Proteston komuniteti serb në Kanada, tentojnë të ndalojnë ngritjen e flamujve kosovarë

Komuniteti i shqiptarëve në Winnipeg të Kanadës, po planifikonin të festonin 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mirëpo kjo gjë ka nxitur reagim të madh nga komuniteti serb i këtij qyteti, shkruan KultPlus.

Komuniteti serb ka shprehur pakënaqësinë duke u ankuar në Bashkinë e Qytetit të Winnipeg-ut, duke lajmëruar se do të mbajnë edhe protestë në shenjë kundërshtimi për flamujt që pritet të ngriten me rastin e festimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kjo është hera e parë që komuniteti serb publikisht ka kundërshtuar ceremoninë e ngritjes së flamurit kosovar në Kanada.

Zv.Drejtoresha e Komunitetit të Shqiptarëve në Kanada, Albiana Bugujevci, ka treguar për KultPlus se është mëse e kënaqur që për herë të parë flamuri kosovar ngritet në provincën e Manitoba-s të Kanada-së.

”Shumë familje që kanë ardhur këtu, janë familje që kanë ikur nga lufta e fundit në Kosovë dhe kanë qenë gjithmonë në paqe me të gjitha komunitetet këtu. Kosova është një shtet multi-etnik. Prandaj ne ftojmë të gjithë të reflektojnë mbi luftën e Kosovës dhe të përqafojnë vlerat kanadeze mbi paqen, pranimin e shumëllojshmërisë dhe të drejtën e secilit që jeton në Kanada”, deklaroi Bugujevci për KultPlus.

Bugujevci ndër të tjera tregoi se Komuniteti i Shqiptarëve në fillim nuk e dinte se kush po kundërshtonte ngritjen e flamujve, por shumë shpejt u kuptua nga mediat se këtë gjë po e bënte kisha ortodokse. Për të cilën Bugujevci thotë se përcjellë regjimin e Miloshevicit.

‘Jam lodhur duke dëgjuar serbët tek shtiren si viktima të luftës edhe pse e gjithë bota e din se Serbia është përgjegjëse për katër lufta në Ballkan. Të shtiren si viktima është qesharake. Ata duhen të pranojnë dhe paguajnë për dëmin që kanë bërë. Bota e din mirë se kush janë ata. ”, deklaroi ajo për KultPlus. / KultPlus.com