Shtëpia e Kongresit në Lushnjë, Gonxhja: Do të zbatojmë vendimin e gjykatës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë do të ndjekim zbatimin e plotë të vendimit të gjykatës dhe respektimin e së drejtës së pronarit, sa i përket qirasë dhe çdo detyrimi që buron nga ky vendim”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, në interes të deputetit të opozitës Saimir Koreshi, për Shtëpinë e Kongresit dhe restaurimin e Kishës së Shën Mërisë, në Lushnjë, Gonxhja theksoi se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, do të ndiqen të gjitha procedurat e vendimit të gjykatës”.

“Sa i takon Kishës së fjetjes së Shën Mërisë, që është në Bisht Qethëm në Lushnjë, ka dështuar vjet 4 herë procedura, pasi ka qenë procedurë me një vlerë të vogël dhe nuk ka pasur interes. Do të mundohemi me hapjen e buxhetit të këtij viti, për shkak të riorganizimit dhe krijimit të MEKIT të bëjmë një procedurë më të plotë me disa objekte bashkë dhe ta realizojmë”, sqaroi Gonxhja.

“Megjithatë vuri në dukje Gonxhja, është e lejueshme dhe zbatimi i një projekti nga vetë priftërinjtë e kishës me kusht që projekti të kalohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë së Mbrojtjes së Kulturës”./atsh/KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, ngjarja që 104 vjet më parë ndaloi copëtimin e Shqipërisë

104 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre. Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.

Në këtë përvjetor u përkujtua nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, shkruan KultPlus.com

Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit.
Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.

Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /KultPlus.com

105-vjetori i Kongresit të Tiranës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 19 dhjetor 1918 u mbajt Kongresi i Tiranës.

Ky Kongres u mbajt në vazhdën e veprimeve për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar, për të arritur konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Të gjitha zhvillimet çuan në organizimin e Kongresit të Lushnjes, më 28-31 janar 1920.

Në organizimin e Kongresit të Tiranës, një rol të rëndësishëm luajti ish-nënprefekti Rauf Fico. Në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Rauf Ficos, më 7 dhjetor 1918, ku mernin pjesë Sotir Peçi, Abdyl Ypi, Ismail Ndroqi, Mytesim Këlliçi, Sinan Hoxha, Myslim Beshiri dhe Rauf Fico, u vendos që të thirreshin qarqet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Mat, Dibër, për të biseduar për bashkimin e këtyre viseve.

DPA publikon edhe ftesën e hartuar për t’iu dërguar delegatëve që do të ftoheshin në Kongres, si edhe përgjigjen e delegatëve të Divjakës./atsh/KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme për pavarësinë e plotë të Shqipërisë

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920.

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike.

Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij, u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. /atsh /KultPlus.com