Këngëtari 78 vjeçar Mick Jagger bashkë me bendin Rolling Stones mbajtën një koncert madhështor në Paris, të cilin e realizuan në kuadër të turneut Sixty.
Këngëtari kryesor Jagger ishte shumë energjik në skenë, ku interpretoi këngë e vallëzoi njëkohësisht pranë anëtarëve të tjerë të bendit Keith Richards e Ronnie Wood.
Rolling Stones, këtë koncert e realizuan në Longchamp në Paris. Ata interpretuan atje pas koncertit në Lion, që u organizua me datën 19 korrik.
Bendi Rolling Stones në fillim të këtij muaji interpretoi edhe në Amsterdam. Atje u kthye pas një muaji që u shtye koncerti.
Arsyeja e shtyrjes ishte se Jagger doli pozitiv në testin e COVID-19.
Pas përmirësimit të shëndetit, Jagger u shkroi fansave të tij se ndihej më mirë, dhe se do të interpretonte për ta.
Rolling Stones, koncertin në Amsterdam e mbajtën më 7 korrik.
Pas Parisit, Rolling Stones turneun evropian do ta vazhdojnë edhe gjatë muajit gusht, ku do të performojnë në Gjermani e Suedi./21Media / KultPlus.com
Nxehtësia, pluhuri dhe tymi nga zjarret franceze ia kanë dëmtuar kordat vokale, frontmentit të grupit “Pearl Jam”, Eddie Vedder me ç’rast është anuluar edhe koncerti në Vjenë, përcjell KultPlus.
Vedder ka pësuar dëmtime në fytin e tij dhe ia atribuon atë kushteve ekstreme të motit në Francë këtë javë.
Pearl Jam performoi në festivalin Lollapalooza Paris të dielën, ku temperaturat arritën një maksimum prej mesditës prej 36 gradë Celsius.
Ata anuluan një koncert në Vjenë të mërkurën, duke deklaruar: “Për shkak të rrethanave ekstreme në vendin e fundit në natyrë, jashtë Parisit (nxehtësia, pluhuri dhe tymi nga zjarret) fyti i këngëtarit tonë Ed Vedder u la i dëmtuar. Ai ka vizituar mjekët dhe ka pasur trajtim, por deri më tani, kordat e tij vokale nuk janë rikuperuar. Ky është një lajm brutal dhe një kohë e tmerrshme… për të gjithë të përfshirë.”
Ata shtuan se u vjen shumë keq dhe se fansave do të ofrohen rimbursime.
Zjarret në pyje shpërthyen në rajonin jugperëndimor Gironde të Francës javën e kaluar. Gati 40 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, me mbi 20 mijë hektarë tokë të djegur.
Data e ardhshme e planifikuar e Pearl Jam është në Pragë, në një turne të përshkruar si “një vizion i ri i ndjeshëm, subversiv për rock klasik”. /KultPlus.com
Rita Ora ka konfirmuar se do të rikthehet në Tiranë për të mbajtur një koncert në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.
Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ora ka thënë se ndjehet shumë e emocionuar për këtë koncert në Tiranën e saj të dashur.
“Jam kaq e emocionuar dhe e nderuar të lajmëroj se unë do të rikthehem në Tiranën time të dashur. Erion Veliaj më ka ftuar të performojë në një koncert falas për ne për të festuar Shqipërinë si ‘Tirana – Kryeqyteti Evropian i të Rinjve’! 6 shtator, në Sheshin ‘Skënderbej’”, ka shkruar Rita Ora në njoftimin e saj.
Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.
Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.
Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator. /KultPlus.com
Shumë shpejt Tirana do të mikpres një nga këngëtaret më të famshme në nivel ndërkombëtar.
Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit, në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar ne rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të ketë një koncert të Rita Orës.
Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.
Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.
Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.
Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator./ KultPlus.com
Më 21 korrik në sheshin e Prishtinës, këngëtarët Merita Halili dhe Raif Hyseni do të mbajnë një koncert për adhuruesit e muzikës së tyre.
