Përkujtohet At Gardini, jezuiti që rrëfeu tmerret e komunizmit në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot At Jak Gardini, i cili më 23 gusht 1945 nisi dënimin 10-vjeçar.

Ardhja në pushtet e komunistëve do t’i kushtonte lirinë, sikundër qindra klerikëve nga të gjitha besimet që u ekzekutuan, u dënuan dhe u internuan në vendin tonë.

At Gardini u lind në krahinën e Pordenones, në Itali, më 24 shtator 1905. Në moshën 18-vjeçare u regjistrua në shkollën jezuite, pastaj në Goricë, ku nisi përgatitjet në filozofi, sipas traditës jezuite. Në vitin 1930 vjen në Shqipëri për të dhënë ndihmesën e vet në mësimdhënie. Më pas, u kthye në Chieri për ndjekjen e studimeve teologjike. Më 15 korrik 1936, u shugurua meshtar.

Në Shqipëri dha mësim në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, ku punoi me përkushtim me nxënësit deri në vitin 1945, kur edhe u arrestua. Ati kaloi plot dhjetë vjet nën kalvarin komunist të burgjeve dhe më 1955, me ndërhyrjen e autoriteteve italiane, u lirua dhe u atdhesua.

At Gardinit iu shua fryma më 3 gusht 1996 në Gallarate të Italisë, ndonëse dëshira e tij e mbrame qe që t’i mbyllte sytë në atdheun e dytë, në Shqipëri. Në botimin e tij të vitit 1988 (SHBA), të titulluar “10 vjet burg në Shqipni”, At Gardini-t dëshmon mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, atëkohë ende pas perdes së hekurt. DPA sjell foto të letrave për Vitore Kallmetin të dërguara prej At Gardinit gjatë viteve që vuante dënimin në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Komunizmi mbylli shumë dyer për Lea Ypin, por u bë shkas që t’i hapen dyert e botës si autorja që po magjeps në 26 gjuhë

Era Berisha
Fotografia në ballinë: Leif Tuxen

Mes dy zjarresh ka qenë i vendosur “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, pas publikimit të tij, por pa marrë parasysh kritikat e lëvdatat nga më të ndryshmet, së shpejti libri pritet të jetë në dispozicion në plot 26 gjuhë. Autorja, akademikja shqiptare dhe ligjëruesja e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics, Lea Ypi, ka ngjallë reagime të shumta pasi që botoi librin e saj për vitet e fundit të komunizmit, një libër ky që shënoi sukses të jashtëzakonshëm që në muajin e parë të botimit në nëntor të vitit të kaluar, duke shitur 10,000 kopje. Në roman, autorja është një 11 vjeçare për të cilën socializmi shqiptar i stilit sovjetik premtonte për një të ardhme të paracaktuar, teksa pamja fëmijërore e regjimit komunist të shembur të Shqipërisë shfaqet lirshëm. Në fokus vjen tranzicioni i jetës së një vogëlusheje në paralel me tranzicionin politik të një shoqërie komuniste në Shqipëri, por nuk mjafton thjesht me kaq, shkruan KultPlus.

‘Free’ – (Të lirë – Të rritesh në fund të historisë), fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur Ypi fillonte të shkruante, siç thuhet edhe në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”. Dëshira për të shkruar si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, qe e madhe. Pasi filloi të mendonte për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja e saj po kthehej gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi në të cilin ajo u rrit.

Të vërtetat në jetën e saj gradualisht i zbuloi vetë. Fillimisht, ndodhi papritmas kur komunizmi në Shqipëri u bë gati të shembej dhe se nuk kishte më kthim prapa. Atëherë, këndvështrimet e shtetit me të cilat ishte mësuar të jetonte nuk përputheshin me ato të familjes së saj. Përkundrazi, ishin në dy qoshet më ekstreme të mundshme. Nga kujtesa e saj, ajo flet për konfuzionin dhe shqetësimin e përjetuar kur të rriturit hezitonin për të folur hapur për politikën, teksa asaj i mbylleshin dyert në heshtje, për të mos dëgjuar se çka flitej prapa tyre.

Gjithë jeta e saj kaloi nëpër një të vërtetë të rreme. Ishte rritur në një familje antikomuniste, pa e ditur. Por, për të pranuar këtë ishte e vështirë, për shkak se deri më aty, Ypi veçse kishte krijuar një besnikëri patriotike, një ndjenjë e fortë që përshkonte në formimin e saj individual. Nuk e kishte përjetuar as pjesërisht shtypjen apo persekutimin, për shkak se prindërit e kishin mbrojtur nga kjo, por pas ndryshimeve drastike, për të u bë shumë e vështirë pranimi i së vërtetës që prindërit e saj e shpalosnin. Duke qenë e afërt me gjyshen dhe shpjegimet e saj se pse është dashur fshehja e së vërtetës, pas disa muajve, ajo nisi të përshtatej.

Fotografia: Henning Kretschmer/Agentur F

Natyrisht që kjo ndikoi në themelimin e identitetit të Ypit, të cilën ajo vetë e cilëson si njëfarë kultivimi skeptik për atë se çfarë konsiderohet e vërtetë, teksa tendencat për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga ajo se çfarë duket, ka zgjuar interesin e saj të mëvonshëm për filozofinë.

Detajet kryesore që shpalosen në ditarët e saj që ajo mbante pas viteve 90’, përshkruhen mbi shqetësime të jetës së përditshme e të zakonshme të saj, siç është fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e saj, e cila u bë viktimë e trafikimit seksual, që mbrëmjeve nuk mund të dilte dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmohej në rrugë, apo edhe se prindërit e saj vazhdimisht paralajmëronin se do të ishte e rrezikshme për shkak të shpërndarësve të shumtë të drogës.

