25 vjet më parë, në kështjellën e Rambujesë u diskutua për fatin e Kosovës.
16 përfaqësuesit nga Prishtina udhëtuan drejt vendit në afërsi të Parisit, për të negociuar për herë të parë me palën serbe, me ndërmjetësimin e grupit të kontaktit.
Delegacioni kosovar përbëhej nga anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk shkonin mirë në mes veti.
Por, rrugës pengesat për pjesëtarët e UÇK-së, ishin të mëdha.
Më 5 shkurt autoritetet serbe nuk lejuan që kosovarët të nisen nga aeroporti i Prishtinës. Ky udhëtim u realizua më 6 shkurt të vitit 1999.
Në fakt, atë ditë arritja e përfaqësuesve të UÇK-së, tek dy avionët që bartnin delegacionin kosovar, ishte në pikëpyetje, njofton Klan Kosova.
Megjithatë ekipi u kompletua, ani se qëndrimet brenda tij nuk ishin të njëjta.
16 burrat që kishin në dorë fatin e vendit të tyre, kishin qasje të ndryshme sa i përket procesit.
Pala kosovare pranoi marrëveshjen e propozuar në Rambuje, por jo edhe ajo serbe.
Tashmë, radha ishte që ndërhyrja e NATO-s, të sillte lirinë aq shumë të pritur në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com
Përfundoi me sukses dita e dytë e konferencës ndërkombëtare NanoBallkan 2023.
Workshop-i prezantoi kërkimet më të fundit shkencore për perdorimin e inteligjencës artificiale për të krijuar nanomateriale të reja me interes për shumë aplikime që shkojne nga fusha e mjekësise tek ajo e materialeve për industri të ndryshme.
Sesioni mbi inteligjencen artificiale u organizua në bashkëpunim me Universitetin Constructor në Bremen, Gjermani dhe Institutin Katalan te Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, ICN2, në Barcelonë, Spanjë.
Sesioni i dytë mbi Inteligjencën artificiale dhe nanoteknologjinë u organizua si një tryezë e rrumbullakët.
Sesioni u moderua nga nobelisti prof. Kostya Novoselov me pjesëmarrjen e katër shkencëtarëve, akademiku Arben Merkoçi, ICREA, dhe prof. Stephan Roche, të dy drejtues grupesh shkencore në Barcelonë, Spanjë, prof. Andrey Ustyuzhanin (Singapor) dhe prof. Egor Alekseev nga Constructor Tech (platforma për edukim dhe kërkim).
Në mbasditen e ditës së dytë të konferencës NanoBallkan 2023 u zhvillua edhe workshop-i satelit për menaxhimin e projekteve.
Në këtë workshop kumtuan Linda Pustina, drejtuese e ekipit shqiptar S3, këshilltare e zëvendëskryeministres, Mirela Muça, drejtore e AKKShI-së, Blerjana Bino nga Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim (SCiDEV) në Shqipëri dhe Brunilda Çuko nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale në Shqipëri.
Workshopi u drejtua nga akad. Arben Merkoçi.
Në kumtesën e saj Pustina foli mbi rrugën e ndjekur në Shqipëri për të zhvilluar strategjitë e specializimit të mençur (Smart Specialization Strategies, S3) dhe vuri theksin mbi punën e bërë për të krijuar ura lidhëse me diasporën shqiptare të kërkimit shkencor./atsh/KultPlus.com
U çel sot konferenca ndërkombëtare NanoBalkan 2023. Në këtë konferencë marrin pjesë 115 ligjërues ku 20 janë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ky takim i ri shkencor i nivelit të lartë synon të paraqesë një gamë të gjerë kërkimesh aktuale në Nanoshkencë dhe Nanoteknologji, si dhe politika të lidhura me to ose nisma të tjera si nanoAlb. Ajo që e veçon NB2023 nuk është vetëm tradita e saj e pasur, por ambicia për të ofruar një platformë dinamike dhe ndërvepruese, në të njëjtën mënyrë si paraardhësit e tij të suksesshëm. Ajo synon të shërbejë si një lidhje për studiuesit, studiuesit dhe personazhet e industrisë, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe kultivimin e bashkëpunimeve transformuese.
NanoBalkan 2023 organizohet nga Fondacioni Phantom (Phantoms Foundation) nga Spanja dhe nga Qendra Kërkimore NanoAlb me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu, një rol kyç në mbështetjen e kësaj konference e ka Universiteti i Tiranës nëpërmjet projektit SUSNANO.
