“Koncerti” i Rolling Stones që tronditi Murin e Berlinit

Një zë, një thashethem i lindur kushedi se ku, një lajm që kurrë nuk u konfirmua. Por mjaftoi për të bërë të dridhet për një ditë, regjimin e Gjermanisë Lindore.

Dhe i kushtoi qindra të rinjve të shtypur prej diktaturës së Ulbrichtit, një pasdite me goditje, persekutime, madje edhe burg; ndokush mbeti brenda për plot dy vite dhe më pas u dëbua nga vendi. Që atëherë, është e vështirë të thuhet që muzika nuk lëviz malet: një koncert i grupit britanik Rolling Stones, që në vitin 1969 shqetësoi tmerrësisht shumë RDGJ-në, dhe që nuk u mbajt kurrë. Por që i ka dha një goditje të parë Murit.

Në ditën kur Rolling Stones kanë lajmëruar koncertin e tyre në Kubë, Berlini kujton një copëz historie. Në fundin e verës së vitit 1969, në prag të festimeve pompoze mbi 20 vjetorin e Gjermanisë lindore që do të mbaheshin në 7 tetor, njerëzit e Ulbrichtit po përgatiten për marshimet e zakonshme ushtarake, si dhe fjalimet triumfantë dhe gënjeshtarë.

Por një zë përhapet me shpejtësinë e dritës mes të rinjve të Berlinit lindor. Ditën e përvjetorit, Rolling Stonez do të zhvillonin një koncert pranë Murit, në anën perëndimore, por në çatinë e ndërtesës së Axel Spinger – botuesi i “Bild”. Këngët e grupit më të famshëm rrok në botë do të dëgjohen disa kilometra përtej Murit, atje ku muzika pop perëndimore është e ndaluar, disqet e Rolling Stones dhe Beatles futen kontrabandë dhe ku të lësh flokë të gjatë dhe të dëgjosh rrok është një shenjë mosbindjeje.

Fatkeqësisht, ndërkohë që thashethemet përhapen edhe jashtë kryeqytetit, dhe shumë të rinj e të reja përgatisin çantat e shpinës për të shkuar në Berlin, lajmi i rremë mbërrin edhe tek agjentët e njërit prej shërbimeve të fshehtë më paranojakë të Paktit të Varshavës, Stasi-t. Një muaj më herët, një i ri nga Dessau shkruante në trotuar: ‘Fansa të Rolling Stones, vraponi drejt Ber…”.

Por nuk arriti ta përfundontre frazën. Disa kalimtarë e trembën, ai largohet me shpejtësi, por një spiun e ka regjistruar lajmin dhe ia përcjell shërbimit. Dy javë më vonë, në lagjen berlineze të Prenzlauer Berg, dalin fletëpalosjet e para:

“Rolling Stones do të vijnë në Berlinin Perëndimor”. Janë vetëm zëra, por shërbimi i fshehtë i merr seriozisht.
Dhe kështu Stasi përgatit kundërsulmin. Dalin urdhra që sot të bëjnë të qeshësh, por që atëherë tingëllonin si dënim. “Të rinj me pamje dekadente”, thuhet në urdhër, duhet të pengohen me çdo kusht që të mos shkojnë në Berlin.

Të rinjtë e parë me flokë të gjatë, apo me xhaketë lëkure, apo edhe thjeshtë me një palë xhinsi, ndalohen nga policia. Disave u jepet “Berlin-Verbot”, ndalimi për të shkuar në kryeqytet, të tjerëve u merret pasaporta, dhe ju zëvendësohet me famëkeqin “PM12”, një dokument që e etiketon si kundërshtar, dhe që i jep çdo polici të drejtën ta ndalojë dhe marrë në pyetje pa arsye.

Në 7 tetor, aparati histerik i sigurisë shtrëngon më shumë: 238 të rinj ndalohen në stacionin e Berlinit dhe kthehen mbrapsht në shtëpi, ndërsa forcohen shumë kontrollet përreth zonës së supozuar të koncertit.
E megjithatë, shumë të rinj arrijnë gjithsesi në Leipziger Strasse, disa dhjetëra metra larg nga qiellgërvishtësi Springer. Disa arrestohen aty, por duke nisur nga ora dy e pasdites, pranë murit nisin të shfaqen qindra të rinj. Duken të pandalshëm, janë të lumtur, u kanë shpëtuar gjithë kontrolleve.

