Unicefi me nismën më të madhe në historinë e Anglisë, performon Rita Ora

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, që njëherit është edhe Ambasadore e Unicef-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se këtë të enjte do të performojë duke mbështetur kështu fëmijët e rrezikuar nga pandemia globale, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, e cila ka potencuar se një gjeneratë e tërë fëmijësh janë në rrezik dhe se ajo shpreson që kjo ecuri do të mbledhë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi i koronavirusit.

Performanca do të mbahet në platformën IGTV, ndërkaq kjo nismë konsiderohet si mbështetja më e madhe e Unicef-it në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

”Si Ambasadore e Unicef ​​në Mbretërinë e Bashkuar, unë kam parë punën e jashtëzakonshme që Unicef ​​jep dorën e parë, kështu që inkurajoj të gjithë të gërmojnë thellë dhe të japin gjithçka që munden. Së bashku ne mund të ndihmojmë të ndalojmë përhapjen e Coronavirus dhe të kufizojmë ndikimin në jetën e fëmijëve.”, ka shkruar Ora në Facebook. / KultPlus.com

Artistët e të gjitha moshave bashkohen sonte në Amfiteatrin e Tiranës, ngjiten në skenë emrat më të mëdhenj të muzikës

“Albanian Pop Rock Love Songs” është koncerti që ka mbledhur bashkë artistët e të gjitha moshave, në një ndërthurje brezash përmes asaj muzike që vazhdon të mbetet hit e t’i rezistojë cdo kohe, transmeton KultPlus.

Koncert në kohë korone, me një publik të limituar për të ruajtur distancimin social, por me dëshirën e madhe për të mbërritur në zemrat e çdokujt.

Sot në orën 20:00 “Albanian Pop Rock Love Songs” në Amfiteatrin e Tiranës ngjiten në skenë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare e krah tyre artistet e rinj. / KultPlus.com

3 muaj pas izolimit, artistët koncert në shesh, publiku: Duhet të ketë më shumë aktivitete të tilla

Pas një mungese tremujore, për shkak të pandemisë COVID 19, për herë të parë artistët e operës rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej” me performanca live dhe me “Të gjithë e duam Agim Krajkën”.

Pas tre muajsh izolim, për herë të parë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej”, në Ditën Botërore të Muzikës (21 qershor).

Sopranoja Dorina Selimi interpretoi arie operistike, një kuartet harqesh luajti muzikën klasike, por edhe artistët e Ansamblit të Këngëve edhe Valleve sollën muzikë të njohur popullore shqiptare për publikun rastësor.

“Po e shijoj performancën live edhe programin në monitor. Një iniciativë shumë pozitive”.

Në rreth 500 karrige pas një ore performancë live publiku në distancë nga njëri tjetri qëndroi për të shijuar edhe në monitorin e madh të vendosur në shesh shfaqjen “Të gjithë e duan Agim Krajkën. I realizuar më herët nga Teatri i Operës, duke sjell kontributin e Krajkës në ansambël për 30 vjet, por edhe këngët fort të dashura për publikun, si “Kafe Vlora” apo “Kënga e Gjyshes”.

“Muzika është një element shumë i domosdoshëm në jetën e njeriut, ka në qendër të shkuarën, të tashmen edhe të ardhmen, prandaj është domosdoshmëri për më shumë aktivitete të tilla”.

“Një iniciativë shumë pozitive, sidomos pas COVID 19. Duhet që të ketë më shumë aktivitete të tilla. Njerëzit kanë nevojë për to”.

Dita Botërore e Muzikës u festua për herë të parë në vitin 1982 në Francë, kur ish ministri i Kulturës, Jack Lang, evidentoi se edhe pse numëroheshin mbi 5 milionë francezë, që luanin një instrument muzikor, koncertet mungonin. Ai zgjodh datën 21 qershor dhe kjo datë u përcaktua si një festë kombëtare për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Europën, edhe tashmë festohet në vende të ndryshme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Pianisti gjerman me koncert 20-orësh për gjendjen e artistëve gjatë pandemisë

Pianisti gjerman është bërë gati për të filluar koncertin maratonik që zgjat 20 orë të shtunën, në të cilin ai do të luajë një vepër të vetme muzikore për të ngritur vetëdijen në lidhje me gjendjen e vështirë të artistëve gjatë pandemisë.

Igor Levit do të luajë “Vexations” nga Erik Satie, një nga veprat më të gjata në historinë e muzikës, që përbëhet vetëm nga disa nota që luhen 840 herë.

“Këto kohë janë brutale për artistë, si në aspektin fizik, atë mental dhe emocional. Prandaj, kjo pjesë funksionon shumë mirë, sipas mendimit tim për të rritur vetëdijen për atë që po kalojmë”, ka thënë Levit për agjencinë telegrafike të Gjermanisë.

Pianisti do të luajë notat e tij të para në ora 02:00 të mëngjesit dhe të fundit në mbrëmjen e së shtunës. Do të transmetohet live nga një studio në Berlin përmes disa kanaleve nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogaritë e 33-vjeçarit në Instagram dhe Twitter.

Vepra muzikore e vitit 1893 nga Satie (1866-1925) përbëhet nga një temë e shkurtër dhe variacione, dhe të gjitha notat e saj janë të shkruara brenda një faqeje. Sipas pianistit Levit, është diçka që të kujton një “britmë të heshtur” gjatë monotonisë së saj.

“Artistët kanë nevojë për skenë. Situata e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë dhe këtu flas edhe për veten time, po ashtu”, ka shtuar ai. “Pamja është e errët, duke vënë në pah këtu rregullat për ngjarje kulturore”.

Më 10 mars, Levit ka luajtur koncertin e tretë dhe të pestë të Beethovenit në “Elbphilharmonie” në Hamburg. Ishte ditëlindja e tij dhe koncerti i tij i parë para një audience virtuale për të ardhmen e paparashikueshme.

Ditën tjetër, kancelarja Angela Merkel njoftoi për të ardhmen e paqartë pasi që vendi filloi të mbërthehet nga novela e koronavirusit. Brenda disa ditëve një mbyllje kombëtare u shpall për të mbajtur nën fre rastet, duke anuluar mbledhjen e një numri të madh të njerëzve. Që atëherë, Levit ka mbajtur më shumë se 50 performanca nga shtëpia. / DW/ KultPlus.com

Erza Muqolli mbrëmë me koncert në Prishtinë, me zërin e saj magjik rrëqethi publikun

Qendrim Badalli

Salla e Bibliotekës Universitare ishte mbrëmë e stërmbushur me njerëz të fushave të ndryshme e adhurues të këngës së Erza Muqollit. Aty pas pak do të performonin fëmijët dhe të rriturit e korit “Siparantum”, si paraprirje për performancën e yllit francez në ngritje me prejardhje shqiptare, Erza Muqolli, në koncertin që hapi Javën e Frankofonisë në Kosovë, shkruan KultPlus.com

Ishte kori i fëmijëve “Siparantum” të cilët me pesë vepra ndezën emocionet në sallë me një publik i cili gjatë gjithë kohës po duartrokiste e incizonte performancën e tyre. Kur koha e tyre përfundoi, radha ishte për të rriturit e po të njëjtit kor nën udhëheqjen e Memli Kelmendit. Performanca e korit të të rriturve, kohë pas kohe kërkonte edhe angazhimin simpatik të publikut, Kelmendi po kërkonte lëvizjen e gishtërinjve e ndonjëherë  fërkimin e duarve, me ndonjë të qeshur e me plotë emocione publiku i bindje drejtimit të tij.