Në konferencë marrin pjesë , Laureati i Nobelit Prof. Kostya Novoselov nga NUS Singapori, së bashku me figura të shquara aktuale në shkencë si Prof.Joseph Wang nga Universiteti i Kalifornisë San Diego (UCSD), SHBA, i vlerësuar me vlerësime të shumta ndërkombëtare dhe një plejadë studiuesish të arrirë, që janë gati të hapin siparin e këtij eventi me kumtesat e tyre.
Gjate NanoBalkan 2023, nobelistit Novoselov iu dha certifikata e mirënjohjes për kontributin e tij të çmuar në organizimin e konferencës ndërkombëtare NanoBalkan 2023.
Prof Konstanin Novoselov iu dorëzua certifikata e mirënjohjes nga Kryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi.
Prof. Novoselov falenderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për vlerësimin e treguar rreth kontributit të tij akademik. “Është hera e pare që ndodhem në Shqipëri dhe jam besim plotë se Shqipëria si një vend në mes të Europës do dijë të përfitojë nga zhvillimet e reja në shkencë”, tha prof Novoselev.
Ndërkohë prof. Joseph Wang u zgjodh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Prof Joseph Wang-ut iu dorëzua diploma e anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë nga Kryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi me motivacionin: Për meritat e tij të veçanta si paraprirës në kërkim dhe në aplikime të suksesshme në dijet më të reja si nanoshkenca e nanoteknologjia dhe rritjen e rolit të këtyre shkencave në shkallë globale; si një prej nxitësve e frymëzuesve të themelimit të nanoteknologjisë analitike në vendin tonë; duke ndikuar fort për rritjen e prestigjit dhe të performancës së njësisë “Nano-Alb” në mjedise ndërkombëtare; në mënyrë të veçantë për themelimin në Shqipëri e në Kosovë të disiplinave universitare dhe kërkimore në fushën e elektrokimisë dhe nanoteknologjisë së sensorëve; i vlerësuar me stimë të lartë si mik e koleg nga kërkuesit shqiptarë në fushën e analizës elektrokimike dhe nanoteknologjisë dhe me një rol prej protagonisti për përgatitjen dhe zhvillimin cilësor të kongresit të tretë të nanoshkencës organizuar në Tiranë, i njohur më gjerë me shkurtesën “Nano-Balkan-2023 Congress”./atsh/KultPlus.com
Dita e dytë e konferencës së 7-të shkencore të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, nisi me një takim me mediet në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe Lucian Brujan, koordinatori i Procesit të Berlinit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion (Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina).
Takimi u mbajt në zyrën e akad. Skënder Gjinushi, i cili theksoi se kjo konferencë mbahet një muaj përpara organizimit nga BE-ja të Samitit të 9-të të Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon.
“Kjo konferencë bashkëorganizohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë”, tha akad. Gjinushi, dhe theksoi se ky bashkëpunim vjen me rritjen e vëmendjes ndaj problematikave në zhvillim, me të cilat përballen vendet tona dhe rajoni në përgjithësi në fushë të shkencës e arsimit, si dhe nevojën e rritjes së peshës ende të ulët të financimeve për shkencën në raport me PBB-në, rritjen e mbështetjes së kërkuesve e shkencëtarëve të rinj nëpërmjet forcimit të statusit të tyre dhe frenimit të emigrimit të trurit dhe ndërlidhjes më të mirë me diasporat shkencore; forcimin e përmirësimin e cilësisë dhe etikës së kërkimit; administrimin e zbatimin sa më të mirë të arritjeve shkencore; rritjen e pjesëmarrjes aktive në programet e përbashkëta.
Lucian Brujan falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushin për bashkëpunimin dhe theksoi tri objektiva të rëndësishme të Procesit të Berlinit në rajon: transformimin e vazhdueshëm në fushat e shkencës, arsimit dhe inovacionit, zhvillimin dhe mbështetjen e qendrave kërkimore shkencore në Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë në Europën juglindore.
Në konferencë mori pjesë edhe Federica Mogherini, tashmë rektore e Kolegjit të Europës, në Brugge, e cila foli mbi integrimin europian të Ballkanit si dhe rolin e akademive, universiteteve e intelektualëve në këtë drejtim. Të pranishmit në konferencë kanë ndjekur edhe një koncert për harqe të dirigjuar nga Eno Koço./atsh/KultPlus.com
Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.
Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.
Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.
Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.
Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.
Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:
Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.
Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.
Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.
Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.
Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).
Parulla e bashkimit apo e përçarjes?
Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com
Akademik Ilirjan Malollari, si i deleguar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mori pjesë në Konferencën me temë “Autonomia dhe përgjegjshmëria Shkencore” (Scientific freedom and responsibility), organizuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Shkencës në bashkëpunim me UNESCO, në datë 09 Maj 2023, në Paris.
Ky aktivitet, me pjesëmarrje të delegacioneve nga institucione kërkimore shkencore nga mbarë bota, kishte për qëllim të hedhë dritë, qartësojë dhe kristalizojë konceptin e autonomisë dhe përngjashmërisë shkencore, nëpërmjet normativave standarde, analizave dhe udhëzimeve si: “Rekomandimet në shkencë dhe kërkuesit shkencorë” nga UNESCO dhe “Një perspektivë bashkëkohore në praktikat e lirisë dhe përgjegjësisë shkencore në shekullin e 21-të “.
Veprimtaria iu adresohet sfidave në rritje, me zhvillimin e shpejtë në shkencë dhe teknologji dhe me shpërndarjen e pabarabartë të burimeve të të dhënave shkencore në botë.
Qëllim i rëndësishëm i kësaj konference, përpos diskutimit të perspektivave historike dhe qasjes aktuale për autonominë në shkencë, ishte gjetja e mënyrave të reja për të bashkërenduar forcat me qëllim afrimin e qeverive dhe institucioneve kyçe në kuadër të një bashkëpunimi me frytdhënës dhe progresiv./atsh/KultPlus.com
Muzeu është një institucion i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, ai përvetëson, konservon, hulumton por mbi të gjitha komunikon me publikun rreth trashëgimisë së njerëzimit e gjithashtu edhe për historinë e një vendi, shkruan KultPlus.
Me rastin e 18 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është organizuar punëtoria për Programin Kombëtar të muzeve në Kosovë.
Punëtorja profesionale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Dafina Morina, e hapi këtë punëtori.
“Sot jemi mbledhë përveç se me zhvillu punëtorinë për programin kombëtar të muzeve në Kosovë, gjithashtu shënojmë edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, që ka nisur si një iniciativë që ka nisur që nga viti 1977”.
Më pas, Morina ka ftuar edhe drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Lecin, i cili tregoi edhe për agjendën e ditës së sotme dhe një ekspozitë që do të hapet në ora 19:00.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeut, dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet këtij organizimi. Ne kemi parë një agjendë për ditën e sotme, ku do të fillojmë me këtë punëtori e më pas do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, e për të vazhduar në mbrëmje me hapjen e një ekspozite me fotografitë e artefakteve të Kosovës që po mbahen në Serbi. Dua të përgëzojë edhe Komisionin që kanë të bëjnë me konceptin e Muzeut që kanë filluar punën në këtë drejtim”, përfundoi Leci duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe duke uruar edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.
Morina tutje bisedoi edhe për pjesën e punëtorisë dhe aktivitetet që kanë zhvilluar ky komision, që në përbërje ka katër persona.
“Punëtoria, grupi që është themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të zhvilluar përkrahjen e muzeve në Kosovës ka filluar që nga muaji i kaluar dhe ky grup e ka një përbërje prej katër personave. Deri tash kemi zhvilluar disa prej aktiviteteve në kuadër të përmbledhjes së materialit, sfidave, problemeve dhe të mirat që Muzetë i kanë”.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve me temën “Fuqia e Muzeve” i ka dy objektiva të caktuara përmes fuqisë së të arritur të qëndrueshmërisë, fuqisë së inovacionit në digjitalizim dhe në qasje, si dhe fuqia e ndërtimit të komunitetit nëpërmjet komunikimit.
Këto objektiva, siç thotë Morina, gjithashtu ndërlidhen edhe me qëllimin e programit kombëtar për zhvillimin e projekteve, ku synohet fuqizimi i institucioneve të muzeve dhe të zhvillimit të një vizionit të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kaluara deri për gjeneratat e ardhshme.