Janë pacifistë, kanë ardhur deri aty për të dëgjuar Rolling Stones, por pengesat dhe dhuna e regjimit, dalëngadalë i ashpërsojnë. Vopos-ët, policët e kufirit nisin t’i sulmojnë brutallisht, u ndërsejnë qentë. Turma sprapset por nuk heq dorë.
Fansat nisin të thërrasin “Rolling Stones”, “Dubcek, Dubcek”, emrin e reformatorit çekosllovak, një simbol i lirisë. Policia i hipën në kamionë, vazhdon t’i rrahë. Në fund, 430 do të arrestohen, disa do të mbeten në burg për vite. Por ndërkohë, revolta poshtë Murit prish festën e 20-vjetorit të RDGj-së. Ndërsa bota nuk do ta harrojë asnjëherë koncertin imagjinar të Rolling Stones. /La Repubblica – Bota.al./ KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës koncert humanitar në Londër, këndon Shpat Deda

Shtabi i EBRD me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Londër dhe Ibis London City Shoreditch do të organizojnë nesër një mbrëmje muzikore për të mbledhur fonde për fëmijët me kancer në Kosovë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ndërsa në këtë mbrëmje do të përformoj këngëtari Shpat Deda. Të gjitha donacionet do të shkojnë tek Kujdesi për Fondacionin e Fëmijëve të Kosovës për të siguruar që të gjithë fëmijët me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të kenë qasje në barnat e nevojshme për trajtimet.

Kjo ngjarje është pjesë e një fushate për mbledhjen e fondeve e cila mbështetet nga Iniciativa e Komunitetit të EBRD, deri më tani kanë ngritur një fond rreth 20,000 €), EBRD ndërsa me kërkesë për ta mbështetur me tutje synon të ngrit një fond prej 50,000 € ./KultPlus.com

Këngëtarja e famshme vjen në Tiranë (VIDEO)

Këngëtarja e famshme skoceze Emeli Sandé, vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Lajmi i madh është bërë i ditur nga i pari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka treguar se këngëtarja e famshme Sandé , vjen në Tiranë për koncertin e madh të Nata e Bardhë.

“E nisim Nëntorin me një super lajm!
Emeli Sandé vjen në Tiranë, në datën #29Nëntor për koncertin e madh të Nata e Bardhë në sheshin Skënderbej.
Mos e humb një ditë-natë me koncerte, muzikë, art, surpriza dhe shumë argëtim”, ka shkruar Erion Veliaj në rrjetin e tij social Facebook.

Ndërkohë lajmin për ardhjen në Shqipëri e ka konfirmuar edhe vetë këngëtarja Sandé, e cila është shprehur shumë e lumtur që do të performojë në Shqipëri për herë të parë.

“Jam shumë e lumtur që do të performoj për herë të parë në Shqipëri dhe që do të jem pjesë e festës Nata e Bardhë në Tiranë, më 29 nëntor 2017-të”, ka shkruar Sandé./ KultPlus.com

Dua si Harry Potteri në koncertin e Hamburgut (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka performuar e veshur si personazhi i njohur Harry Potter në një koncert në Hamburg të Gjermanisë.

Krejt ekipi i krijueses së hitit “Hotter than Hell” është shndërruar në personazhe të filmit të famshëm për magjistarin britanik.

Dua në javën e “Halloween” ka veshur kostume të çuditshme nëpër koncertet e saj. / KultPlus.com

Tetë duar në një piano përmbyllen koncertin e pestë të KamerFest

Nata e pestë e Festivalit Kamertal “Kamerfest” erdhi me koncertin “Piano për duo, quattro, otto” duke sjellë në skenë së bashku pianistë të mëdhenj nga SHBA-ja, Franca, Shqipëria e Maqedonia, shkruan KultPlus.

Në të tri anët e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë publiku kishte ngulur sytë në pianistin Derek Han nga SHBA-ja, afër të cilit rrinte pianisti shqiptar Klevis Gjergji. Në sallë erdhën meloditë e kompozuara nga Mozarti e që vinin nga katër duar të këtyre dy artistëve, derisa ndonjëherë mbeteshin vetëm tri duar në piano kur njëri nga ta lëvizte me shpejtësi fletët e partiturës duke i dorëzuar kështu herë-herë melodinë njëri-tjetrit. Nga Mozarti, pianistët përshkuan një udhëtim muzikor tek Schuberti, duke rikthyer kështu përsëri interpretimin e Derek Han pranë të njëjtës piano por i shoqëruar nga krijimi i tingujve të pianistit francez, Bertrand Giraud duke dhënë po ashtu një bashkëveprim me melodi që shpeshtoheshin.