Falë këtyre përjetimeve dhe mbi të gjitha, falë përjetimit të dorës së parë të valës së emigrimit në Durrës që kishte lënë gjurmë të shumta të gdhendura rrënjësisht në kujtimet e saj, kuptimi i një shoqërie të lirë ishte perceptuar ndryshe nga gjithsecili asaj kohe. Megjithatë, kjo e shtyu atë që dikur më vonë të bëhej një person më kritik.

Për mendimet e saj mbi përfaqësimin e Shqipërisë nëpërmjet një vepre, për botimin e një shtese “prequel” tjetër ku trajtohen edhe ngjarjet në Kosovë, për konceptin e lirisë së vërtetë të popullsisë shqiptare, për sukseset e shumta të librit sikurse që është vlerësimi me pesë yje në “Daily Mail” dhe “Daily Telegraph”, emërtimi si libri i vitit në “Sunday Times”, fitimi i çmimit “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë dhe fitimin e çmimit ‘mbretëror’ për Letërsi në Britani, pastaj për shpalljen e vetë autores në mesin e 10 mendimtarëve kryesorë botërorë të vitit 2022 nga revista britanike ‘Prospect’, e deri tek zbulimi i pasionit për letërsinë që nga mosha e vogël, një pasion ky që kishte nisur me Homerin, Eskilin, Sofokliun, për të vazhduar tek Dostojevski dhe Tolstoi, e pastaj edhe tek Kanti, Marksi, si dhe natyrisht për magjepsjet e saj më të mëdha nga autorët shqiptarë siç është me rastin e Kadares, do të keni rastin të lexoni më poshtë në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

Fotografia: David Levenson

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni rrugëtimin tuaj personal që nga nisja e deri tek botimi i romanit “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 26 gjuhë?

Lea Ypi: ‘Free’ fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur fillova të shkruaj, siç them në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”.

Nga një këndvështrim filozofik, një nga bindjet e mia të vjetra ka qenë se, teksa shumë njerëz mendojnë për idetë socialiste si ide të barazisë dhe drejtësisë, kurse për idetë liberale si të përqendruara te liria, tradita socialiste që nga Marksi e këtej në fakt përpiqet të realizojë të njëjtën ide të lirisë që filozofikisht është në thelb të liberalizmit. Megjithatë, shpesh, veçanërisht në teorinë politike normative, me të cilën kam punuar kryesisht, ne priremi të angazhohemi me idetë si thjesht ide, duke menduar për meritat dhe kufizimet abstrakte të botëkuptimeve të ndryshme vetëm nga ana filozofike.

Por, unë jam gjithashtu e interesuar për historinë e filozofisë dhe për historinë, në përgjithësi, dhe kështu kam qenë gjithmonë kureshtare të shoh se si idetë pasqyrohen në institucione dhe se si institucionet ose tradhtojnë ose largohen nga qëllimet origjinale të ngulitura në promovimin e këtyre ideve. Pra, doja të shkruaja si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, dhe kur fillova të mendoj për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja ime u kthye gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi ku unë u rrita. Diskutimi i episodeve nga jeta ime m’u duk një mënyrë e frytshme për ta bërë këtë, për aq sa më mundësonte të reflektoja mbi shembuj konkretë.

Pjesa tjetër është historia me të cilën jeni njohur.

KultPlus: Keni deklaruar se romani flet për mënyrën se si zbulohen të vërtetat gradualisht. Por na tregoni se si ju i zbuluat ato?

Lea Ypi: Për mua ishte një zbulim i papritur që ndodhi kur u bë e qartë se komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej dhe se nuk kishte kthim prapa. Vetëm atëherë kuptova se këndvështrimi i shtetit (nga i cili isha ndikuar nërpërmjet sistemit arsimor) dhe ai i familjes sime, në vend që të rreshtoheshin së bashku, gërryenin themelin e njëri-tjetrit.

Ajo që mbaj mend nga ajo kohë është një hutim i përgjithshëm dhe shqetësim se përse të rriturit dukej se hezitonin gjatë gjithë kohës, kuptoja që të afërmit kishin frikë të flisnin hapur për politikën dhe vija re se sapo hyja unë në dhomë, binte heshtja dhe unë izolohesha nga bisedat e tyre. Më pas, në dhjetor, kur i gjithë sistemi u shemb, prindërit e mi zbuluan një të vërtetë që e ndjenin se ishte e vërteta e tyre dhe thanë se ishte edhe e vërteta ime: gjithë jetën time isha rritur në një familje antikomuniste pa e ditur. Ishte e vështirë sepse deri në atë pikë, kisha dashur të isha një qytetare e mirë, një pioniere e mirë dhe ndjehesha besnike ndaj një sistemi që u shemb papritur.

Unë nuk e kisha përjetuar shtypjen dhe persekutimin që ata kishin përjetuar. Nuk e kisha përjetuar atë as pjesërisht pasi familja ime ishte munduar të fshehtë të vërtetën për të më mbrojtur nga pasojat e luftës së klasave. Ata kishin krijuar këtë strehë që kishte funksionuar ashtu siç donin të funksiononte, por që më pas, për shkak se gjërat ndryshuan kaq shpejt e kaq rrënjësisht, e vështirësoi identifikimin tim me të vërtetën e tyre. Përfundimisht, brenda disa muajve të ardhshëm, u përshtata. Unë i besova ato që më thanë dhe, duke qenë se kisha marrëdhënie shumë të mira me gjyshen, i besova kur ajo më shpjegoi arsyet pse duhej ta fshihnin këtë të vërtetë nga unë.

Por, nuk e di se çfarë i bën kjo identitetit të dikujt në një term afatgjatë. Ndoshta kultivon një lloj skepticizmi për atë që të vërtetat merren si të mirëqena dhe gjithashtu prodhon një tendencë për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga mënyra se si duket; se ekziston ky dualizëm midis dukjes dhe thelbit, i cili mund të ketë luajtur një rol në kureshtjen time të mëvonshme për filozofinë.

