shumta të cilat po ndikojnë fuqishëm në cilësinë e ajrit, ky projekt do të finalizojë nevojën esenciale për sa më shumë lule, drunj, bimë dhe pemë.
Vendin ku do të vendosen ‘Kopshtet Vertikale’, të cilat do të mbështjellin shtyllat e urës në hyrje të Prishtinës sot e vizitoi drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha bashkë me OJQ Q’art dhe ‘Te Pema’ me qëllim që të shohin mundësitë e integrimit të Gjelbërimit Vertikal me artin.
Në një ambient mes pluhurit, veturave, zhurmës së madhe, ecja dhe vëzhgimi në këtë rreth duket e pa mundur, por disa qytetarë u mblodhën për të parë se çfarë ndryshimi po ndodh në këtë pjesë, ku vërehet një mungesë e madhe e ngjyrave por të cilat tani do të ringjallen e do të mbizotërojnë në mesin e ngjyrës hiri dhe zbehjes së atmosferës.
Ndërsa, se si erdhi ideja për këtë projekt që synon një pamje ndryshe dhe të domosdoshme në hyrjen e qytetit, na tregoi edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.
“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ‘TE Pema’, ka ideuar projektin ‘Vertical Garden’, duke pasur parasysh që qyteti jonë ka nevojë për sa më shumë gjelbërim. Pra, në hyrje te Prishtinës nga Fushë Kosova, mendohet që për një periudhë 2 vjeçare, muret të shndërrohen në mure jo me ngjyrë të hirtë por me mure të gjelbërta. Ne e dimë se vitin e kaluar është organizuar edicioni i 4-të i Meeting of Styles, festival ky i cili ka për qëllim që hapësirat e ndryshme ti shndërrojë në hapësira të parkut, pra flasim për muralet si ato në rrugën B dhe tek hekurudha”, tregon Berisha.
Sipas tij, qytetit i nevojitet më së shumti një pamje e tillë, përkundër pamjes vizive e cila shihet çdo ditë nga qytetarët dhe po i ngarkon ata me betonimin që ka ndodhur tash e 20-të vite. Kurse, inspirimi ka ardhur nga kopshti vertikal në Mexico City – ‘Via Verde’, që është formuar për herë të parë.
Tutje ai pohoi se buxheti fillimisht përfshin 60 mijë euro për projektin e Vertical Garden, kurse pjesa e artit në hapësirën publike financohet nga Drejtoria e Kulturës me vlerë rreth 10 mijë euro.
“Po ashtu edhe të gjitha bimët do të jenë të gjalla dhe të cilat e thithin dioksidin e karbonit në sasi të madhe, më një jetëgjatësi në të katër stinët”, potencon Berisha.
Pritshmëritë e tij janë në një nivel mjaftueshëm të lartë duke pasur parasysh reagimet nga qytetarët me mikpritjen e jashtëzakonshme, kur edhe është prezantuar projekti.
Projekti përfshin gjithsej 90 ditë punë duke filluar nga sot, ku ndërtimet e moduleve janë duke u formuar në disa magazina pasi që është një pjesë shumë e frekuentuar e hyrjes në Prishtinë dhe është vendosur që për një kohë në maksimum 2 ose 3 ditë, të bllokohet hapësira që të zbatohet ky projekt. Ndërsa për rëndësinë e projektit dhe bashkëpunimet, foli edhe Dion Deva, Kryeshefi Ekzekutiv (CEO) dhe themeluesi në ‘TE Pema’, duke e konsideruar këtë projekt si një nevojë e veçantë për qytetarët.
“Ky bashkëpunim i dytë erdhi pas një bashkëpunimi të mëparshëm për ’eko ulëset’ në hapësirën e shesheve të kryeqytetit. Jemi profesionalizuar si ekip në ndërtimin e gjelbërimit urban dhe në automatizimin e proceseve, prandaj Komuna e Prishtinës ka vërejtur aftësinë tonë për realizimin e një projekti të tillë dhe në bisedë e sipër kemi vendosur që pjesa më e mirë është rrethi në hyrje të Prishtinës”, tregon Deva.