Këtë çifti e kanë bërë të ditur për shikuesit e RTV21.
Koncerti pritet të fillojë në orën 20:00 dhe për të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër bileta nuk do të ketë, pasi koncerti do të jetë dhuratë për qytetarët./KultPlus.com
Violinisti i njohur shqiptar me famë botërore, Shkëlzen Doli do të mbajë koncert në Gjakovë.
“Shëtitje muzikore në nënqiellin gjakovar me meloditë më të bukura shqipe”, ka shkruar Doli në njoftimin e këtij koncerti.
Në këtë Promenadë verore siç e kanë quajtur organizatorët, do të performojnë edhe artistët nga Gjakova si: Vesa Smolica, Gentian Doli dhe Florent Abrashi.
Koncerti mbahet më datë 17 korrik, ora 20:30 në Xeni Imperial në Gjakovë. / KultPlus.com
Superylli performoi një set prej dy orësh, në koncertin e saj të parë publik pas pesë vjetësh, transmeton KultPlus.
Adele u kthye në skenë të premten për koncertin e saj të parë të vitit 2022 – dhe shfaqjen e saj të parë publike të epokës së saj si 30 vjeçare – në Hyde Park të Londrës.
Këngëtarja, e cila performoi për herë të fundit në Brit Awards në shkurt, dha një setlist me 18 këngë të mbushura me hite nga të tre LP-të e saj në studio, plus “Skyfall” dhe interpretimin e saj të “Make You Feel My Love” të Bob Dylan.
Ky ishte rikthimi i Adeles pas 5 viteve, derisa ajo u shpreh shumë e lumtur që i pa mbështetësit e saj në koncert. /KultPlus.com
Reperi i njohur amerikan është duke zhvilluar një tur koncertesh ne Europë. Gjatë koncertit të fundit të mbajtur në Frankfurt, Gjermani ai ka tërhequr vëmendjen me gjestin që ka bërë.
Në një video që është bërë virale në TikTok, ai shihet duke performuar dhe në një moment bën simbolin e shqiponjës dykrenare.
Kjo nuk është hera e parë që reperi i famshëm bën një gjest të tillë. Edhe para disa vitesh, reperi u fotografua duke bërë shqiponjën dykrenare me një person tjetër në skenë. / KultPlus.com
‘Fête de la Musiqu’, njohur gjithashtu edhe si Dita Botërore e Muzikës, është një festë vjetore muzikore që zhvillohet më 21 qershor, përcjell KultPlus.
Në Ditën e Muzikës, qytetarëve dhe banorëve u kërkohet të luajnë muzikë jashtë në lagjet e tyre ose në hapësira publike dhe parqe. Organizohen gjithashtu edhe koncerte falas, ku muzikantët luajnë për qejf.
Me muzikë t’mirë e dashni, Dita Botërore e Muzikës do të festohet edhe në kryeqytet.
Sot, në amfiteatrin tek sheshi “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 15:00, kjo ditë shënohet me një koncert i cili ka mbledhë rreth vetës artistë të njohur të skenës sonë.
Në qytetin e Pejës, në KINO “Jusuf Gërvalla” në Pejë, është mbajtur koncert i 5 vjetorit të themelimit të Korit Siparantum, përcjell KultPlus.
Koncertit i ka paraprirë një dokumentar (22min) kushtuar sukseseve të korit përgjatë këtyre 5 viteve.
Programi ka përfshirë vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptarë të periudhave të ndryshme stilistike deri tek muzika bashkëkohore.
Kori Siparantum përgjatë këtyre viteve vendit tonë i ka sjellur suksese dhe çmime të rëndësishme në muzikën korale; Pllakën e Artë dhe pikët maksimale në “Golden Lime of Tuhelj” Kroaci, fitues i kategorisë “Musica Contemporanea” në Ëorld Choir Games 2021 dhe fitues i Diplomës së artë, në Europian Festival for Young People në Belgjikë Kori Siparantum ka fituar të dy kategoritë F (Pennant Category) dhe G (Free Program).
