Rita Ora pas gjashtë vitesh sërish në Kosovë, kthen vëmendjen e botës në vendlindjen e saj

Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.

“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.

“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.

Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.

Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.

Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.

Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.

Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com

Koncert për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Kroaci, performojnë Blerim Grubi e Arjana Kuriu Grubi

Bashkësia Shqiptare në Kroaci organizon koncert në sallën prestigjioze Hrvatski glazbeni zavod për nder të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të luajnë Blerim Grubi në violë dhe Arjana Kuriu Grubi në piano, ndërsa do të luhen vepra nga kompozitor shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.

Programi përmban vepra të Maroshit, Harapit, Sokolit, Skënderit, Sulejmanit, Daijës, Paparistos, Beqirit, Dhomit dhe Tukiqit.

Koncerti vjen më 15 shkurt me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com

“Ne gjithmonë kërkojmë dorën e dikujt, sepse ne nuk kemi tjera armë”, Ermal Meta sjellë albumin e ri me mesazh të fuqishëm

Ermal Meta këngëtari shqiptar i cili karrierën e tij e ka ndërtuar në Itali ka njoftuar për mediet italiane se albumi i tij i ri që titullohet “Ne nuk kemi armë” do të prezantohet me një koncert në Forumin e Assago (Milano), të planifikuar më 28 prill.

Ndërkohë që mediet italiane kanë dhënë lajmin është shpërnda edhe posteri i koncertit dhe mesazhi i albumit të ri.

“Kam menduar se në mes të një stuhie apo edhe nën një dush bombash, zemra është e vetmja mburojë dhe strehë që kemi. Kam menduar se për gjithë kohëzgjatjen e këtij udhëtimi të madh, që është jeta jonë, ne gjithmonë kërkojmë dorën e dikujt dhe e kuptoj se është kështu, sepse…ne nuk kemi të tjera armë”, këto janë fjalët që ka shkruar artisti në rrjetet sociale, ku ka paraqitur edhe projektin e tij të ri të regjistrimit.

Për Ermal Metën viti 2018 është një vit plot angazhime, duke filluar nga pjesëmarrja në edicionin e 68-të të Festivalit të Sanremos, ku do të garojë së bashku me Fabrizio Moro-n me këngën “Ti nuk më ke bërë asgjë”, shkruan JN.

Meta kthehet në skenë e Ariston, pas suksesit të vitit të kaluar me këngën “Forbidden to Die”, e cila u rendit e treta. Gjatë ditëve në vijim, më 9 shkurt, artisti do të nisë promovimin e albumit të ri. Këngëtari dhe kompozitori Meta sapo ka festuar certifikimin e të ardhurave që ka fituar nga këngët “Heaven Girl” dhe “Little Soul” feat. Elisa, të dyja të përfshira në albumin “No Dying”./ KultPlus.com

Shqiptarët në Kroaci me koncert e promovim libri për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Këshilli Shqiptar në Zagreb dhe Shoqata Kroato-Shqiptare, më 17 janar organizojnë koncert në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe bëhet promovimi i librit “Figura e Skënderbeut në Kroaci”, shkruan KultPlus.

Promovimi i librit bëhet në shqip dhe kroatisht ndërsa koncerti sjellë fragmente të operës “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit.

Pra më 17 janar me fillim nga ora 19:00 krejt kjo ngjarje e madhe për Skënderbeun mbahet në Mimara, Zagreb./ KultPlus.com

Pranvera Hoxha sot me koncert recital në Tiranë

Pianistja Pranvera Hoxha Bryma, sot më 24 dhjetor në Muzeun Kombëtar në Sallën Unesco në Tiranë, sjellë koncertin recital me vepra spanjolle për piano, shkruan KultPlus.

Mysafir i koncertit do të jetë Dardan Osmanaj, ndërsa mbrëmja me muzikë spanjollë është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe MKRS.