Sipas tij, sot pas takimit me OJQ Q’art, është menduar që e gjithë kjo hapësirë të jetë jo vetëm një kombinim i ‘Street Art’ ose vetëm i ‘Vertical Garden’, por një integrim i përbashkët për sa më shumë atraktivitet në hyrjen e Prishtinës. / KultPlus.com
Pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë në komunën e Prishtinës ka njoftuar institucionet kulturore që funksionojnë në kryeqytet për masat që duhen respektuar për tu mbrojtur nga virusi, shkruan KultPlus.
Në një postim të bërë nga drejtori për kulturë në këtë komunë, Adrian Berisha theksohet që puna dhe aktivitetet e institucioneve kulturore do të lejohen nga ora 05:00 deri në orën 21:00 me shfrytëzimin e 20% të hapësirës.
Tutje ai ka njoftuar se këto masa hyjnë në fuqi me 7 prill dhe do të rishikohen me 18 prill.
Më poshtë gjeni njoftimin e tij të plotë:
Komunikate per Institucionet Kulturore qe funksionojne ne Komunen e Prishtines
Vendim per masat e reja ANTI-COVID
Duke marr parasysh situaten me te cilen po perballemi, Drejtoria e Kultures e Komunes se Prishtines mirepret vendimin e Qeverise se Republikes se Kosoves me masat e pergjithshme dhe te veçanta per kontrollin dhe parandalimin e virusit COVID-19, si me poshte:
Lejohet te punojne nga ora 05:00 deri ne 21:00 duke shfrytëzuar deri ne 20% te hapesires (si ne shfaqje ashtu edhe ne ushtrime) aktivitetet kulturore te:
Ansamblit
Baletit
Bibliotekës
Filharmonisë
Kinemasë
Galerisë
Muzeut
Qendrës Kulturore
Qendrës Rinore
Teatrit
Masat hyjne ne fuqi nga data 07 prill dhe do te rishikohen me 18 prill.
Ngjarja vjetore mbarëkombëtare, Jave e Gruas (WoW) është mbajtur në Prishtinë, duke mbledhur kështu më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe t’i mbështesë ato për të marrë pozicione më të mëdha drejtuese.
Ngjarja është mbajtur përmes platformës Zoom, duke respektuar kështu masat anticovid.
Kyetari Shpend Ahmeti, duke folur për barazinë gjinore, ka theksuar se në komunë nga 16 drejtori, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë. Ai shtoi se edhe votuesi është emacipuar, me ç’rast në Kuvendin Komunal është tejkaluar kuota gjinore prej 30%, e paraparë me ligjet ekzistuese. / KultPlus.com
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka hapur thirrjen e dytë të fazës së parë për aplikim për përkrahje për OJQ, biznese dhe individë, fokusi i të cilëve është fusha e kulturës, përcjellë KultPlus.
Në këtë thirrje mund të aplikojnë për përkrahje në fushën për:
• festivale • mbështetje të aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturorë • muzikë • shoqëri kulturore artistike • trashëgimi kulturore dhe turizëm
Objektivat e kësaj thirrjeje janë fuqizimi i krijuesve të pavarur, gjithëpërfshirje në pjesëmarrjen kulturore dhe artistike, mbështetja e institucioneve të pavarura, të përkrahen punët me përmbajtje feministe si dhe objektiva të tjera.
Vlera e përgjithshme e planifikuar e të dy thirrjeve për Fazën e I-rë është 300,000.00€. Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të ofrohet për një projekt është 500€, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 14.000€.
Aplikimi është i hapur nga data 17.03.2020 deri më 07.04.2021 si dhe të gjitha hollësitë i gjeni në linkun të cilin e ka shpërndarë Komuna e Prishtinës në faqen e saj zyrtare: https://tinyurl.com/ysyrrasr / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka shpallur tender në vlerë mbi 20 mijë euro për pikat ushqyese për qentë endacakë.
Përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, Komuna ka bërë me dije se kompania që ka fituar tenderin është “AL-TEC” SH.P.K.
Kontrata është dhënë më 11 mars, derisa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet më 15 mars. / KultPlus.com