Presidenti Begaj në komunat shqiptare në Mal të Zi: Të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e identitetit

 Presidenti Bajram Begaj, e nisi me komunat shqiptare, Tuzin e Plavë- Gucinë, vizitën zyrtare dyditore në Malin e Zi, ku iu rezevua një pritje vëllazërore dhe ceremoni festive.

Në Tuz, ansambli “Besa” e priti Presidentin e Republikës së Shqipërisë me “Vallen e Mejdanit” në sheshin ku ngrihet monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeu.

Presidenti Begaj vendosi një kurorë me lule në monumentin e Skënderbeut, të vendosur në këtë shesh më 28 Nëntor të vitit të shkuar për festën e flamurit dhe u përshendet me qytetarët.

Më pas zhvilloi një takim me drejtues të Tuzit dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në institucione, me të cilët diskutoi për forcimin e pozitave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe rajon, si dhe angazhimin e përbashkët për të mirën e tyre. Kreu i Shtetit inkurajoi drejtuesit e Tuzit të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e identitetit, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, duke u shprehur se kjo është një përparësi për institucionet shqiptare.

Edhe në takimin me veprimtarët shqiptarë të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës, ndërsa u njoh me problematikat që ata hasin, theksoi nevojën e gjetjes së rrugëve për të ruajtur dhe forcuar identitetin shqiptar përballë çdo lloj sfide, siç është emigrimi apo asimilimi i shqiptarëve autoktonë.

Presidenti përgëzoi shqiptarët që kanë ruajtur gjuhën dhe shqiptarinë, si dhe shprehu vullnetin për të ndjekur projektet zhvillimore ndërkufitare që do të ndikonin në ekonominë e këtyre trevave, ndërsa theksoi rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e këtij takimi për trajtimin e çështjes shqiptare dhe vijimësinë e kontakteve të tilla, në menyrë që komunikimi të institucionalizohet edhe përmes ndërtimit të infrastrukturës lidhëse mes njëri-tjetrit.

“Çështja kombëtare, duhet të dominojë mbi çdo interes politik, për faktin se është më e rëndësishme dhe gjithashtu duhet të punojmë fort të mbrojmë gjuhën shqipe”, – u shpreh Presidenti Begaj.

“Interesi ynë i përbashkët është që të mbrojmë ADN- në tonë dhe ADN-ja jonë është e lidhur me gjuhën. Ju thatë se askush nuk është i ndalur në shkollë që të mësojë shqip, por duhet që ne të promovojmë më shumë, të trashëgojmë më shumë, të kultivojmë më shumë. Kjo arrihet me kontributin e çdo individi shqiptar që jeton këtu, fëmijë, të rinj, të rritur, pleq të mençur, të cilët duhet të bëhen bashkë për atë që është e rëndësishme për ne”, vijoi ai.

Presidenti i Republikës u zotua se një mesazh të tillë do t’i përcjellë edhe homologut të tij, Milatovic, për zhvillimin e këtyre zonave, në menyrë që të rinjtë të gjejnë mundësi pune këtu, që rinia shqiptare të mos ikë në emigrim, por të jetojë në trojet e të parëve.

Presidenti Begaj, premtoi shqiptarëve në Mal të Zi se personalisht dhe si President i Republikës do të jetë në dispozicion të tyre në shërbim të interesave madhore kombëtare dhe gjithashtu i siguroi ata që kanë e do të kenë vëmendjen e shtetit shqiptar./atsh/ KultPlus.com

Sot po mbahet votimi për ose kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në Veri

Sot në katër komunat veriore po mbahet votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë.

Qendrat e votimit në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan është e paraparë të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në 19:00.

Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.

Lista Serbe ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë votim dhe të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe nga qytetarët serbë të asaj zone.

Kryetarët e vjetër serbë patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 pas vendimit të Qeverisë për targat. Pas disa muajsh, më 23 prill 2023, zgjedhje të reja u mbajtën në Veri, por të njëjtat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë të asaj zone. Kjo ndikoi që të ketë dalje të ulët të qytetarëve në votime dhe rezultatet nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK’së e VV’së. Më pas, me kërkesë të ndërkombëtarëve, MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili parasheh procedurat se si duhet të shkohet në zgjedhje përmes peticionit. /GazetaExpress/ KultPlus.com