KultPlus: Romani është i ndarë në dy pjesë (komunizmi dhe Shqipëria liberale), dhe ju keni mbajtur ditarë pas viteve 90’. A mund të na tregoni disa nga detajet kryesore prej të cilave jeni frymëzuar ju, që t’i publikoni ato?

Lea Ypi: Ajo që bie në sy nga ditarët e mi të këtyre viteve është shqetësimi i jetës së përditshme, të zakonshme: për shembull, fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e mia që u bë viktimë e trafikut seksual, që mbrëmjeve nuk dilje dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmoheshit në rrugë, ose se prindërit e mi vazhdimisht më paralajmëronin se duhej të kisha kujdes nga shtimi i shpërndarësve të drogës.

Ajo që la gjurmë tek unë ishin valët e emigrimit: jeta e Durrësit kushtëzohej nga ajo e portit të Durrësit, çka do të thoshte se emigrimi ishte një përvojë e përditshme. Të gjithë donin të largoheshin, por pikërisht në çastin kur ata ishin të lirë të largoheshin nga vendi, kufijtë u mbyllën dhe filloi vala e racizmit dhe stereoptipeve ndaj shqiptarëve që trajtoheshin si popull kriminel. Edhe kur është arritur për të dalë jashtë vendit dhe më në fund ka pasur qasje në të gjitha mallrat nga Perëndimi që të gjithë i kishin dëshiruar, kupton se të gjitha mallrat janë aty, por në fakt nuk mund t’i blije sepse nuk i ke paratë.

Më kujtohen mijëra shembuj të vegjël si ai, ku ndjeva se diçka nuk ishte në rregull, një lloj zhgënjimi i vazhdueshëm. Por nuk mendoj se në atë kohë unë i perceptoja këto si dështime të një sistemi ose se kisha mjetet intelektuale për t’i zbërthyer nëpërmjet një teorie të ndryshimit shoqëror. Njerëzit rreth meje kishin kuptime të ndryshme për atë që kërkon liria dhe ide të ndryshme se si duhet të jetë një shoqëri e lirë, dhe megjithëse mendoj se të gjithë vrojtonin se diçka nuk po ecte me tranzicionin, ata ishin të bindur se kishin lënë pas më të keqen, dhe çdo gjë tjetër konsiderohej një sakrificë e vogël që ia vlente në rrugëtimin drejt kësaj ëndrre të re lirie.

Përvojat e mia të jetuara më bënin dyshuese, ndoshta sepse i përkisja një brezi tjetër, por këto përvoja më dhanë materialin njerëzor mbi të cilin u ndërtuan reflektimet e mëvonshme.

Fotografia: Marcus Emil Christensen

KultPlus: Libri është bërë i njohur nga shumë medie prestigjioze ndërkombëtare. Sa është e rëndësishme për ju që pavarësisht barrës, të jeni përfaqësuese e një shteti nga vetëm këndvështrimi i juaj?

Lea Ypi: Do të ishte shumë fatkeqe nëse një shtet i tërë do të përfaqësohej nga një individ ose një vepër e vetme. Unë nuk mendoj se mund ose do të doja të përfaqësoja një komunitet të tërë: Unë shpreh pikëpamjet e mia për politikën, shoqërinë, artin e kështu me radhë, të cilat të gjitha vijnë nga një këndvështrim filozofik specifik.

Jo të gjithë do ta ndajnë këtë perspektivë, dhe unë jam plotësisht e vetëdijshme për këtë, ashtu siç jam e lumtur të debatoj me këdo që shtjellon një arsyetim të kundërt duke respektuar normat etike. Sigurisht, gëzohem nëse libri im e bën të dojë të lexojë më shumë dhe të zbulojë Shqipërinë, sepse mendoj se në Evropën Perëndimore ka shumë nevojë për të dëgjuar prespektiva dhe pikëpamje të shkrimtarëve nga kultura tradicionalisht të margjinalizuara.

Por libri im nuk është më shumë se kaq: një ftesë për t’u angazhuar me një kulturë shumë më të madhe dhe për të hyrë në debate shumë më komplekse sociale dhe politike. Një autor i vetëm mund të përpiqet të përfaqësojë atë kompleksitet, por dyshoj se ata mund t’ia dalin të vetëm.

KultPlus: “Të lirë” pritet ta ketë edhe një shtesë ku do të trajtohen ngjarjet në Kosovë. A keni filluar të shkruani diçka për këtë botim?

Lea Ypi: Unë jam duke punuar për një prequel. Libri fokusohet te gjyshja ime dhe diskuton konceptin e dinjitetit si në një person ashtu edhe në një komb në një kohë trazirash sociale dhe politike. Konteksti është kryesisht Shqipëria mes dy luftërave botërore dhe zhvillimi i shtetit modern shqiptar që nga pavarësia e tij nga Perandoria Osmane deri në fitoren e komunizmit.

Ashtu si tek ‘Të lirë’, është një përpjekje për të përshkruar zhvillimin personal dhe politik dhe për të reflektuar mbi temat e autonomisë, krizës dhe identitetit në kontekstin e përplasjes së projekteve ideologjike.

KultPlus: Keni thënë se ju nuk besoni që popullsia shqiptare jeton në një shoqëri të lirë. A mund të na tregoni më shumë lidhur me këtë konstatim?

Lea Ypi: Mendoj se kemi kaluar nga një gjendje moslirie në të cilën një agjent – shteti, partia, liderë të ndryshëm komunistë – ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi individët, duke i penguar ata të kuptonin vetveten, në atë ku kontrolli social ushtrohet nga struktura anonime që janë shumë më të vështira për t’u përcaktuar, por tepër të dëmshme për lirinë.

