Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa ishte i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.
Përmes poetit Lulzim Tafa, letërsia shqipe u bë pjesë e këtij Kongresi, i 42-ti me radhë, ku sivjet për herë të parë u mbajt në një anije gjigante ku morën pjesë poetë nga mbarë bota.
Kongresi nisi në Romë-Itali dhe lëvizi bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi për tu kthyer përsëri në Itali.
Në ditën e fundit të këtij Kongresi, një nderim i madh ju bë poetit Lulzim Tafa, ku në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, poeti kosovar ishte njëri nga 8 poetët që Kongresi i nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa, teksa është shprehur i nderuar për këtë vlerësim që i është bërë.
“Të nderuar miq!
Një nderim i madh mu bë në ditën e fundit të Kongresit Botëror të Poetëve.
Në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, isha njëri prej 8 poetëve që Kongresi i Nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature””, shkruan Tafa. / KultPlus.com