Koncerti erdhi me një ritëm edhe më të fuqishëm kur pranë të dy pianove që ndodheshin përballë, në njërën piano ishte Bertrand Giraud i cili ndonëse kishte një shprehje të qetë fytyre gjatë interpretimit, ai solli mjaft tinguj të fuqishëm së bashku me pianistin nga Maqedonia, Shkëlzen Baftiari. Interpretimi i veprës së Ravel nga këta dy autorë ishte momenti i parë dhe i vetëm ku përdoren të dy pianot e vendosura në sallë pasiqë në vepra e Rachmaninoff, do të ulte së bashku në një piano të tre pianistet Derek Han, Bertrand Giraud dhe Shkëlzen Baftiarin. Mirëpo koncerti arriti kulmin me veprën e Lavignac kur të njëjtën piano e ndanë të katër pianistët që interpretuan gjatë koncertit. Duke mos lenë hapësirë afër njëri-tjetrit por duke e plotësuar në mënyrën më të mirë artistike veprën, lëvizjet e tetë duarve dukej sikur sillnin një valle të bukur melodish.

Derek Han, pianisti nga SHBA-ja, mbrëmë ishte kthyer në edicionin e 18-të pasiqë kishte qenë pjesë e rrugëtimit të parë të KamerFestit në edicionin e parë të tij.

“Është një gjë e mrekullueshme të shohësh KamerFestin pas tetëmbëdhjetë vitesh, dhe të shohësh Prishtinën, të cilën e mbaj mend nga KamerFesti i parë kurse tani është shndërruar në një qytet të madh evropian. Kosova do duhej të ndihej krenare për një festival si KamerFesti dhe për progresin e këtij festivali gjatë këtyre viteve”, tha Han për KultPlus.

Po ashtu Han shtoi se interpretimi i kësaj mbrëmje edhe pse i vështirë të luhej me gjashtë dhe tetë duar, në të njëjtën kohë i solli atij edhe shumë kënaqësi.

Ndërsa pianisti nga Maqedonia Shkëlzen Baftiari, i cili thotë se është familjarizuar me mirëpritjen e publikut në këtë objekt tregoi për realizimin e këtij koncerti.

“Përzgjedhjen e programit e kemi bërë brenda një kohe të shkurtër, ka qenë pak e vështirë sepse janë vepra shumë të mëdha dhe të vështira kurse prova kemi bërë shumë pak, ku jemi takuar vetëm dje dhe sot me një provë. Unë kam kaluar shumë mirë me publikun këtu, ku unë jam gati çdo vit në Kosovë bile njihem edhe me publikun dhe shumicën e njerëzve këtu”, tregoi Baftiari për KultPlus.

Nesër po ashtu në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 KamerFesti do të sjellë koncertin e gjashtë me pianistin nga Franca, Bertrand Giraud dhe Klevic Gjergjin nga Shqipëria të cilët së bashku me Orkestrën e Harqeve të Festivalit do të interpretojnë veprat e Poulencit dhe Brittenit./ KultPlus.com

Dua Lipa ndezë atmosferën në Luksemburg

KultPlus, foto lajmin e ditës së diel e sjellë me fotografinë e këngëtares me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa. Ajo në këto fotografi shihet gjatë koncerti të saj në Luksemburg. “Merci Luxembourg”, ka shkruar Lipa. Fotografitë janë realizuar nga Pixie Levinson./ KultPlus.com

Frano Lufi e Klevis Gjergji sollën Skënderbeun e Don Kishotin në Festivalin Kamerfest

Arbër Selmani

Një zë i fuqishëm burri po këndonte rreth gjysmë ore pa nisur koncerti. Ushtrimet e vokalit janë në kërkim të perfeksionit, që publiku ta marrë emocionin më pas në formën më të përkryer, shkruan KultPlus.

E kur koncerti nisë, i njëjti zë sjellë në shqip Antonio Caladara. “Ti pa mëshirë” e nisi mbrëmë koncertin e tretë të Festivalit të Muzikës Kamertale Kamerfest në kryeqytet, me Frano Luffin në bass dhe Klevis Gjergjin në piano. Dyshja, me përjashtim kur në skenë doli edhe Sihana Badivuku në përcjellje, për rreth 90-të minuta e mbajtën publikun në ethe duke e mbizotëruar skenën e vogël në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.

Dyshja nga Shkodra erdhën me një repertor që të gjuante emocionalisht nga Mozarti, te Shuberti, tek kënga popullore shqipe “Moj e Vogël”, e deri tek Prenk Jakova dhe një prej kohëve të Operës së njohur Skanderbeg.