Pranvera Hoxha Bryma ka diplomuar për piano në Akademinë e Arteve të Bukura dega piano te profesoreshe Anita Tartari. Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin e arteve dhe muzikës në Shkup, Maqedoni te profesor Todor Svetiev. Punon në fakultetin e arteve në Universitetin e Prishtinës, si korepetitore e krasëve të flautës dhe klarinetës. Ajo poashtu është profesoreshë e pianos në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Në tingujt e luftës dhe paqes, Filharmonia e Kosovës solli një koncert të fuqishëm

Kori dhe orkestra e Filharmonisë se Kosovës, së bashku me katër solistë ishin bashkuar mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për të sjellë një koncert të fuqishëm me njërën nga veprat e fundit të Haydnit, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Fillimisht në këtë koncert erdhi vepra e popullarizuar e Bethovenit- Uvertura “Coriolan”, për t’i lënë një përmbyllje goditëse me veprën e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, apo “Meshë në kohën e luftës”.

Kur orkestrës i bashkohet edhe kori, ky koncert vetëm se fillon rrugëtimin e magjishëm muzikor. Kori, orkestra dhe katër solistë takoheshin në pikë vështrim. Rafet Rudi ishte ai që dirigjoi me shumë pasion, e përkushtim këtë koncert. Sytë dhe duart e tij valëzoheshin me shpejtësi drejt atyre që kishte përballë dhe nga gjithë ky komunikim muzikor jehoi në një mbrëmje që e madhështon edhe më shumë një nga veprat më kolosale të Haydnit.

“Është një vepër në radhën e veprave madhore vokalo-instrumentale që unë po përpiqem të i nxjerrë në dritë. Janë më të vështira sepse kërkojnë staf solistësh, mandej kor dhe orkestër. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kori dhe orkestra kanë funksionuar shumë mirë sonte. Kjo vepër ndonëse në titull është “Mesha në kohën e luftës”, në të vërtetë është meshë e paqes, pasi që Haydni ka gjetur forcë ta bëj një vepër humane dhe optimiste”, tha për KultPlus dirigjenti i mbrëmjes Rafet Rudi.

Artistët në skenë i ndante një hapësirë e vogël, për shkak të numrit të madh të tyre. Jo shumë larg tyre, publiku kishte mbushur çdo hapësirë që të mundësonte të dëgjoje këtë interpretim të Filharmonisë.

“Dirigjentet dhe ata që kontribuojnë në këtë koncert gjithmonë e masin vlerën e tyre me reagimin e publikut dhe e vërejtëm që publiku ishte shumë i kënaqur”, u shpreh me shumë emocion Rudi, pasi që u nda nga publiku që dhuroi duartrokitjet më të forta mbrëmë.

Ky koncert kishte vënë përballë katër solistë të shquar, që kishin udhëtuar drejt Prishtinës për t’i dhënë edhe më shumë madhështi këtij koncerti: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Frano Lufi, pas shumë vitesh e ndau skenën me Filharmoninë e Kosovës, kurse kjo mbrëmë shënon koncertin e tij i parë me Filharmoninë në Prishtinë. Ai për KultPlus tha së mbrëmë është ndjerë i mahnitur nga niveli i korit të Filharmonisë, të cilin e quan edhe diamanti i këtij koncerti.

“Kjo është një vepër e mrekullueshme ku kryesisht dominon kori dhe kori sonte ishte i mrekullueshëm dhe ne ndjejmë kënaqësi të madhe kur e dëgjojmë këtë kor dhe unë nuk e dija që kori është kaq i mirë, orkestra nuk diskutohet që është e mirë se ka shumë profesionistë”, u shpreh Lufi.

Ai po ashtu theksoi se ndihet i impresionuar nga interesimi i audiencës për ta ndjekur këtë koncert, duke shtuar se kjo sallë nuk e justifikon një koncert të këtij niveli.

Mes zërave kumbues, kori dhe orkestra jepnin vulën drejt fundit të tij, me thirrjen për paqe, fjalë e cila po e shkrinte fundin e kësaj mbrëmje. Mes kësaj fjale kumbonte në mes një tingulli që t’i kujtonte tamburet e luftës, që Patris Berisha e sillte në perkusione. Pikërisht në këtë pjesë transmetohet mesazhi i veprës së Haydnit “Meshë në luftë”, e cila ishte realizuar në ankthin e luftës , kur Austria ndodhej në pe periudhën kur shtetit qeverisej me dekrete që i sillte imperatori Jozefi II, dhe njëri nga dekretet e famshme të asaj kohe ishte që “asnjë austriak nuk duhet të flet për paqe”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është rezultat i përgatitjeve dymujore dhe intensive nga kori, ku kori ka pasur edhe rol dominant, ndërsa shtoi se ky koncert është edhe një orientim i Filharmonisë që të sjellë edhe koncerte të tjera të bashkëpunimit të dy njësive, të orkestrës dhe korit.