Kështu performanca e dy gjeneratave të korit “Siparantum” kishte krijuar një atmosferë shumë të ngrohtë dhe kishte ambientuar mirë publikun me koncertin në fjalë. Pas formacioneve kolektive, radha ishte për një soliste në skenë, dhe ajo tashmë dihej, ngadalë me një ecje modeste, nën duartrokitjet e publikut, Erza Muqolli doli në skenë.

La Bohem, Back to Black, Dommage, Je t’aimais je t’aime et je t’aimerai, si dhe Vous etiez la, ishin pesë këngët të cilat Muqolli me zërin e saj magjik i këndoi për publikun në Prishtinë, në hapjen e Javës së Frankofonisë në Kosovë.

Valon Ibraj nga Ambasada e Francës tregoi shkurt për programin e Javës Frankofone në Prishtinë.

“Gjatë muajit Mars në Kosovës, Java e Frankofonisë do të jetë e pasur me një shumëllojshmëri të ngjarjeve, koncerteve, konferencave, filmave, ekspozitave, filma të metrazhit të gjatë dhe të gjatë”.

Sopranoja, Urta Haziraj, e ka quajtur ‘të mrekullueshme’ Erza Muqollin, teksa vlerësoi edhe performancën e saj.

“Erzën e kam përcjell prej audicionit të parë që e ka bërë, Erza është e mrekullueshme dhe sonte na ka kënaq.”

Tutje Haziraj, ka folur edhe për ndjenjat që ka pasur gjatë performancës së saj në korin e të rriturve.

“Në fakt kur je bashkërisht nuk janë emocionet e njëjta sikurse kur je vet, kështu që nuk kisha shumë emocione. Performanca jonë e korit ka qenë shumë më e mirë se në prova, kështu që ishte një ndjenjë shumë e veçantë.”

Ylli shqiptar në ngritje, Erza Muqolli, ka shprehur për KultPlus ndjenjat e saj pas koncertit.

“Koncerti ka qenë shumë i mirë, unë jam kënaqur dhe jam shumë e lumtur dhe mezi s’po pres ta mbaj koncertin tjetër nesër.”

Muqolli ka shprehur mendimin e saj edhe për publikun të cilin e ka vlerësuar si ‘shumë të mirë’, dhe të cilit ia ka theksuar disa detaje.

“Shumë mirë është pritur ky koncert, publiku ka qenë shumë i mirë, të gjithë kanë duartrokitur dhe kanë incizuar e në të njëjtën kohë më kanë bërë të ndihem shumë mirë.

Erza Muqolli, e vlerësoi edhe performancën e koreve, atë të fëmijëve dhe të rriturve. “Ma kanë rrëqeth trupin”, u shpreh ylli francez.

Pjesë e kësaj mbrëmjeje ishte edhe Ambasadorja e Francës, Marie Christine Butel, filozofi Muhamedin Kullashi, filozofi Elvis Hoxha si dhe një numër i madh i personaliteteve të njohura në fushën e kulturës.

Mbrëmja vazhdoi me plotë mysafirë të cilës u afruan për ta bërë ndonjë fotografi me Erza Muqollin, teksa të tjerë po cakërronin gotat në koktejin e organizuar pas përfundimit të koncertit.

Kujtojmë që në kuadër të Javës së Frankofonisë, një nga ngjarjet do të zhvillohet nën organizimin e gazetës online, KultPlus për të cilën do të ju njoftojmë me kohë. / KultPlus.com

Provokim ndjenjash për rreth dy orë nga interpretimet e magjishme në koncertin e Filharmonisë së Kosovës

Qendrim Badalli
Fotografitë: Arben Llapashtica

Një çift rreth të tridhjetave kishte zënë vendin e tyre. Me vete kishin edhe një vajzë të vogël, e cila në duar po mbante një fletushkë. Ishte fletushka e koncertit të Filharmonisë së Kosovës i cili mbrëmë do të fillonte në Sallën e Kuqe në Prishtinë me Orkestrën e Kosovës dhe pesë artistë të huaj, shkruan KultPlus.com

“Mirëmbrëma”, tha në shqip dirigjenti Dariusz Mikulski, pasi doli në pjesën qendrore të sallës. Meqë shqip po e dinte vetëm atë përshëndetje, ai vazhdoi në anglishte të tregonte për pjesët që do luheshin, teksa ndër të tjera tha: “Ka njerëz të fjalëve dhe të ndjenjave, ne artistët jemi njerëz të ndjenjave”, duke paralajmëruar provokim ndjenjash për dy orë të plota.

Para çdo pjese të dhënë në koncert, dirigjenti që gjatë gjithë kohës dukej shumë i disponuar, ndonjëherë prezantonte shkurt pjesët që do luheshin, ndonjëherë jepte ndonjë batutë të shkurt. Dirigjenti Mikulski, teksa mirëpriste artistët e tjerë në skenë, publikut po i kërkonte duartrokitje të forta, të cilat pasonin menjëherë. Në fakt, për të gjithë artistët mysafir nuk munguan as buqetat me lule. Kështu e gjithë mbrëmja kaloi me një atmosferë të ngrohtë dhe energjike.

Nën udhëheqjen e dirigjentit, Dariusz Mikulski, dhe të përcjellë nga Orkestra e Kosovës, artistët e huaj që performuan ishin: Otto Sauter në pikolo trumbetë, Armin Bachmann në trombone, Davide Alogna në violinë si dhe sopranoja Aleksandra Gudzio. Nga ky ansambël artistik, u interpretuan vepra të George F. Handel, Wolfgang A. Mozart, Henryk Gorecki, Enjott Schneider, Gioachino Rossini, Laun Grondahl, Wojciech Kilar.

Në një intervistë për KultPlus, dirigjenti veteran Rafet Rudi, e vlerësoi këtë paraqitje, teksa theksoi dy arsye për vlerësimin e tij:

“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar këto dy vitet e fundit, një për shkak të programit të përgatitur që ishte jashtëzakonisht i vështirë për këtë ansambël, dhe së dyti, më në fund Orkestra doli nga ajo korniza programore e kohëve të fundit, që ka pasur përsëritje, këtu është parë që mundet t’i rreket edhe programeve tjera të mira”.

Rudi përmendi specifikisht Orkestrën e Kosovës për nivelin e tyre të treguar gjatë performancës:

“Mendoj se Orkestra sonte ka qenë në nivel sidomos për shkak të këtij programi të vështirë edhe në kuptimin e materies që është e re për Orkestrën por edhe për shkak të niveli teknik që kanë këto vepra”.

Sopranoja nga Polonia, Aleksandra Gudzio, në një intervistë për KultPlus, shprehu emocionet e saj të para pas përfundimit të koncertit:

“E shijova këtë mbrëmje shumë, më pëlqeu Orkestra e cila performoi jashtëzakonisht mirë dhe audienca po ashtu, unë mezi e prisja mbrëmjen e sotme dhe jam shumë e lumtur që e realizova koncertin këtu.”

