Rita Ora niset për Tiranë (FOTO)

Sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë, për të performuara para shumë shqiptarëve do të jetë e famshmja nga Kosova Rita Ora, shkruan KultPlus.

Ajo para pak minutash ka publikuar disa fotografi nga aeroporti i Londërs, ku tregon se është nisur për në Tiranë, aty ku sonte do të mbajt koncertin e shumëpritur nga shqiptarët./ KultPlus.com


https://www.instagram.com/p/Bjj28LRn1_e/?hl=en&taken-by=ritaora

Rita Ora me energji të jashtëzakonshme në Paris (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Rita Ora po ecën nëpër skenat më të mëdha botërore, atje ku po mbledh një numër të madh të fansave nga vende të ndryshme.

Një atmosferë të jashtëzakonshme e ka krijuar në Paris të Francës, atje ku ka interpretuar këngët e saj.

“Unë as që mund ta përballoja se sa të zëshëm ishit. Unë jam veshur në të kuqe për një arsye”, ka shkruar Rita Ora në postimin e saj në Instagram.

Rita Ora së fundmi ka publikuar këngën më të re të titulluar “Girls”, e cila është bashkëpunim me Bebe Rexhen, Cardi B dhe dhe Charli XCX/ KultPlus.com

Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com

Tingujt magjik të Shkëlzen Doli dhe këngët e mirëfillta shqipe, jehuan mbrëmë në Gjakovë

Gjakova, qytet i muzikës, mbrëmë pati një festë muzikore.

Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” kishte ftuar qindra miq nga të gjitha anët ku flitet shqip duke i befasuar se nuk ishte rastësi ky takim me ta për t’ua prezantuar Ansamblin muzikor që do të mbaj emrin e tij.

Për dy orë ai dhe orkestra e përzgjedhur nën dirigjimin e mjeshtrit Alfred Kaçinari, e me këngëtarë të ftuar, tregoi dhe dëshmoi për të satën herë cilësitë e një mjeshtri të rrallë.

Kënduan Edi Furra, veterani Ismet Peja, Gentian Gojani, Vesa Smolica, Grupi Polifonik nga Himara, grupi muzikor “Ashikët” e duke e përfunduar koncertin me këngën e njohur “Është Kosova, është Shqipëria…” në shenjë të shënimit të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Sipas drejtorit artistik të këtij ansambli, Ruzhdi Sadiku, do të vazhdojnë punën duke shpallur audicione për solistë e instrumentist si dhe për valltarë e valltare për ta bërë një ansambël të kompletuar e për të pasur paraqitje çdo mujore në Gjakovë e hapësirat gjithëshqiptare e për të vazhduar edhe më përtej./ KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme para koncertit në Manchester (FOTO)

Ylli botëror Rita Ora, pas koncerteve të shumta në vende të ndryshme të botës, këngët e saj sonte do të dëgjohen në Manchester, shkruan KultPlus.

Disa orë më parë ajo ka postuar një fotografi në rrjetin social Instagram, ku ka shkruar se mezi po pret të këndoj për publikun e Manchesterit.

Minuta më parë, ajo ka publikuar disa fotografi para këtij koncerti ku shihet mjaft e freskët dhe energjike, ndërsa mban një varëse me mbishkrimin “Daddy”, apo në shqip “Babai”.

“Një filxhan me qaj para se të ngjitem në skenën e Manchesterit”, ka shkruar Rita.

Ajo së fundmi ka publikuar këngën “Girls”, në bashkëpunim me Cardi B, Charli Xcx dhe këngëtaren shqiptare Bebe Rexha./ KultPlus.com

Vepra e Dafina Nushit do të interpretohet në koncertin “Mother Nature”, në New York

Vepra e kompozitores nga Kosova, Dafina Nushi do të jetë pjesë e koncertit “Mother Nature”, që do të mbahet javën tjetër në New York, shkruan KultPlus.