Rikujtojmë që dy muaj më parë kori Siparantum ka përformuar në skenën e njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie, skenë kjo e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti.
E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.
Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthurë humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.
Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.
Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re “Goodbye My Dictator”, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.
Biletat për koncert mund të blihen te Kino Lumbardhi në Prizren, në Bubble Pub në Prishtinë dhe në Radio Bar në Tiranë.
Koncerti i Michelle Gurevich te Lumbardhi mbështetet nga Banka Raiffeisen në Kosovë. / KultPlus.com
Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami rikthehet në skenën e kryeqytetit, në datën 19 qershor për një koncert recital me violinë dhe piano. Pjesa e tretë dhe e fundit e sonatave për violinë dhe piano të Beethoven vjen interpretuar nga Papavrami dhe François-Frédéric Guy.
Vlorent Xhafaj drejtor artistik i festivalit “Different Trains” bën me dije se këtë mbrëmje programi përmban vepra nga Ludwig van Beethoven, për të mbyllur ciklin e plotë të sonatave të autorit të madh gjerman.
“Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze dhe mbahet në kuadër të hapjes së festivalit muzikor “Different Trains” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, datë 19 qershor, ora 20.00”, shprehet ai në njoftimin për festivalin.
Biletat gjenden në www.myticket.al. Festivali “Different Trains” është një prej aktiveve muzikore që zhvillohet në vendin tonë prej disa vitesh, ku në skenë janë ngjitur artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë.
Tedi Papavrami në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J.C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, detyrohet që të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.
Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.
Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve./ Insajderi / KultPlus.com
Kosova për herë të parë ishte nikoqire e gala koncertit muzikor me artistë të rinj nga vendet e Evropës Qendrore, në kuadër të Platformës Kulturore të Evropës Qendrore (PPCE), përcjellë KultPlus.
Në koncertin që u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, performuan mjeshtërisht vepra të ndryshme të muzikës klasike në piano, violinë, flaut dhe klarinetë, Avigea Louisa Delivicheva nga Austria, Adam Bydžovský dhe Veronika Lišková nga Çekia, Teo Gertler nga Sllovakia, Amira Abouzahara, Marian Abouzahara, Nora Emody nga Hungaria, dhe Lisa Sahaqiu nga Kosova.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i Hungarisë, József Bencze, ambasadori i Çekisë, Pavel Bilek, shefi i zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, drejtorë të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer, Rafal Wolks, Martina Pivonkova dhe Klára Nagy-Gery, muzicientë e artdashës.
Ministri Çeku e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për thellimin e komunikimit kulturor dhe bashkëpunimit bilateral kulturor mes vendeve të Evropës Qendrore me Republikën e Kosovës. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës. Një program i veçantë dhe me shumëllojshmëri që zgjati rreth dy orë, përfshiu veprat e kompozitorëve, Alexei Shor, Rafet Rudi, Shostakovich, dhe Dvorak, përcjell KultPlus.
Në koncert Filharmonia realizoi bindshëm programin artistik ku u paraqitën dhe solistet e njohura, sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Laudatio Funebris” të Rafet Rudi dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj në interpretim të Koncertit No.2 nga D.Shostakovich, e gjithë kjo nën dirigjimin e Antoine Marguier.
Të pranishëm në koncert ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit, Liburn Jupolli. / KultPlus.com
Artistja e njohur shqiptare e muzikës jazz, Elina Duni, do të mbaj koncert në Sargfabrik në Vjenë, shkruan KultPlus.
Projekti është bashkëpunim i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri me Sargfabrik dhe ka një rëndësi të veçantë pasi që kjo sallë është një prej sallave kryesore të muzikës jazz në Vjenë.