Jetojmë në shoqëri shumë të pabarabarta në të cilat fuqia ekonomike dhe politike janë të përqendruara në duart e një pakice, si brenda një shteti, ashtu edhe në ndërveprimet ndërmjet shteteve. Jetojmë gjithashtu në një periudhë krizash të shumëfishta, të ndërlidhura, kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat shtetet e dobëta si Shqipëria apo Kosova nuk janë në gjendje të vendosin për të ardhmen e tyre pa ndërhyrjen e lojtarëve më të mëdhenj, të cilët shpesh instrumentalizojnë dobësinë e tyre për të realizuar qëllimet e tyre. Mendoj se liritë standarde që fituam pas rënies së komunizmit, si liria e fjalës, e organizimit, e votës e kështu me radhë, vlejnë relativisht pak nëse ka asimetri të thella pushteti që kushtëzojnë aftësitë e njerëzve për të ndikuar në vendimet politike.

Tridhjetë vjet pas ardhjes së demokracisë liberale, ka ardhur koha për të reflektuar mbi dështimet historike si të socializmit shtetëror, ashtu edhe të liberalizmit të tregut të lirë, dhe të kërkojmë për një model të ri. E kaluara është diçka nga e cila nuk duhet të kemi frikë, përkundrazi ne duhet të jemi në gjendje të mësojmë prej saj në shërbim të një modeli alternativ zhvillimi që merr parasysh specifikat rajonale dhe historike duke u integruar gjithashtu me një përpjekje më të gjerë, transnacionale për të nxitur drejtësinë globale.

Unë i shtjelloj këto ide në librat e mi të tjerë akademikë, por në të gjitha rastet thelbi filozofik është një nocion Kantian i lirisë si agjenci morale, e paredaktueshme në interpretimet pozitive apo negative të lirisë që janë përhapur në sisteme të ndryshme dhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme ideologjike.

Fotografia: Stuart Simpson

KultPlus: Romani mori vlerësime me pesë yje në ‘Daily Mail’ dhe ‘Daily Telegraph’ dhe u emërua libri i vitit në ‘Sunday Times’. Po ashtu fitoi çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë, si dhe çmimin ‘mbretëror’ për Letërsi, në Britani, ndërsa revista britanike ‘Prospect’ ka shpallur 10 mendimtarët kryesorë botërorë të vitit 2022 dhe në mesin e tyre jeni edhe ju. Sa përmbushës është ky sukses?

Lea Ypi: Është një varg në poezinë e Rudyard Kiplingut, “Nëse”, që më pëlqen shumë: “Nëse mund të takohesh me Triumfin dhe Fatkeqësinë dhe t’i trajtosh ata dy mashtrues po njësoj”.

Sigurisht që është shumë kënaqësi për mua të shoh se sa mirë po ecën libri, por një pjesë e konsiderueshme e imja pajtohet me Kiplingun: suksesi mund të jetë gjithashtu edhe një lloj mashtrimi. Duke qenë se kurrë nuk e dihet se sa zgjat dhe ku shpie, mundohem të përqendrohem tek idetë dhe projektet e ardhshme.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si e zbuluat pasionin për letërsinë dhe ndani me ne disa nga magjepsjet e juaja më të mëdha nga autorë shqiptarë?

Lea Ypi: Kjo ndahet në periudha.

Si brez, ne jemi rritur me shumë pak televizor dhe unë më shumë isha e rrethuar nga librat: përralla popullore arabe, shqiptare, ruse e kështu me radhë. Por të preferuarit e mi ishin grekët: Homeri, Eskili, Sofokliu, të cilët i lexoja si përshtatje për fëmijë. Më tërhiqnin sidomos mitet greke, sepse nuk mund ta kuptoja se si heronjtë grekë ishin kaq të fuqishëm dhe kaq të pafuqishëm në të njëjtën kohë.

Më vonë, më pëlqente veçanërisht letërsia ruse e shekullit të 19-të, sidomos Dostojevski dhe Tolstoi, mbase pasi te këta autorë gjen të njëjtat tema të lirisë dhe domosdoshmërisë që shfaqet në mitet greke. Leximi i “Lufta dhe Paqja” në vitin 1997 luajti një rol kyç në vendimin tim për të studiuar filozofi. Mbase ju kujtohet se si “Lufta dhe Paqja” mbyllet me një kritikë të madhe gjithëpërfshirëse të filozofisë së historisë, në të cilën Tolstoi nënvizon se sa e kotë është të mundohesh t’i gjesh një kuptim historisë duke pasur parasysh konfliktin midis botëkuptimeve të ndryshme dhe pikëpamjet e mijëra protagonistëve të saj. Ky skepticizëm ndaj narrativave të mëdha ishte pikënisja ime filozofike por e braktisa shumë shpejt në universitet, kur zbulova traditën filozofike gjermane, veçanërisht Kantin dhe Marksin, që për mua janë alternativa më bindëse ndaj nihilizmit filozofik.

Për sa u përket shkrimtarëve shqiptarë, mendoj se Ismail Kadare është gjiganti mbi shpatullat e të cilit qëndron e gjithë letërsia bashkëkohore shqiptare. E kam lexuar “Pallati i ëndrrave” kur isha njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç dhe më shpalosi një botë të tërë konceptesh, metaforash dhe simbolikash të panjohura dhe të paimagjinueshme deri aty. E lexova sërish para pak kohe dhe sërish u mrekullova. Vetëm një gjeni i pakrahasueshëm mund të dilte gjallë nga ferri i censurës komuniste pa sakrifikuar asnjë grimcë nga cilësia letrare, siç ka bërë Kadare në të gjitha veprat e tij, pa përjashtim. Kultura shqiptare e gjysmëshekullit të fundit i ka një borxh të pashlyeshëm.

KultPlus: Për fund, kush ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja juaj më e madhe?

