Shkencëtarët në Gjermani kanë organizuar tri pop koncerte për një ditë, për të hetuar rreziqet që shkaktojnë ngjarjet masive në ambiente të mbyllura gjatë pandemisë.
Rreth 1500 vullnetarë të shëndetshëm të moshave 18 deri 50 vjeç morën pjesë.
Këngëtari dhe tekstshkruesi Tim Bendzko pranoi të performonte në të trija koncertet, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Studimi erdhi pasi Gjermania shënoi numrin më të lartë të të infektuarve me COVID-19 që nga fundi i prillit. Më shumë se 2000 raste janë regjistruar të shtunën, duke e çuar numrin total në 232,082, ka raportuar Instituti Robert Koch.
Studimi i koncertit i cili u quajt “Restart-19” është krijuar për të hetuar kushtet nën të cilat mund të mbahet koncerte të tilla gjatë pandemisë.
Koncerti i parë kishe qëllim të stimulonte një ngjarje para pandemisë, pa masa mbrojtëse. I dyti përfshinte higjienë më të madhe dhe pak distancë sociale dhe i treti përfshinte gjysmën e personave në një distancë prej 1.5m.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin testuar paraprakisht, u ishin dhënë maska dhe pajisje për të matur distancën mes tyre. Studiuesit po ashtu përdorën dezinfektues i cili linte gjurmë në sipërfaqet që preknin pjesëmarrësit.
Këngëtari Bendzko tha se ishte i kënaqur me performancën dhe audiencën.
“Shpresoj se këto rezultate do të na ndihmojnë të mbajmë sërish koncerte para audiencave”, ka thënë ai.
Rezultatet e studimit priten të dalin në vjeshtë. / KultPlus.com