Këngëtari i njohur Altin Goci, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare që prej viteve ‘90-të, vjen më 23 nëntor me një super-koncert nostalgjik.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj postoi sot videon promovuese të koncertit dhe i fton të gjithë të bëhen pjesë e tij.
“Tirana flet pop-rock më 23 nëntor. Altin Goci, një nga figurat më të dashura që prej viteve ‘90-të, ju pret në një super-koncert nostalgjik.Bëhu grup dhe shijoje. Në orën 17:30 në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Altin Goci prej shumë vitesh është një vlerë e shtuar e krijimtarisë muzikore shqiptare. Grupi “Ritfolk”, ku Goci ishte pjesë, ishte ndër të parët që futi frymën e grupeve muzikore në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
“Quattro pezzi sacri”, ishte një peformancë e cila mori duartrokitje të zjarrta nga publiku, shkruan KultPlus.
Këtë mbrëmje e bënë të veqantë performanca mes Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB-së, pjesëmarrjes së veçantë të Korit të Filharmonisë së Kosovës, potenciali rinor i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe Konservatorit Shtetërot të Salernos.
Kult Plus ju sjell imazhe nga ky koncert i mahnitshëm:
Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, njëherit një nga artistët më të respektuar në botën e muzikës klasike, po vjen me një koncert recital krejtësisht të veçantë, shkruan KultPlus.
Me muzikë nga Schumann dhe Strauss dhe poezi të përzgjedhura nga poetët shqiptarë kushtuar jetës dhe dashurisë së gruas do të vijnë në këtë mbrëmje magjike, ku zëri magjik i sopranos Besa Llugiqi do të shoqërohet nga pianistja Denitsa Petrova.
Gjashtë poezitë e poetëve shqiptarë do të vijnë të interpretuara në mënyrë mjeshtërore nga aktori Sveti Peniaski.
Koncerti do të mbahet më datë 25 Mars, në ora 19:00 në Bullgari. / KultPlus.com
Një repertor i larmishëm që portretizon mesazhe dhe thirrje mjaft të veçanta e që mbrëmë erdhën jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë italiane të kënduara nga kori i fëmijëve ‘Okarina’’ në koncertin pranveror që u mbajt në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Një numër i madh i gjeneratave të ndryshme ishin të vendosur në një skenë e cila mbrapa kishte një pemë që jo vetëm i bashkohej mesazhit të këtij koncerti por edhe frymonte njëkohësisht me zërin e fëmijëve që interpretuan gjithsej njëzetë këngë ku secila nga to erdhi fuqishëm dhe në një veçanti unike.
Ndërsa, literatura muzikore ishte një bukuri duke filluar nga këngët shqipe si: ‘E bukur vjen pranvera’, ‘Për ty’, ‘Ku është dashuria’, ‘Drini’, ‘Mos ma prekni pemën’, ‘Tetë Planete’, ‘Shtëpia jonë’, ‘Agimet Shqiptare’, ‘Ku je njeri’, ‘Muaji i Majit’, ‘Eja në pranverë’, ‘Ecjen ti vazhdo’, ‘Lirikë Pranveror’, ‘O vendi im’ dhe ‘Baresha’. Pastaj u kënduan edhe këngët e njohura botërore si: ‘Imagine’, ‘The sound of music’, ‘This is me’, ’Beautiful that way’.
Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishte edhe kënga ‘Bella Ciao’, që jo vetëm befasoi publikun por edhe e futi në një frymë tjetër ku talenti i këtyre të rinjve është shkrirë tërësisht në një laramani të bukur tingujsh dhe melodive që mbushën sallën tërësisht dhe ngrohën zemrat e prindërve që tërë kohën po i shikonin ata me krenari.
Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me interpretimin në piano nga Vesa Berisha, në violinë, në kitarë klasike dhe akustike si dhe në vokal nga grupi ‘Tingujt’ dhe me një koreografi nga balerina Lea Hamza, ky koncert u gjallërua edhe më shumë duke i dhënë audiencës një ngjyrë, zë, emocion dhe një vetëdijesim që talenti i fëmijëve është një dhuratë e këndshme e cila duhet të çmohet.
Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe po e ndiqnin atë me një lumturi dhe gëzim që po shndriste fytyrat. Me ç’rast edhe inkuadrimi i dy vajzave të presidentes Vjosa Osmani që nga ana e publikut, kaluan në skenë për një këngë rasti por edhe djali i vetë udhëheqëses së këtij kori, Elikona Hysaj-Shalës që doli në skenë për një përqafim të ngrohtë me nënë e tij. Pra, dashuria ishte elementi kyç që po qarkullonte në atmosferën e këtij koncerti.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti për KultPlus, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.
“Ngase ne punojmë gjithë kohës brenda një klase, ideja ishte që të shfaqim një koncert me një repertor të këngëve të vjetra shqipe, këngë arbëreshe dhe të ndryshme të cilat do t’i shfaqnim para një publiku me fëmijë dhe prindërve të tyre. Ky koncert fillimisht ka qenë i planifikuar për stinën e dimrit por rrjedha e programit ka ndryshuar për shkak të pandemisë”, tregon Shala.
Sipas saj, emri i koncertit vjen si rrjedhojë që ngjyrat pranverore të futen brenda këngëve duke i dhënë jetë, shpirt por edhe një qëllim që fëmijët të kenë një lidhje mes vete, të socializohen por edhe të kenë kujdes që të mos ngacmojnë prandaj edhe janë sjellë dy këngë që flasin për bullizmin që sa vjen e rritet akoma më shumë.
“Ne mundohemi që çdo herë përmes këngëve t’i japim zë pikërisht problemeve duke pasur dhembshuri për njëri-tjetrin, të kemi dashuri të pa kursyer dhe në ditët e vështira t’i japim dritë atyre që kanë nevojë”, thotë Shala.
Për Shalën, provat kanë shkuar mirë edhe pse fëmijët kanë qenë të lodhur sepse afër pragut të koncertit është punuar intesivisht por edhe kërkesat e saj ishin të jashtëzakonshme ndaj tyre që të dal një performancë sa më e mirë sepse fëmijët duhet ta njohin se sa me vlerë është performanca live dhe njëkohësisht ta njohin edhe vështirësinë e saj për të qenë më të pjekur skenikisht.
“Unë e kam quajtur koncertin si maratonë sepse ka qenë maratonë moshash duke filluar nga 4 vjeç deri në 18 vjeç, gjë që më ka mrekulluar shumë dhe nuk do të mund të veçoja cila ka qenë performanca e tyre më e bukur sot sepse secila ka pasur bukuritë e veta duke arritur një impakt te publiku me një mjeshtëri që fëmijët sollën kësaj here”, përfundon Shala.
Ky koncert recital është organizuar nga Kori i Fëmijëve “Okarina“ me temën “Koncerti Pranveror”. / KultPlus.com
Në një xhungël magjike po buronin ciklonet e melodive që herë rrjedhnin qetësisht e herë tjera dilnin jashtë kontrollit të pianos dhe tingujt në nivele të ndryshme që dëgjoheshin nga vokali i sopranos Arta Jashari.
Qysh në fillim, koncerti i mbrëmshëm recital i sopranos futi publikun në guaskën e errësirës e cila kaploi vendin dhe njëkohësisht i dha jetë jo vetëm përmes paraqitjes skenike por edhe nga interpretimi i zgjedhur i literaturës vokale, i cili burim inspirimi kishte ritmin dhe muzikën latine, shkruan KultPlus.
Gjithçka nisi në një qetësi absolute ku të pranishmit patën rastin të shohin një skenë e cila po merrte vëmendjen e gjithsecilit me perdet zi që ndriçoheshin nga dritat e kaltërta, me përqafimin e ngushtë të gjelbërimit që kishte mbështjellë pianon përreth dhe me paraqitjen estetike të sopranos Arta Jasharit, me një fustan ngjyrë rozë që vinte dukshëm në kontrast me prapavijën por njëkohësisht po i bashkangjitej edhe pianistes Pranvera Hoxha-Brymes, e cila kishte të vendosur një kordele me po të njëjtën ngjyrë.