Lea Ypi: Familja ime. E di që më thonë gjithnjë të vërtetën edhe kur ajo nuk më pëlqen. / KultPlus.com

Fotografia: Pim Ras

Masakra e 12 nëntorit 1944, ekzekutimi pa gjyq i 14 burrave

Brenda një nate, forcat komuniste që pas pak ditësh do të merrnin Tiranën, vranë në kryeqytet 14 burra. 14 figura të shquara të kombit dhe kulturës shqiptare u ekzekutuan pa gjyq e pa faj

Nëntor 1944. Ajo vjeshtë çdo ditë e më shumë merrte ngjyrën e gjakut. Forcat komuniste ekzekutonin në oborret e shtëpive, në rrugica, në bodrume, buzë lumenjve ata që i konsideronin armiq. Ata që vriteshin pa gjyq e pa faj, ishin njerëz të dëgjuar, ndikimi dhe mendimi i të cilëve i shqetësonte komunistët që po përgatiteshin të vinin në pushtet ndaj dhe çdo ditë firmoseshin urdhra ekzekutimesh që viheshin menjëherë në vend.

Ky program shfarosës solli edhe masakrën e 12 nëntorit, kur në Tiranë u ekzekutuan Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari dhe Ali Panariti, 14 burra të nderuar që ranë nën plumbat e guerrilasve dhe ushtarëve.

Ismail Agë Petrela thuhet se u ballafaqua me ekzekutorët duke thirrur: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”, ndërsa Muharrem Lleshi nuk pati mundësi të thoshte asgjë sepse pasi i hynë në oborrin e shtëpisë në mesnatë, e vranë sapo u shfaq te pragu i derës. Mes të pushkatuarve ishte patrioti nga Dibra e Madhe që kish marrë pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në hapjen e shkollave në zonën e tij, Rifat Tërshana, njeriu i suksesshëm i biznesit Lluka Xhumari dhe tregtari Ali Panariti, luftëtari i lirisë, Reshat Stërmasi, pjesë e Ushtrisë Kombëtare dhe më pas komandant i Rinisë së Ballit Kombëtar, por edhe intelektualë klasi si drejtuesi  i “Arbëria”-s dhe “Minerva”-s dhe korrespondenti i Reuters dhe New York Times në Shqipëri, gazetari Nebil Çika, apo Muntaz dhe Vesim Kokalari, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, të cilët u ekzekutuan në skutat e hotel Bristol. Përndjekja ndaj familjes gjirokastrite nuk do të rreshtte kurrë. Ca më vonë do të arrestohej dhe burgosej edhe motra e Muntazit dhe Vesimit, shkrimtarja Musine Kokalari. Ato ditë vjeshte po bëhej prezantimi zyrtar i asaj që duhej pritur nga ky regjim: vrasjet pa gjyq dhe zhdukja e kundërshtarëve me metoda kriminale, por edhe sa lehtësisht e për sa pak dikush mund të shpallej armik dhe të ekzekutohej. Të kishe njohur nga afër udhëheqësin e ri, si Kokalarët që vinin nga i njëjti qytet apo si Rifat Tërshana që e kishte strehuar në shtëpi gjatë luftës,  shpesh ndëshkohej me jetë. Po kaq rëndë ndëshkoheshin edhe ata që ishin angazhuar në Luftë me forcat e Ballit, edhe pse armët i kishin ngritur kundër pushtuesve, si Reshat Stërmasi i cili ishte bir i një prej flamurtarëve të Pavarësisë. Por nuk ishin të mbrojtur as ata që politikës i kishin qëndruar larg si durrsaku Lluka Xhumari që pas studimeve në Itali, ishte kthyer në atdhe dhe kishte ngritur me iniciativën e tij një shoqëri automobilistike, apo korçari Ali Panariti, tregtar i suksesshëm që kishte studiuar në Romë dhe ishte bërë edhe sipërmarrës i ndërtimit të rrugëve.

Plot 14 burra të njohur u ekzekutuan atë natë të 12 nëntorit, kur komunistët nxitonin të spastronin rrugën e marshimit në Tiranë. Pesë ditë më vonë hynë si triumfatore në kryeqytet, në tokën e të cilit ende nuk qe tharë gjaku i të vrarëve pa gjyq./kujtoal/KultPlus.com

Dritëhijet e periudhës së komunizmit në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe në 5 vite rezulton i vizituar nga 72 mijë persona. Çelo Hoxha thotë se Dritëhijet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të pasqyruara në tekstet shkollore.

Muzetë janë një formë e rrëfimit të historisë

Referuar statistikave në këtë 5-vjecar, muzeu është parë nga afër nga 72 mijë vizitorë. Drejtorja e muzeut Etleva Demollari thotë se ka pasur një interes thuajse të balancuar mes të huajve dhe shqiptarëve.

“41 mijë vizitorë janë të huaj dhe 31 mijë janë shqiptarë. Nëse flasim me përqindje 57 janë të huaj 43 shqiptar. Ka një balancë thuajse mes të huajve dhe shqiptarëve.”

Historiani dhe drejtori i Institutit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha thotë se muzeu është i domosdoshëm për të dhënë një informacion të përgjithshëm. Njohja e brezit të ri me këtë periudhë është domosdoshmëri, ndaj Hoxha kërkon që kurrikulat shkollore të pasurohen  me informacion mbi krimet e komunizmit.

“Duhet të ngrihet e gjithë struktura informuese.  Edhe ky muzeu funksionon si të gjitha muzetë, njerëzit e vizitojnë marrin një mesazh. Këtu është një fragment i kësaj periudhe, pasi këtu nuk është historia e plotë e komunizmit. Shqetësuese është historia që përcjellim ne te brezi i ri, për komunizmin është e mangët, mungojnë informacione për krimet e pasojat e komunizmit.”

Por a ka ardhur koha që muzeu të pasurohet me informacione të tjera, pasi deklasifikimi i dosjeve, bën që të zbardhen dosje të kësaj periudhe?