Gudzio, pati vlerësim pozitiv edhe për Orkestrën e Kosovës:

“Unë jam këtu që një javë, dhe çdo ditë kemi pasur përgatitje, ata ishin çdo ditë e më të mirë dhe mendoj se janë shumë kualitativ.”

Meqë ishte hera e parë në Kosovë, ajo na tregoi edhe për mendimin e saj rreth vendit dhe njerëzve këtu:

“Është hera e parë që jam këtu. Më pëlqen shumë ky vend, më pëlqejnë shume dhe njerëzit, ju jeni shumë të shoqërueshëm dhe po ashtu keni një histori interesante. Unë vizitova NewBornin dhe Monumentin e Heroinave, që të dyja janë të mrekullueshme.”


Dirigjenti, Dariusz Mikulski, në një intervistë për KultPlus, tha se përmes këtij programi divers kanë shprehu ndjenja:

“Përshtypja ime e parë është që ky koncert ishte shumë i ndryshëm me program divers, si vet jeta njerëzore. Unë po mendoja se çfarë mund të them rreth këtij koncerti dhe thash me vete të flas rreth ndjenjave, të cilat janë natyrale për ne, të cilat i shprehim ne.”

Dirigjenti Mikulski, pati vlerësim të madh për publikun në sallë të cilët i quajti “fantastik”:

“Në fillim unë kisha pak frikë rreth reagimit të publikut por më duhet ta them që ju keni një publik fantastik, dëgjoni me shumë vëmendje,  dhe kjo muzicientëve u jep fuqi të pabesueshme, të jesh më i mirë në skenë, të shfaqësh më shumë ndjenja.”

Kërkesën e kamotshme të  komunitetit artsitik në vend për një sallë koncertale nuk e la pa e cekur as dirigjenti Mikulski, ai e përmendi këtë çështje, por në një formë urimi:

“Çfarë unë do të uroja për muzicientët dhe për Filarmoninë e Kosovës, si dhe më së rëndësishmi për publikun kosovarë, është një sallë e re e koncertit”.

Kur ora shënonte 22:00, publiku po e lëshonte sallën. Dikush nga ta u ndal për ta bërë ndonjë fotografi me protagonistët e mbrëmjes. Teknika po bartej nga salla. Koncerti kishte përfunduar. / KultPlus.com

Koncert i munguar në Kosovë, “Zonjat e kangës” një mbrëmje mrekulli nga Edona Reshitaj



Qendrim Badalli

“Jam shumë e privilegjuar që sonte para jush do të shpalosim një repertor me këngë që janë kënduar nga zërat më të spikatur femëror”, kjo fjali përshëndetëse e thënë nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj, përmblodhi dedikimin e koncertit recital të saj, nderimin e “Zonjave të Kangës” ndër breza, teksa dedikimi personal shkonte për nënë e saj, shkruan KultPlus.

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme.

Dritat u fikën dhe Edona doli në skenë.

Para çdo interpretimi të këngës, Reshitaj u përkujdes ta prezantonte shkurt “Zonjën” e këngës, pra autoren e saj, apo të tregonte ndonjë lidhje emocionale që ajo kishte me të apo këngën e saj. Emocionet e saj kulmuan kur erdhi radha për prezantimin e bilbilit të Kosovës, tashmë të ndjerën, Nexhmije Pagarushën, dhe interpretimin e këngës së saj “Zani i tij më thërret”.

Se Edona Reshitaj nuk është vetëm këngëtare por edhe aktore ishte qartazi e vërejtshme nga performanca e saj. Ajo këndonte me shumë emocione por njëkohësisht interpretimit të saj dukej se po i jepte edhe më shumë peshë vallëzimi i saj pothuajse gjatë gjithë kohës. Lëvizjet ishin të lehta, spontane, por me shumë takt dhe me shije artistike. Gjithçka ishte live, gjithçka po përjetohej. Një pjesë e madhe e publikut ose incizonte ose duartrokiste, ose thjeshtë po lëviznin në vend, një frymë energjike përcolli gjithë koncertin.


E përcjellur nga muzikantët: Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri, Ermal Rodi, Roni Gjura si dhe Rajkard Bardhi, këta dy të fundit mysafir nga Shqipëria, Edona Reshitaj, këndoi këngët emblematike shqiptare si: ‘Fëmija i Parë’ e kënduar nga Vaçe Zela, ‘Zare Trëndafile’ e kënduar nga Tefto Tashko, ‘Fërfëlloi Fëllanxa n’Ujë’ e kënduar nga Fitnete Rexha, ‘Unë ty moj të kam dashtë’ e kënduar nga Marie Kraja, ‘Zani i tij më thërret’ e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, ‘Flokët e Gocës’ e kënduar nga Hanife Sejfulla Reçani, ‘O Zambak i Prizrenit’ e kënduar nga Lirina Cavolli, ‘Doli Goca në penxhere’ e kënduar nga Merita Haliu dhe ‘Moj Zogo/ Shega Guracake’ të kënduara nga Nazmije Hoxha.

Këto qenë nëntë këngët, teksa e dhjeta ishte një moment tjetër.

Kur u bë gati ta këndonte këngën e fundit të koncertit, Edona Reshitaj, u përkujdes që ta falënderonte, Pranvera Badivukun, e cila e kishte kompozuar këngën ” E kujtoj atë takim” si dhe një numër të madh këngësh tjera. Reshitaj, ftoi në skenën edhe koleget e saj, mysafiret speciale të koncertit: Ilire Vincën, Shengyl Ismailin, Rebeka Qenën, Semira Latifin, Qendresa Kajtazin, Edona Spoajn, Rabije Kryeziun, Kaltrine Zenelin si dhe Daniela Markajn. Këto së bashku kënduan dhe i dhanë fund koncertit recital, i cili u duartrokit me minuta të tërë në përfundim të tij.

Në një intervistë për KultPlus, protagonistja e mbrëmjes, Edona Reshitja, shprehu emocionet e saj të para pas koncertit.

“Po ndihem shumë e lumtur që e realizova këtë koncert. Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme, kam punuar shumë gjatë për këtë projekt. Jam shumë e lumtur që muzikën që e ndjeja se e kam lënë anash e riktheva me një projekt të madh dhe me një kastë të mrekullueshëm të muzicientëve dhe me një kauzë të rëndësishme siç ishte kjo për nderimin e “Zonjave të Kangës”.

Reshitaj, ka treguar shkurt edhe për vlerësimin e të tjerëve dhënë asaj për koncertin që veç sa e kishte përfunduar.

“Komenti i të gjithëve ishte ‘na ke kënaq’, thash me vete po ndihem shume mirë, sepse ndihem njëmend shumë mirë prej Zotit që ma ka dhënë këtë mundësi që t’i kënaqi të tjerët, t’i bëjë të lumtur dhe ky profesion është human pikërisht për këtë punë”

Shengyl Ismaili, në një intervistë për KultPlus, e ka quajtur fantastike Edona Reshitajn.

“Jam ndje shumë mirë që isha pjesë e këtij koncerti, me muzicientë kaq të përzgjedhur dhe me një soliste dhe këngëtare kaq fantastike siç është Edona.”

Ajo foli edhe për performancën e saj në këngën e fundit.

“Për mua ishte hera e parë që dola në grup për të kënduar dhe kisha frikën sa mos e dëmtoja Edonën, por gjithçka shkoi me suksese”.