Koncerti Mother Nature, organizuar nga organizatat e New Yorkut , AËCANYC, organizatë e drejtuar nga kompozitorja Jin Hee Han qe u shërben kompozitorëve të rinj aziatikë dhe etniteteve tjerë nga e gjithë bota për të ndarë historinë e tyre përmes muzikës, si dhe Concrete Timbre, nën udhëheqje të Ann Warren, ku ka për qëllim shfaqje të guximshme ndërdisiplinore në kanonin e muzikës bashkëkohore duke krijuar mundësi për kompozitorët për të punuar në mjedise multidisiplinare.

Në këtë koncert prezentohen vepra te reja për grup saksofonistë të interpretuara nga Cobalt Quartet (Raymond Kelly, Anthony Izzo, Ryan Mantell, Josh Lang). Vepra këto të reja të kompozuara nga kompozitorët Ann Warren, Alex Chadëell, Amy Brandon, Anthony Izzo, David Loed, Dafina Zeqiri Nushi, Jacob Elkin dhe Jin Hee Han.

Vepra e Dafina Nushit që do të interpretohet është Atmosfera për dy saksofonostë ku është një përshkrim i atmosferës shpirtërore që na rrethon. Një frymë e tillë realizohet duke përdorur teknika të ndryshme interpretuese si këndimi dhe luajtja në të njëjtën kohë. Gjithashtu përpjekje të përfytyroj periudhat e mëparshme, si renesanca dhe baroku në aspektin modern, me një kombinim të moduseve dhe teknikave interpretuese.

Koncerti mbahet në Olli Studio, New York më 19 Maj në ora 19.00./ KultPlus.com

Ramë Lahaj: Është kënaqësi që sonte performoj në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Sonte do të mbahet koncerti i titulluar “Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, në të cilin do të paraqitet tenori Ramë Lahaj pas disa viteve mungesë në skenën kosovare. Gjithë kjo pas sukseseve të panumërta që ai po arrin nëpër skenat më të mëdha operistike nëpër botë.

Tenori Ramë Lahaj në konferencën e cila u mbajt sot për media, shpalosi disa detaj për koncertin ndërsa tregoi se sa e rëndësishme është për të koncerti por edhe masterklasa që do të mbajë.

Fillimisht Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian tregoi se qendra ka pasur disa organizimi gjatë këtyre ditëve për të shënuar Ditën e Evropës. Mirëpo sipas saj mysafiri kryesor i këtyre organizimeve është tenorin Ramë Lahaj.

“Kemi një nderë të veçantë që ambasadorja Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënoj duke na e mundësuar që Ramë Lahaj përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha ajo.

Në anën tjetër përveç tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë ka ardhur edhe pianisti, Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht së bashku me tenorin shqiptarë.

“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij. Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurri. Jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar i cili ka shumë për ti dhënë botës”, tha ai.

E tenori Ramë Lahaj u shpreh së ardhjen në Prishtinë e kishte në mendje që një kohë të gjatë. Tutje ai kujtoi edhe fillimin e karrierës së tij ndërsa u shpreh se akoma ndjehet si një parashutistë në këtë profesion.

“Është kënaqësi që jam këtu pasi që është bërë mjaft gjatë që nuk kam qenë këtu. Jo për shkak se dëshira nuk ka ekzistuar mirëpo sepse kam qenë në fillim të hapave të karrierës sime dhe kam qenë mjaft i zënë. Mirëpo duke e parë që ishte një kauzë e cila më të vërtetë më pëlqeu u shkëputa për pak nga puna dhe jam këtu. Gjithmonë kam pasur dëshirë që të ketë një arsye të veçantë dhe jo thjeshtë të vi dhe të jap një koncert”, tha ai duke shtuar se Prishtina sado që i jep një kënaqësi të veçantë njëkohësisht i jep edhe një lloj stresi të cilin nuk e gjenë çdo kund.

Programi i cili do të jetë në koncert ka qenë i sajuar në momentet e fundit. Kështu tenori Ramë Lahaj sonte do të sjellë vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht.

Në kuadër të ardhje së tij ai do të mbajë edhe një mastërklasë, nesër, në ora 15:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës tonë. Në përgjithësi gjithë Ballkani por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja. Talent të cilin kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, thekso ai duke shtuar se shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë më shpejtë në mënyrë që studentëve të ju ofrohen sa më shumë mundësi.

