Era Berisha
Repertori i larmishëm e i veçantë botëror dhe shqiptar, inkuadrimi i vokalit nga secili anëtarë dhe instrumentet diversive, sollën një koncert nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, i cili dhuroi mesazhe, emocione dhe ndjesi tejet të veçanta përmes elementeve artistike ku talenti lehtësisht buronte nga brendësia shpirtërore e tyre dhe qetësisht u derdh mbi atmosferë duke tronditur atë me melodi marramendëse dhe tinguj që rrallë dëgjohen, shkruan KultPlus.
Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha bashkëkohore e deri tek periudha moderne që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë tejet të veçantë që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Eric Whitacre, Ola Gjeilo, Ko Matsushita, Veljo Tormis, Jake Runestad, për të vazhduar me kompozitorin shqiptar, Baki Jasharin.
Të pranishmit kishin zënë vendet e tyre duke mbushur ngadalë karriget e vendosura përballë skenës, e cila kishte marrë një imazh ku perdet e zeza të lëshuara dhe pesë ngjyrat e kuqe në sfond po bëheshin gati që së bashku me publikun të përjetojnë melodi dhe tinguj që vinin në një nivel butësie dhe lartësoheshin deri në një britmë që papritmas pushtonte tërësisht atmosferën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Përsosmëria e vokalit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, u dallua kësaj radhe ende më shumë për shkak se programi i këtij koncerti kishte marrë një kahje tjetër ku interpretimi i gjashtë veprave të cilat zgjasnin me minuta kishin për qëllim që për nder të Çlirimit të të gjitha qyteteve në Kosovë, të performohen vepra të cilat flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të ndryshëm.
Të vendosur në skenë në një gjysmë rrethi që ngjasonte si forma e gjysmë hënës, Kori i Filharmonisë nisi koncertin me veprën ‘’She weeps over rahoon’’, ku inkuadrimi i instrumenteve si: klarineta nën manovrimin e Shkumbin Bajraktarit dhe pianoja nën manovrimin e Andi Durakut, solli një frymë ku meloditë qetësisht luanin me intensitetin e tyre dhe së bashku me vokalin e Korit që këndonte në një frymë larg nga qetësia absolute, pëshpëritjet e tyre po krijonin një harmoni ndjeshmërie e cila brenda një sekonde thehej tërësisht nga lëvizjet e duarve të dirigjentit Hajrulla Syla.
Në ndërkohë, vepra e dytë e titulluar ‘’Dark night of the soul’’, me inkuadrimin e sopranos Selvije Marteti, Ansamblit të Harqeve të Filharmonisë së Kosovës dhe pianoja që ende vazhdonte tingëllimën e saj hyjnore, ngërtheu atmosferën egërsisht me një dridhje të papërshkrueshme që kaploi fillimisht tërë trupin e dirigjentit, kokën e tij dhe lëvizjet e tij të gishtërinjve që komandonin jo vetëm tërë Ansamblin e Harqeve, Korin e pianon por edhe vështrimin e të pranishmëve në një drejtim të vetëm, atë të skenës.
Vokalet e Korit, në një frymë të vetme po pushtonin ambientin me një shpejtësi që nuk njihte ndalesë duke rritur kështu emancipimin e rrahjeve të zemrës së njeriut por asnjëherë duke mos e lëshuar atë tërësisht dhe pikërisht sekondat para përmbylljes së çdo vepre ishin diçka jashtë kësaj bote, një ndjesi që nuk ka as nevojë për definim. Tingujt e vokalit të tyre lëviznin fshehtazi mes një emocioni përrallor që ngadalë tantalizonte ndjenjat e të pranishmëve duke i vjedhur ato me një marrëzi që pasonte nga melodi të veçanta.
Kurse, veprat si: ‘’O lux beata trinitas’’, ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’ me inkuadrimin e recitatorit Shaban Behramaj, ‘’Curse upon iron’’ me inkuadrimin e mezzo-sopranos Diellza Sylejmani, baritonit Endrit Rexhepi dhe perkusioneve nga Patris Berisha, si dhe vepra që përmbylli natën: ‘’We can mend the sky’’ me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, dëshmuan se Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent ku teknika e tyre, harmonia moderne e ndërlidhur me atë bashkëkohore, klithmat, pëshpëritjet, britmat, luhatjet e jo vetëm të zërave të fuqishëm të tyre por edhe të kokës e trupit, së bashku me një repertor koral që erdhi si një reflektim ndaj situatës të padurueshme që ka ndodhur në vitet e 80-ta dhe 90-ta, solli një veçanti të veprave të cilat dëgjohen mjaft rrallë duke e fiksuar natën me artin magjik të shenjtë, magjepsur të pranishmit me dhuntinë e tyre mjeshtërore dhe dhuruar çaste ku të pranishmit me duartrokitje e brohoritje treguan dëshirën e tyre që koncerti të mos mbaronte fare.
Për të folur më shumë rreth këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli dirigjenti Hajrulla Syla.
“Programi është bazuar në një ndërlidhje me festat që jemi duke i festuar në muajin qershor ku në të gjitha qytetet i kemi ditët e Çlirimit të tyre dhe fakti që kishim në program një vepër të kompozitorit Baki Jashari për narrator dhe kor, ka folur shumë në aspektin e historisë e të kaluarës të popullit tonë në vitet e kaluara”, thotë Syla.
Sipas tij, të gjitha veprat që ai i ka dirigjuar sonte janë vepra të cilat ai i ka ëndërruar me kohë për ti pasur në program e në fakt ky është koncerti ku ai për herë të parë është djersitur.
“Procesi i provave ka qenë shumë i shkurtër dhe vetëm për një muaj e dy javë kemi arritur që të sjellim programin në një nivel mjaft të lartë sepse veprat janë shumë të vështira dhe besoj që këtë e ka përjetuar edhe publiku”, thotë Syla për KultPlus.
Ndërsa, për të folur rreth mesazhit të këtij koncerti e në veçanti rreth përmbajtjes së programit, për KultPlus ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
“Janë bërë 2 muaj që nga koncerti i fundit i Korit, ku kësaj radhe me dirigjentin Hajrulla Syla i cili tashmë është prezent në Filharmoninë e Kosovës si asistent/dirigjent i Korit por që kohë pas kohe i jepet mundësia të realizojë koncerte të tilla si i pavarur dhe ishte komplet ideja e tij programore sepse zakonisht ekzistojnë më shumë vepra me më pak minuta por koncepti ishte më ndryshe me gjashtë vepra të cilat kanë pasur një ndërlidhje përmbajtësore”, thotë Jashari.
Sipas tij, është dëshiruar që me vepra që flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të huaj dhe shqiptar, të realizohet ky koncert artistik ku edhe vepra e tij ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’, flet për vuajtjet e kombit tonë në mënyrë poetike.
“Sonte Kori ka pasur një program mjaft të çartë në përmbajtje edhe me veprat e autorëve të tjerë që tregojnë për një angazhim në zgjidhjen e prangave të popujve të tjerë po njëlloj sikurse edhe për historinë tonë që e kemi pasur”, përfundon Jashari.
Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert premierë të Korit të Filharmonisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2020/2021. / KultPlus.com