Pas përfundimit të koncertit, mes shumë vlerësimesh, Edona Reshitaj po e përfundonte ‘natën e saj’ me shumë fotografi e përqafime me miq e të pranishëm aty. / KultPlus.com

Koncerti i Agron Shujakut e Ledian Shalës, mbrëmë solli perlat e kompozitorëve botërorë


Qendrim Badalli

Përvoja e Agron Shujakut si dhe entuziazmi dhe talenti prej të riut të Ledian Shalës, u gërshetuan mbrëmë në koncertin duo pianistik të dhënë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

Një numër i konsideruar i të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe fëmijët ngase aty po luante edhe një bashkëmoshatar i tyre, dëgjuan interpretimin e Shujakut dhe Shalës të cilët luajtën veprat më të popullarizuara të Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma për rreth një orë.

Agron Shujaku, në një intervistë për KultPlus, ka folur rreth përgatitjeve për koncertin si dhe për arsyen se pse ky koncert u realizua në Prishtinë.

“Për këtë koncert kemi pasur përgatitje katër-pesë muaj intensiv. Unë e kam realizuar këtë program edhe më herët por me një pianist tjetër, dhe atëherë nuk kishim mundësi ta realizonim në Prishtinë, prandaj këtë herë e kam pa të nevojshme ta kurorëzojmë në Prishtinë”.

Ai, tutje ka treguar edhe sfidat e muzikës klasike dhe përgjithësisht botës së artit në Kosovë.

“Problemi më i madh në Kosovë është te mungesa e sallave, mungesa e mbështetjes për aktivitetet të tilla, sepse ne e dimë që muzika klasike ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme.”

Shujaku, e ka përmbyllur prononcimin duke dhënë një vlerësim për publikun aty si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut profesional në këto aktivitete.

“Mbështetja e publikut është gjithmonë e nevojshme, sidomos e atij profesional sepse ai e bënë barometrin të performancës dhe është njëfarë rregullatori joformal i interpretimeve skenike”.
 
Ky koncert ka përfunduar nën duartrokitjet e forta si shenje vlerësimi për performancën e tyre./ KultPlus.com

Prishtina BIG BAND sonte me një koncert unik në Prishtinë

Për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Kosova Brass Festival dhe Armata organizon koncertin me Prishtina BIG BAND, shkruan KultPlus.

Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, ky koncert do të sjell në skenë emra të njohur të muzikës.

Prishtina BIG BAND përbëhet nga:

Seksioni / Saksofon

Dukagjin Muhaxheri – Alto Saksofon 1
Kushtrim Rexhepi – Alto Saksofon 2
Arian Randobrava – Tenor Saksofon 1
Dardan Gjinolli – Tenor Saksofon 2
Ermal Rodi – Bariton Saksofon

Seksioni / Trumpet

Avni Krasniqi – Trumpet 1
Ardit Pira – Trumpet 2
Krenare Zariqi – Trumpet 3
Anda Krelani – Trumpet 4

Seksioni / Trombon

Betim Krasniqi – Trombon 1
Rejhan Rexha – Trombon 2
Donat Krasniqi – Trombon 3
Fatbardh Dubovci – Trombon 4

Seksioni / Ritmi

Ilir Bajri – Piano
Visar Kuçi – Gitarë
Fatlind Ferati – Bass
Nesim Maxhuni – Bateri
Armend Xhaferi – Gitarë & Dirigjent

Koncerti mbahet sonte, nga ora 20:00 në Kino Armata. Hyrja është e lirë. / KultPlus.com



Artisti Orges Toce me koncert në Vjenë, i dedikohet komunitetit shqiptar

Orges Toce është një artist fantastik që tash e disa vite bën muzikë shqipe në Austri, shkruan KultPlus.

Para një muaji, Orges e ka promovuar CD-në e tij të titulluar “Peshk” në një prej vendeve më të mira në Vjenë.

Kësaj radhe, Orges vjen me një koncert dedikuar krejtësisht komunitetit shqiptar në Austri.

Sipas organizatorit Ermal Vejsa, 17 këngët që përfshihen në albumin “Peshk” janë unike.

Të gjitha të hyrat nga koncerti do të shkojnë për grupin Orges & the Ockus Rockus band!

Organizata KÂ, organizon këtë koncert me qëllimin e mirë për të përkrahur këtë bend fantastik. 

Koncerti mbahet më datë 15 shkurt, duke filluar nga ora 21:00 në COCO Bar në Vjenë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/2601159873330347/

http://www.porgy.at/?fbclid=IwAR2L5BHeTU0ad7eA6Qai_tddPa4zt0eMyXV2OKsDfOzf2Sxrdz9OCEx1n24

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ me koncert në Vjenë për nderë të Pavarësisë së Kosovës

Këshilli Koordinues në përkrahje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Europahaus organizojnë koncert në Vjenë për nder të pavarësisë së Kosovës me një nga grupet më të njohura dhe unike në Shqiptari, shkruan KultPlus.

Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ do të performojnë muzikën tonë të vjetër në stilin e tyre ‘jazz’, ka njoftuar Ermal Vejsa për KultPlus.

Koncerti mbahet më datë 7 shkurt, prej orës 20:00 në Tunnel Vienna Live, Florianigasse 39, 1080 Wien. / KultPlus.com



Hava Bekteshi me çifteli në koncertin e madh në Gjermani

Instrumentistja shqiptare Hava Bekteshi e cila po zhvillon karrierë në arenën ndërkombëtare, ka arritur të jetë pjesë e një koncerti të madh në Gjermani, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për koncertin “Stadtlied” në Elbphilharmoninë e Hamburgut, në të cilin ajo ka marrë pjesë si instrumentiste e çiftelisë dhe si këngëtare. Bekteshi gjatë workshopit që u mbajt aty, u admirua nga stafi pasi performoj një pjesë me çifteli, po ashtu Milaim Islami e shkroi një tekst për të në të cilin përshkruhet e kaluara e saj që nga mërgimi e deri te arritjet në muzikë.

Ai këtë këngë e emëroi “Tingëllon teli i çiftelisë” nën kompozimin e melodisë nga Fatmir Makolli. Teksti është përkthyer në gjuhën gjermane dhe i njëjti tani gjendet në mediatekën e Elbphilharmonisë të Hamburgut.

Përveç këngës që e ka performuar ajo, ka kënduar edhe këngë tjera, e madje ka luajtur edhe në instrumentin e kitarës. Instrumentistja shqiptare pati vëmendje pas performancës me çifteli, andaj edhe u zgjedh nga stafi i njërit prej televizioneve më të shquara gjermane “RTL-Nord” si protagonistja kryesore, ndërsa më pas asaj i është bërë edhe një portret për pjesëmarrjen e saj me instrumentin e çiftelisë.

Në koncert kanë qenë 100 pjesëmarrës, dhe jo të gjithë pjesëmarrësve u dha mundësia të performojnë aty. Duhet theksuar se ky koncert është i madh në Gjermani, aty ka pasur ushtrime përmbi gjysmë viti me të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti shquhet për programin e pasur që ka, ku hyn edhe muzika klasike.