Menaxheri i kulturës, Ermal Vejsa, ka njoftuar për KultPlus se performanca e Elinës do të jetë e përgatitur ekskluzivisht për publikun shqiptar por eventi do të jetë i hapur për publikun e gjerë.
Koncerti do të mbahet më datë 4 maj ë ora 19:30 në Sargfabrik K u l t u r h a u s. / KultPlus.com
Ishte koncerti i saj i madh në njërën prej arenave më të famshme në botë, kështu që nuk është çudi që Dua Lipa duhej të shkëlqente, transmeton KultPlus.
Këngëtarja shqiptare, 26 vjeçe, shfaqi figurën e saj mahnitëse në veshjen e qëndisur nga dantella e verdhë Balenciaga, e cila kishte gjithashtu çizme të brendshme teksa performonte në Madison Square Garden në New York City të martën mbrëma.
Turneu – në kuadër të albumit të saj të dytë Future Nostalgia – është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë COVID-19, por më në fund filloi në Floridas muajin e kaluar.
Fituesja e çmimit Grammy – e cila kohët e fundit fitoi çmimin për aktin më të mirë Pop/R&B në BRIT Awards muajin e kaluar – ishte veshur me grim minimal dhe performoi magjishëm në këtë mbrëmje. /KultPlus.com
Pritja për më shumë se një orë nuk i irritoi aspak fansat të cilët ishin mbledhur të enjtën në Los Angeles për të përcjellur Drake dhe Kanye West duke performuar bashkë, transmeton KultPlus.
Kanye West dhe Drake mahnitën fansat ndërsa dyshja më në fund lanë mënjanë inatet e tyre për të performuar në një koncert “Free Larry Hoover”.
Edhe pse raportohej shumë nëpër media se kishte një “luftë” inatesh që po zhvillohej mes Drake dhe Kanye, këta të dy arritën që në fund të performojnë bashkë.
Ndoshta më fund, mbështetësit e tyre mund edhe të dëgjojnë një bashkëpunim mes dyshës që ishte raportuar vite më parë. /KultPlus.com
Pas shumë përgatitjeve, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora u kthye në skenë më fuqishëm se kurrë, duke u siguruar kështu që Java e Modës në Paris të mos kalonte edhe pa një performancë të sajën, ku këngëtarja interpretoi disa nga hitet e saj në majën e Kullës Eiffel, përcjell KultPlus.
Kjo performancë e Rita Orës, u konsiderua të ketë qenë një nga më të fuqishmet që këngëtarja ka realizuar deri më sot.
Artistja shqiptare dukej e mrekullueshme me veshjet e bëra me porosi nga markat “Fendi”, “Lanvin” dhe “Alexandre Vauthier”, të cilat ishin pjesë promovuese e Javës së Modës në Paris, shkruan DailyMail, përcjell tutje KultPlus.
Performanca e këngëtares ishte një festë e muzikës dhe modës nga ajo që njihet si një prej monumenteve më karakteristike mbarëbotërore.
Koncerti i Ritës u zhvillua në partneritet me “Melrose Media” dhe është i pari i një serie muzikore të ardhshme të titulluar “Iconic People In Iconic Places”
Përpara shfaqjes, Rita tha: Kjo do të jetë një shfaqje kaq e paharrueshme dhe një moment i vërtetë për mua.Të performosh në një vend kaq legjendar është një nder, dhe të veshësh rroba të personalizuara nga ‘Prada’, ‘Miu Miu’, ‘Fendi’ dhe ‘Lanvin’, është thjesht një ëndërr.
