Njëzet e pesë tetori shënon Ditën Botërore të Operës, respektivisht ditëlindjen e kompozitorëve Georges Bizet dhe Johann Strauss II, të cilët konsiderohen krijuesit e operës dhe operetës më të famshme në botë.
”Në këtë ditë kur shtëpitë operitistike, teatrot dhe adhuruesit e muzikës bashkohen për të njohur vlerat e artit operistik, kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë posterin e Koncertit Inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, i cili do të mbahet më 31.10.2021 në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Operës së Kosovës u miratua më 3 gusht të këtij viti me 75 vota për dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim. Opera e Kosovës do të hapë dyert për shfaqje operistike në vitin 2022. / KultPlus.com