Zake Prelvukaj me ekspozitë në Shkup, ‘RREGULLAT E REJA’ paraqet ndryshimin tonë përmes kohës dhe teknologjisë

Era Berisha

Ekspozita ‘’Rregullat e Reja’’ nga Zake Prelvukaj vjen me një performancë, 7 piktura masive rreth 2 metra të larta dhe të gjera që janë punuar në vitin 2021 me një kolorit i cili përsëritet qysh nga vitet e 90-ta, 9 fotografi dhe 4 video arte me ç’rast lajmëron ndryshimin e ndjeshmërisë sonë ndaj ngjarjeve të papritura, ekspozitë kjo e cila këtë muaj do të prezantohet në Galerinë Nacionale në Shkup në objektin ‘Çifte hamam’, shkruan KultPlus.

Koncepti i ekspozitës ngërthen në vete kohën në të cilën njerëzit janë duke jetuar dhe ballafaquar me ngjarje apo përditshmëri të papritura. Në këtë shekull është menduar që njerëzit kanë ecur me disa hapa jo të lehtë duke e jetuar transformimin e shtetit tonë. Prandaj, në këtë tranzicion ka pasur edhe disa pika të mira sepse edhe kjo kohë ka një gjatësi, Zake si artiste absorbon informacione, ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa të.

Se si erdhi ideja për të krijuar një ekspozitë të tillë në bashkëpunimin me kuratoren Ana Frangovska, për KultPlus ka treguar Zake Prelvukaj.

“Në vitin 2020 jam ftuar nga kuratorja Ana në programin e Shkupit të Galerisë ‘Çifte hamam’, që është një galeri prestigjioze në Maqedoninë e Veriut, por ekspozita e menduar për 11 maj është shtyrë për shkak të rrethanave pandemike”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, në vitin 2007 në një ekspozitë me mediume të ndryshme artistike në ‘’Malla Stanica’’, kuratorja e ka parë artisten dhe e ka ftuar atë duke e ditur që deri në këtë kohë është punuar një art ndryshe, që i përshtatet kohës dhe aktualitetit dhe kështu kuratorja ka pasur dëshirë që Prelvukaj të prezantohet me punën e saj të fundit në një vazhdimësi të punëve të tjera të vitit 2010 por kryesisht punime të vitit 2021 që përputhen me konceptin.

Gjithashtu, Prelvukaj ka dashur që këtë ekspozitë ta përfundojë në muajin maj prandaj edhe ekspozita do të ketë hapjen e saj më 25 maj. Ndërsa, ekspozita e saj kësaj radhe do të vijë në disa ngjyra më transparente, me motive të ndryshme ku nuk janë përdorur më elementet teknologjike.

“Është bërë kjo vazhdimësi e çdo mediumi, por baza kryesore që do të jetë në hyrjen e Galerisë do të jetë njëfarë performance që e bëj unë me pasqyra dhe një monolog me vetveten në njëfarë rrethi dhe pastaj brenda janë dy fotografitë e mija që asnjëherë nuk janë parë. Do të vi me një performim të gishtave, më ndryshe se e zakonshmja”, tregon Prelvukaj për KultPlus.

Ajo tutje ka bërë të ditur se kuratoja veçse e ka bërë renditjen e këtyre punimeve sipas konceptit dhe hapësirës që është lejuar për të realizuar konceptin dhe mesazhin që përcjell ekspozita.

“Sipas mendimit tim, çdo gjë çka ne parashohim, e parashohim si diçka të panjohur. Unë nuk e parashoh të ardhmen, por parashoh diçka, që ne si gjenerata e pas luftës, kemi me qenë të përqendruar në monitor duke e humbur kështu prekshmërinë, ndjeshmërinë dhe atë se çka jemi si qenie njerëzore”, tregon ajo.

Për Zaken, ky përjetim do të jetë shumë më shumë optik përmes virtuales dhe ajo e ka parë se është drejtuar aty ku do të jetë një botë ndryshe, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e secilit. Prandaj, as nuk mund të thuhet se është diçka e mirë apo e keqe sepse nuk është e njohur por që duhet të pranohet sepse nuk është duke u luftuar me kohën sepse koha na mund secilin, por këto janë vetëm paralajmërime që artisja i sjell si një individ dhe qytetare për shpjegimin e rregullave të çrregullta, për njerëzit, por ndoshta edhe të rregullta për gjeneratat e reja që po vijnë duke u bazuar në ndjenjën e saj që diçka po ndryshon.

“Edhe pse koha ka qenë e tmerrshme, është diçka interesante sepse unë në këtë vit jam vetvetja dhe mjaft e disponuar sepse e kam kuptuar dhe po e kuptoj çdo ditë se jeta nuk duhet të jetohet duke u marrë me gjëra të cilat na bëjnë nervoz, me njerëz që nuk kanë disponim të mirë. Këtë e kam parë edhe në ngjyrat që po i përdori, të cilat janë shumë më transparente, më të mira dhe më të disponueshme edhe për mua si autore por edhe për shikuesit dhe artdashësit që do ti shohin punimet”, rrëfen ajo.

Po ashtu, artisja është shprehur se ajo jetën po e dashuron shumë më shumë tani sepse e ka parë që rëniet njerëzore të popullatës asnjëherë nuk janë paralajmëruara. Prandaj, ajo çdo minutë dhe çdo mot të kthjellët e shfrytëzon qoftë edhe duke dalur deri në ballkon sepse sipas saj çdo gjë duhet të përjetohet në mënyrën më të mirë në mundësitë që ofrohen.

