Institucionalizimi i gjuhës shqipe nëpërmjet Kongresit Arsimor të Lushnjes

Institucionalizimi i një gjuhe historikisht është bërë në dy mënyra kryesore: nëpërmjet fesë, dhe nëpërmjet politikës.

Gjuha shqipe edhe pse është aq e vjetër sa edhe vetë populli shqiptar, nuk e pa dritën e institucionalizimit deri në gusht të vitit 1920, as nëpërmjet fesë, siç ndodhi në mesjetë me greqishten, latinishte, sllavishten, apo osmanishten dhe as nëpërmjet ndonjë formacioni politik, siç ishte rasti i hungarishtes, gjermanishtes, frengjishtes apo të gjitha gjuhët e tjera evropiane që u institucionalizuan gjuhën e tyre sapo u bënë mbretëri e të tjera, sapo u bënë shtete.

Në këtë kontekst, Kongresi Arsimor i Lushnjes është po kaq i rëndësishëm sa edhe vetë 28 Nëntori 1912, sepse për herë të parë të gjithë shqiptarët lidheshin në mënyrë të detyrueshme me njëri-tjetrin me fjalën e shkruar në gjuhën e tyre.Kongresi Arsimor i Lushnjës për fat të keq nuk është aq i njohur në historinë e Shqipërisë. Ai nuk përmendet fare në vëllimin III, të Historisë së Popullit Shqiptar të botuar në vitin 2007 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë që mbulon Periudhën e Pavarësisë nga 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939, edhe pse në vitin 1990, me rastin e 70-vjetorit të mbajtjes së këtij Kongresi u organizua një sesion shkencor, kumtesat e të cilit sot ruhen në dosjen 366 të AQSH.

Kongresi Arsimor i Lushnjës nuk e meriton një heshtje të tillë, sepse ai është jo vetëm gjuhësisht kongresi më i rëndësishëm për shtrirjen masive të gjuhës shqipe në të gjithë Shqipërinë e madje përtej asaj politike duke zhdukur analfabetizmin që ekzistonte deri në atë kohë, por edhe politikisht, sepse për herë të parë në historinë e shqiptarëve, rrjeti arsimor do të shtrihej në mënyrë të detyrueshme në të gjithë trojet shqiptare, gjë që ishte një sipërmarrje madhore, po të mbahet parasysh që duhej ngritur dhe duhej mirëmbajtur një ngrehinë gjigante shkollash, arsimtarësh, materialesh didaktike e gjithçka tjetër që ka lidhje me arsimimin e që ne sot e marrim për të mirëqenë.

Kongresi Arsimor i Lushnjes ishte ai që për herë të parë bëri që çdo fëmijë shqiptar pa përjashtim të ishte i detyruar të kryente shkollën fillore (3 vjet në fshatra dhe 5 vjet në qytete). Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, të gjitha shkollat do të kishin jo vetëm të njëjtat libra shkollorë, për të cilat 219 terma të përbashkëta për gjuhën, aritmetikën dhe gjeometrinë u vendosën po në ato ditë të Kongresit, por edhe të njëjtën mënyrë administrimi (orare, dëshmi shkollore, amza, regjistra të përditshëm dhe të përjavshëm).

Kongresi i Lushnjës që zhvilloi punimet në janar të vitit 1920, nga ku doli qeveria kombëtare me kryeministër Sulejman Delvinën është sigurisht mjaft i njohur. Ishte ky kongres që caktoi si ministër të arsimit Sotir Pecin, një njëri me mjaft eksperiencë në arsim dhe vizionar. Më 26 korrik 1920, Sotir Peci i shkruajti Këshillit të Ministrave: “Duke pasur nevojë që të njësojmë programet e metodën për të gjitha shkollat e Shqipërisë, të cilat kanë vepruar deri me sot të ndara (sipas ish-zonave të pushtimit), kemi menduar të formojmë një komision teknik, në të cilin do të marrin pjesë fuqitë më të mira arsimore prej të gjitha viseve. Ky komision të mblidhet në Lushnjë, si vend historik”.

