Në emër të Rrjetit të OShC-ve për gjuhën rome, Nevo Konceptit dhe Këshillit të Evropës faleminderojmë Kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, kryesuesen znj. Antigona Bytyqi, kryesuesin e Komitetit për Komunitete, z. Ertan Simitçi, që proceduan këtë kërkesë dhe të gjithë Kuvendarët e Komunës së Prizrenit që votuan pro që Gjuha Rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit!
Njëkohësisht faleminderoj edhe zyrtarët dhe pozitat e tjera që kontribuan në këtë qështje nga niveli qendror, njëra nga ata edhe Zv.Kryeministrja, znj. Emilija Redzepi.
Prizreni dëshmoi që është multietnik e i respekton të gjithë komunitetet pa dallim!
Unë pata fatin të jem Koordinatori i projektit ‘Promovimi i diversitetit dhe gjuhës rome në Komunën e Prizrenit’, implementuar nga Nevo Koncepti dhe mbështetur nga Këshilli i Evropës, dhe për këtë faleminderoj drejtorin Osman Osmani!
Faleminderim i veçant i takon edhe znj. Sakibe Jashari – menaxhere e programit Romacted, nga Keshilli i Evropës.
U realizua një ëndërr shumë vjeçare e intelektualëve të ndjerë: Nexhip Menekshe, Kujtim Paçaku, Ibrahim Elshani!
Faleminderoj edhe Daut Qulangjiun, Avdi Misinin, Bashkim Gashin, Naim Cahani, Linda Simitçiun, Elmedina Dorambarin, Naim Cahanin, Fisnik Mincin, Arben Shalan, Eroll Shabanin, Denur Paçakun e Hysni Qylangjin dhe Islam Elshanin që avokuan që nga themelimi i rrjetit për këtë çështje e besa disa janë edhe aktivistë 20 vjeçar për gjuhën e kulturën rome!
I faleminderoj edhe të gjitha OJQ-te rome dhe jorome që u mobilizuan për kërkesën e komunitetit rom. / KultPlus.com
Sot ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka takuar kryetarin e Komunës së Prizrenit Shaqir Tolaj me ç’rast kanë diskutuar rreth rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Komuna e Prizrenit ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor e sportiv dhe meriton vëmendje të veçantë.
Sot takova kryetarin e komunës, Shaqir Totaj dhe bashkëpunëtorët e tij, për të diskutuar rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë.
Vëmendje të veçantë u kushtuam projekteve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku Ministria përgjatë këtyre viteve është duke investuar rreth 1.8 milion euro për rehabilitim dhe restaurim të aseteve të trashëgimisë kulturore në komunën e Prizrenit.
Diskutuam për Revitalizimin e rrugës Marin Barleti, një projekt shumë i veçantë. Për herë të parë në Kosovë po rijetësohet komplet një zonë, ku krahas komponentës së restaurimit, përfshihet dizajni urban dhe zhvillimi i zonës. Ministria tashmë ka përfunduar me restaurimin e shtëpisë së familjes Morina dhe do të vazhdojë me restaurimin e shtëpive të radhës në kuadër të projektit. Ky projekt do të zbatohet në kuadër të bashkëpunimit paraprak me zyren e BE-së në Kosovë, Ministrinë dhe Komunën. Ndërsa u dakorduam për nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe për koordinim dhe zbatim të projekteve.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjithashtu përfshihet edhe Rijetësimi i Kinemasë Lumbardhi, ku pritet fillimi i ndërhyrjeve restauruese gjatë këtij viti.
Ndërhyrjet restauruese janë duke u zhvilluar edhe në Qendrën Historike të Prizrenit, në disa shtëpi tradicionale sikurse shtëpia e familjes Bardhi, shtëpia e Familjes Lokvica tashmë është projekte në proces, shtëpia e familjes Destan Kabashi ka përfunduar, kurse ndërhyrjet në shtëpinë e familjes Sokoli dhe në kompleksin e familjes Dorambari, pritet të fillojnë. Nga kryetari kërkova një koordinim më efikas në sigurimin e lejeve dhe dokumenteve përkatëse nga komuna, për projektet e restaurimit që zbatohen nga Ministria e Kulturës si institucioni kompetent për restaurimin e aseteve të trashëgimisë, në mënyrë që të tejkalohen vonesat e paraqitura në zbatim të projekteve.