Koncerti do të jetë sonte në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitar. Biletat të cilat janë shpërndarë falas në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, tashmë kanë mbaruar./ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës gati për të ‘pushtuar’ Britaninë e Madhe

Alberina Haxhijaj

Filharmonia e Kosovës tashmë është bërë gati për turneun britanik. Ky rrugëtim i cili po konsiderohet i veçantë nga ky institucion, do të sjellë për herë të parë para publikut angleze anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kori do të ketë tri paraqitje nga të cilat dy në qytetin Hastings dhe një në kryeqytetin britanik, Londër, shkruan KultPlus.

Anëtarët e Korit të Filharmonisë, ka kohë që i kanë filluar përgatitjet për këto tri koncerte. Përgatitje të cilat kanë qenë të vështira pasi që ato janë bërë paralel me programin vjetor që ka ky institucion.

Koncerti i parë do të jetë më 5 maj ku kori i Kosovës do t’i bashkohet Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Hastingsut për interpretimin e veprës “Requiem” të Verdit, nën drejtimin e dirigjentit brazilian Marcio da Silva. Dirigjent ky i cili ishte edhe nismëtar i këtij projekti, pas ardhjeve që pati në Kosovës si dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari e konsideroi të rëndësishëm këtë koncert pasi që është e rrallë paraqitja e këtij institucioni jashtë Kosovës. Kjo sipas tij duhet të ndodh sa më shpesh pasi që sjellë bashkëpunime të cilat janë në të mirë të zhvillimit dhe promovimit të punës së Filharmonisë.

“Një program mjaft kompleks të cilin ne e kemi quajtur ‘Kthim në të kaluarën’ pasi që sjellë një udhëtim muzikor dhe interpretimin e literaturës që nga shekulli XIII, XV dhe XVI e deri në ditët tona“, tha ai.

Pikërisht më këtë program i cili ngërthen në vete vepra të tri gjeneratave të kompozitorëve shqiptarë, e po ashtu edhe vepra të kompozitorëve botëror, kori do t’i ketë dy paraqitje, më 6 dhe 7 maj.

Për të paraqitur një sekuencë nga ajo që do të prezantojnë në Britani të Madhe, anëtarët e korit interpretuan për media veprën “Çorapët e Burrit” të kompozitorit Lorenc Antoni. Kështu që në fillim krijohet përshtypja se përmes këtyre koncerteve nuk do të bëhet vetëm prezantimi i korit por edhe i muzikës korale shqiptare si dhe i Kosovës.

Këtë e konfirmoi edhe Dirigjenti i Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai tha se solistët nga Kosova janë duke arritur suksese jashtë vendit si individë kurse ky do të jetë një rast i mirë që ata të prezantohen edhe institucionalisht në kuadër të Filharmonisë së Kosovës.

“Programi i këtyre dy koncerteve është një program mirë i peshuar dhe i sajuar në bazë të disa parametrave. Programin e kemi sajuar duke pasur kujdes që veprat që përfshihen të jenë vepra reprezentative të muzikës tonë korale dhe besojmë që në këtë aspekt kemi çka të tregojmë pasi që ajo është e pasur”, tha ai.

Në anën tjetër sopranoja Adelina Paloja tha se të gjithë kanë punuar shumë në mënyrë që të japin një prezantim të denjë të punës së tyre.

“Kjo është një rezultat i punës së madhe që është bërë nga Filharmonia duke pasur të gjitha ato problemet teknike dhe financiare. Prandaj me gjithë kapacitetet tona ne si ekipe, si ansambël edhe individualisht me pjesët tona solistike jemi munduar që të japim më të mirën tonë. Duke shpresuar që rezultati final, nga kjo punë kolosale që është bërë, të jetë ai i duhuri dhe i dëshiruari”, tha ajo.

Ky turne organizohet në bashkëpunim me Filharmoninë e Hastings-it dhe shënon disa ngjarje, 90 vjetorin e themelimit të Korit të Filharmonisë së Hastings-it, 15 vjetorin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe përkon edhe me 10 vjetorin e shtetit të Kosovës.