Frano Lufi tregoi se në Kosovë ka interpretuar edhe para dhjetë vitesh dhe se kësaj radhe është kthyer në partiturat e fillimit të jetës së tij si këngëtar, për ti sjellë ato në Prishtinë.

“Kur u ftova për këtë festival, thashë me vete pse mos ta sjellë ushtrimin tim të parë të kantos në Shkodër, dhe më pas shkova në partiturat e mia të hershme të cilat janë përkthyer edhe në shqip. Sonte, pos këtij publiku të veçantë të cilin e falënderoj tej mase, duhet të falënderoj edhe përkthyesit e këtyre veprave, emrat e të cilëve shpesh nuk figurojnë në vepra. Meritat i takojnë Luigj Gurakuqit, Haki Bejlerit e përkthyesve të tjerë” tregon për KultPlus Lufi.

Programi muzikor i përgatitur këtë natë u shpjegua paraprakisht çdo performance nga vetë Frano Lufi. Lufi, i lindur në Shkodër, shpërngulet në Itali në vitin 1992, për të vazhduar me paraqitjet e tij në Romë, Verona, Napoli, Genova, Parma, për të arritur edhe deri në teatrin prestigjioz “La Scala” në Milano. Ai ka performuar në operat “Cenerentola”, “Falstaf”, “Lucia e Lamermurit”, “Don Giovanni”, “Aida”, “Boheme”, “Madama Butterfy” e role të tjera.

Krahas tij, jo më pak i saktë e i përjetuar erdhi Klevis Gjergji. Shkodrani i lindur në vitin 1987, në vitin 2013-të fillon studimet e doktoraturës në Piano pranë Universitetit të Arteve në Fakultetin e Muzikës në Beograd, nën drejtimin e Profesoreshës Nevena Popoviq, të cilat i përfundon në vitin 2016-të.

“Për mua ishte një program që kërkonte impenjim dhe përkushtim të madh, por është nderë dhe kënaqësi ta përcjellësh një emër si Frano Lufi” tregon Gjergji.

Nuk është hera e parë për të që vjen në Prishtinë, por thotë se gjithmonë ana pianistike drejt shoqërimit të një artisti tjetër kërkon bashkim në unison me këtë artist, shkruan KultPlus.

“Nga ana pianistike duhet të bëhesh një me artistin, pastaj çdonjëri e ka stilin e vet por kërkohet pak kohë deri ta gjesh mënyrën të përshtatesh mirë. Ishte eksperiencë e bukur të kthehesha në Prishtinë, pasi më parë kam pasur edhe koncert recital e kësaj radhe shoqërova një artist tjetër” tregon Gjergji.

KamerFest do të vazhdojë me koncertin tjetër me datë 23 tetor, me fillim prej orës 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me Militiades Cassaras në violoncello dhe Klevis Gjergjin në piano./ KultPlus.com

Dafina Zeqiri me koncert në New York

Këngëtarja Dafina Zeqiri është duke ndjekur ëndrrën e saj më të madhe, atë të realizimit të një karriere muzikore jashtë kufijve.

“Four Sesons” dhe “Told Ya” mbajnë titullin dy projektet e saj në anglisht, të cilat janë pritur mirë nga publiku dhe kanë marrë vlerësimin e duhur.

Ajo ka paralajmëruar se së shpejti do të sjellë në treg edhe një album të shkurtër me gjashtë këngë, titulli i të cilit është “King”.

Ndryshe, Dafina ka filluar të aktivizohet edhe me mbrëmje muzikore, në të cilat do të promovojë edhe më shumë projektet e saj të reja.
Koncerti i saj i radhës do të jetë në New York, dhe do të mbahet më datën 9 nëntor.

Në posterin e koncertit të publikuar edhe në rrjetet sociale, është shfaqur edhe çmimi i biletës, i cili varion nga 12 deri në 15 dollarë. / KultPlus.com

Paralajmërohet koncerti në mbrojtje të Lumit Vjosa (VIDEO)

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë koncert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Artistët po shprehen entuziastë për këtë koncert, madje Eda Zari ka postuar edhe një video ku shihet përkrahë artistit Vlashent Sata teksa shfaqin edhe bukuritë e këtij Lumi dhe paralajmërojnë për koncertin nesër i cili thuhet që do të sjellë edhe disa befasi.

Koncerti mbahet nesër duke filluar nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

Joss Stone rikthehet në trojet shqiptare (FOTO)

Këngëtarja e njohur angleze Joss Stone, e cila para një viti mbajti koncertin në Prishtinë në kuadër të turneut të saj, në fund të këtij muaji vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Stone, do të mbajë koncert në Qendrën Kulturore Tulla, më 26 tetor.

