Kompleti: Kode dhe koncepte simbolike të Bashotës

Ibrahim Berisha

Toka: Toka dhe uji kanë kuptim të veçantë për ekzistencën në qenien e poetit. Është ajo që nuk përfundon asnjëherë së qeni Nana e Madhe, që mbush begati dhe farë, ku qeniet kanë të drejtën e plotë për të jetuar në ciklet reale dhe simbolike. Pa këto nuk ka jetë as materiale as jomateriale. Për tokën gjenden në prozën poetike të Bashotës kuptime të përtejme. Jo thjeshtë simbolike.

Te poeti Bashota, është toka, pjesë e dashurisë që lartësohet deri në qiell (mitologji antike) një lloj Kopshti i Edenti (mitologjia çifute) dhe, Toka ka një Motër (mitologjia shqiptare).

Por, toka është edhe Nana e Vdekjes, sepse na pranon të gjithëve pavarësisht çfarë kemi qenë në këtë botën e mendimeve dhe ndjenjave. Poeti nuk zbret në kodin etik, por mbetet në atë simbolik.

Kjo e bënë të veçantë resursin përtëritës të jetës si shprehje vazhdueshme. Estetika tokësore në prozën poetike të Bashotës është edhe e shenjtë. Do të thosha, është fryma e përhershme njerëzore, që e thotë edhe, jo vetëm një poet, po në variantin e sundimit tokësor e tha edhe mbreti, Xhingis Kan, pas një fitoreje: ”Jam i shënuar me forcën e qiellit, ndërsa toka nënë më solli këtu”.

Poeti është në tokë me vështrimin simbolik kah: UJI.

Uji: Uji janë njerëzit. Poeti ngjyrosë me gjuhë filozofike lidhjen e njeriut me ujin, me lumenjtë, me detet shpirtërore. Por, shpirtërorja poetike është reale. Siç ishte dhe është botë jonë.

A nuk paraqiste Nili për egjiptasit e vjetër, gjithë ai qytetërim i madh, kulturë të shenjtë dhe ritual. Në leximin konotativ, kuptojmë se uji është vetë e kaluara dhe e ardhmja e lundrimit mendor, është rituali. Buzë ujit ne shohim vetëvetën si rrjedhë duke lënë cikle rrathësh herë harmonikë, herë të trazuar dhe kryqëzuar. Të tejdukshëm dhe të errët.

Prandaj duke lexuar të zë psherëtima e gjithë njerëzimi kur thuhet fjala: Ujë. Sepse, edhe të krishterët bëjnë kryq dhe i përkushtohen ujit. Kur’ani tregon për krijimin e të gjithave nga uji. Indusët flasin për “Ujin e Jetës”.

Kjo është poetika lundruese. Prandaj, kur lahet foshnja e prosalindur me ujë krijon identitetin e ri të jetës dhe të pastërtisë. Kaq e bukur. Dhe po kështu, në nëntekst lexojmë se kjo botë ujore po nuk u njohë dhe u dashtë sinqerisht na ndëshkon. Do kujtuar, vetëm, Barkën e Noes.

Një vend sa më shumë art e kulturë, sa më shumë të ketë ujë lundrues, human për vetëvetën, është vend më i mirë, më i begatshëm.

Shpirti: Shkrimi i Bashotës ka edhe përmasën e enigmës.

Është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. E fundja, poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja.

Shpirti dhe shpirtrat janë sa të munguar, po kaq edhe të pranishëm, një papërcaktim ky i pagjetur ndërmjet fajësisë dhe pafajësisë, dhe që mund të preket lehtë në një degë të ëndrrës që tashmë kaherë ia ka plasë vajit të papajtueshëm. Shpirti është shi i pashtershëm apo ëndërr e përhershme, apo edhe çelës i përhershëm i kyçjes së mërzisë së vyshkur. Prandaj, shpirti poetik i Bashotës ka melodinë e pëshëpritjes që dëgjohet sado që nuk ka zë, apo lexohet sado që nuk ka shkronjë, si: Dashuri.

Dashuria: D e madhe e shtypit, që është në titullin e parë të ciklit për Dashurinë, nuk do të thotë se lexohet apo zbërthehet pikërisht, dashuria.. Konceptet kozmike nuk ikin në hapësirën e moskuptimeve që krijojnë ato sa mendohet në të parë, veçmas për rruzullimin e tyre. Ato janë të afërta dhe të prekshme, madje edhe në lumturinë e domosdoshme, ekzistuese, Të Dyve. Lumturia nuk është Njëjës, le të kuptohet nga poeti, por një prani e lirisë, e njërit të dashuruar më shumë se tjetri.