Ky udhëtim është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com

Kori Siprantum nesër me koncert në Pejë, para koncertit në Nancy të Francës

Kori i qytetit të Pejës, nesër do të paraqitet me koncert recital në KINO “Jusuf Gërvalla”, në Pejë duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Ky event cilësohet si pre-koncert i udhëtimit të korit në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy voix du monde” që mbahet nga 9-13 Maj në Nnacy të Francës, ku Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival.

“Natyrisht ky koncert për neve është shumë i rëndësishëm. Jam shumë i lumtur që brenda një periudhe shumë të shkurt ne kemi arritur të ndërtojmë një program të nivelit të tillë, që nuk është aspak e lehtë, çdoherë duke ju referuar vullnetit të mire të koristëve”, ka thënë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Në këtë mbrëmje do të paraqiten vepra të ndryshme të kompozitorëve të njohur botërorë. Në këtë mbrëmje do të shfaqet Premierë vepra e kompozitorit kosovar “Siparantum” nga Kreshnik Aliçkaj, vepër e kompozuar enkas për këtë kor. Në mesin e shumë veprave të njohura do të jetë “Bohemian Rhapsody” nga Queen, që kësaj radhe vie nën interpretimin e Matej Karaqit në përcjellje të pianistit Agron Shujaku.
Vitin e kaluar kori Siparantum është shfaqur në festivale dhe koncerte të ndryshme në Kosovë dhe Kroaci, me 26 prill kori do të paraqitet në kuadër të festivalit Post-DAM bashke me korin e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” nga Peja që mbahet në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë./ KultPlus.com

Dua Lipa e mbushur me lumturi nga koncerti në Manchester (FOTO)

Dua Lipa po vazhdon turneun e saj në Angli, duke dëshmuar çdo ditë e më shumë kapacitetin e saj skenik, shkruan KultPlus.

Pas disa koncerteve në Dublin, ajo mbrëmë ka performuar në Manchester të Anglisë, atje ku ka krijuar një atmosferë tejet të veçantë, duke mbledhur një numër të madh të publikut.

“Nata e parë në Manchester, faleminderit për energjinë dhe dashurinë që më dhuruat! Unë jam e mbushur me plot lumturi dhe menzi s’po pres për nesër që ta përsërisim këtë natë nga fillimi”, ka shkruar mbrëmë, pas koncertit këngëtarja.

Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën “One kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harris ndërsa ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me albumin e saj të fundit “Dua Lipa”./ KultPlus.com

Ermal Meta me koncert në Tiranë (VIDEO)

Ermal Meta, fituesi i sivjetshëm i Sanremos në Itali, ka konfirmuar koncertin e tij në Tiranë, menjëherë pas pjesëmarrjes në Eurovision.

“Jo vetëm modë” mësoi se kantautori i talentuar me origjinë nga Fieri pritet të performojë përpara publikut kryeqytetas në Pranverë.

Dhe, nëse kënga “Non mi avete fatto niente” do t’ia dalë t’i dhurojë fitoren në Eurosong, as nuk mund ta imagjinojmë pritjen që shqiptarët do të rezervojë për Ermalin gjatë koncertit të tij në Sheshin Skënderbej.

Ermal Meta do të jetë edhe pjesë e spektaklit të famshëm të talenteve “Amici”. Kantautori shqiptar, është prezantuar zyrtarisht si anëtar i jurisë së jashtme, një prej risive që Maria de Filippi, ka vendosur të sjellë në edicionin e 17-të, përcjell tvklan.

Por, Ermal Meta nuk do të jetë i vetmi shqiptar në kastën e profesionistëve të spektaklit./ KultPlus.com

13 mijë dollar për Bekim Lumin nga koncerti në New York (VIDEO)

Përveç shumë iniciativave të miqve të regjisorit Bekim Lumi në Kosovë edhe miqtë e regjisorit të cilët jetojnë dhe punojnë në New York mbrëmë kanë mbajtur një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, e të tjerë janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artistin. Përmes koncertit dhe aktiviteteve të tjera artistike, këta artistë kanë arritur që të mbledhur 13 mijë dollarë për të ndihmuar shërimin e regjisorit Lumi.