Instrumentistja Hava Bekteshi po vazhdon të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, me lojën e saj në instrumentin e çiftelisë të cilin po e bën të njohur në botë, sikurse kulturën tonë në përgjithësi. Ajo do të marrë pjesë edhe në koncerte tjera të mëdha. /KultPlus.com

https://www.facebook.com/eva.isetbek/videos/10221623984287732/UzpfSTExOTc0MDQwODY6MzA2MDYxMTI5NDk5NDE0OjEwOjA6MTU4MDU0Mzk5OTo0ODIyNjMyNjc3MDEyNTE2MDI5/

Erza Muqolli në muajin mars me performancë në Prishtinë

Koncertin e parë në Kosovë Erza Muqolli e mbajti në muajin korrik të vitit të kaluar në kuadër të eventit “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus.

Por, mbresat që Erza la në atë mbrëmje kanë bërë që ky të mos jetë koncerti i saj i vetëm në Kosovë.

Kësaj radhe, këngëtarja e njohur shqiptare e cila karrierën e saj po e zhvillon në Francë, do të performojë në muajin mars në Prishtinë në kuadër të Muajit të Frankofonisë.

Babai i saj, Mehmet Muqolli ka konfirmuar për KultPlus duke treguar që pas koncertit të parë në bashkëpunim me KultPlus, kjo ishte një tjetër ftesë të cilën ata e mirëpritën me kënaqësi.

Hapja e Muajit të Frankofonisë do të bëhet me këngëtaren franko-kosovare Erza Muqollin, koncerti i secilës do të mbahet më datë 5 mars.

Erza Muqolli është duke mahnitur me suksesin e saj. Pas publikimit të albumit të parë, ajo është duke zhvilluar një tur. Kujtojmë që në këtë album Erza këndon edhe në gjuhën shqipe. / KultPlus.com

“Pianisti i Ri” dhe “Melody” organizuan masterclassin me Adilia Alievën

Qëndrim Morina

Pas tre ditësh intensive dhe shumë produktive të masterclassit me Dr. Adilia Alieva mbaruan aktivitetet në koncertin që u mbajtë në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.com.


Kjo masterclass e udhëhequr nga pianistja Adila Alieva u realizua në bashkëpunim me International Piano Competition “Pianisti i Ri”-“The Young Pianist”-Kosovo dhe Shkolla e Muzikes, Artit dhe Baletit “Melody” në Prishtinë.


Gjatë tre ditëve të masterclassit, nxënësit u sprovuan me teknika dhe metoda të reja, të cilat do t’u shërbejnë për një formësim sa më të mirë në piano.


Pianistja e njohur, Dr. Adila Alieva tha që ka qenë kohë e shkurtër për këtë organizim, por që është e kënaqur me njerëzit e interesuar për të qenë pjesë e këtij masterclassi.


“Ka qenë kohë e shkurtër, por që kemi punuar shumë dhe ajo që më rëndësi që ka pasur shumë njerëz të interesuar për të qenë pjesë e këtij masterclassit dhe për të mësuar gjëra të reja”.


Älieva gjithashtu se gjatë këtij masterclasi ka zbuluar shumë sekrete pianistike.


“Kam zbuluar shumë sekrete pianistike dhe mendoj që në të ardhmen do të jetë edhe më mirë sepse është detyrë e jona që dijen ta shpërndajmë dhe se për këtë ekzistojmë”, përfundoi ajo.


Yllka Shyti nga Shkolla e Muzikes, Artit dhe Baletit “Melody” si organizatore, tha se ka qenë previlegj që kjo shkollë ka qenë pjesë e këtij masterclassi të udhëhequr nga një profesoreshë si Adilia Alieva.


“Për ne, si shkollë e muzikës, artit dhe baletit ka qenë një previlegj që me qenë pjesë e një aktiviteti të tillë të udhëhequr nga një profesioniste si zonja Alieva, e cila konsiderohet si një nga pianistët më të mira të shekullit të fundit”.


Organizatori tjetër, Agron Shujaku nga “Pianisti i Ri” tha se kemi pasur fatin që ta kemi prezente Dr. Adilia Alieva.


“Kemi pasur kënaqësinë dhe fatin që kemi pasur anëtar jurie vitin e kaluar dhe kemi biseduar që të organizojmë edhe një masterclass të tillë, për herë të parë me një afat tre-ditor, ku nxënësit mësuan shumë”.


Shujaku tha gjithashtu se nuk kanë pasur ndonjë mbështjetje insitucionale, për shkak të organizimit të shpejtë, por që gjithcka ka shkuar përmes participimit të nxënësve.


Me gjithë këtë Masterclass u ndan të kënaqur të gjithë nxënësit dhe që këto teknika do të jenë fitimprurëse. Nxënësja Arba Gashi tha se do t’i përfill të gjitha ato mësime të marra nga Adilia Alieva.


“Më ka pëlqyer shumë se si na ka mësuar profesoresha dhe do t’i praktikoj të gjitha ato që na ka sugjeruar”, tha ajo.


Krejt në fund Dr. Adilia Alieva ndau diploma për të gjithë nxënësit pjesëmarrës./KultPlus.com

“Tri Zanat” dhuruan performancë të jashtëzakonshme mbrëmë në Kamerfest


Qendrim Badalli

Kamerfesit mbrëmë i ka takuar “Zanave”. Tri artistet që performuan mbrëmë ishin me një emër por jo edhe me një shije dhe kolorit. Në fakt, pikërisht se secila prej tyre ishte në një pozicion ndryshe, një fakt ky dhe bazë e mjaftueshme që publiku të dëgjonte tinguj pianoje, flaute si dhe zërin e çlirët dhe të pastër të sopranos Zana Abazi-Ramadani, e cila qe e përcjellur nga pianistja Zana Badivuku- Basha dhe flautistja Zana Abazi, shkruan KultPlus.

Salla ishte e mbushur, ndërsa në skenë arriti ansambli që do të performonte aty. Ata u pritën me duartrokitje të pasuar me një heshtje si shenjë përgatitje për fillimin e koncertit. Veprat të ndryshme të huaja, të interpretuara nga artistet në fjalë përshëndeteshin vazhdimisht, por kulmimi i emocioneve dhe duartrokitjeve erdh kur sopranoja Zana Abazi-Ramadani nën përcjelljen e artisteve tjera, filloi interpretimin e këngës “Valsi i Lumturisë”.  Çdo i dyti mysafir ishte me telefon në duar, duke incizuar apo fotografuar. Momentet që ajo dhuroi gjatë asaj performance nuk mjaftonin vetëm që të shijoheshin, ato duhej të ruheshin.

E gjithë mbrëmja ka kaluar nën një atmosferë shumë relaksuese dhe pozitive. Formacioni artistik, përveç anës profesionale ka arritur që tek publikun të transmetonte edhe një energji pozitive dhe të krijonte një klimë miqësore që në fakt ishte edhe një nga  veçantitë e kësaj mbrëmje.

Siç ndodh zakonisht, mbrëmja u mbyll me shumë fotografi dhe shkëmbime mendimesh rreth asaj performance, ku vërehej se të gjithë ishin të kënaqur.

Sopranoja, Zana Abazi- Ramadani, ka thënë se programi që kanë pasur nuk ka qenë i lehtë.

“Me të vërtetë ka qenë mjaftë i vështirë, ka epoka të ndryshme dhe secila epokë, secila këngë, secila vepër e ka stilin e vet dhe duhesh t’i përshtatesh stilit të saj. Duhesh të jesh vazhdimisht në formë në mënyrë që të performosh në çdo moment”.