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në vitin 2020 u nderua edhe me çmimin “Muzeu i Këshillit Evropian 2020″ mes 60 muzeve. /abcnews.al/ KultPlus.com

Alibeaj: Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, kërcënim ndaj partneritetit me SHBA

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi sot se “në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka pasur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka pasur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA”.

Në fjalën e e tij në takimin e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se “mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA”.

“Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”, nënvizoi Alibeaj.

Alibeaj u shpreh se “shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falënderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, SHBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa SHBA për Shqipërinë. SHBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarësimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje”.

“Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit”, tha Alibeaj.

Ai u shpreh se “ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë. Siç historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA”. /atsh / KultPlus.com

Përkujtohet poeti Vehbi Demir Skënderi, u përndoq nga diktatura

Vehbi Demir Skënderi, poeti që u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, u përndoq dhe internua nga diktatura, u përkujtua sot nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” i cili publikoi profilin e një nga shkrimtarëve të spikatur të kohës së komunizmit.

Vehbi Demir Skënderi lindi në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939 ndërsa studimet fetare i kreu në Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”.

Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit.

Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga “Zëri i Popullit”, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.

Në Komitetin Qëndror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari anti-parti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.

Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anulohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anulohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011. / KultPlus.com

AIDSSH publikon dosjen e shkrimtarit Uran Kostrecit, dënuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste.

“Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”.

Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.

Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.

Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.

Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare. / KultPlus.com

E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.

Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi

Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku

Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com

Maks Velo: Mendoja se kisha shokë artistë, por ata ishin përbindësha!

Arkitekti dhe artisti tashmë i ndjerë Maks Velo akuzonte kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.

Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo thoshte se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara. Ai akuzon Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehet se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona. Velo tregonte se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kishin penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkonte veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët. Por dëshpërimin më të madh arkitekti e lidh dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilësonte korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, shprehej Velo.

Maks Velo

Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër. Tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij. Kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë. Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar.

Ai i dinte të gjitha. Ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja. Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”. Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj. Thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.

Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja. Më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.

Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!

Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!

Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.

Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. / KultPlus.com

8 Dhjetori, Basha: 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë

“Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit, le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson Kreu i PD, Lulzim Basha në përkujtim të Lëvizjes Studentore të 30 viteve më parë.

Basha shprehet se “’E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimi”

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan.  Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson kreu i PD, Basha. / atsh/ KultPlus.com

29 vite nga mesha që shënoi fillimin e rënies së komunizmit (FOTO)

Më 4 nëntor 1990 ishte një ditë historike për Shqipërinë. Dom Simon Jubani do të mbante meshën e parë duke shënuar kështu rënien e komunizmit plot 29-të vite më parë.

Mesha u mbajt në varrezat e Rrmajti.

Fjala e dom Simon Jubanit:

“Vllazën dhe Motra!

Le t’i kujtojmë për një minutë në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme.

Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:

“Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!”

Unë, i padenjë për këte mision po, Ju, tham: Se, fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!…

…Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”. /tch/ KultPlus.com

Rrëfimi i një nënë që gjakun e të birit ia kërkonte Enver Hoxha

Nga Agron Tufa

GJAKU I TIM BIRI

(sipas rrëfimit të një nëne)

– Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, – më tha polici. Bashkë me tim bir për dore, Aturin e vogël katërvjeçar, ai na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit. Ishte 10 tetori i vitit 198…
– Djalin lërja sportelistes, – tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes Jeminé me djalin përdore… pesë minuta… mbaron punë dhe e merr.
Sportelistja, një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e errët që më kaploi, nxorra një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje vijat e kuqe, bardhë e blu dhe u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.
– Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.
– Po, – i thashë, – sot ka mbushur katër vjeç…
Më përshkuan të dridhurat. Asnjë fjalë urimi.
– Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si ti… – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e tavolinës. – Nuk do ta lëmë gjakun e shkokut tonë partizan, besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh gjakpirës! Dëgjon? Ndaj ne…
Mësyva derën shigjetë e dola jashtë.
As djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.
– Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.
Burri me dy gratë kishin dalë në holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.
– Kot e kërkon, – foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë… nuk e arrin.
Pas kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza më mbërtheu në shtrat për 3 vjet. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-herë vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht: “Shko, gjeje djalin tonë!”. Ai vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë, e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”
Derisa ra diktatura. Nisa kërkimin e Arturit tim. “Tani do të jetë bërë 12 vjeç. A do të më njohë?” Derisa, një dite të mjegullt vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.
– Zonjë, – më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet midis nesh. Përndryshe, po ma nxorre emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e kërko më djalin tënd, Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin gjak. Në një nga këto raste, me 30 mars 1985, fill pasi i morën gjakun, Arturi… nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë…
I gjori im bir! Gruaja nuk e dinte se atë ditë loçka ime do mbushte 6 vjeç…
Mos e kërko më… Bëhu e fortë, – tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më lënë të shituar në prag.
– As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete që nuk hapen kurrë, – shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi. Po atë natë qe larguar familjarisht në Greqi.
Në verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e prindërve të tij në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të lexoj pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “8 tetor 198…”:
“Gjithçka është ujdisur me kujdes… Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B… Artur S…, do të rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit… Do ta shlyejmë dhe këtë njollë. Më në fund….”
Më shungëllonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim! Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit 4 vjeçar? Si ta pyes, tani që ka vdekur?
Do të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas… deri sa të ngrihet… të më japë përgjigje! / KultPlus.com

36 llojet e torturave që u përdorën gjatë diktaturës komuniste

Kjo listë e hartuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, bazuar në një dokumentacion të gjerë arkivor dhe dëshmi gojore nga ish të persekutuar, cilësohet si lista zyrtare e torturave të përdorura gjatë regjimit komunist nëpër qelitë e hetuesive, zyrat e ish Sigurimit të Shtetit dhe rrethana të tjera represioni, gjatë viteve 1945-1991 në Shqipëri, përcjellë KultPlus.