Edhe në këtë kontekst është interesant fakti që zv. Prefekti i Beratit, Mahmut Sula i dërgon një telegram Ministrisë së Punëve të Brendshme më 25 gusht 1920 ku shkruan: “Po lajmëroheni se në lushne bahet nji kongres paratogjik nga mbledhja e të cillët si prefektura ashtu dhe zyra arrësimit nuk kanë njoftim.” Duke qenë se historia nuk të fal, injoranca e zyrtarëve jovizionarë del në pah jo vetëm nga mungesa e informacionit për aktivitetin më të rëndësishëm të jetës së tij, e madje të një kombi të tërë, por edhe nga mënyra sesi e përdor ai vetë gjuhën: ‘lushne’ është shkruar me shkronjë të vogël, ‘paratogjik’ duhet të ishte ‘pedagogjik’, ‘arrësimi’ nuk duhej ngatërruar me arrat, por të shkruhej ‘ar(ë)sim’.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit kishte ngarkuar nënperfektin Hiqmet B. Delvina dhe kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Besim Nurin, që ta organizonin Kongresin Arsimor në bazë të përvojës së shtatë muajve më parë, që kishte qenë një sukses pa as më të voglin hije dyshimi. Pritej pra që të vazhdohej po me të njejtën frymë dhe organizim. Komisioni i Kongresit përbëhej nga kryepleqtë e nënprefekturave për të realizuar me sukses vazhdimësinë e punës së kongresit politik të janarit dhe të gjithë ndjenin përgjegjësinë që kishte ky aktivitet për të ardhmen e shqiptarëve në të gjitha trojet, gjë që e tregon edhe harta gjeografike e delegateve që morën pjesë në këtë kongres: Prishtina, Prizreni, Gjakova,Shën Mitër Korona, [Arbëreshet e Italisë], Zara, [Koraci] Shkodra (Gaspër Mikeli, Ndue Paluca, Kolë Margjini, e Ismail Anamali), Peshkopia, Tirana (Jozef Fekeçi), Durrësi, Elbasani (Aleksandër Xhuvani, A. Gashi), Pogradeci (Mihal Bellkameni), Korça (Aleko Kondili e Dhimitër Mborja), Permeti, Gjirokastra (Thoma Papapano, Ilia Dilo e Petref Pogoni), Saranda, Himara, Vlora, Fieri dhe Lushnja.

Pritja e delegatëve (misive) ishte modeste, por e mirorganizuar, me civilë, ushtarakë dhe mësues të vendosur në të dyja anët e nënprefekturës dhe e shoqëruar me ato pak vegla muzikore, e me lule e flamuj letre në duart e nxënësve të shkollës plotore e asaj femërore, duke i dhënë kongresit solemnitetin e një ngjarjeje simbolikisht të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare. Edhe pse modeste, kjo pritje i ka të gjitha elementet simbolike të një aktiviteti solemn, gjë që tregon se pavarësisht mundësive reale, organizatorët i kushtonin rëndësi çdo detaji simbolik shtetëror.
Në lidhje me simbolikën dhe solemnitetin ritual, mua më tërhoqi vëmendjen edhe fakti që Kol Margjini nxorri një leter të Ministrisë së Arsimit edhe sipas porosisë që kishte pasur ia dorëzoi delegatit më të moshuar Aleko Kandilit, i cili e hapi letrën dhe ia dorëzoi përsëri Kolë Margjinit që ta lexonte. Respekti ndaj më të moshuarit te shqiptarët është jo vetëm në traditën gojore, por dokumentohet në formë të shkruar që në shek. XIV në Statutet e Drishtit. Letra u lexua, pra, para Kongresit Pedagogjik dhe më pas për rëndësinë e Arsimit për Shqiperinë folën Gaspër Mikeli, Aleko Kandili, e Dhimitër Mborja me fjalë të tilla si “një popull pa arsim s’mund të rrojë e s’ka të drejtë të rrojë.”

Hiqmet B. Delvina (nënprefekti) dhe Besim Nuri (kryetari i Bashkisë) bënë hapjen e Kongresit duke falendëruar pjesëmarrësit si dhe duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti për shqiptarët, por sigurisht që ata të pavetëdijshëm për gjithë ndikimin që ky kongres do të kishte më vonë në identitetin shqiptar, që tani po vendosej mbi dokumente të shkruara e jo më mbi traditën gojore siç kishte ndodhur deri në atë kohë. “Shkronjat i shkatërruan piramidat” kishte shkruar Viktor Hugo një shekull më parë, , kështu që përqafimi i shkronjave ishte bërë tashmë misioni kryesor i shqiptarëve të shekullit XX, që t’u mbijetonin influencës së kulturave të shkruara dhe agresive të fqinjëve.