Biletat për koncert mund të tërhiqen në Tulla nga e mërkura ndërsa Stone është ndër zërat më të mirë në industrinë muzikore aktualisht, e ndoshta ndër këngëtaret që qysh në moshë të re ka ditur të krijojë karrierë të fuqishme në muzikë./ KultPlus.com

Ron Atiqi, solist me kitarë në koncertin e Orkestrës së të rinjve të Cyrihut

Pak muaj më parë ai ka fituar çmimin më të lartë që për kategorinë e tij ndahet në Zvicër. Ndërsa para një viti Roni pati marrë çmimin promovues të qytetit të Cyrihut për të rinjtë në muzikën klasike.

Orkestra Simfonike e të rinjve e Cyrihut (JSOZ), është një formacion elit i muzikës klasike në metropolin zviceran. Ajo vepron në kuadër të Konservatorit të Muzikës të Cyrihut (MKZ) dhe prej një viti funksionon si një orkestër që realizon projekte muzikore. Këto projekte nënkuptojnë punë intensive
në formë provash që kurorëzohen me koncerte e turne.

Këtë vit JSOZ shënon 30 vjetorin e themelimit dhe në këtë kuadër, gjatë kësaj vjeshte do të ndërmarrë një turne. Si solist gjatë turneut do të interpretojë kitaristi i ri, tashmë i njohur me prejardhje nga Kosova, Ron Atiqi, shkruan albinfo.ch. Ndryshe, në secilin rast kur përmendet emri i tij në njoftimet për koncertet ku ai merr pjesë, nuk harrohet pa u cilësuar nga organizatorët si “njëri ndër kitaristët më të talentuar të Zvicrës”. Dhe për këtë, Roni ka edhe dëshmitë përkatëse.

Pasi ka kaluar me sukses të gjitha nivelet në garat e kitaristëve të rinj, i riu me talent të rrallë ka fituar pak muaj më parë edhe çmimin më të lartë që për këtë kategori ndahet në Zvicër. Ai ka dalë i pari në finalen e Garës Zvicerane të Muzikës për të Rinj (SJMW) të mbajtur në Le Chaux de Fonds. Ndërsa para një viti pati marrë çmimin promovues të qytetit të Cyrihut për të rinjtë në muzikën klasike, për interpretim me kitarë.

Roni është lindur para 18 vitesh në një familje artdashëse të Mitrovicës që jeton në qytezën Elg afër Winterthurit në Kantonin e Cyrihut, shkruan albinfo.ch. Babai i tij, Ali Atiqi është po ashtu kitarist dhe merret edhe me pikturë.

Në koncertin e 26 tetorit Ron Atiqi do të interpretojë si solist veprën për kitarë, “Fantasia para un Gentilhombre të kompozitorit të njohur Joaquin Rodrigo.

Të ardhurat nga koncerti që mbahet më 26 tetor në Zollikon të Cyrihut në organizim të organizatës “Kiwanis” u dedikohen fëmijëve te varfër të Afrikës.

Koncerti fillon në ora 19:30 në Gemeindesaal Zollikon, Rotfluhstrasse 96 8702 Zollikon.
(Foto: Dominik Reichen). / KultPlus.com

Festivali ‘KamerFest’ shpalos programin për këtë edicion

Kosova KamerFest, sonte nisë edicionin e 18-të të tij, shkruan KultPlus. Ky festival i cili përgjatë këtyre edicioneve ka sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike, në një konferencë të mbajtur sot ka shpalosur edhe programin e këtij edicioni.

Këtë vit festivali nisë me një koncert që i paraprinë hapjes së festivalit. Pre-KamerFest koncert do të mbahet sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës së re të UP-ës me fillim nga ora 20:00. Ky koncert sjellë sopranon Silvia di Falco dhe pianisten Diana Nocchiero. Në program do të ketë arie botërore siç janë “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Arie të tjera nga ky kompozitor do të jenë edhe ato nga operat e mirënjohura si “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”.

Ndërsa hapja zyrtare e Festivalit “Kosova KamerFest” që do të shënohet me koncertin e dytë me radhë, do të bëhet më datë 18 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në ora 20:00. Festivali do të vazhdoj tutje me koncertet e radhës, listën e të cilëve po ju sjellim më poshtë.