“Mezi pres të sjell energjinë e Parisit për të gjithë fansat e mi në të gjithë botën, me të vërtetë do të jetë një natë për t’u mbajtur mend”, theksoi ndër të tjera Ora,
Me regji të Beki Mari, koncerti i quajtur “Rita Ora Live From The Eiffel Tower” ishte një ngjarje që do të mbesë gjatë në kujtesën e fansave të saj. / KultPlus.com
Mjeshtëria dhe veçantia e një drame muzikore që zhdërvjellet nëpërmjet përbërjes vokale nën shoqërimin instrumental diversiv ku dëgjuesi futet në rrënjën e fundit të zërit interpretues që buron nga shpirti i një artisti, vokali i të cilit frymon herë në një botë romantike e herë tragjike e ndonjëherë edhe në atë humoristike duke përfunduar kështu në një rrëfim hyjnor të një zëri njerëzor, kësaj radhe shpaloset në festivalin ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, i cili sjell interpretimin e artistëve ekskluzivë që vijnë nga skenat më të mëdha botërore si: ‘Metropolitan Opera’, ‘Teatro alla Scala’ dhe ‘Arena di Verona Festival’ së bashku me atë të tenorit shqiptarë Ramë Lahaj, në një koncert ku përveç përhumbjes në botën e artit lirik, nuk ka vend për asgjë tjetër, shkruan KultPlus.
Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organzimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë.
Dëshira e tejskajshme e tenorit Lahaj për të qenë jo vetëm një shtyllë mbështetëse por edhe për të dhënë kontributin e tij në një mënyrë shumë konkrete në formimin dhe strukturimin e një arti dhe një festivali të vërtetë mbarëkombëtarë, përtej këtyre kufijve në Kosovë, konsiderohet qëllimi, vullneti dhe shtysa kryesore për të nisur këtë festival. Po ashtu, dëshira e pakrahasueshme për paraqitjen ndaj të rinjve të talentuar të cilët dëshirojnë të kenë mundësinë e performimit dhe në të njëjtën kohë të ecin me hapin e kohës duke pasur parasysh se arti lirik përtej kufijve të Kosovës, ndodhet në një etapë zhvillimi shumë të emancipuar, është cilësuar si një prioritet që ky festival të arrijë të vendos një nivel ndërkombëtarë nëpërmjet strukturës së tij.
‘RLIOF’ në edicionin e tij të parë do të zgjasë përplot 10 ditë duke filluar nga 29 korrik deri më 7 gusht dhe vjen në formën e punëtorive mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operistik të cilat shihen si pjesa bazë dhe shtylla kryesore e festivalit për shkak se strukturimi dhe formimi profesional i brezit të ri në lirikën kosovare dhe ndërthurja mes brezit të ri dhe profesionistëve është shtyllë e themelimit të këtij festivali që do të zhvillohet në një kuadër 5 ditor. Ndërsa, koncerti i parë në qendër të festivalit do të jetë koncerti i titulluar ‘New Generation’ që mbahet në Teatrin Kombëtar më 3 gusht duke filluar nga ora 19:30, një mbrëmje dhe arenë përfaqësuese e talenteve të reja, e që do të vijë si rezultat i punës përgjatë 5 ditëve ku nëpërmjet profesorit të ftuar, Vito Brunetti, i cili është lidhur ngushtë si nga ana profesionale dhe nga ajo humane për të dhënë kontributin e tij për brezat e rinj, synohet të arrihet një formim profesional që tejkalon formimin akademik të një studenti apo artisti të ri për të vënë në pah çdo vlerë e detaje profesionale të tyre e të cilat vetëm artistët që ndajnë skenën, dinë ti ndajnë dhe ti zhvillojnë më tej. Andaj, studentët që marrin pjesë në punëtori ndahen në dëgjues dhe në aktivë për të performuar në këtë koncert.
Bashkëpunimi i rëndësishëm dhe i frytshëm me ‘Mascarade Opera Studio’ vjen me një strukturë tashmë tepër të konsoliduar e të vlefshme për hapin ndërmjet përfundimit të shkollimit dhe nisjes së karrierës për sa i përket talenteve të reja. Prandaj, talentet e reja që spikaten nga edicioni i parë në punëtori dhe nga koncerti ‘New Generation’, do të kenë mundësinë e fitimit të një burse të studimit nëpërmjet mbështetjes profesionale, ekonomike dhe sociale të ‘Mascarade Opera Studio’ që konsiderohet një investim i madh përshkak se në kushte të tilla, arti kërkon pikërisht këtë mbështeje për një artist të ri që përpara vetes ka një rrugëtim të gjatë e të vështirë. Është menduar se nga kjo mundësi e mirë, studentët do të kenë një pritshmëri konkrete.