Duke kuptuar rolin e jashtëzakonshëm që duhet të luante në luftën me penë që duhet të bënin shqiptarët, Ministria e Arsimit kishte përcaktuar si detyra kryesore të Kongresit Arsimor (pedagogjik) të Lushnjës pikat e mëposhtme:

  1. Hartimi i programit sintetik për shkolla fillore e qytetse
  2. Zhvillimi i programit analitik të daem javë në javë për shkolla fillore 4 e 5 klasëshe e për shkolla fillore 3 klasëshe të katundit.
  3. Vendim për botimin e tekstave shkollorë si librave të këndimit, gramatikave e numeratoreve.
  4. Caktim i njij gjuhe të përbashkët, mbas të cillës do t’u shkrueshin prej tashi të gjith librat shkollorë.
  5. Bisedim e vendim për botimin e e njij të përkohëshmes pedagogjike.
  6. Caktim e herorve shkollorë, i rregjistrave të përditshëm e të përjavshëm, i amzave, dishmive shkollore e i të tjerave librave zyrtare, qi do të mbajë drejtorija e secillës shkollë.
  7. Dishire e paravûme të Kongresit çkâ i përket sidomos çâshtjes së përmirsimit t’organizimit të shkollave.
    Krahas delegatëve të ftuar në kongres ishin edhe disa mësues lushnjarë, midis të cilëve: Ikonom Kozma Dhima, Elmaz Boce, Anastas Laska, Naun Prifti (Doko), Theodhor dhe Aleks Rista, Roza Kakarriqi si dhe organizatorët Jani Minga dhe Tefik Zoto.
    “Mbassi muer fund festimi i të çilunit të Kongresit, në mbledhjet e përditshme qi u mbajtën për gjiih ditë prej orëve 9-12 para dreke e 3-6 mbas dreke, u zbatuen këto pika të programit që po i rreshtojmë këtu poshtë:
  8. U caktuen fjalëskajet mâ me randsí e mâ të nevojshme të secilles landë mësimi.
  9. U hartuen programat sintetik të shkollave fillore e qytetse.
  10. U zhvilluen programat analitik të daem javë në javë të shkollave fillore 4 e 5 klasëshe të qytetit e 3 klasëshe të katundit.
  11. U vendue qi botimi i librave shkollorë e i të përkohëshmes pedagogjike t’i ngarkohet Komisis letrare i sâ mâ parë do t’u mëkambte në gjí të Ministrís s’Arësimit.
  12. Tekstat shkollorë, qi do të hyshin në përdorim ndër shkolla fillore, do t’ishin këto: Libri I, II, III, IV e V i këndimit – Libri I, II, III, IV e V i numerntores – Libri i gramatikës do të hítë në përdorim çë prej klasës së dytë, tue pasë secilla ka nji libër në vedi e tue përmbajtë secilli vetëm landën qi paravên programi i secilles klasë.
  13. Çë prej klasës III e përpjetë u vendue qi t’u përdorote në secillën klasë edhe ka nji libër Dheshkrojet, Historijet, e nji libër Historijet e Ditunijet të natyrës tue përmbajtë secilli vetëm aq landë sa parashkruen programi i secillës klasë.
  14. Si gjuhë letrare, mbas të cillës do t’u shkrueshin librat shkollorë, u muer për themel djalekti i Elbasanit me disa permirsime tue i ruejt do ndryshime typike, qi u përkasin formavet etymologjike të fjalëvet të rujtuna mâ mirë në djalektin tosknisht e në disa ndërdialekte gegenishte.
  15. U vendue qi libri I i këndimit të jetë i shkruem thjeshtë gegnisht o thjeshtë tosknisht; libri i II të jetë i përziem me copa leximi në djalektin gegnisht e tosknisht e librat e këndimit për klasët të tjera t’u hartoshin vetëm në gjuhë letrare tue e marrë për themel dialektin e Elbasanit.
  16. Deri sa mos t’ishin botuem librat qi u përmendën sypri u dâ, qi shkollat t’i përdoroshin ata libra qi kishin pasë përndore deri më sot.
  17. U shkruen mostrat e herorve, dishmimeve shkollore, amzave, registrave të përditshme e të përjavshëm e u vendue qi çë do shkollë të përdori: 1. Nji Regjistër Amzë – 2. Nji Regjistër të përditshëm për ç’do klasë – 3. Nji Regjistër të përjavshëm për ç’do klasë – 4. Nji Inventar veglash e orëndish shkollore – 5. Nji Inventar për bibliotekë – 6. Nji Protokoll konferencash e – 7. Nji Libër kronikash, ku do të shkruhet çdo ngjarje a punë e madhe a e vogël qi lidhet me shkollën, sikurse edhe historia e sajë e shkrueme shkurtas.