Llojet e torturave

1-Rrahje me dru, deri në shkaktimin e plagëve

Është torturë klasike e përgjithshme e bërë në hetuesi nga oficerët e Sigurimit e ndihmësit e tyre. Kjo torturë konsiston në goditjen me dru ose thupra (drunj të vegjël) të të pandehurit në kokë ose pjesë të trupit. Është përdorur masivisht kundër të gjithë të pandehurve apo personave të kapur sekret nga Sigurimi. Kjo lloj torture konsiston në goditjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme me një mjet të fortë. Ka qenë një torturë e “thjeshtë” që nuk kërkonte shumë kushte apo mjete.

2-Kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru

Zhvillohej kur kishte avancuar faza e torturës dhe kishin filluar të zinin kore. Nga kjo torturë e rëndë ka vdekur në vitin 1947 Loni Adam, ish funksionar i ambasadës amerikane, ndërsa trupin kishin filluar ta hanin krimbat. Kjo lloj torture mund të kalonte deri në çmendjen e personit nga dhimbja e madhe.

3-Shpimi i mishit me tel të djegur

Ka qenë torturë barbare e përdorur sidomos vitet e para. Personit i ngulej një tel i nxehur në mish e cila depërton lehtësisht mbi mish e nga kjo kalon drejtpërdrejt në kockë. Prekja e kockës kishte pasoja të rënda sepse kalonte në humbjen e jetës, ose pasoja të rënda në shëndet, por edhe në çmendje. Nga përdorimi i kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.

4-Përdorimi i rrymës elektrike në veshë e në trup

Ka qenë teknikë e përdorur nga Sigurimi dhe hetuesia. Përdorimi i madh i kësaj metode ka çuar në çmendje shumë persona. Rryma elektrike kalonte në trupin e personit të marrë të pandehur, në mënyrë që ai të thyhej për të pranuar procesin ose treguar gjëra në kurriz të të tjerëve.

5-Futja e kripës në mish

Përdorej për të acaruar gjendjen e të pandehurit. Kjo lloj torture përdorej në rastin kur plagët kishin përparuar. Përdorimi i kësaj torture kishte efekte psikike të forta, duke kaluar shpesh edhe në çmendje.

6-Lënia në ujë të ftohtë apo në fuçi uji

Ishte koha kur i pandehuri nuk pyetej. Trupi i lihej në një pellg me ujë në dimër në mënyrë që të kishte pasoja në shëndet. Pasojat ishin në dobësim zemre, mushkëri të sëmura, etj. Po ashtu personi vendosej në një fuçi uji. Kjo metodë përdorej kryesisht kur ishte gati ta zinte gjumi si dhe në orën e gjumit.

7-Lënia pa bukë deri në vdekje

Është një torturë e përdorur në hetuesi, por në raste speciale edhe në burgje. Ka ndodhur p.sh. me ish kryeministrin Kostaq Kota që vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1948.

8-Lënia pa bukë për disa kohë

Përdorej në hetuesi dhe në izolim në burgje. Përdorimi i kësaj torture synonte thyerjen e të pandehurit në mënyrë që ky të mendonte se jetën e kishte të shkurtër.

9-Lënia zhveshur në të ftohtë

Përdorej në hetuesi dhe pothuaj në burgje si masa disiplinore. Kjo lloj torture kishte edhe efekte psikologjike për nga fotografimi i pamjes kur i dënuari lihej të shikohej nga të burgosur të tjerë.

10-Jeleku

Përdorej si mjet ndihmës për të rritur efektin e torturës. Muço Sali deklaronte: “Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha”. Jepej ideja sikur njeriu ishte vendosur në hell për t’u pjekur.

11-Dinamit në trup

Vendosja e dinamitit në trup kishte efekt në zemër dhe në tru. I pandehuri kërcënohej se do hidhej në erë. Oficeri i Sigurimit vazhdimisht mbante shkresën në dorë duke dhënë përshtypjen se mund ta ndizte fitilin. Rriste stresin dhe ankthin me shpejtësi të madhe, duke kontribuar në sëmundje të rënda e të pashërueshme.

12-Shtrëngim i gjinjve me pinca

Një torturë e përdorur te meshkujt, linte pasoja në lëkurën e mishit të personit që torturohej. Përdorej sepse gjinjtë si gjëndra lëshonin efekt të fortë dhimbjeje.

13-Futja e të pëgërëve (jashtëqitjes) në gojë

Kryhej shumë vitet e para sidomos ndaj klerikëve që mbanin mjekër. E kanë përdorur ndaj Sheh Ibrahim Karbunarës. Jo vetëm që të shkaktonte dhimbje nga era e keqe, por grumbullonte edhe mizat.

14-Varje me kokë poshtë

Është përdorur rëndom ndaj personave të akuzuar për krime shumë të rënda politike. Ka qenë ndër torturat më rraskapitëse e cila linte pasoja të mëdha mendore.

15-Lidhje me lin

Lidhja me fijet e linit shkaktonte vija në trupin e një njeriu. Kjo lloj lidhje shkaktonte deformime, të cilat i shiheshin personit gjatë gjithë jetës.

16-Lënie në diell

Përdorej si torturë për të burgosurit e për të paraburgosurit, në degë të punëve të brendshme ose në kampe pune. Nuk përdorej në burgje. Në kampe, i dënuari lihej në diell, kryesisht muajt e verës, në vendet ku punohej. Kjo jo vetëm për t’i shkaktuar torturë, por edhe për të shërbyer si shembull për të tjerët.