Ky koncert recital portretizoi literaturën vokale duke filluar nga veprat e kompozitorëve si: Xavier Monstsalvatge, Antonin Dvorak, Agustin Lara, Enrique Granados si dhe autorit të panjohur të veprës ‘Të dua Prishtinë’, që mbrëmë erdhi premierë me aranzhimin e Kreshnik Aliçkaj dhe mysafirit të ftuar Avni Krasniqi nën manovrimin e trumbetës, me ç’rast la një hijeshi stabile dhe paqësore duke futur zemrat e publikut në ekuilibër delikat që intuitën po e shkrinte tërësisht në duartrokitje dhe brohoritje plotësisht të merituara nga performuesit që mbrëmë interpretuan krijime të cilat të jepnin ndjesinë se po qëndron në mesin e heshtjes naive dhe çmendurisë dashamirëse.
Pjesëmarrës tjetër ishte edhe tenori kosovar, Luan Drumishi i cili dhe pse qëndronte pingul në vend, ai pushtoi komplet sallën në një rrëmbim të shpejtë zemrash me zërin e tij duke përdredhur kështu atmosferën në nivele të ndryshme vokali. Ndërkohë, soloja e interpretuar nga pianistja kishte rrethuar ndjenjën e melankolisë me gishtërinjtë e saj të cilat dukeshin se nuk po gjenin as fundin e as fillimin por që po performonin me një butësi ëndërrimtare dhe po tërhiqnin bebëzat e audiencës në një rrëfim emocionesh deri në një fund që përfundoi në një përjetësi, aty ku damari pushon por edhe lëkundet lehtësisht.
Kështu, krejt në fund, froni i kënaqësisë u arrit mbrëmë me talentin e derdhur mahnitshëm nga vokali i sopranos që kalonte nivelet e skajshmërisë e që fjalët e larmishme të veprave latine po ndiqeshin menjëherë pas disa sekondave nga instrumenti bardh e zi që dha një iluzion se edhe pianoja po fliste po të njëjtën gjuhë e po interpretonte me po të njëjtin vokal në formën e një prologu dhe epilogu pëshpëritës.
Për të folur më shumë rreth realizimit të një koncerti të tillë, për KultPlus foli sopranoja Arta Jashari, e cila u shpreh se ky koncert erdhi si nevojë për të sjell një frymë kombinuese me skenën, paraqitjen skenike dhe vokale.
“Ideja ime erdhi qysh nga kthimi im nga studimet master në Berlin, për të sjell një frymë të kombinimit me skenën, paraqitjen skenike dhe vokalin. Përzgjedhja e veprave ndodhi krejt rastësisht dhe në bashkëpunim me profesorin tim Arisar Giris në Berlin. Ne kemi përzgjedhur këto dy cikle të cilat i kam kënduar dhe për fund e zgjodha një këngë që e ka kënduar Nexhmije Pagarusha por autori nuk i dihet ende”, thotë Jashari.
Sipas saj, provat kanë zgjatur shumë sepse është hasur në probleme për shkak të ndalesave e masave të shumta në një kohë të tillë por që në fund të gjithë kanë dalur shëndosh e mirë në skenë. Ndërsa, sonte për Jasharin kjo natë ishte një krenari dhe interesimi i madh i publikut është një respekt i veçantë.
Ndërsa, për të folur rreth natës së mbrëmshme dhe solos së saj, për KultPlus foli edhe pianistja Pranvera Hoxha-Bryma.
“Ideja për këtë koncert është e Artës sepse është dashur që të realizohet një cikël këngësh të një kompozitori spanjoll e cila nuk është luajtur fare tek ne e fare pak nëpër botë. Kurse, pika ime solo është përzgjedhur nga unë sepse dëshiroja një kompozitor të origjinës spanjolle por kësaj here erdhi si një vepër më e qetë dhe besoj që e ka pasur efektin e vet”, ka thënë Bryma.
Tutje pianistja tregoi se zgjedhja e kompozitorit spanjoll Enrique Granados dhe interpretimi i valles së dytë orientale ishte një përshtatje e mbrëmjes dhe në fakt atë e kishte marrë shumë malli për të performuar para publikut sepse ka kaluar 1 vit që nuk kishte performuar live.
“Unë u emocionova pak në fund dhe e përjetova pak më speciale këtë natë sesa si zakonisht kur e kam luajtur dhe besoj që edhe publiku e ka pëlqyer shumë. Ishte një emocion i veçantë që e përjetova dhe energjia e publikut që arritën ta transmetojnë e sidomos tek vepra e parë që ishte premierë, po njëlloj edhe tek vepra e fundit”, përfundoi Pranvera.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë Adrian Berisha, i cili për KultPlus tregoi edhe përshtypjet dhe emocionet e tij për këtë natë.