  18. U vendue qi nxânësve të shkollave fillore t’u ipen në vijim të vjetit shkolluer nota bimestrale e nxanësve të shkollave qytetse, normale etr. Nota semestrale si në sjellje ashtû edhe në cenë e në përparim.
  19. U dá, qi prej klasës III fillore e përpjetë, t’u mësote edhe nji gjuhë e dytë, të cillën kishte për t’a caktuem Ministrija e Arësimit.
  20. U vendue qi orët e besimit t’i caltoj secilla Inshpektori në marrëveshtje me të parët e besimit.
  21. Si të kremte fetare e kombtare ndër të cillat do të mbaheshin shtyllat u caktuen:
    A. Për Katolikët:
  22. Dita e parë e vjetit (Motmoti i ri) – 2. Dita 6 e Kallëndorit (Ujt e bekuem) – 3. Dita 19 Marc (Shën Jozefi) – 4. Dita 25 Marc (Zoja e lajmueme) – 5. Dita 29 Qershuer (Shën Pjetri e Pali) – 6. Dita 15 Gusht (Të ngjitunit e Zojës në qiell) – 7. Dita 8 Shtatuer (Të lemit e Zojës) – 8. Dita 1 Nanduer (Të gjithë Shêjtnat) – 9. Dita 8 Dhetuer (Zoja e papërlyeme) – 10 Krishtnellat 4 ditë (24-27 Dhetuer). – 11. Pashkët 6 ditë – 12. Dita e Shelbuemit – 13. E hanja e Rrshajvet – 14. Korpi i Krishtit – 15. Dita e kishës së vendit (po qe zakon).
    B. Për Myslimanët:
  23. Kurban Bajrami 5 ditë. – 2 Ramazan Bajrami 3 ditë. – 3. Mevludi 1 ditë. – 4. Nata e Gajipit nji ditë. – 5. Nata Mirazhid 1 ditë. – 6. Nata e Beretit 1 ditë. 7. Nata e Kadrit 1 ditë. – 8. Nata e Nevruzit 1 ditë.
    Në kohë të Ramazanit u dá, qi mësimet të bahen 3 orë në ditë tue i mësuem vetëm landët mâ të nevojshmet. Caktimi i kohës s’orëvet i u la në dorë t’inshpektorit e të mësuesavet. Dy ditë para Ramazan Bajramit u dá qi mos të bahet mësim.
    C. Për Orthodoksët: (mbas Kalendarit Julian).
  24. Dita e parë e vjetit (Shën Vasili.) – 2. Dita 6 7 Kallënduer Shën Joan Pagëzori – 3. Dita e tre irarkvet (30 Kallënduer). – 4. Dita 2 Fruer (Ipapandi) – 5. Dita 25 Marc (Evangjelizmo). – 4. Dita 6 Mâj (Shën Gjergji). – 7. Dita 21 Maj (Konstantini e Helena). – 3. Dita 8 Shtatuer (Lindja e Shën Mrís) – 9. Dita 14 Shtatuer (Shën Kryqi) – 10. Dita 26 Tetuer (Shën Mitri.). – 11. Dita 8 Nanduer (Shën Mëhilli) – 12. Dita e 21 Nanduer (Isodhia) – 13. Dita 6 Dhetuer (Shën Kolli) – 14. Krishtnellat 4 ditë (24-27 Dhetuer) – 15. Pashkët 6 ditë – 16. Dita e Shelbuemit – 17. E hanja e Rrshajvet – 18. Dita e kishës së vendit (po qe zakon).
    D. Si të kremte kombtare u njofën:
    Dita e flamurit (28 Nanduer) – e Dita e fronit (7 Marc).
  25. Ndër shkolla, kû jânë të përfaqësuem nxânëst e të dy besimeve (të krishtenë e mysliman) më nji numër të njinjishëm a po gadi të njinjishëm atëherë të gjitha të kremtet e naltpërmunduna (myslimane katolike apo orthodokse) u vendue qi të mbahen si të kremte të përgjithëshme d.m.th. prej të gjith shkollës.
  26. Ndër shkolla, ku nxânëst e njanit apo tjetrit besim jânë të përfaqësuem me nji numër mâ të vogël, atëherë të kremtet e atij besimi, qi âsht, i përfaqësuem me numër të vogël u da qi të mbahen vetëm prej nxënësvet t’atij besimi, por jo prej të gjith shkollës.
  27. Nder shkolla të ndjekuna vetëm prej nxânësh myslimanë u vêndue qi të gjitha të premtet të jenë ditë pushimi e përveç kësaj’ edhe nji ditë (apo dy gjysma ditësh mbasdreke) tjetër e javës e cilla mund të caktohet mbas nevojës së vêndit.
  28. Për shkolla të ndjekuna vetëm prej nxânësh të krishtênë u caktue në vend të premtes e diellja si ditë pushimi.
  29. Nder shkolla të ndjekuna përpjestisht si prej nxânësh myslimanë si prej të krishtênësh u vêndue qi të mbahet e premtja e e diellja si ditë pushimi, por jo ndo nji ditë tjetr e javës.