KultPlus ju sjellë disa pjesë nga ky koncert i mahnitshëm, ku shihet se kanë performuar artisët e njohur që tash e sa kohë po zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike në New York.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./ KultPlus.com

Muzika shqiptare do të përfaqësohet në festivalin “Ditët e Muzikës Maqedonase”

Artistë shqiptarë do të performojnë sonte në Days of Macedonian Music Festival Shkup, që do të mbahet në Muzeun e Shkupit, shkruan KultPlus.

Koncerti me muzikë kamertale do të interpretohet nga trio e instrumentistëve Merita Rexha- piano, Arben Llozi- violë dhe Jonela Golemi- flaut. Artistët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët shqiptarë dhe maqedonas: Endri Sina, Goce Kolarovski, Tome Manchev, Shpëtim Kushta, Dorian Cene Çene, Boris Svetiev, Arbana Fejzo.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë festival realizohet falë bashkëpunimit të Shoqatës së Kompozitorëve Shqiptarë (A.C.A) dhe Shoqatës së Kompozitorëve Maqedonas SOKOM. Ky bashkëpunim ka nisur në vitin 2016, në Balkan Contemporary Music Festival, mbështetur nga Ministria e Kulturës . Koncerti i artistëve shqiptarë është vazhdim i shkëmbimeve dhe pjesëmarrjeve të përbashkëta.

Koncerti do të filloi sonte nga ora 20: 00, në Museum of the City of Skopje./ KultPlus.com

Sihana Badivuku me koncert në Itali

Violinistja Sihana Badivuku së shpejti do të paraqitet me një koncert të radhës në Ragusa të Italisë, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili mbahet më 24 mars do ta sjellë Sihana Badivukun në skenë me pianisten me të cilën ajo bashkëpunon plotë 25 vite Maja Kastraroviç.

Veprat që do të performohen përmes violinës dhe pianos janë: Dietrich-Brahms-Schumann:F.A.E sonata, Manuel de Falla:Suite after “Siete canciones populares españolas”arranged by Kochansky, Manuel de Falla: Spanish dance from “La vida e breve” arranged by Kreisler, Sarasate:Malagena, Sarasate:Caprice Basque dhe Ravel:Rhapsody”Tzigane”./ KultPlus.com

Bebe Rexha shkëlqen me performancën e saj në Brazil (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha po vazhdon të mahnis publikun me performancat e saj,që po i mban në shumë vende të botës, shkruan KultPlus.

Një atmosferë të mahnitshme, e ka krijuar në Sao Paulo. Atje ajo ka kënduar para mijëra fansave, të cilët e kanë përcjellur më shumë fërshëllima, duartrokitje e vallëzim.

Turneu i saj quhet “Witness tour”, ndërsa ky turne do ta dërgoi këngëtaren edhe në shumë vende të tjera të botës.
“Një tjetër shfaqje e pabesueshme. Të falënderoj shumë Sao Paulo!”, ka Bebe Rexha në llogarinë personale në Instagram.

KultPlus ju sjellë të plotë videon e koncertit të saj atje./KultPlus.com

Sonte për Bekim Lumin koncert në Zanzi

Sonte Zanzi Jazz Bar do të mbledh shumë emra të muzikës që do të performojnë për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi që po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Tashmë pjesëmarrjen në këtë mbrëmje e kanë konfirmuar këngëtarët: Shpat Deda, Dritëro Nikqi, Blerta Kosova, Nita Latifi, Mentor Haziri, e plotë të tjerë që do të bashkëngjiten.

“Bekim Lumi ka merita t’jashtëzakonshme n’historinë e kinematografisë në Kosovë, kështu që e kemi edhe borxh moral në nifar mënyre”, shkruhet në njoftimin e këtij eventi.

Ndërsa për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë kjo mund të arrihet edhe përmes operatorëve VALA dhe IPKO: Përmes operatorit IPKO mund të dërgoni mesazh në në numrin 55049 me tekst “Bekim” . Kurse në operatorin VALA mund të dërgoni mesazh në numrin 55103, me tekstin “Bekim”. Vlera e një SMS-i është 1Euro. Të gjitha të hollat e mbledhura destinohen për shërimin e tij.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SËIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Rita Ora pas gjashtë vitesh sërish në Kosovë, kthen vëmendjen e botës në vendlindjen e saj

Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.

