Gili Hoxhaj
Puna e 29 nxënësve të katër shkollave fillore erdhi sot në ekspozitën “Të rinjtë për Trashëgiminë”, e cila u hap në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC), shkruan KultPlus.
Rreth tridhjetë nxënës ishin mbledhur sot në këtë ekspozitë duke ngritur gishtat drejt punimeve të tyre. Krejt kjo ekspozitë është rezultat i punëtorisë dy ditore të fotografisë, me trajner fotografin Arben Llapashticën e që ishte organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.
Gjatë aftësimit në aspektin e marrjes së fotografisë, nxënësit e komuniteteve të ndryshme veçse ndajnë tashmë një përvojë të përbashkët lidhur me fotografinë. Veç kësaj ata kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, prej nga edhe kanë nxjerrë fotografitë e tyre. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.
Dardan Selimaj nga Instituti Columbus tha se përtej njohjes me fotografinë dhe një pjese të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt.
Përfaqësuesja e Ambasadës Britanike Chablise Stoner tha se për ambasadën britanike është një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojnë në këtë projekt të rëndësishme. Ajo tha se Ambasada Britanike konsideron ndërlidhjen sociale si një pjesë kyçe për pajtimin në Kosovë.
“Këto aktivitete sjellin dy mundësi shumë të rëndësishme, e para sepse lidhin të gjitha aktivitetet bashkë dhe e dyta sepse u mundëson gjeneratave të reja të mësojnë aftësitë e reja për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha ambasadorja Stoner.
Përfaqësuesja e Iomit, Svetlana Rakic i falënderoi bashkëpunëtorët e këtij projekti duke thënë se shpreson që të gjithë janë kënaqur gjatë këtij aktivitet, duke shtuar se shpreson që aktivitete të tilla të vazhdojnë tutje.
Po ashtu në fund të këtij aktiviteti, këtyre katër shkollave iu dhuruan fotoaparate me të cilat kanë punuar gjatë kohës së punëtorisë, në mënyrë që ata të zhvillojnë edhe më tutje aftësitë e tyre lidhur me fotografinë.
Bledar Ajeti, një nxënës, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për KultPlus se ndihet i kënaqur nga përvoja e tij në këtë aktivitet dhe thotë se kanë kaluar shumë mirë edhe më fëmijët e komunitetit serb ndërsa ky trajnim u ka dhënë mundësi t’i vizitojnë edhe dy lokalitete mjaft të bukura dhe të fitojnë aftësi kreative.
“Kemi kaluar shumë mirë gjatë atyre ditëve dhe fotografi na ka treguar vazhdimisht se si t’i përdorim aparatet, efektet dhe opsionet e ndryshme në mënyrë që fotografitë të dalin sa më të mirë dhe kreative”, tha nxënësi Ajeti.
Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë./ KultPlus.com