  30. U vêndue qi shkollat të mbyllen më 30 Qershuer e të hapen më 10 shtatuer tue vijuem nënshkrimet deri më 14, prej së cillës ditë do të filloj mësimi regullisht në të gjitha shkollat.
  31. U caktue qi Drejtorit e Arësimit të deritashme të shuhen, tue qenë se punën e Drejtorive t’Arësimit mund t’a kryjshin lehtas inshpektorat, qi do të jenë në çdo qândër.
  32. U vêndue qi shkollat fillore, të cillat s’kanë së pakut 40 nxânës qi ndjekin shkollën rregullisht, të mbyllen. Nji përveçní u bâ vetëm për shkolla propagande a politike, të cillat edhe me mâ pakë nëxanës mund të vijojshin në veprimin e vet, porse në këto shkolla të veproshin mësojës mjaftë të zotët e jo çfaredo.
  33. U da qi se i cilli qark të ketë nji numër të mjaftë mësuesash êndësa (ambulantë), qi të mësojnë fëmit e atyne katundeve, qi janë pá shkollë.
  34. Ata mësuesa qi nëpër të mbyllunit e shkollave do të jesin pá punë nga të cillët mund të pritet nji dobí u vêndue qi të ndjekin nji kurs të shpejtë në Normale të kryeqytetit, e cilla në fillim të këtij vjeti kolluer duhet të çilet.
  35. U vêndue qi përveç kësaj të çilet nji internat në Korçë, nji në Gjinokastër, nji në Berat, nji n’Elbasan, nji në Tiranë e nji në Shkodër. Në këto internate do të mirren fëmij mentarë shtëpijash së ndershme në qarqe të qyteteve të naltpërmendun, qi s’kanë rasën të ndjekin nji shkollë të rregullshme në vênd të vet. Nga numri i nxânësvet, qi ndjekin internatët, do të zgjidhen ata qi do të bâhen mësuesa edhe nëpunës tjerë të shtetit, kush tue ndjekun shkollat e mjesme të vêndit, kush tue u derguem në shkolla të përjashtme.
  36. U da qi rroga e mësuesavet të jét e kategorizueme mâ mirë se ajo e nëpunësave ttjerë të shtetit.
  37. U vêndue, qi ç’në ketë vjetë të themelohet një fond e nji ligjë pensionesh për mësojës.
  38. Së pakut nji herë në vjetë u dá qi të bâhet nji mbledhje inshpektorash në kryeqytet, kû do të rrahen e të përfliten çashtjet aktuale të degës arësimore.
  39. U vêndue qi së pakut njiherë në vjetë të bâhet në secillin qark ndën kryesí t’inshpektorit të vendit nji mbledhje e përgjithëshme e mësuesavet t’atij qarku, kû do të rrahen e do të përfliten nevojët e çashtjet arësimore të qarkut. Mbas kësaj mbledhje do të bâhet në kryeqytet mbledhja e inshpektoravet.
  40. U dà qi në çdo Inshpektorí të jét nji këshillë arësimore e qarkut e në çdo vend, ku ka shkollë, nji këshillë shkollore e vêndit. E para do të jét e përbâme prej prefektit (ndënprefektit) ase zâvendsit të tij, kryetarit e dy këshilltarve të bashkís, inshpektorit e prej priftit apo hoxhës së vêndit. E dyta do të jetë e përbâme prej mâ të vjefshmit drejtuer të ndo nji shkollës së vendit, prej priftit a hoxhës a prej dy myftarve të vêndit.
  41. U vendue qi të gjitha shkollat private të veprojnë mbas programit të shkollave qi i mbanë shteti e të jenë ndën kontroll e inshpektim t’Inshpektoris s’Arësimit.
  42. U da qi mësuesat të klasifikohen nder këto kategorina: 1. Profesora qi kanë mbarue universitetin, – 2. Mësuesa qi kanë mbarue nji normale t’Europës, – 2. Mësuesa qi kanë mbarue nji gjimnaz të plotë bashkë me nji kurs pedagogjik, – 4. Mësuesa qi kanë mbarue nji shkollë qytetse e nji kurs të shpejtë të Normales, – 7. Mësuesa qi kanë mbarue nji shkollë fillore e nji kurs të shpejtë të Normales.
  43. Për mësuesat e të gjith këtyne kategorinave u vendue qi të merrën para sŷsh aftësija e vjetët e sherbimit qi ka se i cilli./ Dielli
    Vijon…
    Titulli origjinal – INSTITUCIONALIZIMI I GJUHËS SHQIPE NËPËRMJET KONGRESIT ARSIMOR TË LUSHNJES 15-29 GUSHT 1920
    Prof. Dr. Etleva LALA
    Eötvös Loránd Tudományegyetem (Universiteti ELTE)
    Programi i Albanologjisë, Budapest, Hungari / KultPlus.com