“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.

“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.

Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.

Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.

Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.

Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.

Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com

Koncert për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Kroaci, performojnë Blerim Grubi e Arjana Kuriu Grubi

Bashkësia Shqiptare në Kroaci organizon koncert në sallën prestigjioze Hrvatski glazbeni zavod për nder të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të luajnë Blerim Grubi në violë dhe Arjana Kuriu Grubi në piano, ndërsa do të luhen vepra nga kompozitor shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.

Programi përmban vepra të Maroshit, Harapit, Sokolit, Skënderit, Sulejmanit, Daijës, Paparistos, Beqirit, Dhomit dhe Tukiqit.

Koncerti vjen më 15 shkurt me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com

“Ne gjithmonë kërkojmë dorën e dikujt, sepse ne nuk kemi tjera armë”, Ermal Meta sjellë albumin e ri me mesazh të fuqishëm

Ermal Meta këngëtari shqiptar i cili karrierën e tij e ka ndërtuar në Itali ka njoftuar për mediet italiane se albumi i tij i ri që titullohet “Ne nuk kemi armë” do të prezantohet me një koncert në Forumin e Assago (Milano), të planifikuar më 28 prill.

Ndërkohë që mediet italiane kanë dhënë lajmin është shpërnda edhe posteri i koncertit dhe mesazhi i albumit të ri.

“Kam menduar se në mes të një stuhie apo edhe nën një dush bombash, zemra është e vetmja mburojë dhe strehë që kemi. Kam menduar se për gjithë kohëzgjatjen e këtij udhëtimi të madh, që është jeta jonë, ne gjithmonë kërkojmë dorën e dikujt dhe e kuptoj se është kështu, sepse…ne nuk kemi të tjera armë”, këto janë fjalët që ka shkruar artisti në rrjetet sociale, ku ka paraqitur edhe projektin e tij të ri të regjistrimit.

Për Ermal Metën viti 2018 është një vit plot angazhime, duke filluar nga pjesëmarrja në edicionin e 68-të të Festivalit të Sanremos, ku do të garojë së bashku me Fabrizio Moro-n me këngën “Ti nuk më ke bërë asgjë”, shkruan JN.

Meta kthehet në skenë e Ariston, pas suksesit të vitit të kaluar me këngën “Forbidden to Die”, e cila u rendit e treta. Gjatë ditëve në vijim, më 9 shkurt, artisti do të nisë promovimin e albumit të ri. Këngëtari dhe kompozitori Meta sapo ka festuar certifikimin e të ardhurave që ka fituar nga këngët “Heaven Girl” dhe “Little Soul” feat. Elisa, të dyja të përfshira në albumin “No Dying”./ KultPlus.com

Shqiptarët në Kroaci me koncert e promovim libri për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Këshilli Shqiptar në Zagreb dhe Shoqata Kroato-Shqiptare, më 17 janar organizojnë koncert në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe bëhet promovimi i librit “Figura e Skënderbeut në Kroaci”, shkruan KultPlus.

Promovimi i librit bëhet në shqip dhe kroatisht ndërsa koncerti sjellë fragmente të operës “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit.

Pra më 17 janar me fillim nga ora 19:00 krejt kjo ngjarje e madhe për Skënderbeun mbahet në Mimara, Zagreb./ KultPlus.com

Pranvera Hoxha sot me koncert recital në Tiranë

Pianistja Pranvera Hoxha Bryma, sot më 24 dhjetor në Muzeun Kombëtar në Sallën Unesco në Tiranë, sjellë koncertin recital me vepra spanjolle për piano, shkruan KultPlus.

Mysafir i koncertit do të jetë Dardan Osmanaj, ndërsa mbrëmja me muzikë spanjollë është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe MKRS.