“Ne mundohemi gjithmonë që publikut t’i sjellim vepra monumentale, nuk është lehtë të realizohet një koncert me një qind njerëz në skenë por Rafet Rudi e ka bërë një punë të mrekullueshme”, tha Jashari për KultPlus.

Ky koncert shënon koncertin e parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit, ndërsa Koncerti i Vitit të Ri, vjen javën tjetër më 23 Dhjetor./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës nesër sjellë një nga veprat e fundit të Haydnit

Filharmonia e Kosovës nesër do të sjellë koncertin me Kor dhe Orkestër, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në këtë koncert do të interpretohen veprat e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, “Paukenmesse – Meshë në kohën e luftës Nr.9 në C – dur (Hob.XXII:9)” dhe Ludvig v. Beethoven “Uvertura “Coriolan” Op. 62”.

Rafet Rudi i cili ka përgatitur projektin që do të prezantohet nesër, tha sot gjatë konferencës se ky është koncert në radhën e disa prezantimeve të rëndësishme që ka pasur Filharmonia e Kosovës.

“Me këtë koncert të kësaj vepre voluminoze dhe të madhe ku marrin pjesë kori, orkestra, dhe solistët e nderuar po vazhdon një aktivitet mjaft indikativ në realizimin e veprave madhore të muzikës klasike. Këtë radhë e kemi Haydanin, është një meshë nder më të veçuarat e Haydanit, të cilën e ka shkruar në periudhën e fundit të jetës së tij”, shpjegoi dirigjenti Rudi.

Ai poashtu shpjegoi se kjo vepër e cila quhet “Mesha në kohën e luftës”, është shkruar në kohën kur Austria ishte në luftë dhe pikërisht këtu vije madhështia e këtij kompozitori që edhe në atë kohë ka shkruar një vepër më karakter më optimist, ku fjala e fundit që kumbon në këtë vepër është “Paqe”.

Koncerti është përgatitur nga dirigjenti Rafet Rudi, i cili do të dirigjoj edhe interpretimin e solistëve: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Sopranoja Mariana Leka, është kthyer pas pesë vitesh për të sjellë një bashkëpunim me filharmoninë, ndërsa tha se nuk ka asnjë dyshim që nesër koncerti do të dal i shkëlqyeshëm.

“Është një kënaqësi puna që bëhet në bashkëpunim me korin, orkestrën dhe solistët. Gjatë përgatitjeve jemi ndjerë shumë komod dhe besoj që edhe koncerti do të dal i shkëlqyeshëm”, tha Leka gjatë konferencës sot.

Ndërsa, Frano Lufin e ndaj një hark kohor prej dhjetë vitesh pa ndonjë bashkëpunim me Filharmoninë.

“E ndjej të nevojshme të them se kam ndjerë një nivel të mrekullueshëm të korit dhe shpresoj që nesër do të jenë edhe më të mirë”, tha Lufi sot.

Ai po ashtu është shprehur se ndihet shumë i lumtur ta këndoj këtë vepër e cila ka një kërkesë për paqe, për të cilën e gjithë bota ka nevojë.

Mexosopranoja e cila vjen nga Bullgaria, Daniela Diakova, tha sot se kjo vepër e nderon Prishtinën dhe se ajo e fton të gjithë publikun prishtinas që të ndjek nesër interpretimin e kësaj vepre.

Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria pohoi sot se ndihet i lumtur që nesër do të interpretoi në Prishtinë, ku ndihet si në shtëpi.

“Mendoj se ky zhanër i meshës është për t’i bashkuar njerëzit, dhe për mua është kënaqësi që të vij nga një shtet i Ballkanit për tu bashkuar përmes muzikës”, ka thënë tenori Mihaylov.

Ky koncert do të filloj nesër në ora 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa është koncerti i parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com

Kërkesat e shumta për koncertin recital të Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestrës, e shtyjnë këngëtarin të sjellë një të dytë (FOTO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Deri më sot është menduar që të jetë vetëm një koncert më 28 dhjetor, por, jo.