Liria: Lënda e tokës, ujit, materialja, pastaj zjarri, fjala, janë përbërsit ontologjikë të lirisë. Liria fshihet në njollat e durimit që mbajnë të pashpallura mëkatet, të cilat sado që që nuk thuhen, ato ruhen të paprekshme, qoftë edhe si puthje, ikje, mëshirë. Kjo do të jetë kështu, derisa fshehtësinë ta zbulojë rruzullimi i: Dritës.

Drita: Drita është një nga konceptet e rëndësishme, shumë të rëndësishme të poezisë së Bashotës. Kështu ka qenë edhe në vjershat dhe librat e mëparshëm të tij. Drita është përmbajtja e kosmologjisë së tij lirike që duket se e ndjek si frymë nëpër vargje, por e vërteta, poeti e mban me vete, nuk i ndahet vetë, dhe ajo vetëm sa i jep flatër në ethet e krijimit. Kjo i përgjason hijes së bukurisë. Ta zëmë bukuria e Helenës, a nuk ishte e mjaftueshme për të nisur një luftë që do ta fundoste Mbretërinë e Trojës? Një këso bukurie ështe provokuese, duke bërë që në një ballafaqim të pabarabartë me të, poeti të shkruajë: Unë jam ai i vogli/ çdo ditë e më tepër. Në fund të fundit, shumë pyetje nuk do të marrin asnjëherë përgjigje. Përgjigja mund të jetë sall ofshamë, por duhet shpresuar në të duhurën përherë: Fjala.

Fjala: Fjala nuk është zë, as shkrim, as lëvizje. Është metafizikë, që mban brenda vetes, diç nga kujtimi dhe konfliktet e papërfunduara poetike: Unë me emrin si ai apo ai me emrin si unë. Është fjala për një emër që kapërcen thirrjen e fundit, domethënë, inkarnohet në trupin e mendimit dhe vetëzbulohet rastësisht, edhe kur nuk ka ndonjë arsye, pra nuk i duhet askujt.

Poeti Bashota edhe kur udhëton në rrugët e heshtjes, do të na shkund nga termekja se megjithatë dikush e meriton të jetë i lumtur në këtë botë. Është çasti kur fiken dritat dhe dashuria shkon pa e kuptuar se nuk është më. Atëherë pason: Dhimbja.

Dhimbja: Imazhi i një dite pa diell sikur e ngrys qiellin, e promovon melankolinë, duke kërkuar nëpër valët e trazuara arsyen, pse çmendet poeti. Apo pse ekziston përmasa e çmendisë së lumtur të poetëve. Leximi i kujdesshëm ofron përgjigjen: Poetët nuk çmenden, por poetët i çmendin. Lumturia është e dyanshme.

Prandaj, poeti na shkund me vargun dramatik: Ti mos vdis këtu atje nuk është askush. Ai këto fjalë ia rikujton vetvetes, sepse bota e tij nuk është në këtë çast asgjë më shumë se një thërrmijë e vetvetes së pagjetur. Por, poeti beson në ringjalljen e njerëzve të mirë. Sado ky besim edhe mund të jetë, vetëm: Ëndrra.

Ëndrra: Ëndrra në botën e njohur është komunikimi që mban në këmbë humbjen e papranuar, por reale. Çfarë mërzitje e bukur, thotë poeti. Prandaj, thirrja e tij është me tension maksimal, kuptohet, në suazat e lirikës së tij fine: Shpirt zgjohu nga gjumi edhe pak/të mos çmendemi/ pak nga pak. Asgjë e mjaftueshme, në këtë rast. Mbetet vetëm: Jeta.

Jeta: Po, jeta është edhe përgjasim jo i vogël me ëndrrën, të cilën poeti Bashota, e cilëson si proces i krijimit edhe të dhimbjes. Kjo gjason në enigmën e papërfunduar asnjëherë, kush i parë dhe kush i dytë. Poeti e thotë me gjuhë eksplicite: Asgjë më të fshehtë se jeta nuk ka/ vetëm vdekja është pak më e fshehtë. Prandaj, kjo dhimbje tejpersonale, më mirë thënë universale, nuk ka rëndësi, sepse duhet mësuar më vdekë me gjithë zemër. Në nëntekst, poeti na thotë: prandaj në çdo ditë të zakonshme duhet jetuar me gjithë zemër.

Prandaj, vepra e Bashotës nga SHB Logos, në këtë botim reprezentues, është dëshmi e një shenjë shkëlqyese unike në letërsinë moderne shqipe, një enigmë, që do të krijojë arsye për zbërthime dhe kënaqësi te reja leximi, mendimi dhe përjetimi. Një udhëtim kulturor e estetik që do të motivojë vazhdueshëm.

/Sali Bashota. Vepra I–VI: Logos. Shkup. 2023/ KultPlus.com