Qerim Haxhiu, një erudit shqiptar në Egjipt

Djali i patriotit të njohur shqiptar Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu, Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920.

Shkollën fillore e kreu në Lushnje ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës dhe studimet e larta i vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kairo, Egjypt.

Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjes’ i qytetit të Lushnjës. Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptarë “Haxhiu”.

Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.

Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të Diasporës shqiptare të Egjiptit gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet. Haxhiu ka qenë nismëtar i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve, peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare. Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kairo. Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit  jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej, gjithmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin.

Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë  “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare në Kairo të Egjiptit e cila u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohur shqiptare që emigruan në Egjipt, ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë,  Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Ai ishte antikomunist i flakët, demokratë dhe nacionalist i madh.

Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e tij, gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt. Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për Diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.

Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: – “ Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”. Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Ai në Kairo ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina,  Princin Leka I, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi, etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjes e babait të Qerimit nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun. Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri. Gjithashtu gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog. Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo. Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos. Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu. Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: – “ Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu),ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”.

Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj.Shukrane me origjine nga Prishtina por me vendbanim në Kairo, vajza e Dr.Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935.Qerimi ka lënë dy fëmijë nje djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion Farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata, Doktore e Shkencave të Kimisë, Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Femijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm,por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.

Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Egjipt ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj. Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo, me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për cështjet atdhetare. Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht, etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të Bibliotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta. Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe por pa harruar edhe një nga pikturat e veçanta për të ajo e Guri Madhi-t që pasqyronte atdheun që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.

Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe, në Shqipëri. Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare. Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit. Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.

Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”- Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup. Në Gazetën Illyria,1209, 21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,   zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar

Kongresi i Lushnjës hapi zyrtarisht punimet me 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.

Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. / KultPlus.com