Shfaqet filmi i restauruar “Koncert në vitin 1936”, në praninë e aktorëve protagonistë

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ka organizuar një mbrëmje ku ka ftuar aktorët e kineastët që kanë punuar për realizimin e filmit “Koncert në vitin 1936”, i cili sapo ka përfunduar restaurimin.

Shfaqja e filmit të restauruar erdhi 44 vjet pas premierës së tij. Në sallën e AQSHF-së ishin të pranishëm një pjesë e aktorëve protagonistë:  Margarita Xhepa, Manushaqe Qinami e Mirush Kabashi, si dhe emra të tjerë të njohur të kinematografisë shqiptare si Tinka Kurti etj.

Sot filmi do të shfaqet pikërisht në vendin ku është xhiruar 44 vjet më parë, në Libohovë.

Restaurimi digjital i filmit “Koncert në vitin 1936” dhe shfaqjet publike të tij, u mundësuan nga “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE – Association des Cinémathèques Européennes, mbështetur nga Komisioni Europian.

Filmi është vepër e regjisorit Saimir Kumbaro, me skenar të Kiço Blushit e Dhimitër Shuteriqit dhe muzikë të Limos Dizdarit. Operator i filmit ka qenë Saim Kokona ndërsa piktor i filmit, Astrit Tota./ KultPlus.com

Restaurim digjital i filmit “Koncert në vitin 1936”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se është duke u restauruar filmi “Koncert në vitin 1936”.

“Një pasuri e shtuar dhe e shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Arkivi i Filmit, sipas të cilit po bëhet një punë e mrekullueshme nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.

Arkivi sjell edhe foto që dëshmojnë për punën e bërë. Në kuadrin majtas shihet imazhi i përftuar nga skanimi i negativit të dekoloruar ku mungon ngjyra e kuqe në kanalet RGB; në kuadrin e mesit shihet rikthimi i kanalit të ngjyrës së kuqe R; dhe në kuadrin djathtas shihet një TEST për color grading të imazhit.

Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër Shuteriqit. / atsh / KultPlus.com