Festivali i Muzikës Kamertale ‘Kosova KamerFest’ do të zgjasë deri më 9 nëntor. / KultPlus.com



Pirgu e Myshketa pjesë e operës së Guiseppe Verdit në Napoli (FOTO)

Në Teatrin më të vjetër të Evropës ‘San Carlo’ në Napoli, tashmë po shfaqet me sukses opera monumentale e Giuseppe Verdit ‘Simon Boccanegra’.

Në këtë operë në rolet e dy prej protagonistëve figurojnë dy artistët shqiptarë me karrierë ndërkombëtare që janë tenori Saimir Pirgu dhe baritoni Gëzim Myshketa.

Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, baritoni Myshketa i cili është shprehur tejet i kënaqur me debutimin e këtij roli në këtë tempull të lirikës italiane.

Opera me regji të Sylvano Bussottit që vjen nën dirigjimin e Stefano Ranzanit, ka dy kaste këngëtarësh të kalibrit internacional dhe po shfaqet nga data 7 deri më 14 tetor. Myshketa me pas do vijoj stinën lirike me turnetë në Toulouse, Vjenë, Rome, Oman Emiratet e Bashkuara, Laipcig e Shtuttgart./ KultPlus.com

Nesër mbahet koncerti që i paraprinë KamerFest-it

Kosova KamerFest, sivjet nis edicionin e 18-të të tij, shkruan KultPlus. Ky festival i cili përgjatë këtyre edicioneve ka sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike, këtë vit nis me një koncert që i paraprinë hapjes së festivalit.

Pre-KamerFest koncert mbahet nesër të martën e 10 tetorit, në Amfiteatrin e Bibliotekës së re të UP-ës me fillim nga ora 20:00.

Ky koncert sjellë sopranon Silvia di Falco dhe pianisten Diana Nocchiero. Në program do të ketë arie botërore siç janë “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Arie të tjera nga ky kompozitor do të jenë edhe ato nga operat e mirënjohura si “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”./ KultPlus.com

Studentët shqiptarë të Lozanës organizojnë koncertin e Elina Dunit

E themeluar para më se 20 vitesh, Shoqata Studentore Shqiptare e Universitetit të Lozanës (AEAUL) është më e vjetra shoqatë e studentëve shqiptarë të Zvicrës dhe njëra ndër më aktivet.

Në radhën e aktiviteteve të shumta të saj është edhe koncerti me këngëtaren e njohur shqiptaro-zvicerane të xhazit, Elina Duni, .që mbahet në Lozanë.

Me këtë rast AEAUL u drejtohet anëtarëve dhe miqve të saj me ftesën në vijim:

I nderuar mik, e nderuar mikeshë
Viti akademik që sapo ka filluar premton të jetë i pasur me aktivitete. Ne dëshirojmë qe ai të mbushet dhe me më shumë projekte të koordinuara bashkë me partnerët tanë.
Shoqata Studentore Shqiptare e Universitetit të Lozanës (AEAUL) dëshiron të ju falënderojë për besimin që kemi ndërtuar, duke ju ofruar 2 vende për koncertin e yllit të muzikës sonë, Elina Duni.
Do të jemi të lumtur t’iu mirëpresim në Théâtre du Cazard, nga ora 19 në 13.10.2017.

Me padurim që të shihemi përsëri, ju ofrojmë të shijoni një nga interpretimet e saj:

https://www.youtube.com/watch?v=XevrqZGMGoE

Në emër të të gjithë anëtarëve të Shoqatës sonë, ju dërgojmë falënderimet më të sinqerta.
Me respekt, AEAUL

Orkestra London City Philharmonic interpreton veprën ‘Arbëreshës sime’ në Londër

Orkestra London City Philharmonic, ka mbajtur një koncert madhështor nën dirigjimin e dirigjentit shqiptar Olsi Qinami në Londër, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert morën pjesë edhe pianisti shqiptar nga Maqedonia Shkëlzen Baftiari dhe violinistja nga Kosova Pranvera Govori.

Me një shkrim dhe disa fotografi, këtë lajm e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ambasadori i Kosovës në Londër Lirim Greiçevci, i cili ka treguar se me interpretimin e veprës ‘Arbëreshës sime’(melodi e vjetër Arbëreshe) përpunuar për orkestër nga Gerti Druga (koncertmaster/violin solo Alina Hiltunen) ishte kulminacioni i mbrëmjes.

Në këtë koncert u interpretuan edhe vepra të tjera si: Koncertit për piano i kompozitori shqiptar nga Maqedonia Fatos Lumani (solist Shkëlzen Baftiari), Bruch Kol Nidrei për violincel dhe orkester (soliste Alexandra Fletcher), Dvorak Slavonic Dance No. 2 dhe Tchaikovsky Symphony 4./ KultPlus.com

Dua Lipa elektrizoi skenën për publikun në Londër (VIDEO)

Dua Lipa ka publikuar në rrjetet sociale disa momente nga performanca e saj e mbrëmshme në koncertin e radhës në Londër.