Pranvera Hoxha Bryma ka diplomuar për piano në Akademinë e Arteve të Bukura dega piano te profesoreshe Anita Tartari. Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin e arteve dhe muzikës në Shkup, Maqedoni te profesor Todor Svetiev. Punon në fakultetin e arteve në Universitetin e Prishtinës, si korepetitore e krasëve të flautës dhe klarinetës. Ajo poashtu është profesoreshë e pianos në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Në tingujt e luftës dhe paqes, Filharmonia e Kosovës solli një koncert të fuqishëm

Kori dhe orkestra e Filharmonisë se Kosovës, së bashku me katër solistë ishin bashkuar mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për të sjellë një koncert të fuqishëm me njërën nga veprat e fundit të Haydnit, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Fillimisht në këtë koncert erdhi vepra e popullarizuar e Bethovenit- Uvertura “Coriolan”, për t’i lënë një përmbyllje goditëse me veprën e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, apo “Meshë në kohën e luftës”.

Kur orkestrës i bashkohet edhe kori, ky koncert vetëm se fillon rrugëtimin e magjishëm muzikor. Kori, orkestra dhe katër solistë takoheshin në pikë vështrim. Rafet Rudi ishte ai që dirigjoi me shumë pasion, e përkushtim këtë koncert. Sytë dhe duart e tij valëzoheshin me shpejtësi drejt atyre që kishte përballë dhe nga gjithë ky komunikim muzikor jehoi në një mbrëmje që e madhështon edhe më shumë një nga veprat më kolosale të Haydnit.

“Është një vepër në radhën e veprave madhore vokalo-instrumentale që unë po përpiqem të i nxjerrë në dritë. Janë më të vështira sepse kërkojnë staf solistësh, mandej kor dhe orkestër. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kori dhe orkestra kanë funksionuar shumë mirë sonte. Kjo vepër ndonëse në titull është “Mesha në kohën e luftës”, në të vërtetë është meshë e paqes, pasi që Haydni ka gjetur forcë ta bëj një vepër humane dhe optimiste”, tha për KultPlus dirigjenti i mbrëmjes Rafet Rudi.

Artistët në skenë i ndante një hapësirë e vogël, për shkak të numrit të madh të tyre. Jo shumë larg tyre, publiku kishte mbushur çdo hapësirë që të mundësonte të dëgjoje këtë interpretim të Filharmonisë.

“Dirigjentet dhe ata që kontribuojnë në këtë koncert gjithmonë e masin vlerën e tyre me reagimin e publikut dhe e vërejtëm që publiku ishte shumë i kënaqur”, u shpreh me shumë emocion Rudi, pasi që u nda nga publiku që dhuroi duartrokitjet më të forta mbrëmë.

Ky koncert kishte vënë përballë katër solistë të shquar, që kishin udhëtuar drejt Prishtinës për t’i dhënë edhe më shumë madhështi këtij koncerti: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Frano Lufi, pas shumë vitesh e ndau skenën me Filharmoninë e Kosovës, kurse kjo mbrëmë shënon koncertin e tij i parë me Filharmoninë në Prishtinë. Ai për KultPlus tha së mbrëmë është ndjerë i mahnitur nga niveli i korit të Filharmonisë, të cilin e quan edhe diamanti i këtij koncerti.

“Kjo është një vepër e mrekullueshme ku kryesisht dominon kori dhe kori sonte ishte i mrekullueshëm dhe ne ndjejmë kënaqësi të madhe kur e dëgjojmë këtë kor dhe unë nuk e dija që kori është kaq i mirë, orkestra nuk diskutohet që është e mirë se ka shumë profesionistë”, u shpreh Lufi.

Ai po ashtu theksoi se ndihet i impresionuar nga interesimi i audiencës për ta ndjekur këtë koncert, duke shtuar se kjo sallë nuk e justifikon një koncert të këtij niveli.

Mes zërave kumbues, kori dhe orkestra jepnin vulën drejt fundit të tij, me thirrjen për paqe, fjalë e cila po e shkrinte fundin e kësaj mbrëmje. Mes kësaj fjale kumbonte në mes një tingulli që t’i kujtonte tamburet e luftës, që Patris Berisha e sillte në perkusione. Pikërisht në këtë pjesë transmetohet mesazhi i veprës së Haydnit “Meshë në luftë”, e cila ishte realizuar në ankthin e luftës , kur Austria ndodhej në pe periudhën kur shtetit qeverisej me dekrete që i sillte imperatori Jozefi II, dhe njëri nga dekretet e famshme të asaj kohe ishte që “asnjë austriak nuk duhet të flet për paqe”.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është rezultat i përgatitjeve dymujore dhe intensive nga kori, ku kori ka pasur edhe rol dominant, ndërsa shtoi se ky koncert është edhe një orientim i Filharmonisë që të sjellë edhe koncerte të tjera të bashkëpunimit të dy njësive, të orkestrës dhe korit.