Për shkak të kërkesave të shumta dhe dëshirën e madhe të këngëtarit për të mos zhgënjyer asnjë fans të tij, ai dhe Zig Zag Orchestra, do të performojnë në një koncert të dytë në Tiranë.
“Më 29 Dhjetor, vetëm një ditë pas koncertit të parë, do të ngjitemi sërish në skenën e Katedrales Ortodokse, për të përjetuar një tjetër natë magjike pranë jush, mes yjesh!”, ka njoftuar vetë Dren Abazi.

Të dy koncertet do të mbahen në sallën e Kishës Ortodokse, njëri më 28 dhe tjetri më 29 dhjetor me fillim nga ora 20:00.
Biletat e natës së dytë do të mund t’i gjeni shumë shpejt vetëm te Radio Bar, në Tiranë./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës të premten sjellë koncertin e radhës

Filharmonia e Kosovës më 15 dhjetor, ditën e premte sjellë koncertin me Kor dhe Orkestër, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert që do të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, do të interpretohen veprat e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, “Paukenmesse – Meshë në kohën e luftës Nr.9 në C – dur (Hob.XXII:9)” dhe Ludvig v. Beethoven “Uvertura “Coriolan” Op. 62”.

Solistët që do të interpretojnë nën dirigjimin e dirigjentit Rafet Rudi janë: Mariana Leka – soprano (Shqipëri), Daniela Diakova – mexosoprano (Bullgari), Mihail Mihaylov – tenor (Bullgari) dhe Frano Lufi – bas (Itali).

Koncerti mbahet të premten me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës, Shpat Deda me koncert humanitar edhe në Tiranë

Pas koncerteve bamirëse në Prishtinë dhe në Londër, të shtunën Shpat Deda do të këndoj në koncertin humanitar për fëmijët me kancer në Tulla – Culture Center në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër mbështetur nga Tulla-Culture Center dhe Grand Hotel and SPA Tirana. Fondet e mbledhura do të shkojnë për “Fondacionin Kujdesi për Fëmijët e Kosovës” i cili kujdeset që të gjithë fëmijët në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe domosdoshme për trajtim.

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhet gjatë kësaj mbrëmjeje (përfshirë fondet e mbledhura gjatë gjithë fushatës) do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të programit të saj “Community Initiative” (kur te përmbushen kriteret raportuese dhe vlera do te dyfishohet deri ne shumën maksimale prej 50,000€. /KultPlus.com

Së shpejti koncerti i Vitit të Ri nga Filharmonia e Kosovës

Të shtunën e 23 dhjetorit Filharmonia e Kosovës sjellë koncertin e Vitit të Ri, shkruan KultPlus.

Ky koncert sjellë Solistët Vokal dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e dirigjentit Noorman Widjaja nga Gjermania.

Koncerti vjen më 23 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinis dhe Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Ansambli “Lidhja e Prizrenit”, shënon 11-të vjetorin e themelimit me një koncert madhështor

Ansambli “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni ditën e premte me datë 08 dhjetor, sjellë koncertin e përvjetorit të 11-të në Shtëpinë e Kulturës “ Xhemajli Berisha” në Prizren, duke filluar në ora 19.00, shkruan KultPlus.

Si çdo përvjetorë ky ansambël e mbyllë këtë vit kalendarik me përplot të arritura dhe sukses njëherësh duke bërë prezantimin e të gjitha grupeve të valleve dhe duke performuar live. Në këtë koncert festiv do të marrin pjesë këngëtarët e qytetit të Prizrenit si Ylmize Tafallari, Vëllezrit Rijad dhe Mirhad Lecaj, Besiana Veselaj, Luan Krasniqi, grupi i këngëtarëve të reja të vajzave të ansamblit, mysafir nga Tetova si dhe koncertin do ta nderojnë edhe mysafiret special nga Estrada Kosovare si Edi Furra dhe Shkurte Fejza.

Poashtu ky koncert do të begatohet me vallet më të bukura që kultivohen në këtë ansambël, duke filluar nga grup-moshat e reja e deri te ato të moshuara dhe se të gjitha vallet do të interpretohen LIVE me orkestër.