Gjithashtu, përveç punëtorive dhe koncertit ‘New Generation’, më pas mbrëmjet do të pasohen me një mbrëmje shumë speciale të titulluar ‘Opera Night’ e cila vjen me datën 4 gusht, ku do të prezantohen emra të lirikës botërore që vijnë në skenën tonë të bashkangjitur nga artistët kosovarë dhe shqiptarë, të cilët do të performojnë përkrah tyre. Një bashkëpunim i tillë dëshmon për nivelin e profesionalizmit në këtë festival duke pasur parasysh se emrat e ftuar janë profesionistë të skenës e që i përkasin një karriere të shndërritshme dhe tani këta emra do të jenë pranë publikut kosovarë.
Pastaj, një event tepër i veçantë, përveç ‘Opera Night’, është menduar të jetë edhe emërtimi i një dedikimi special të të madhes e të pakrahasueshmes, Nexhmije Pagarausha. Festivali synon që kësaj ikone e një njeriu kaq meritor të artist kosovar e cila ka lënë një ndër kontributet më të shquara dhe më të vlefshme për atë se çka ajo përfaqëson, ti dhuroj një vend të merituar brenda strukturës së festivalit që do të përmbajë numra të spikatur dhe special që i përkasin repertorit të Pagarushës, e të cilat do të ngrihen në piedestalin e duhur duke ardhur në një formë strukturore të ngritur klasike por sigurisht pa prekur dhe pa cënuar asnjëherë identitetin muzikor të tyre. Ndërsa, përtej kësaj, mendohen të bashkëngjiten edhe numra të repertorit klasik shqiptarë për krijimin e një ndërthurje ndërmjet klasicizmit shqiptarë e kosovarë dhe atij botëror.
Krejt në fund, ‘RLIOF’ do të sjell mbrëmjen e fundit për këtë edicion, një mbrëmje që pikë kryesore ka përmbledhjen e gjithçkaje të bukur të eksperiencës dhe gjithçka se çfarë tenori Lahaj synon të arrijë nëpërmjet interpretimit të tij me datën 7 gusht. Ky koncert madhështor në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë e i cili titullohet ‘Ramë Lahaj&Friends’, do të sjell të ftuar special, muzikë shumëngjyrëshe, larmi klasike, profesionalizëm të vërtetë dhe natyrisht privilegjin e tenorit Lahaj që ai e posedon ndaj prezencës në vendin e tij.
Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha artistike e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, Ulpiana Aliaj, ka folur edhe për bashkëpunimin me mjeshtrin italian Vito Brunetti dhe rëndësinë për trajnimin e artistëve të rinj.
“Bashkëpunimi me maestron Vito Brunetti erdhi në një formë shumë të natyrshme dhe organike pasi tenori Lahaj ka qenë një ndër studentët e tij dhe sigurisht duke njohur prapavijën e tij profesionale dhe duke njohur emrat e rëndësishëm që kanë kaluar përmes klasës së tij, ishte zgjedhja ideale për të qenë ai pikërisht pjesë e puntorisë së parë në edicionin e parë të festivalit. Sigurisht që edukimi i brezit të ri është gjëja më e rëndësishme dhe hallka kryesore sepse kemi tendecën që me të vërtetë të përcjellim synimin dhe ndërtimin e festivalit”, thotë Aliaj.
Sipas saj, struktura e festivalit përmban një hapësirë shumë të gjerë dhe ndërthurja që është menduar ndërmjet profesionistëve dhe të rinjve është pikërisht ajo shtyllë që nxit më tepër brezin e ri për tu kultivuar dhe mbi të gjitha për të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë nivelin por edhe dëshirën e rrugëtimin e secilit artist.