17-Maçoku në tumane

Përdorej kryesisht ndaj femrave. Maçoku futej brenda tumaneve të femrës dhe pastaj goditej me dru nga jashtë. Përpjekja e maçokut me thonjtë e tij për të dalë nga kjo gjendje, shkaktonin dhimbje të mëdha te femra që kishte veshur tumanet.

18-Përgatitje e varrit

Përdorej në dy forma: e para, para një varri të hapur ku bëhej gati improvizimi i vrasjes së të dënuarit dhe e dyta, kur i pandehuri hapte vetë varrin ku mendohej se do varrosej.

19-Arma në gojë

Mjet presion që zhvillohej shpesh gjatë hetuesisë. I pandehuri kërcënohej se do vritej nëse nuk tregonte.

20-Tentativë për çnderim të vajzës

I bëhej drejtpërdrejtë  personit të pandehur ose shërbente si mjet presioni ndaj tij, kur i sillnin një femër të familjes si gruan, vajzën, etj.

21-Djegia e organeve seksuale

Përdorej djegia me benzinë, e provuar ndaj Alfred Ashikut nga oficeri Cole Bashari.

22-Rrahja me kamxhik

Përdorej me kamxhikët e kafshëve. Kamxhiku i lëshohej në qafë të pandehurit në formën e një gjarpri që mblidhet shpejt rreth një peme. Por përdorimi i kamxhikut përdorej edhe si rrahje e drejtpërdrejtë në vend të drurit. Pasojat ishin të mëdha si, dëmtim i mishit, i enëve të gjakut, etj.

23-Lëshimi i pikës së ujit në kokë

I pandehuri lidhej në një tavolinë dhe nga tavani i lëshonin periodikisht pika të forta uji që binin rëndë në kokë.

24-Vendosja e mangallit në vapën e gushtit

I futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës (dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.

25-Lënia në këmbë

Përdorej për të lodhur e sëmurë të pandehurit. Shkaktonte sëmundjet e kockave, mesit, etj.

26-Lënia për të fjetur mbi çimento

Përdorej në hetuesi dhe në biruca gjatë vuajtjes së masës disiplinore.

27-Shkaktimi i etjes dhe mbushja e gojës me kripë

Përdorur nga hetues Irakli Kocani.

28-Lidhja me hekura në mur e lënia për disa ditë ashtu

Është përdorur nëpër qeli ndaj të paraburgosurve. Ka shkaktuar dhimbje kockash e organesh të brendshme.

29-Detyrimi për të kënduar natën

Vendosej muzika për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin natën.

“Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga Sigurimi i ushtrisë”.

30-Futja në biruca të errëta

Dëshmi: “Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër”.

31-Lyerja me marmelatë

Dëshmi: “Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë”.

32-Shurdhimi

Vënia në stres të përgjithshëm, duke shkaktuar zhurma të pandërprera. Kjo torturë është provuar e kryer në burgun e Burrelit.

33-Përdorja e tymit brenda qelive

Shkaktohej nga djegia e materialeve të ndryshme e futja e tymit të tyre nëpër qeli. Provuar e kryer në burgun e Burrelit.

34-Futja në arkivol

Mjet presioni për të pranuar procesverbalin e hetuesisë. I pandehuri mbyllej brenda arkivolit për disa minuta ose orë, duke i krijuar përshtypjen e vdekjes.

35-Goditja me pëllëmbë e me shqelma

Ka qenë tortura më e përhapur dhe fillestare. Ajo ushtrohej nga hetuesit si fazë e parë e torturës psikologjike. Hetuesi e përdorte për të thyer të pandehurit e dobët, në mënyrë që të pranonin sa më shpejt procesin.

36-Hedhja nga lartësia

Torturë e përdorur shpesh në hetuesi, sidomos ndaj moshave të thyera. Shpesh herë prej kësaj torture, të proceduarit kanë vdekur. /kujto.al/ KultPlus.com

Historia e fotografisë ku nusja qan e tmerruar

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qenë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik.

Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.”.

Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.

Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./ KultPlus.com

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” hapet sonte në Tiranë

Në prag të 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, hapet në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet sonte duke filluar nga ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Autori i ekspozitës është historiani gjerman, Gerd Koenen. Kjo ekspozitë është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj. Ngritja dhe rënia e luminizmit në shekullin XX, vjen si nevojë për t kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera te bllokut komunist.

Ekspozita përfshin 25 postera, me mbi 200 foto historike, dokumente dhe “kode QR” të lidhura me materiale filmike në internet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt.

Prezantimi i ekspozitës do të jetë në dispozicion nga muaji mars 2018 si një set i posterave në formatin DIN A1 dhe mund të porositet në [email protected].

Më 20 shkurt të viti 1991 u rrëzua dhe u kthye shtatorja e Enver Hoxhës, ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit./ KultPlus.com

Rrobaqepësia e parë e komunizmit dhe reklama e saj e veçantë (FOTO)

Kjo ishte pjesa më e rëndësishme e qytetit dhe vendi më i përzgjedhuri, para kalasë së qytetit.

Në vitin 1960 një rrobaqepësi ishte gjithçka pasi rroba të gatshme kishte pak, thuajse aspak. Një grup mjeshtresh të prerjes së qepjes së veshjeve ka dalë në një fotografi duke na dhënë një imazh të asaj kohe, ku parullat e Enverit duken në sfond. ADE ka publikuar fotografinë e siguruar nga familja Trëndafili në Elbasan ku nga e majta janë: 1. Daut Duhanxhiu 2. Josif Shuteriqi 3. Kostandin Miraku (çirak) 4. Ilia Trendafili 5. Agron Tafa.

Nëse shikon me vëmendje fotografinë vë re se në vitrina nuk ka reklama pa parulla të partisë komuniste në planet e 5-vjeçarit si dhe begatinë e 15 viteve diktaturë.

Kjo rrobaqepësi ndodhej në pazarin e Bezistanit i shembur pak vite më vonë.(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi

Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku

Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com