“Ne mundohemi gjithmonë që publikut t’i sjellim vepra monumentale, nuk është lehtë të realizohet një koncert me një qind njerëz në skenë por Rafet Rudi e ka bërë një punë të mrekullueshme”, tha Jashari për KultPlus.

Ky koncert shënon koncertin e parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit, ndërsa Koncerti i Vitit të Ri, vjen javën tjetër më 23 Dhjetor./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës nesër sjellë një nga veprat e fundit të Haydnit

Filharmonia e Kosovës nesër do të sjellë koncertin me Kor dhe Orkestër, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në këtë koncert do të interpretohen veprat e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, “Paukenmesse – Meshë në kohën e luftës Nr.9 në C – dur (Hob.XXII:9)” dhe Ludvig v. Beethoven “Uvertura “Coriolan” Op. 62”.

Rafet Rudi i cili ka përgatitur projektin që do të prezantohet nesër, tha sot gjatë konferencës se ky është koncert në radhën e disa prezantimeve të rëndësishme që ka pasur Filharmonia e Kosovës.

“Me këtë koncert të kësaj vepre voluminoze dhe të madhe ku marrin pjesë kori, orkestra, dhe solistët e nderuar po vazhdon një aktivitet mjaft indikativ në realizimin e veprave madhore të muzikës klasike. Këtë radhë e kemi Haydanin, është një meshë nder më të veçuarat e Haydanit, të cilën e ka shkruar në periudhën e fundit të jetës së tij”, shpjegoi dirigjenti Rudi.

Ai poashtu shpjegoi se kjo vepër e cila quhet “Mesha në kohën e luftës”, është shkruar në kohën kur Austria ishte në luftë dhe pikërisht këtu vije madhështia e këtij kompozitori që edhe në atë kohë ka shkruar një vepër më karakter më optimist, ku fjala e fundit që kumbon në këtë vepër është “Paqe”.

Koncerti është përgatitur nga dirigjenti Rafet Rudi, i cili do të dirigjoj edhe interpretimin e solistëve: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.

Sopranoja Mariana Leka, është kthyer pas pesë vitesh për të sjellë një bashkëpunim me filharmoninë, ndërsa tha se nuk ka asnjë dyshim që nesër koncerti do të dal i shkëlqyeshëm.

“Është një kënaqësi puna që bëhet në bashkëpunim me korin, orkestrën dhe solistët. Gjatë përgatitjeve jemi ndjerë shumë komod dhe besoj që edhe koncerti do të dal i shkëlqyeshëm”, tha Leka gjatë konferencës sot.

Ndërsa, Frano Lufin e ndaj një hark kohor prej dhjetë vitesh pa ndonjë bashkëpunim me Filharmoninë.

“E ndjej të nevojshme të them se kam ndjerë një nivel të mrekullueshëm të korit dhe shpresoj që nesër do të jenë edhe më të mirë”, tha Lufi sot.

Ai po ashtu është shprehur se ndihet shumë i lumtur ta këndoj këtë vepër e cila ka një kërkesë për paqe, për të cilën e gjithë bota ka nevojë.

Mexosopranoja e cila vjen nga Bullgaria, Daniela Diakova, tha sot se kjo vepër e nderon Prishtinën dhe se ajo e fton të gjithë publikun prishtinas që të ndjek nesër interpretimin e kësaj vepre.

Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria pohoi sot se ndihet i lumtur që nesër do të interpretoi në Prishtinë, ku ndihet si në shtëpi.

“Mendoj se ky zhanër i meshës është për t’i bashkuar njerëzit, dhe për mua është kënaqësi që të vij nga një shtet i Ballkanit për tu bashkuar përmes muzikës”, ka thënë tenori Mihaylov.

Ky koncert do të filloj nesër në ora 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa është koncerti i parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com