“Duke u nisur nga shembulli i tenorit Lahaj, se si ai ka nisur formimin, strukturimin e shkollimin e tij por edhe eksperiencën e tij skenike nga një vend kaq i vogël në thelb por shumë i madh në dije e për më tepër në art dhe talent, ai mbërrin në majat e skenave ndërkombëtare. Ky është edhe synimi i festivalit sepse artisti i ri ka një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë për tu përballur, përtej asaj se çka ne shohim në skenë dhe kështu arrihet një sukses mëse i dukshëm, siç është në këtë rast, suksesi i tenorit Lahaj por edhe shumë artistëve të tjerë që tashmë janë emra të vlefshëm të skenës botërore”, ka thënë Aliaj.
Për Aliajn, përputhja e shumë kushteve për të krijuar një strukturë të tillë dhe për të zhvilluar një festival 10 ditor, sigurisht që është e nevojshme që të ekzistojnë garanci të plota, mbështetje por nevojitet edhe një vizion shumë i qartë profesional për ta realizuar atë.
Ndërsa, për artistët që vinë nga arena ndërkombëtare e që mbajnë emra prestigjioz të skenës dhe të cilët do të inerpretojnë në skenë së bashku me tenorin Lahaj në mbrëmjen e fundit të titulluar ‘Ramë Lahaj&Friends’, Aliaj për KultPlus tha se publiku kosovarë do të ketë mundësinë të prek e të ketë pranë vetes pikërisht këta këngëtarë që ndoshta deri në këto momente do ti mund ti shihnim e preknim vetëm nëpërmjet skenave dhe arenave ndërkombëtare.
“Fakti që ata vinë në Kosovë për miqësinë, respektin dhe dashamirësinë por edhe për dëshirën e tyre, tregon për një strukturë kaq të shëndoshë artistike, për arsye se në momentin që kemi prezantuar strukturën e festivalit dhe çka synohet, të gjithë kanë shprehur dashamirësinë për t’iu bashkangjitur tenorit Lahaj”, thotë Aliaj.
Por, tani Aliaj shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit sepse secila mbrëmje në festival ka patjetër një specifikë të veçantë dhe kjo jo më kot sepse ata dëshirojnë të lëvrojnë në një lamë më të gjerë për sa i përket spektrit klasik por mbi të gjitha, atij profesional. Ndërkohë, sipas saj dëshira që respekti dhe mikpritja tashmë e dëshmuar nga publiku kosovarë të jetë po njëlloj edhe kësaj here, është tejet e madhe.
Krejt në fund, Aliaj për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.
“Prishtmëritë tona përkrah këtij festivali janë vërtetë të larta, kjo sepse ne nisemi shumë duke parë talentin, dëshirën dhe dashurinë për artin lirik që ndodhet në Kosovë. Sigurisht që duke u nisur nga figura e spikatur e asaj se cka përfaqëson Lahaj për artin lirik por mbi të gjitha për qytetarinë kosovare, duam që nëpërmjet këtij kontributi të vyer, me të cilin ne vërtetë po e bëjmë me shumë dashuri e shumë shpirt, të sjellim një realitet i cili duhet të vijë në rritje, pse jo në strukturimin dhe ngritjen e një institucioni të artit lirik siç është Teatri i Operës, një institucion që Kosova vërtetë e meriton, kështu që prishtmëritë tona janë vërtetë të larta”, përfundon Aliaj.
Ajo tutje ka potencuar dëshirën që nëpërmjet këtij institucioni të ngrehen baza të shëndosha për të zhvilluar më tej një art lirik elitar në Kosovë.
Andaj, të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]. / KultPlus.com
Yjet e muzikës, Lady Gaga dhe Tony Bennett, do të ribashkohen në skenë muajin e ardhshëm për dy koncerte speciale në New York City, të cilat njëkohësisht i shënojnë performancat e fundit për këngëtarin legjendarë.