Vetëm gjatë këtij viti kalendarik, ansambli ka zhvilluar shumë aktivitete tjera kulturore dhe artistike duke performuar në çdo event kulturorë, si koncerte në raste festash dhe programe të natyrave të ndryshme me këngë dhe valle popullore, folklorike dhe burimore.

Andaj me përplot 250 antarë që ka ky ansambël është një mundësi shumë e mirë që qytetarë e Prizrenit dhe adhuruesit e këtij ansambli, të cilët tashmë janë të shumtë do të kenë rastin që të përcjellin programin e përgatitur enkas për këtë përvjetor të njëmbëdhjetë./ KultPlus.com

Emeli Sande sonte në “Natën e Bardhë” në Tiranë (VIDEO)

Sonte më 29 nëntor sheshi Skënderbej në Tiranë, do të vërshohet nga artistët të cilët do të këndojnë në “Natën e Bardhë”, shkruan KultPlus.

Tashmë janë zbuluar emrat që do të performojnë në këtë koncert tradicional, ku përpos Alban Ramosja dhe Kamela Islamaj në “Natën e Bardhë” do të performojë edhe këngëtarja e njohur Emeli Sande.

Koncerti mbahet sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë ndërsa është falas për të gjithë./ KultPlus.com

Shqiptarja Dua Lipa, ngriti në këmbë Çikagon (FOTO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa, në kuadër të turit të saj të titulluar “The self”, të dielën ishte në Çikago, aty ku mahniti publikun me performancën e saj, shkruan KultPlus.

Dua, përmes fotografive ka paraqitur atmosferën në këtë koncert, ku edhe ka falënderuar fansat e saj në Çikago, përmes rrjetit social Facebook.

Fotografitë janë realizuar nga Pixie Levinson./ KultPlus.com

Me koncertin e mbrëmshëm “Agimi” tundi skenën e Prizrenit (FOTO)

Koncerti i mbrëmshëm i ShKA Agimit shënoi një moment të kthesës përmes një programi cilësor të ekzekutuar nga njerëzit më meritorë që ka sot Agimi, theksohet në njoftimin e njërës nga kryesitë e kësaj shoqate, në të cilën ka muaj që kanë shpërthyer fërkime se kush është legjitim në krye të saj.

Figurat më të njohura të seksioneve artistike u kthyen pas shumë vitesh për ta rikrijuar njërin nga emocionet pothuaj të harruara festive, pikërisht në ngjarjen që shënon 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.

Reagimi i qytetarëve dhe dashamirëve të Agimit ishte i jashtëzakonshëm, pasi që salla e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha) u mbush mbi kapacitetin e vet, derisa dhjetëra mysafirë qendruan në këmbë gjatë dy orëve sa zgjati koncerti. Kishte kohë që ngjarjet konecrtale të ShKA Agimit nuk po priteshin me kaq interesim dhe pjesëmarrje.

Veçantia e koncertit të sivjetshëm për Ditën e Flamurit ishte rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në reportorin e Agimit. Koncerti pati një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit (grupit) nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve nën udhëheqjen e Tomë Sokolit. Pjesë e programit ishin edhe solistë të njohur të Kosovës, Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi dhe Agim Tejeci.

Në fjalën e hapjes, aktori dhe udhëheqësi i seksionit dramatik në ShKA Agimi, Xhevdet Doda, theksoi se koncerti është vazhdimësi e protestës artistike dhe përsëriti qëndrimin e anëtarësisë thënë nga fillimi se Agimi është i të gjithëve dhe nuk do të ndalemi së vepruari derisa të shohim këtë të realizuar plotësisht. Sipas Xhevdet Dodës, rezistenca ndaj të keqes e cila mori hov në fund të vitit të kaluar është edhe një dëshmi që Agimi gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë nismëtar i ndryshimeve në Prizren dhe më gjerë, duke shtuar se qindra anëtarë e dashamirë të Agimit kishin vendosur t’i japin fund heshtjes e durimit, sepse një grup i vogël individësh të papërgjegjshëm po keqpërdornin një vlerë gjithëshoqërore, duke tentuar të përvetësonin Agimin për qëllime të ngushta. Sipas tij, ajo që nisi si rezistencë ndaj kapjes dhe abuzimit me të mirën e përgjithshme në fund të vitit të kaluar, nxiti edhe lëvizje tjera që tanimë po rezultojnë edhe me ndryshime politike e shoqërore, duke e konfirmuar edhe një herë Agimin si fole dhe frymëzim të ndryshimit në Prizren.

Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve. Paralelisht protestës artistike, po ndiqen edhe të gjitha rrugët ligjore. Dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh.

(Njoftimi përfundon me nënshkrimin: Kryesia e ShKA Agimit – Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha, ndërsa autore e fotografive theksohet emri i Elmedina Arapi)./ KultPlus.com

“Shota” sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, sonte, e diele 26 nëntor, do të sjellë koncertin festiv të titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Ky koncert i kushtohet edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së, ndërsa do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 20:00, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në këtë koncert do të performojë trupa artistike e Ansamblit “Shota” dhe pjesëtarët e grupit polifonik “Bilbili” nga Vlora.

Përveç në Prishtinë, Ansambli do të shfaqë program edhe në Gjakovë, me datë 24 Nëntor dhe në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

ShKA Agimi sonte sjellë koncertin “Në mbrojtje të vlerave kulturore dhe artistike të shoqërisë’’

Sot më 26 nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, me fillim nga ora 19:30, vjen koncerti i ShKA Agimit, kushtuar 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Veçantia e koncertit të sivjetmë për Ditën e Flamurit është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në repertorin e Agimit. Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performancës të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve udhëhequr nga Tomë Sokoli. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë si Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi, Denik Prizreni dhe Agim Tejeci do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit.

Koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piedestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, në mbrojtje të vlerave kulturore dhe artistike të shoqërisë, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve./ KultPlus.com

Vazhdojnë përçarjet në ShKA Agimi

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” nga Prizreni, është përçarë keq mes veti. Ata sot përmes një komunikatë për medie, kanë paraqitur disa “sulme” “Kryesia e ShKA Agimit”. Krejt kjo duket se po bëhet për koncertin i cili vjen më datën 26 nëntor, dhe kjo shoqëri tashmë është ndarë në dy grupe.

Sjellim komunikatën e plotë të ShKA Agimi:

Dëshirojmë të informojmë publikun e gjerë për sulmin e radhës të të ashtuquajturës “Kryesi e ShKA Agimit”, e cila doli nga Kuvendi klandestin në të cilin nuk u ftuan pjesa dërmuese e anëtarësisë së Shoqërisë. Ky grup i njerëzve në krye me Z. Xhemal Kabashin, i vetëshpallur Kryetar i ShKA Agimit, që vazhdon të mbajë të zaptuar ndërtesën dhe pasurinë e Shoqërisë, duke i përjashtuar anëtarët pa procedurë legjitime, sot ka publikuar një komunikatë me shumë të pavërteta.

Ashtu siç kemi njoftuar publikun edhe para disa ditësh, koncerti për nder të Ditës së Flamurit i ShKA Agimit do të mbahet më 26 Nëntor 2017, duke filluar nga ora 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Organizatorë të këtij koncerti nuk janë disa “ish anëtarë” të Agimit siç pretendon komunikata e këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, por afër 200 anëtarë të Shoqërisë, të cilët në mënyrë transparente kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor të datës 20 Maj 2017, ku i kanë zgjedhur organet legjitime të Shoqërisë. Gjithashtu, bartës artistik të koncertit të 26 Nëntorit janë emrat më të njohur që ka sot ShKA Agimi, përfshi Fikrim Emrën, Besim Berishën, Kastriot Markun, Xhevdet Doden, Luljeta Brahën dhe shumë të tjerë. Mbi të gjitha, koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve.