Ajo ka performuar në teatrin “Brighton Dome”, dhe nga pamjet vërehet që publiku nuk ka munguar, përderisa salla ka qenë e mbushur plot e për plot.

Nga atmosfera e krijuar, shihet mjaft qartë se Dua ka elektrizuar skenës për të pranishmit.

“New Rules” mbetet hiti i saj i padiskutueshëm, dhe njëherësh edhe kënga më e pëlqyer e fansave të saj për momentin.

“Nata e mbrëmshme ishte magjike”, ka shkruar Dua në mbishkrimin e një prej videove në rrjetin social Instagram. / KultPlus.com

Last night was magic. Night 1 of The Self-titled tour Brighton. #NewRules (video by @y_albusairi )

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Prishtina nikoqir i ‘The Homesick’

Bendi i njohur holandez i muzikës pop-rock, “The Homesick”, vjen në Prishtinë këtë javë.

Adhuruesit kosovarë të muzikës mund t’i dëgjojnë nga afër këngët e bendit holandez të enjten, me fillim prej orës 20:00, në Teatrin Oda në Prishtinë.

Sipas një njoftimi të organizatorit të turneut Spielmaschina, bendi holandez do të jetë i pranishëm në Prishtinë. Bendi sipas të dhënave të publikuara në ngjarjen e promovuar në Facebook, është një prej më të njohurve në Holandë të veçuar për tingujt e muzikës pop-rock.

“Që prej publikimit të albumit të tyre të parë tre vjet më parë, atëkohë kur këta djem e kishin të ndaluar të porosisnin birra për shkak të moshës së re, popi i tyre ka evoluuar në diçka më të guximshme, të zhurmshme dhe eksperimentale”, thuhet në njoftimin e klubit të natës nga Prishtina.

Bendi në fjalë ka filluar një turne evropian i cili ka filluar më 22 shtator në Londër, dhe përfundon më 1 nëntor në kryeqytetin holandez, Amsterdam, raporton Insajderi.

Në mesin e këtij turneu evropian, “The Homesick” do të ndalojnë edhe në kryeqytetin kosovar të enjten e kësaj jave./ KultPlus.com

Sulm me armë gjatë një koncerti në Las Vegas

Të paktën dy persona raportohen të jenë vrarë dhe 24 të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një sulmi me armë në një koncert në Las Vegas. 12 prej të plagosurve raportohen se janë në gjendje kritike për jetën.

Një person i armatosur hapi zjarr gjatë një festivali të muzikës country në një vend të hapur pranë kazinosë ‘Mandalay Bay’, ku raportohet te ishin rreth 40 mijë të pranishëm. Sulmuesi mendohet të ketë qëlluar mbi turmën nga kati i 30-të i një pallati. Sipas policisë të shtëna me armë ka pasur dhe në pjesë të tjera të qytetit.

Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se të shtënat kanë vijuar për më shumë se 5 minuta. Qindra njerëz u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që zhurma e breshërive të automatikut dëgjohet lehtësisht në videot e postuara në mediat sociale. Policia tha se një i dyshuar “ishte poshtë”. Ka njoftime për të paktën një incident tjetër në rripin e Las Vegasit. Pjesë të zonës u mbyllën pasi policia e armatosur arriti në vendin e ngjarjes në rrugën Route 91 Harvest.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:30 sipas orës lokale. Dëshmitarët raportuan se qindra të shtëna u qëlluan./ KultPlus.com

Së shpejti koncerti vjetor i Orkestrës së Qytetit të Prizrenit

Orkestra e Qytetit të Prizrenit sjellë koncertin vjetorë, shkruan KultPlus.

Ky koncert vjen më 4 tetor në sallën e Kino Lumbardhit, për të gjithë qytetarët e artdashësit e muzikës klasike. Koncerti që mbahet të mërkurën nis me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës sonte hapë sezonin

Filharmonia e Kosovës sonte hapë sezonin me koncertin i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Këtë koncert do ta dirigjojë Boian Videnoff i cili kthehet në Prishtinë për herë të katërt dhe tashmë është shndërruar në një mik të Filharmonisë së Kosovës.

Po ashtu, bashkë me të do të jenë edhe dy solistë mysafir të jashtëzakonshëm, pianistja Maria Meerovitch dhe trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei Nakariakov.