Punimet e kaluara të artistes janë cilësuar se ato vazhdimisht po flasin njëjtë ku edhe në këtë kohë që janë rikthyer, ato ende po flasin, me ç’rast Prelvukaj është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për ciklin e ri që po fillon sepse është një vazhdimësi e viteve 96/97-ta të cilat kanë qenë një lojë me instrumente.

“Këtë lojë e kam përpunuar më ndryshe duke përfshirë rregulla, motive dhe objekte shumë më ndryshe që lidhen me diçka të pa parashikuar dhe mund të them që për mua janë pikërisht këto vepra të vitit 2021, vepra të mira për kohen që i kam punuar”, ka potencuar ajo.

Teksa ajo flet për vështirësitë e hasura ajo ka treguar se vështirësia e vetme që ajo parasheh është vetëm transporti sepse punimet janë masive dhe organizimi nuk është i lehtë. Kurse, për të ardhmen ajo shpreson se njerëzimi të mos sundohet më nga njerëz të ‘veçantë’ por që secili të ketë një barazi që kontribuon në ndërtimin e shtetit.

“Nëse e hulumtoj vetveten se pse jam kaq e disponuar, e gjej veten duke menduar që më është hapur një dritare e re sepse nuk e di çfarë është por po shoh diçka të mirë. Në tërë këtë tmerr më është hapur njëfarë porti që po shoh vetëm pozitivitet. Ashtu po ndjehem mirë por nuk e di pse”, thotë Prelvukaj.

Në këtë intervistë për KultPlus ajo ka bërë të ditur se punimet në këtë ekspozitë janë historia e saj dhe e botës në një periudhë kohore të tillë. Po ashtu, ajo këtë ekspozitë e ka cilësuar si një paralajmërim i idesë që njerëzit janë ata që nuk çuditen më. Kurse, ajo se çka pëlqehet nga artistja është se njerëzit e kanë kuptuar që të gjithë në këtë botë, sido qofshin ata, ata janë njerëz të njëjtë.

Kështu, krejt në fund ajo ka shpalosur edhe synimet e saj për të ardhmen të cilën ajo e sheh si një mundësi për të krijuar edhe më shumë duke u shprehur se ky virus i ka shtyrë njerëzit të mendojnë më thellë.

“Dëshira ime në të ardhmen është kontributi që pikturat e krijuesve kosovar dhe ndërkombëtarë ta gjejnë një shtëpi të përjetshme për të cilën Kosova ka nevojë si një aspekt i politikës kulturore”, përfundon Prelvukaj. / KultPlus.com

Pandemia na ka bërë të humbasim sensin e kohës

Është bërë refreni i pandemisë së koronavirusit, një reflektim i asaj se si të gjitha ditët na duken të turbullta dhe se kohët e fundit nuk vërejmë as detajet më të thjeshta.

Të martat janë të enjte, janë të mërkura janë të diela. Nuk ka më ditë javësh, as fundjava. Ka vetëm dje, sot dhe nesër.

Së bashku me këto ndjenja çorientimi, mund të duket sikur është më e vështirë të përqendrohemi dhe na duhet më shumë kohë për të kryer punë të ndryshme, sikur truri ynë po punon më ngadalë. Nëse po ndjeni sikur truri juaj po tkurret, nuk jeni të vetmit. Ekspertët thonë se e gjitha ka të bëjë me atë se si pandemia është duke ndikuar në shëndetin tonë, aftësinë tonë për të menduar qartë, mësuar dhe mbajtur mend.

Ja çfarë po ndodh dhe çfarë mund të bëjmë në lidhje me këtë.

Rutina jonë e përditshme është zhdukur

Ne kemi humbur të gjithë rutinën e një jave tipike, dhe kjo do të thotë të kesh fundjavën si kufi ose si një ndarje, ose diçka për të cilën shpresojmë. Tani fundjava është njësoj si një ditë jave. Për shkak se për shumë njerëz puna është shtëpi dhe shtëpia është punë, disa mund ta gjejnë veten duke punuar me orë të gjata edhe gjatë fundjavave.

Humbja e rutinës gjithashtu do të thotë se më shumë energji mendore është shpenzuar për të vendosur se çfarë do të bëjmë çdo ditë.

Këto ndryshime po shkaktojnë stres

Të mos jemi në gjendje të kujtojmë se çfarë dite është, gjithashtu mund të jetë një simptomë stresi. Pandemia është duke u bërë një burim stresit kronik, duke pasur parasysh që po vazhdon me javë, apo edhe muaj për disa njerëz. Nivelet e larta të stresit dëmtojnë përqendrimin dhe vëmendjen tonë dhe mund të ndikojnë në kujtesën afatshkurtër.

Një efekt tjetër i stresit? Mund të përkeqësojë cilësinë e gjumit. Shpesh nëse ndiheni të stresuar ose ndiheni në ankth, këto mendime dhe ndjenja e bëjnë më të vështirë të bini në gjumë. Kjo pagjumësi, nga ana tjetër, mund të dëmtojë më tej aftësinë për t’u përqendruar dhe humbjen e kujtesës afatshkurtër.

Koha është relative

Atëherë, çfarë mund të bëjmë?

Psikologët rekomandojnë që të përpiqemi ruajmë një sens të strukturës, në atë masë që është e mundshme.
Të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh në të njëjtën kohë çdo ditë është një strategji efektive dhe do t’ju ndihmojë.

Ata gjithashtu rekomandojnë të bëjmë pushime të shpeshta, të ushtrohemi dhe të hamë shëndetshëm.

Dhe nëse kjo ju bën të ndjeheni më mirë, askush nuk e di më se çfarë dite është. Koha është një iluzion. /bota.al/ KultPlus.com