Ajo tutje ka folur për vështirësitë që krijon mungesa e një salle koncertale në Kosovë.

“Me të vërtetë kjo biseda për sallën është bërë si traditë të diskutohet mirëpo, nëse nuk kemi salla si duhet atëherë edhe për neve si instrumentistë dhe si artistë e kemi më të vështirë t’i realizojmë interpretimet tona”.

Zana Abazi,  tha se është ndjerë e nderuar që ka ndarë skenën me dy artistet tjera.

“Ka qenë privilegj shumë i madh për mua që ta ndaj skenën me dy profesioniste si profesoreshën Zana Badivuku dhe profesoreshën Zana Abazi-Ramadani. Një mundësi shumë e mirë për mua që më është ofruar nga profesoresha Sihana Badivuku”.

Më pas, shkurt ka treguar edhe për përzgjedhjen e programit.

“Përzgjedhja e veprave është bërë në bashkëpunim me drejtoreshën e festivalit, ndërsa trion që e kemi luajtur së bashku tri zanat, ka qenë vepër e aranzhuar nga profesori Edon Ramadani”.

Pianistja, Zana Badivuku-Basha ka folur pak për organizimin si dhe për provat që kanë pasur së bashku para performimit.

“Mendoj se kemi qenë një ansambël i mirë, jemi përshtatë mirë. Provat i kemi mbajtur dy-tri javët e fundit, jo shumë por mjaftueshëm sa për ta realizuar një koncert, do të ishte mirë që ta vazhdonim këtë bashkëpunim”.

Pianistja Lejla Pula e ka vlerësuar si “shumë të bukur” mbrëmjen e djeshme.

“Ishte një mbrëmje shumë e bukur. Vërtetë jam shumë e lumtur që jemi dëshmitarë që artistët tanë punojnë pa pushim dhe përparojnë gjithnjë e më shumë. Ishte një përshtypje e jashtëzakonshme artistike”.

Ajo ka zgjedhur fjalë të mëdha për sopranon Zana Abazi-Ramadanin.

“Është një prej sopranove më të mira që ne kemi dhe me të cilën ne mund të mburremi vërtetë dhe mendoj se ne duhet të gjejmë rrugë që këta artistë të kemi rastin dhe t’i shfaqim edhe jashtë kufijve të Kosovës”.

Festivali Kamerfest 2019 që po zhvillohet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, do të vazhdojë edhe netëve të tjera me aktivitetet të ndryshme artistike teksa edhe KultPlus do të vazhdojë t’i mbajë të informuar lexuesit e tij. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës premton koncert madhështor nesër mbrëma

 Bujar Meholli

Filharmonia e Kosovës mbajti sot një konferencë ku u shpalosën detaje për koncertin e parë të Korit të Filharmonisë për sezonin 2019/2020, shkruan KultPlus.

Ky koncert do të jetë padyshim shumë interesant, nën dirigjimin e spanjollit Fernando Briones i cili ishte prezent në konferencë bashkë me drejtorin e Filharmonisë, Baki Jasharin dhe kompozitorin Hajrullah Syla.

Për koncertin foli fillimisht Baki Jashari i cili tregoi se do të interpretohen vepra korale botërore dhe vepra korale të vendit. Gjithçka që do të interpretohet nesër në ambientet e Kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë do të jetë premierë. Jashari nuk e la pa e përmendur edhe një problem të vjetër të Filharmonisë, mungesën e një salle adekuate për t’i zhvilluar performancat artistike.

“Pas koncertit të parë inaugurues, ne jemi në prag të koncertit të radhës me korin profesional të Filharmonisë”, tha Jashari në hapje të konferencës.

“Koncerti mbahet në Kishën katolike meqë nuk kemi ende sallë koncertale adekuate, aq më tepër që për këso koncerte korale nevojitet një akustikë tejet e veçantë, një jehonë e caktuar për të pasë sukses në realizimin e koncertit vokal. Pra, meqë na mungon ajo sallë për të cilën flasim vazhdimisht ne kemi zgjedhur këso hapësira të cilat shfrytëzohen edhe nëpër botë për koncerte të tilla, potencoi ai.

Ndërkohë, dirigjenti spanjoll Briones u shpreh mjaft i lumtur që i është dhënë mundësia për të qenë në Prishtinë.

“Është gjë e bukur të jem këtu me ju. Jam i ngazëllyer për këtë koncert i cili vërtet do të jetë madhështor”, tha ai, duke vazhduar “Falënderoj Baki Jasharin e Hajrullah Sylën si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, dhe ju ftoj që të vini nesër në koncert dhe ta shijoni atë” përfundoi spanjolli.

Edhe kompozitori Syla, u shpreh i kënaqur për këtë koncert. Ai mes tjerash tha se adhuruesit e muzikës korale nesër do të kenë mundësi që të dëgjojnë veprat e kompozitorëve bashkëkohor.

“Jam shumë i lumtur për bashkëpunimin me PriFest. Bashkë kemi arritur të sjellim koncerte të mira. Programi i nesërm është i larmishëm me kompozimet e kompozitorëve bashkëkohor”, tha Syla duke theksuar se nesër pret një interesim të madh nga publiku.

Koncerti i cili realizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit do të nis nesër mbrëma nga ora 20:00 në Kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë dhe kështu do të shënoi mbrëmjen përmbyllëse të edicionit të dytë të këtij festivali. /KultPlus.com

Pas 10 vitesh, Dren Abazi i dhuron Prishtinës një koncert nën yje

Rrona Jaka

Nën yjet e parkut të Gërmisë, është promovuar albumi i  ri i këngëtarit Dren Abazi.

I veshur në të bardhë e më kitarë të kuqe, Abazi e ka shndërruar në festë këtë koncert, duke na dhuruar disa këngë të jashtëzakonshme, që të kujtojnë dashuritë më të zjarrta si dhe trishtimet më të thella. – shkruan Kultplus.

“Po shënojmë dhjetëvjetorin e Zig Zak Orkestrës dhe po e promovoj albumin e ri, me këtë koncert për realizimin e të cilit, kanë kontriubuar shumë njerëz” –  ka thënë Dren Abazi për Kultplus.

Me këngë të reja e të vjetra festa është bërë gjithnjë e më madhështore. Trumbetat dhe kitara rrisnin adrenalinën teksa publiku nuk zinte vend në karriget e tyre.

Teksa i gjithë publiku i është bërë BackVocal, Abazi ka kënduar këngë të vjetra me të cilat të gjithë jemi rritur si: “O moj ti me sytë e zi”, “Jorgjica”, “I dehur jam” e shumë e shumë të tjera.

I pyetur nga KultPlus se si e ka zgjedhur titullin e albumit, Dren Abazi është përgjigjur gjithë gaz.

“Ky album mban titullin e këngës më të panjohur, ndoshta ishte një tendencë për t’i dhënë pak më shumë hapësirë kësaj kënge.”

Ndonëse këngët e reja ishin ende të panjohura për publikun këngët si “Mbreti i natës”, “Lamtumirë” e “Pa frymë” janë kënduar thuajse Acapella, ku zëri entuziast i audiencës dominonte mbi muzikën.

“Sonte qenka shumë më nxehtë, s’po bjen shi, po edhe në raftë le ta mirëpresim” ka thënë Abazi teksa e ka ftuar të gjithë audiencën që të kënaqen me koncertin e shumëpritur.