Kjo dyshe bashkëpunoi në vitin 2014 në realizimin e albumit, “Cheek To Cheek”. Besohet se në fund të këtij viti do të lansohet edhe një incizim i ri i tyre.
“Ai ma shpëtoi jetën”, tha Gaga për muzikantin Bennett, teksa fliste për bashkëpunimin e tyre.
Muajin e ardhshëm, dy këngëtarët do t’i mbajnë dy shou në sallën ikonike të New Yorkut, “Radio City Music Hall”, të cilët i kanë titulluar “One Last Time: An Evening With Tony Bennett and Lady Gaga”, transmeton KultPlus.
Koncertet që e shënojnë paraqitjen e fundit të Tony Bennettit në skenë, fillojnë më 3 gusht të këtij viti, duke përkuar me ditëlindjen e 95-të të këngëtarit. Kurse koncerti i dytë mbahet më 5 gusht. Biletat tashmë kanë filluar të shiten dhe do të jenë në dispozicionin e të gjithë adhuruesve të vaksinuar.
“Jam e nderuar dhe tejet e emocionuar që bashkë me Tonyn do ta festojmë ditëlindjen e tij të 95-të, me dy koncerte speciale”, kishte shkruar Gaga në postimin e fundit në Twitter, që i paralajmëronte këto performance.
Bennett kishte vendosur ta incizojë edhe një album me Gagan, pas diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Në fillim të vitit, këngëtari 94-vjeçar e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet.
Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, transmeton tutje KultPlus.
“Jeta është dhuratë, edhe me sëmundjen Alzheimer. Falënderoj Susanën dhe gjithë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe revistën ‘AARP’ që e ka rrëfyer dhe ndarë me publikun historinë time”, kishte shkruar Bennett në rrjetin social Twitter.
Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me t’u lansuar në treg. / KultPlus.com
Këngëtari me origjinë shqiptare, Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë.
Vetëm pak ditë pas përfundimit të festivalit eruopian ai udhëtoi drejt Tiranës.
Gjatë intervistës Gjoni tregoi se tashmë karriera e tij do të vazhdojë në Paris dhe se do të përgatisë disa albume të reja.
Ai tha se nuk e ka mohuar kurrë origjinën e tij dhe se spektaklet shqiptare janë ato që i kanë dhënë më shumë famë.
Së fundmi, artisti shqiptar ka realizuar një intervistë virtuale me ndjekësit e tij në rrjetin social “Instagram”, ku është pyetur nëse do të mbajë koncert në Shqipëri dhe përgjigjja e tij ishte pozitive ku ndau dhe disa detaje. Ai rrëfyeu se data e mbajtjes së eventit do të jetë më 31 korrik.
“Yep, the @zafestival, 31.07 2021”, i është përgjigjur ai. / KultPlus.com
Këngëtari amerikan Bruce Springsteen do të jetë një nga yjet e koncertit të madh të planifikuar për në fund të gushtit në Central Park për të festuar “rilindjen e Nju Jorkut” pas pandemisë, me Paul Simon dhe Jennifer Hudson, njoftuan sot autoritetet e qytetit në Twitter, përcjell KultPlus.
Kryebashkiaku demokrat Bill de Blasio njoftoi në fillim të qershorit mbajtjen e një koncerti gjigant, i planifikuar të mbahet më 21 gusht, megjithëse data nuk është konfirmuar ende.
Organizatori i ngjarjes, producenti Clive Davis, është shprehur se dëshironte të radhisë tetë “yje” për një koncert tre orësh, që do të zhvillohet para rreth 60 000 pjesëmarrësve në vend dhe me transmetime televizive në të gjithë botën.
Jennifer Hudson, 39 vjeçe, këngëtare R&B dhe aktore, është “më e reja” nga tre emrat e shpallur nga bashkia e qytetit. / KultPlus.com