Në kuadër të ndërhyrjeve emergjente me qëllim të sigurimit të masave mbrojtëse për trashëgiminë kulturore në rrezik, punët janë zhvilluar dhe kanë përfunduar në Hanin dhe Nallbanin e familjes Kovaçi, dy shtëpi në rrugën Marin Barleti, Konsullatën Austro- Hungareze dhe Hanin e Familjes Zajmi, Prizren.
Në proces të përmbylljes janë punimet në Kullën e Pjetër Penkpalaj në Zym, dhe Shtëpinë e Sava Toskës në Prizren.
Faza e dytë e ndërhyrjeve emergjente në rajonin e Prizrenit, duke vazhduar në monumentet në gjendje kritike, do të vazhdojë menjëherë pas përmbylljes së projekteve në proces. Do të sigurohemi që të zvogëlohet rreziku i degradimit të trashëgimisë kulturore në gjendje të keqe.
Një tjetër projekt me rëndësi i cili është drejt përfundimit është restaurimi i Kinemasë së Parë.
Për të vazhduar tek projekti i Qendrës Kulturore Hebraike, i cili është në proces të lidhjes së kontratës për restaurim, rindërtim dhe adaptim të ndërtesës, ku Ministria do të financojë në tërësi realizimin e këtij projekti.
Restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës, gjithashtu është projekt në zbatim, i cili do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, deri në restaurim të plotë të këtij aseti me vlera të larta të trashëgimisë kulturore.
Fshati Zym, si një fshat me histori, traditë dhe kulturë, do të trajtohet në kuadër të programit që mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe zbatohet nga UNHABITAT, ku gjatë vitit të ardhshëm do të hartohet Plani i Menaxhimit me qëllim të nxitjes së mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit kulturor e rural në këtë zonë.
Sa i përket sportit diskutuam për ndërtimin e stadiumit në Zhur i cili është afër përfundimit, ku nga komuna u njoftuam që operatori ekonomik do t’i vazhdojë punët përfundimtare për fazën aktuale të ndërtimit të vrazhdë.
Një projekt tjetër që ka filluar në vitin 2018 por nuk ka përfunduar asnjëherë është ai i pishinës olimpike. Pas verifikimit të bërë në terren, Federata e Notit kanë ardhur në përfundim që kjo pishinë është jashtë standardeve për pishina olimpike, me ç’rast kërkohet analizë më e thellë e këtij projekti drejt zgjidhjes së shumë sfidave që ka pasur procesi.
Në Stadiumin “Përparim Thaçi” janë në përfundim punimet e fazës së parë ndërsa diskutuam që faza tjetër të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në fazën e dytë përfshihen punët përfundimtare për funksionalizimin e plotë të stadiumit konform standardeve.
Folëm edhe për ndërtimin e një Qendre Rinore. Lokacioni është caktuar, projekti është në hartim e sipër, dhe sapo të jetë i gatshëm dhe i plotë me të gjitha fazat e duhura do të mund të fillojnë punimet.
I propozuam disa projekte potenciale si renovimin e pjesës së mbetur të palestrës “Sezai Surroi”. U zotuam që sapo të përfundohet hartimi i plotë i projektit nga komuna, të vazhdojmë me renovimin e pjesës së fundit të kësaj palestre.
Nga komuna kërkuam të shqyrtohen mundësitë për lokacionet potenciale për një shtëpi të shahut, një sallë të xhudos, fusha të mbyllura të tenisit dhe një sallë pingpongu. U dakorduam që komuna të na dërgojë nga dy propozime për lokacionet e mundshme në mënyrë që Ministria t’i përfshijë në buxhet sipas prioriteteve për vitin e ardhshëm.