“Ishte e jashtëzakonshme dhe më kishte marr malli për të dëgjuar dhe parë një koncert recital me një performancë shumë të bukur të Artës, Pranverës, Luanit dhe Avniut, të cilët në fund na sollën diçka shumë të bukur për Prishtinën. Pas atij interpretimi diskutuam edhe me miq për kompozitorin dhe e kuptuam se këngën e ka kompozuar Valedin Kurti dhe menduam se sa bukur kishte me qenë që pikërisht kjo këngë të shndërrohet në himnin e qytetit të Prishtinës”, tha Berisha.
Sipas tij, për Drejtorinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës është gjithmonë një kënaqësi për të organizuar koncerte të tilla. Ndërkohë, ky koncert Berishës i dha edhe një emocion shumë të bukur sa që ai ka filluar të qaj sepse po paramendonte Prishtinën me shumë gjelbërim, pjesën e vjetër të rregulluar me kalldrëm dhe gjithçka tjetër.
“Dua ta falënderoj Dardan Selimaj për bashkëpunimin dhe Artën që në këtë periudhë kohore të pandemisë ka arritur të sjell një ngjarje të tillë kulturore shumë të bukur”, përfundon Berisha.
Ky koncert është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe përkrahur nga Dekor Tropikal, Grand Decor dhe KTV. / KultPlus.com
Sopranoja kosovare Arta Jashari po vjen me recital në kryeqytet, përcjellë KultPlus.
Në këtë koncert ajo sjellë një repertor të zgjedhur të literaturës vokale, i cili burim inspirimi ka ritmin dhe muzikën latine.
Në koncert Jashari do të shoqërohet në piano nga pianistja Pranvera Hoxha – Bryma ndërsa mysafir i mbrëmjes do të jetë tenori kosovar Luan Durmishi.
Koncerti mbahet të martën, më 18 maj 2021 prej orës 20:00 dhe organizohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. / KultPlus.com
Pianistja e njohur shqiptare e cila prej vitesh jeton në Paris, Francë Maniola Camuset-Trebicka dhe violinisti i njohur shqiptar në Spanjë Florian Vlashi me datë 28 tetor 2020 do të interpretojnë në një koncert recital në sallën e Universitetit “Santiago de Compostello”, Spanjë.
Florian Vlashi është violinist, kompozitor dhe drejtues i njohur i muzikës klasike. Aktivitetin artistik dhe profesional e zhvillon në Spanjë ku është bërë i njohur për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”.
Maniola Camuset Trebicka ka një aktivitet shumë të pasur pedagogjik e koncertual dhe e vlerësuar nga kritika. Ajo është nderuar me medaljen e “Kalorësit të Palmës Akademike” nga shteti francez.
Të dy muzikantët shqiptarë Maniola Trebicka dhe Florian Vlashi prej vitesh kanë ndërtuar karrierën e tyre të suksesshme në Francë dhe Spanjë duke prekur skena të shumta ndërkombëtare.
Eventi do të organizohet duke respektuar masat e vendosura anti-covid dhe biletat mund të rezervohen ccdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 14:00. / KultPlus.com
Dren Abazi këngëtari i mirënjohur nga Kosova dërgoi në Shkup koncertin e tij “Mes Yjesh” për të promovuar njëherazi albumin e tij më të njëjtin titull dhe për të festuar 10 vjetorin e karrierës së tij muzikore, përcjell KultPlus.
Në sallën e Teatrit Popullor të Maqedonisë, i shoqëruar edhe nga Zig Zag Orkestra, ai dhuroi emocione të mëdha për publikun i cili mbushi sallën plot për të ndjekur këngë të reja dhe të vjetra të këngëtarit.
Ndërsa nuk mungonin edhe këngët qytetare të cilat erdhën të përpunuar me stilin e veçantë të këngëtarit dhe të orkestrës.
Këngëtari Dren Abazi është shprehur entuziast për këtë koncert gjersa u sqaroi të pranishmëve më shumë mbi koncertin dhe albumin e tij.
“Jam shumë i lumtur që kam realizuar një nga dëshirat e mia e që ka qenë të sjellë një koncert recital këtu në Shkup”, është shprehur ai për TV 21 të Maqedonisë./KultPlus.com