“Në kuadër të këtij programit, gjatë viteve 2022/23 janë paraparë edhe hapat që do të ndikojnë në krijimin e një baze stabile, legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Kosovës. Në kuadër të këtij grupi ne kemi menduar që ta zhvillojmë punëtorinë e sotit në ndarjen e disa grupeve dhe katër grupe do të fokusohen në tema të caktuara në kuadër të kësaj punëtorie. Përzgjedhja e temave dhe ndarja e tyre si grup punues ka të bëjë me legjislacionin, interpretimin dhe ekspozimin, programet edukative dhe metodat e ruajtjes edhe invertarisë”, u shpreh punëtorja profesionale e këtij muzeu.
Në këtë konferencë u diskutua edhe për pjesën e hartimit të dokumentit, që vjen si rrjedhojë e kërkesave dhe nevojave të përbashkëta të punonjësve profesional të muzeve dhe avancimin e fushës së muzeologjisë në përgjithësi.
“Deri më tani grupi punues ka hartuar një pyetësor që i trajton veprimtarinë muzeale dhe ka ndarë me përfaqësuesit e muzeve në Kosovë, si dhe ka filluar edhe punën në terren për të dokumentuar gjendjen aktuale të muzeve qendror dhe atyre lokal, ku janë shfaqur problematikat e ngjashme gjithandej, si mungesë e stafit profesional, mungesë e buxhetit, objekte jo-adekuate, mungesë e trajtimit adekuat e trajtimit të koleksioneve si rrjedhojë e një problemi kryesor që vjen si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës ligjore në Kosovë”, përfundoi ajo.
Ndërkaq, Kryetarja e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, theksoi se është një hap shumë i mirë formimimi i grupit punues për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të muzeve në Kosovë.
“Ndoshta është një gjë jo shumë e mirë që ende nuk kemi një dokumentim të mirë se sa koleksione ose sa lloje të muzeve ka në Kosovë, e aq më tepër pjesën legjislative kanë statut të akt-themelimit e shumë çështje të tjera. Është shumë e vërtetë që muzetë në përgjithësi, edhe vetë prej definicionit të muzeve, edhe rolit e fuqitë të cilat i kanë muzetë. Gjithmonë në kemi menduar që muzetë janë vende të ftohta, të cilat në një lloj forme e arkivojnë një pjesë të kaluar, ku mund ta vizitosh një muze vetëm një herë, pasi herave të tjera nuk do të jetë më interesante”.
Halimi pati disa fjalë edhe për pjesën që vizitat në Muze duhet të jenë më të shpeshta, për arsye se gjithmonë mëson diçka të re.
“Në fakt, ajo ka po shkon vetë muzeu edhe ideja që muzetë janë edhe vende ku ti mundesh me i vizitu shumë më shumë se një herë dhe çdo herë me mësu diçka të re, dhe kjo falë interaktivitetit dhe metodologjisë së re që përdoret nëpër muze, d.m.th. që përmendet digjitalizimi, interaktiviteti e çështje të tjera. Po ashtu është e rëndësishme që edhe vetë definicioni i muzeve, nuk e di cili do të jetë këtë vit, zgjidhet vetë, për të ndërruar e për t’i parë muzetë në qendra polifonike që përveç arkivimit, mund të bëjnë edhe një farë forme çështje të tjera që kanë të bëjnë, për atë arsye është edhe fuqia e muzeve, që edhe muzetë mund të përdoren si institucione për ndryshime shoqërore. Vetë muzeu është një institucion që ngërthen në vete dhe nxitë pyetje”, tha Halimi duke i ofruar përkrahjen e departamentit të cilit ajo udhëheq.
Në anën tjetër, drejtori i Muzeut, Ajet Leci, ka thënë për KultPlus se ka bashkëpunim të mirë mes muzeut që ai drejton dhe atyre qendror e rajonal.
“Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet datës 18 maj me aktivitete të ndryshme. E kemi filluar me një punëtori me një përbërje të komisionit për konceptit e muzeve, aty ndërlidhet edhe puna mes muzeve rajonal e qendror. Me Muzeun Kombëtar Historik kemi një kalendar të përbashkët me aktivitete të paraparë që kemi filluar t’i realizojmë disa ekspozita, ku njëra është mbajtur në fund të marsit që është mbajtur së fundmi. Ne kemi shtyrë për shkaqe teknike deri në qershor”.
Ai tutje tregon se ka bashkëpunime edhe me muzetë në Maqedoninë e Veriut, ku së shpejti Leci beson se do të ketë edhe një memorandum bashkëpunimi me këto institucione.
