Filharmonia e Kosovës nisi sezonin fuqishëm, solli në skenë solistë të kalibrit botëror

Të dy solistët morën duartrokitjet e merituara nga audienca kosovare, të cilën e vlerësuan edhe Nakariakov e Meerovitch. Për KultPlus, pianistja Maria Meerovitch, u shpreh se po ndihet e lodhur por shumë e kënaqur që ka punuar me këtë orkestër.

Sarandë Selimi

Nisi me kompozitorin Joseph Haydn-koncert për piano në të cilën luajti pianistja nga Belgjika, Maria Meerovitch bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Pastaj ishte kompozitori Pytotr Ilyich Tchaikovsky, koncert për flugelhorn ku interpretoi trumbetisti nga Izraeli, Sergei Nakariakov poashtu bashkë me orkestër. Pas këtyre interpretimeve të secilit solist me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, skena tashmë ishte vetëm për duo-n Nakariakov dhe Meerovitch në një interpretim të mrekullueshëm me trumbetë e piano. Kjo pjesë solli një pauzë të shkurtër në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke u rikthyer fuqishëm vetëm Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me simfoninë nr.3 të Johannes Brahms. Krejt këta tinguj që pushtuan Sallën e Kuqe erdhën nën dirigjimin e dirigjentit Boian Videnoff, për të cilin ishte hera e katërt që vjen në Kosovë.

Me këto vepra e këta solistë, Filharmonia e Kosovës nisi sezonin e ri, duke mbledhë rreth vetës, si çdo herë shumë artdashës për të cilët qëndrimi në këmbë nuk përbënte problem, pasi që, ulëset në këtë sallë ishin të pakta për ta. Mungesa e një sallë koncertale po i shkakton shumë problem në disa aspekte këtij institucioni, por sa i përket prurjeve të mëdha në këtë skenë nuk po është fare problem. Ndër artistët e mëdhenj që kanë interpretuar me Filharmoninë e Kosovës, ishte edhe ai i mbrëmjes së 1 tetorit, pra trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei Nakariakov.

“Është kënaqësi për mua të shoh sallën e mbushur dhe të shoh njerëz shumë entuziast duke dëgjuar muzikë klasike. Fatkeqësisht në disa vende në Evropë, edhe pse mundohesh shumë, e ndjenë që audienca nuk po e merr atë energji, kurse këtu ishte ndryshe, më pëlqeu, ishte ndjenjë e mirë. Ne e dhamë më të mirën, bashkëpunimi me të gjithë ishte shumë special dhe krejt kjo ishte mbrëmje e këndshme”, tha Nakarikova për KultPlus, menjëherë pas përfundimit të koncertit i cili zgjati rreth 2 orë.

Të dy solistët morën duartrokitjet e merituara nga audienca kosovare, të cilën e vlerësuan edhe Nakariakov e Meerovitch. Për KultPlus, pianistja Maria Meerovitch, u shpreh se po ndihet e lodhur por shumë e kënaqur që ka punuar me këtë orkestër.

“Më vjen mirë që jam këtu, pasi që mund të shkëmbejmë edhe përvoja të ndryshme, gjë kjo që e bënë më të mirë këtë bashkëpunim. Pjesa me orkestrën që ishte nga Haydn është një pjesë që më pëlqen mua dhe e shijova. Gjatë provave jemi kënaq shumë me orkestrën që kanë qenë shumë të mirë dhe shumë të kuptueshëm mes vete. Ndërsa me Sergein kemi vite që punojmë bashkë dhe kemi luajtur shumë vepra bashkë, mos të them pjesën dërmuese të koncerteve që janë për trumbetë e piano, kështu që kësaj radhe ishte një rast tjetër që luajtëm së bashku, por kjo ishte e re për ne dhe e re për audiencën, sepse ishte hera e parë që luajmë para audiencën kosovare”, pohoi Meerovitch, e cila vazhdoi tutje të thotë që është e lumtur që është në këtë shtet të ri, dhe është e lumtur që po sheh njerëzit duke i dhënë dorën njëri tjetrit, dhe pikërisht kjo kësaj pianiste, siç thotë vetë ajo, i jep shpresë.

Dirigjenti Boian Videnoff, vjen për herë të katërt të dirigjojë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, e sjellja e Sergei Nakariakov në Kosovë, ishte pikërisht ide e tij dhe përpjekje e tij.

KultPlus bisedoi edhe me drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili tha se ka qenë një koncert mjaft interesant dhe fati e deshi që këtë hapje të sezonës ta bëjë Sergei.

“Ka qenë një koncert mjaft interesant, për faktin që edhe orkestra u ballafaqua me një solist kaq të madh. Në anën tjetër edhe Maria, tregoi shkathtësi me lojën e saj. Besoj që publiku ynë është shumë në nivel dhe di të vlerësoj performancën e orkestrës dhe solistëve që defilojnë në filarmoni, dhe këtë e dëshmuan duartrokitjet”, u shpreh Jashari.

Deri në fund të vitit 2017-të, Filharmonia e Kosovës, do të realizoj edhe 5 koncerte të tjera. Koncerti i radhës i cili vjen këtë të enjte do të sjellë në skenë Korin dhe Orkestrën. Dirigjent i këtij koncerti do të jetë Astrit Pallaska, i cili për herë të parë sfidohet me Korin e Filharmonisë së Kosovës. Data e koncerteve të tjera janë: 31 tetor, 26 nëntor, 10 dhjetor dhe 23 dhjetor./ KultPlus.com