Një çështje tjetër që bashkëbiseduam ishte edhe ndërtesa e institucionit të arkivit në qytetin e Prizrenit. U dakorduam që të ndahen fondet për vitin e ardhshëm ndërsa nga komuna konfirmuan përzgjedhjen e lokacionit të përshtatshëm për këtë ndërtim që do të financohet nga Ministria e Kulturës.
Po ashtu, kryetarit Totaj ia shpalosa edhe dy programet kombëtare që do të nisin vitin e ardhshëm: Arti në shkolla dhe Sporti në shkolla, duke kërkuar nga ai dhe komuna mbështetje në zbatimin e këtyre programeve. Sigurova mbështetjen e pakursyer të kryetarit dhe komunës së Prizrenit.
E falënderoj kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, për pritjen, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e deritashëm./ KultPlus.com
Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit është duke bërë planifikimin operacional të krijimit të një destinacioni të ri turistik, me karakter të një vendi për piknik, në lokacionin e quajtur “Suzi” në Nashec, shkruan KultPlus.
“Në kuadër të këtij projekti, parashihet të vendosen ulëse me mbulojë, konstruktimi i disa urave harkore mbi një nga degët e ujit të Lumbardhit (që derdhet në Drinin e Bardhë) të cilat do të mundësojnë kalimin e vizitorëve nga njëra anë në anën tjetër, si dhe krijimi i një fushe multidiciplinare sportive të lojërave në natyrë, që do t’i përgjigjet të gjitha grupmoshave”, thuhet në njoftimin e bërë nga ana e komunës.
Ky projekt do të begatojë edhe më shumë zhvillimin e turizmit si dhe sportin e peshkimit dhe të kajakut, që tashmë janë duke operuar në atë zonë./ KultPlus.com
Komuna e Prizrenit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve, figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.
EC Ma Ndryshe sikurse edhe RrOK-u kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:
-Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;
-Listën e anëtarëve të komisioneve;
-Përshkimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;
-Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata;
-Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;
EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes, thuhet në komunikatë, përcjellë KultPlus.
Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies si dhe praktikave të mira të qeverisje edhe për nivelin lokal përkatësisht për Drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Mirëpo DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit.
EC përkujton se praktika e njëjtë e kufizimit të transparencës rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndodhur edhe në vitin 2019, duke i kthyer prapa arritjet e përbashkëta me RrOK-un në këtë proces gjatë vitit 2018.
Prandaj EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike. Përveç kësaj transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjej zbatim edhe në praktikë./ KultPlus.com
Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka filluar me rrënimin e ndërtesave të vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër dhe që paraqesin rrezik për kalimtarët.
Bazuar në njoftimin e Komunës, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave, janë identifikuar objektet për rrënim që janë të rrezikshëm për qytetarët. Në përzgjedhjen e tyre, sipas njoftimit të Komunës, ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.
Mirëpo autoritetet e trashëgimisë kulturore përkatësisht zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave. Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja.
EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna mund të ketë argumente që për hir të sigurisë së qytetarëve veprimi ka qenë i nevojshëm, por megjithatë përkujton se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj rekomandon që në ndërtesat në fjalë fillimisht të merren masa parandaluese, që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e kalimtarëve të rastit. Duke e konsideruar se rrënimi i aseteve të trashëgimisë kulturore paraqet një proces të pakthyeshëm të vlerave, EC Ma Ndryshe kërkon urgjentisht që Komuna të konsultohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore para se të vazhdojë me çfarëdo procesi të rrënimit./ KultPlus.com
Të mërkurën, më 7 shkurt, DokuFest në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prizrenit nënshkruajnë “Memorandum të Bashkëpunimit”, në hapësirat e kinemasë së qytetit “DokuKino”.
Përmes këtij memorandumi synohet funksionalizimi i bashkëpunimit afatgjatë në mes të dy institucioneve për krijimin e një platforme që nxit dhe mbështet përdorimin e mjeteve audiovizuale në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativ-mësimor, në shkollat e mesme të larta të komunës, me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe rezultateve të Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar të Kosovës./ KultPlus.com