Ai nuk ka harruar t’i falënderojë përzemërsisht të githë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për realizimin e këtij koncerti madhështor.

“Në këto momente emocioni, dua t’i përmend të gjithë e t’i falënderoj përzemërsisht por ndoshta e harroj ndokënd. Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e madhe të Komunë së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe gjithë sponsorëve të tjerë.” ka sqaruar Dren Abazi

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët më të suksesshëm dhe më të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërkaq përmes këtij koncerti sonte u rikthye fuqishëm në Prishtinë pas disa viteve./KultPlus.com

Merita Halili me koncert në Prishtinë

Festa e 4 korrikut do të nderohet me tri koncerte të ndryshme, në tri qytete të ndryshme, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan KuptPlus.

Ditën e parë, me 3 korrik koncerti do të mbahet në Shkup, në Çarshinë e Vjetër.

Kurse ditën tjetër koncerti do të mbahet në Ferizaj në sheshin Adem Jashari.

Festa do të përfundojnë në ditën e tretë ku do të mbahet koncert në Prishtinë, në orën 10:00 te Fakulteti i Arteve të Bukura

Në koncertet për festen e pavarësisë së SHBA-së do të performojnë Merita Halili dhe Raif Hyseni/KultPlus.com               

Më 4 korrik koncert humanitar në Prizren

Prizreni për Murrlanin! titullohet koncerti humanitar, i cili do të organizohet në Prizren më 4 korrik dhe në të cilon do të performojë reperja e njohur Tayna. Koncerti nuk ka karakter komercial, por për të ndihmuar shërimin e 15 vjeçarit nga Prizreni, Murrlan (Alban) Asllani, i cili pësoi lëndime serioze në boshtin kurrizor në qershor të këtij viti dhe pas operacionit po shërohet në Shqipëri.

Në kënaqësinë e fansave, në koncert do të performojë reperja Tayna. Koncerti do të mbahet më 4 korrik në ambientet e Kinemasë Lumbardhi në Prizren, me fillim prej orës 21.00. Çmimi i biletës është 10 euro dhe numri i biletave është i kufizuar. Të gjitha të hollat e grumbulluara do të përdoren për shërimin e mëtutjeshëm të Murrlan Asllanit me shpresë që do t’i mundësohet shansi për një jetë normale dhe të pavarur pas fatkeqësisë të cilën e pësoi.

Në Prizren dhe në koncert me reperen Tayna do të jenë çaste të bukura, por edhe manifestim humaniteti duke ndihmuar Murrlanin që të vazhdojë ëndrrat e rinisë… Biletat do të jenë në shitje më 4 korrik, në hyrjen e Kino Lumbardhit.

Koncert madhështor nga Filharmonia e Kosovës, në qendër të Prishtinës

Në objektin e Komunës së Prishtinës, u mbajt konferenca për media në të cilën u shpalosën detaje rreth koncertit të madh që fillon sonte nga ora 20:00. I pranishëm ishte edhe dirigjenti i famshëm nga Japonia Toshio Yanagisawa, i cili tha se është i kënaqur që ndodhet në këtë ngjarje kaq të madhe. Ai foli edhe për Betovenin, të cilin e cilësoi si kompozitor të përbotshëm, e falënderojë të gjithë për punën dhe bashkëpunimin. Dirigjenti Baki Jashari foli gjerësisht rreth koncertit dhe organizimit të tij. “Do të jetë një koncert madhështor me mbi 110 performues që do të ngjiten sonte në skenë. Si përfaqësues i Filharmonisë, falënderoj Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti me stafin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të kësaj ideje“, tha Jashari fillimisht duke vazhduar “ky koncert me përmasa të tilla po organizohet pikërisht në 20 vjetorin e çlirimit dhe ndërhyrjes së NATOS që është e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. Filharmonia e Kosovës ka kohë që ka menduar ta sjell veprën grandioze të kompozitorit të madh Betoven Simfoninë nr. 9, në një datë të veçantë dhe vendosëm për këtë datë. Më herët nuk kemi organizuar diçka të ngjashme me këtë sonte, prandaj jemi të entuziazmuar. Komuna na ka ndihmuar për ta vendosur atë skenë të madhe dhe presim një mbrëmje të paharruar“.

Në këtë ngjarje pritet të jenë të pranishëm mbi 1500 njerëz, dashamirës të muzikës klasike. Për veprën e Betovenit dhe tekstin e poetit gjerman Fridrih Shiler u fol gjatë kësaj konference, ku u potencua se teksti i Shilerit dhe kompozimi i Betovenit proklamojnë paqen kudo nëpër botë. Edhe mezosopranoja Vikena Kamenica, e cila do të jetë pjesëmarrëse në këtë koncert tha se ndihet e lumtur dhe e emocionuar të paraqitet sonte në Prishtinë. “T’i rikthehemi veprës së Betovenit është gjë e bukur, në shtetin e Kosovës, në sheshin me simbolikë të madhe. Gjithçka është menduar mirë dhe pritja është e jashtëzakonshme për një koncert ashtu siç shteti kosovar e meriton. Betoveni është mbreti, ashtu më pëlqen ta them, janë të tërë instrumentet dhe në fund fare futet dhe vokali për ta bërë akoma më madhështore paraqitje. dhe për t’i vënë atë pikën e bukur dhe efektin e madh” u shpreh ajo. Baritoni Armando Likaj, tha se ndjehet i privilegjuar që do ta shkel sonte skenën e madhe prishtinase. “Jam i privilegjuar ta ndaj skenën me Vikenën dhe gjithë të tjerët. Falënderoj maestron Toshio, i cili ka bërë punë të madhe në detaje, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Por me dashamirësi dhe forcë të palodhur ajo u realizua. Falemnderit edhe orkestrës e cila është e mrekullueshme” përfundoi ai. Koncerti do të fillojë nga ora 20 dhe pritet të ketë interesim të madh. / Bujar Meholli/ KultPlus.com

Tenori Tusha nis “Natën Europiane” në Elbasan

Një mbrëmje fantastike në një nga ambientet më të bukura të Elbasanit mbushi me tingujt e muzikës dhe zërin e mrekullueshëm të tenorit Kastriot Tusha muret mijëra vjeçare të kalasë.

I lindur dhe rritur ne Elbasan, Kastriot Tusha mori një emocion të veçante, jo vetëm nga publiku i ngrohtë, por sepse që sot ai vjen si qytetar nderi i këtij qyteti.

“U ndjeva shumë mirë për respektin që më është bërë nga qyteti i vendlindjes. Një qytet vërtetë i mrekullueshëm. Ndjehem krenar që kam lindur këtu. Një mbrëmje që u bë enkas për këtë publik dhe për surprizën që më bënë”, tha Kastriot Tusha.

“‘Nata Europiane’ është një udhëtim muzikor, i cili është vazhdimi i projekteve që kemi filluar me Kastriotin. Një shpresë më shumë. Është një projekt ku mbi të gjitha të ardhurat e mbledhura edhe na projektet e tjera, shkojnë për bamirësi”, tha Zeqir Tulkuqi, violinist.

Muzikantë të vjetër e të rinj, breza të tërë të rritur me kulturën e një  qyteti plot tradita, nuk mund t’i mungonte kësaj mbrëmje zërat e mrekullueshëm të Ulpiana Aliajt dhe të të madhit Mehdi Zena.