Sa i përket pjesës së digjitalizimit, Leci thotë se njëri ndër planifikimet për këtë vit është edhe pasurimi i ekspozitës bazë.
“I kemi dy ekspozita të përhershme në këtë institucion që jemi. Ekspozitën e arkeologjisë dhe historisë që përfshijnë të gjitha periudhat historike. Në planifikime bënë pjesë edhe digjitalizimi”.
Muzeu Kombëtar i Kosovës në vartësi të veten ka kompleksin “Emin Gjiku” dhe shtëpinë e pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.
I pyetur se cila është fuqia e muzeut, sipas mendimit të tij, Leci thotë se ndërgjegjësimi i shoqërisë është fuqia kryesore e një muzeu.
“Domethënë, vetë fakti i emërtimit Muze Kombëtar i Kosovës ka një fuqi të madhe. Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi për të vizituar këtë pasuri që e kemi këtu. Sot e kemi edhe një ekspozitë ku i kushtohet një koleksioni të gjerë, rreth 1247 artefakte që i kemi, të cilat janë marrë nga Serbia gjatë luftës së fundit.
Një nga vendet më udhëzuese dhe edukative për të mësuar nga shtizat parahistorike te mumiet egjiptiane, nga skulpturat e lashta greke te armatura mesjetare dhe shumë e shumëçka tjetër janë pikërisht muzetë, që posedojnë artefakte madhështore të historisë. E pikërisht Muzeu Kombëtar i Kosovës ka rreth 50 mijë artefakte. /KultPlus.com
Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.
Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.
“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.
Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.
“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.
Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.
“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.
“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.
Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com
Me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Seli e Shenjtë dhe 150 vjetorit të lindjes së Atë Gjergj Fishtës, Ambasada e RSH-së pranë Selisë së Shenjtë ka organizuar konferencën ” At Gjergj Fishta midis historisë poezisë dhe fesë”. Konferenca u mbajt në Sallën Vasari të “Palazzo della Cancelleria” Romë, aty ku ndodhen Gjykatat e Vatikanit.
Pas përshëndetjeve të Kreut të Misionit Majlinda Dodaj, fjalë përshëndetëse mbajti dhe Prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini.
Të pranishmit sollën dëshmi të ndryshme nga jeta dhe vepra e fratit franceskan Gjergj Fishta. Blerina Suta Profesoreshë e Albanologjisë në Universitetin e “Napoli l’Orientale”, diskutoi kumtesën e saj me temë “La Poetica Europea di un Frate Francescano Balcanico: Gjergj Fishta e la Cultura Albanese”. Profesoresha Evalda Paci nga Akademia e Studimeve Albanologike – Tiranë, solli kumtesën me temë “Alcuni Aspetti Peculiari dell’Arte Scrittoria di Padre Gjergj Fishta”. Moderator i Konferencës ishte gazetari i të përditshmes ACI STAMPA Andrea Gagliarducci. Nga Këshilli Papnor për Kulturën (Ministria e Kulturës) mori pjesë SH.T. Imzot Carlos Azevedo.
Aktorja dhe dramaturgia e njohur italiane Isabel Russinova, recitoi poezitë e Atë Gjergj Fishtës në gjuhën italiane. Fragmentet që u përzgjodhën ishin nga kryevepra e At Gjergj Fishtës “LAHUTA E MALCISË”.
“Jemi në alpet shqiptare në kufi me Malin e Zi – u shpreh Isabel Russinova perpara leximit të këngës së XII të Veprës “Lahuta e Malcisë” – Jeta e banorëve udhëhiqet nga Kanuni, Kodi tradicional i cili karakterizon një sens të thellë të barazisë. ‘Një frymë vlen sa një tjetër; përpara Zotit nuk ka dallim”.
Më tej aktorja Isabel Russinova lexoi poezitë: “Gjuha Shqipe”, “Një Lule Vjeshte”, “Zana e Madhe qan Tringën” etj.
Poezitë e përzgjedhura u recituan edhe në gjuhën shqipe nga gazetaria e Radio Vatikanit programi shqip, Klaudia Bumci.
Të pranishëm në Konferencën për të përkujtuar Atë Gjergj Fishtën në 150 vjetorin e lindjes ishte Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, autoritete të Vatikanit, autorite italiane, arbëresh dhe shqiptarë. / KultPlus.com
Konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” do të mbahet më 13 dhe 14 dhjetor në hapësirat e Kinema “Jusuf Gërvalla”.
E organizuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, kjo konferencë avokon për forma të reja dhe efektive të partneritetit dhe bashkëpunimit publiko-civil, duke inicuar një diskutim dhe duke vendosur një plan për përpjekjet e ardhshme të rrjeteve të organizatatave kulturore, komuniteteve artistike dhe autoriteteve publike.
Konferenca është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte, dhe Pogon.
Përmbajtja e kësaj konference është përgjegjësia e Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian.
Pjesë e konferencës do të jenë edhe këto panele:
Paneli I: “Mbështetje e Qëndrueshme Publike për Skenën e Pavarur Kulturore”
Paneli II: “Qeverisja e Infrastrukturës Publike”
Panel III: “Rrjetet e Kulturës”
Ndër të tjera, do të mbahen dy sesione pune që do të trajtojnë hapësirat kulturore dhe financim publiktë tyre dhe rrjetëzimin e bashkëpunimin kulturor. Në kuadër të konferencës, janë paraparë dy vizita në dy objekte me potencial të shndërrimit në hapësira kulturore: “Domi Ramiz Sadiku” dhe “Kulla e Ministerit”.
Konferenca do të jetë e mundur në tri gjuhë (me përkthim simultant) ndërsa pjesëmarrësit do të jenë nga i gjithë rajoni. / KultPlus.com
Sot në Prishtinë ka filluar konferenca shkencore ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, shkruan KultPlus.
Në Prishtinë për dy ditë rresht në kuadër të kësaj konferencë do të bëhen së bashku studiues të cilët para të pranishmëve do të lexojnë kumtesat e tyre të cilat në fokus kanë jetën dhe veprimtarin e Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Në mesin e studiuesve të cilët do të lexojnë kumtesat e tyre janë: Aurel Plasari, Gjon Berisha, Muhamet Mala, Pal Fodor, Ksenofon Krisafi, Antal Molnar, Pranvera Bogdani, Eduart Caka, Pëllumb Xhufi, Evalda Paci, Iljaz Rexha, Qerim Lita, Bedri Muhadri, Dominik Qërimi, Jusuf Buxhovi, Skënder Blakaj, Jakup Krasniqi, e shumë studiues të tjerë.
Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Sabit Syla, tha se organizimi i kësaj konference bëhet për ta kujtuar dhe respektuar Skënderbeun. Skënderbeu sipas tij u bë frymëzim për shumë fusha duke përshirë këtu edhe letërsinë dhe artin pamor po jo vetëm, pasi që, edhe shumë institucione mbajnë emrin tij.
“Sot kur përkujtojmë 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar është shumë e rëndësishme që të theksohet dashuria dhe respekti që gëzonte Skënderbeu nga të tjerët dhe roli i tij bashkues pasi që kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit ku lindi por mori edhe përmasa evropiane”, theksoi ai.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit Ndërministror për vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Jahja Lluka u shpreh se deri tani janë organizuar shumë aktivitete për të shënuar këtë vit mbarëkombëtar por aktivitete të tilla nuk do të mungojnë as në pjesën tjetër të viti që ka mbetur.
“Përmes këtij organizmi të mirëfilltë shkencor ju jo vetëm që do të nxirrni në pah të vërteta të reja historike dhe shkencore por edhe do të përcillni porosinë e madhe të Gjergjit ‘Bashkimi bënë fuqi’”, u shpreh Jahja Lluka, para studiuesve të pranishëm të cilët do të lexonin kumtesat e tyre sot.
Ministri i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë , Shyqiri Bytyçi u shpreh se Gjergj Kstrioti-Skënderbeu është njëri nga figurat më te respektuara të historisë.
“Si figurë unifikuese ai ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptarë. Skënderbeu si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak për 25 vite rresht arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar edhe përkundër se ai u ndesh me ushtrinë më të madhe të kohës, për afër gjysmë dekade ishte i pathyeshëm”, u shpreh ai.
Ndërsa akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë tha se në këtë konferencë dhe në tjetrën që do të mbahet pas disa ditësh në Tiranë, studiuesit do të sjellin të dhëna të rëndësishme albanologjike të cilat në fokus do të kenë Skënderbeun.
Nesër në kuadër të këtij organizmi duke filluar nga ora 11:00 në amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare do të bëhet edhe promovimi i disa librave kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe Mesjetës./ KultPlus.com