Në program do të interpretohen vepra nga Haydn, Tchaikovsky dhe Brahms.

Filharmonia e Kosovës premton një nga koncertet që do t’i mbani mend gjatë.
Koncerti do të mbahet sonte më 1 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe, Prishtinë. / KultPlus.com

Arsyeja e pazakontë përse Dua Lipa do të mbajë edhe një koncert në Irlandë

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka njoftuar për një show të dytë në kryeqytetin e Republikës së Irlandës, Dublin.

Ky koncert do të mbahet në vitin 2018, pasi për koncertin e planifikuar më 10 prill biletat ishin shitur për pak sekonda.

Tani ajo ka vendosur të ketë edhe një mbrëmje në Dublin dhe do të këndojë edhe më 9 prill në kuadër të turneut për vitin 2018.

Ky sukses i madh i Dua Lips vjen pas hitit “New Rules” që po vazhdon të dominojë në top-listat irlandeze, duke kaluar kështu javën e pestë në krye të top-listave, shkruan Albinfo.

Edhe albumi i saj i parë është në top-dhjetëshe të albumeve në gjashtë javët e fundit. / KultPlus.com

Orkestra e RTSH-së solli koncert me krijimtarinë e kompozitorit Aleksandër Peçi

Koncerti simfonik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar mbrëmjen e djeshme me krijimtarinë e kompozitorit Aleksandër Peçi, u duartrokit nga artdashësit kryeqytetas.

Në koncertin e dhënë në sallën e Universitetit të Arteve, ku ishin të pranishëm njerëz të njohur të artit, artdashës etj, 3 muzikantët, dirigjenti Eno Koço, violinisti Klaidi Sahatçi si dhe pianistja Merita Rexha Tërshanam, të shoqëruar nga orkestra e RTSH, interpretuan “Rapsodia Koncertale për Violinë, Piano dhe Orkestër” e kompozitorit Aleksandër Peçi.

“Është hera parë që luaj me orkestrën simfonike të RTSH dhe ndaj skenën me partneren Merita Rexha Tershana dhe kam kënaqësinë e madhe të luaj me të” , është shprehur Klaidi. “Është detyra jone dhe misioni ynë si muzikantë që të luajmë muzikë bashkëkohore, sepse muzika ka nevojë por edhe vendi ynë ka nevojë”, ka thënë ai.

Violinisti Klaidi Sahatçi dhe pianistja Merita Rexha, janë një dyshe muzikore që solli përveç tingujve muzikorë dhe teknikës së lartë edhe një elegancë në interpretim.

“Këtë herë jam dyfish më e kënaqur, e para sepse luajta muzikë shqiptare të Aleksandër Peçit, e dyta sepse luajta me Klaidin”, tha pianistja Rexha.

“Është detyrë e instrumentistëve shqiptarë, të cilët janë ata që duhet ta luajnë këtë muzikë, sepse Brahmsin dhe Bet’hovenin e luan gjithë bota, kurse muzikën shqiptare na takon ne ta luajmë”, është shprehur ajo.

Pjesë e koncertit të orkestrës së RTSH-së ishte kompozitori Aleksandër Peçi me Valsi i trëndafilave, Fryn veriu dhe Valle scherzante e Tiranës (Tre pjesë për orkestër harqesh)- Rapsodia Koncertante për Violinë, Piano dhe orkestër-Premierë Botërore , me solistë Klaidi Sahatçi, Violinë Merita Rexha Tërshana, Piano; kompozitori P.I.Tchaikovsky – Fantasy -Uverturë nga Romeo dhe Juliet; kompozitori Camille Saint-Saens me Introduksion &Rondo kapriçioza./ KultPlus.com

Artistët shqiptarë me koncert në Vjenë

Më 30 shtator në Vjenë do të mbahet koncerti i mbështetur nga shumë artistë që veprojnë në Austri, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili do ta mbahet në Ruckergasse në Vjenë, sjellë artistët shqiptar që janë Agim Llapashtica-Gima, Flaka Goranci, Menan Bërveniku, Flamur Ahmeti, Petrit Carkaxhiu dhe Fatlind Dehiri-Paja nga Jericho dhe Duo Ela- Alfred Bushi, Elizabeta Okonska dhe violinisti Ferdi Fanaj.

Ky koncert është organizuar për të mbështetur përfaqësuesin shqiptar Januz Saliuka, i cili nga radhët e partisë social-demokrate SPÖ kandidon në zgjedhjet nacionale të 15 tetorit për deputet në Parlamentin e Austrisë.

Ky koncert mbahet më 30 shtator me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com