Gruaja e ish-presidentit francez sonte do të këndojë për shqiptarët në Butrint

Në Ditën e Festës së Muzikës, kantautorja dhe modelja e njohur, Carla Bruni do të këndojë mbrëmjen e sotme në teatrin e vjetër të Butrintit.

Bashkëshortja e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, ka zgjedhur t’i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar me albumin e saj më të fundit, 11 këngë në teatrin e parkut kombëtar, një nga objektet arkeologjike më të rëndësishme të trashëgimisë tonë dhe asaj botërore.

“Përshëndetje të gjithëve në Shqipëri. Doja t’ju thoja që quhem Carla Bruni e që do të këndoj për ju Ditën e Festës së Muzikës, në teatrin e vjetër të Butrintit në orën 21:00 dhe shpresoj që do të jeni atje”, është shprehur kantautorja.

“French touch” (Prekje franceze”, është albumi i pestë të cilin Carla Bruni e hodhi në treg në vitin 2017. Kopjet e shitura të gjithë krijimtarisë së saj kapin shifrën e 5 milionë albumeve.

Bruni është vlerësuar si një nga gratë më të rëndësishme në botë nga revista “Forbes” në vitin 2010.

https://www.facebook.com/pg/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/

Alban Skënderaj dhuron spektakël në Prishtinë: Faleminderit që ishit pjesë e kësaj ëndrre

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Alban Skënderaj, mbrëmë (e mërkurë) ka mbajtur koncertin solistik në sallën “1 tetori” në Prishtinë. Koncerti “Hapësira e një ëndrre”, me mbi 20 materiale muzikore të përgatitura enkas për publikun, ka mbledhur afro 3.000 fansa.

Gërshetimi midis rrymave të ndryshme të muzikës, përfshirë pop, RnB dhe i kombinuar me muzikën klasike – simfonike e me orkestër të mirëfilltë nga Kosova dhe Shqipëria, ka bërë që ky koncert të jetë akoma më i veçantë.

Recitali, i cili ka zgjatur mbi dy orë erdhi me disa elemente të reja, me këngë mjaft të veçanta e me një atmosferë të mrekullueshme.

“Jam super i emocionuar sonte, më shumë se kurrë, emocionet nuk mund t’i kontrolloj si asnjëherë tjetër. Jam shumë mirënjohës që sonte jam këtu. Është me të vërtetë realizimi i një ëndrre dhe faleminderit që jeni bërë pjesë e saj. Faleminderit për këto momente. Ne shqiptarët kemi nevojë për më shumë dashuri dhe po mundohem që me gjithë zemër t’ju ofroj dashuri. Arti nuk është luks, është një gjë esenciale, arti është ai që na emocionon, na bën të jemi më të mirët si në familje, si në punë dhe si në shoqëri. Arti është kudo”, nis koncertin këngëtari Skenderaj.

“Është një nga rekordet më të mëdha të jetës time, nuk është presion fare vetëm se po më dridhen pak këmbët”, thotë më tej Albani.

Këngëtari nis prezantimin e këngëve të tij dhe për secilin projekt jep një mesazh domethënës para performancës. Natyrisht, gjatë këtij koncerti nuk munguan as befasitë e artistit për fansat, derisa i përshëndeti, bisedoi me ta apo i solli edhe në skenë për të kënduar.

I njëjti solli edhe një moment të rëndësishëm gjatës natës së mbrëmshme, ku bashkë me këngën “Mirë se vjen në shpirtin tim”  në ekran u paraqit edhe klipi”Ti Barabartë unë”, projekt ky  i cili ka qëllim sensibilizimin e shoqërisë, integrimin e personave me aftësi të kufizuar si dhe socializimin e tyre.

Para performancës, ai ka dhënë një mesazh motivues për të gjithë ne: “Kjo video e sinkronizuar tregon se gjithmonë mund të gjesh një rrugë”.

37-vjeçari po ashtu gjatë kësaj mbrëmjeje ka zbuluar edhe një sekret për publikun, ndërkohë që në skenë u shfaq gruaja e tij këngëtarja, Miriam Cani

Çifti që u martuan muajin e kaluar, në momentin që po këndonin “Dhurata”, këngën e dedikuar vajzës së tyre, Amelia bënë të ditur se do bëhen prindër për herë të dytë.

Nga ana tjetër, përveç befasive të këngëtarit, në fund nuk munguan edhe ato nga fansat e tij, të cilët me pankarta në duar, e falënderuan kantautorin shqiptar.

“Prishtinë ju dua me zemër, faleminderit të gjithë juve që ishit të pranishëm”, janë fjalët që tha në fund Skenderaj.

“Hapësira e një ëndrre” e ka kompletuar karrierën e muzikantit dhe nuk ka dyshim se kjo përmbledhje përkon me të arriturat e shumta në muzikë. Albani jo vetëm që realizoi ëndrrën e tij, por edhe të mijëra fansave me spektaklin që dhuroi në Prishtinë. /Telegrafi/

U rikthyen pas 30 viteve në skenën e Prishtinës, grupi “Gjurmët” lan gjurmë në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës

U rikthyen pas 30 viteve në skenën e Prishtinës, “Gjurmët” lan gjurmë në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës me koncert

Gjurmë në festën e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës la edhe grupi “Gjurmët” me koncertin e shumëpritur, i cili u mbajt në sallën 1 Tetori, shkruan KultPlus.

Pas mikpritjes shtetërore që i bëri ish-presidentit amerikan Bill Clinton, Prishtina vazhdoi festën me muzikë live në koncertin e grupit “Gjurmët”. Festa ka filluar me falenderime të zjarrta nga udhëheqësi i grupit Gjurmët, zotëri Migjen Kelmendi, i cili është shprehur para publikut që është i nderuar të mbajë koncert në ditën kur Kosova feston 20-vjetorin e çlirimit dhe të hyrjes së trupave paqeruajtës të KFOR-it dhe NATO-s.

Ai bashkë me mysafirët e tij të shumtë u ka dhënë të pranishmëve një shfaqje të jashtëzakonshme, që padyshim do të lërë gjurmë në kujtesën e tyre. Pjesë e këtij koncerti kanë qenë shumë artistë të mirënjohur të estradës muzikore në Kosovë e Shqipëri. Dukagjin Lipa, Xuxi, Kastro Zizo, Shpat Deda, Tumor Kuçi, Elina Duni, Genc Saliu dhe Edona Vatoci kanë qenë ndër emrat që kanë kënduar përkrah Gjurmëve, duke sjellë hitet e tyre të pavdekshme.

Në këngë me ta është bashkuar edhe publiku, i cili ndonëse i ri në moshë, i njihte të gjitha tekstet e këngëve monumentale të grupit. Koncerti ka pasur edhe muzikë me karakter kombëtar e patriotik, interpretuar nga grupi Polifonik.

Pjesë e back-vokaleve kanë qenë artistet: Jehona Lumi, Florent Abrashi dhe Donika Rushiti. E pyetur nga KultPlus, Lumi ka treguar punën e gjatë dhe të palodhshme që kanë bërë në prova. “Kur e kujtojmë që do të bëjmë koncert në një ditë feste, po na ikën lodhja” ka treguar Lumi./Rrona Jaka/KultPlus.com