Duke marrë shkas nga ky rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve të këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, të cilët e kanë degraduar Agimin viteve të fundit, duke e tjetërsuar dhe keqpërdorur pronën dhe ndërtesën e Shoqërisë dhe duke shmangur transparencën financiare dhe obligimet tatimore ndaj autoriteteve të shtetit. Të gjitha dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh. Në të njëjtën kohë, si rezultat i angazhimit tonë, ndërtesa e Agimit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa individë nga ky grup i vogël kanë tentuar të manipulojnë opinionin duke pretenduar rrjeshëm se kjo arritje ishte rezultat i punës së tyre.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe për vëmendjen tuaj të shtuar ndaj manipulimeve dhe dashakeqësisë së këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm që kanë zaptuar ndërtesën, pasurinë dhe emrin e Agimit. Përpjekjet tona, që tashmë gëzojnë mbështetjen e qindra anëtarëve dhe mijëra qytetarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë, nuk do të ndalen derisa të shpëtojmë Agimin nga duart e këtij grupi dhe t’ia kthejmë të gjithëve.

U takofshim në koncertin për Ditën e Flamurit këtë të diel, më 26 Nëntor 2017 në orën 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren./ KultPlus.com

Flaka Goranci magjeps publikun austriak në sallën e famshme “Stefanienesaal” (FOTO)

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

Gili Hoxhaj

Mezzo-soprano shqiptare Flaka Goranci, mbrëmë interpretoi në një koncert në Grazë të Austrisë. Ajo me zërin e saj ka magjepsur të pranishmit gjatë interpretimit të mbrëmshëm në sallën e famshme “Stefanienesaal”, bashkë me orkestrën “Con fuoco”.

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

“Ishte një kënaqësi e madhe të interpretosh nën drejtimin e një dirigjenti në zë si Svetoslav Borisov. Bashkë me orkestrën “Con fuco” kemi interpretuar tri arie nga repertori operistik dhe ai i operetave. Koncerti është pritë mjaft mirë nga publiku”, ka thënë për KultPlus, Goranci.

Flaka Goranci, ka interpretuar në sallën Stefaniensaal, që është një sallë 150 vjeçare dhe është një nga sallat më me renome jo vetëm ne Graz por edhe në gjithë Austrinë, meqë aty interpretojnë emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. /KultPlus.com

Shkëlzen Doli sot dërgon tingujt e violinës së tij në festivalin “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë, shoqata “Alegretto” organizon koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filarmonisë së Vjenës Shkëlzen Doli dhe orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës.

Koncerti Gala do të mbahet sot në Qendrën e Kulturës-Tetovë, me fillim në ora 18:30. Biletat mund të gjenden në Qendrën për Kulturë.

Me 14 nëntor, do të mbahet koncert me muzikë orientale, me ç’rast do të bëhet edhe promovimi i albumit “The last breath”. Në “Nay” do të interpretojë Abas Jahja, ndërsa në kitarë do të performojë Ebrar Mazhar. Koncerti do të mbahet në klubin e artistëve “ODA”, me fillim në orën 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Koncert recital do të mbajë pianisti virtuoz tetovar Shkëlzen Baftiari. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në ora 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Më 17 nëntor me fillim në orën 19:00 në Pallatin e Kulturës do të performojë tenori i njohur shqiptar Kastriot Tusha dhe sopranoja Nita Zenuni. Ansamblin do ta dirigjojë Prof.dr.Isak Shehu. Për këtë koncert hyrja do të jetë falas.

Më 19 nëntor me fillim në orën 19:00 koncert do të mbajë ansambli i njohur kosovar “ATTACCA”. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë falas./ KultPlus.com

Dua Lipa ndezë Londrën (FOTO)

Dua Lipa, mbrëmjen e 6 nëntorit mbajti koncert në Londër, në kuadër të turit të saj të titulluar “The Self”, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, gjë për të cilin tregoi vetë këngëtarja Lipa.

Kësisoj KultPlus, në foto lajmin e ditës së sotme po shpalos fotografi nga koncerti i Dua Lipës, fotografi këto që tregojnë që ky koncert ishte madhështor.

Fotografitë janë realizuar nga Pixie Levinson./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli me koncert në Tetovë (VIDEO)

Të premten mbrëma në Tetovë përmes një koncerti madhështorë do të interpretoj violinisti shqiptar Shkëlzen Doli, shkruan KultPlus.

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, Shoqata Alegretto këtë të premte do të organizoj një koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli dhe orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës, shkruan KultPlus.

Koncerti Gala do të organizohet në Qendrën e Kulturës-Tetovë, duke filluar nga ora 18:30./ KultPlus.com