Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar organizon mbrëmjen për ngritje të fondeve të bursës KAEF (Fondit Kosovaro Amerikan për Edukim ) të quajtur ‘The Night of the Rising Stars’ (Mbrëmja e yjeve në ngritje), shkruan KultPlus.
Kështu, më datë 15 shtator, në ambientet idilike të muzeut etnologjik në Prishtinë, duke nisur nga ora 19:00, do të mbahet një gala mbrëmje me qëllim të mirë, ku grupi i mirënjohur kosovar ‘Asgjë Sikur Dielli’ do të jetë mysafir i veçantë dhe do t’i performojnë hitet e tyre për mysafirët e mbrëmjes.
“The Night of The Rising Stars” do të jetë ngjarje bamirësie me qëllim të përkrahjes së të rinjve të talentuar Kosovarë përmes bursës për programe master – KAEF.
Njëherësh, kjo mbrëmje synon që t’i festojë të arriturat e Kosovës në fushën e edukimit dhe t’i falënderojë donatorët që përmes përkrahjes së tyre e bëjnë të mundur jetëgjatësinë e kësaj burse prestigjioze.
Në realizimin e kësaj mbrëmjeje kanë kontribuar: Limak Kosova, Recura Financials, KOSTT, Raiffeisen Bank, BPB, Roche, Cacttus, Muzeu i Kosovës, Korporata Rugovë, Finesë, Stone Castle, Meridian Corporation, Restorani Tiffany, Gagi Print, AVC, Amël, Hotel Nartel dhe Rrota.
Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) ofron bursa për studime master në disa prej universiteteve më të mira amerikane. KAEF është burim i rëndësishëm për studentët e talentuar Kosovarë që të fitojnë dituri shtesë dhe të njihen me mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më sot, KAEF ka ndarë 92 bursa që nga viti 2005 për një grup të rinjsh të talentuar nga Kosova.
Biletat për gala mbrëmjen mund të blihen tek zyret e Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, Rr. Fehmi Agani, no. 46/3, 10000 Prishtinë, Kosovë, për 30 Euro apo edhe në Tartine Grande. Numri i biletave është i limituar. Të gjitha përfitimet nga shitja e biletave do të kontribuojnë në fondin e bursës KAEF. / KultPlus.com