Kongresi i Lushnjës, 100 vjet më parë ndaloi copëtimin e Shqipërisë

100 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre. Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.


Në këtë përvjetor u përkujtua nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, shkruan KultPlus.com


Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit.
Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.

Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /KultPlus.com

Ripërpunohet kënga e Kongresit të Lushnjes në 100-vjetorin e parlamentit

Në kuadrin e veprimtarive për kremtimin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, nën kujdesin dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, është ripërpunuar dhe publikuar Kënga e Kongresit të Lushnjes, shkruan Konica.al

Më, 21 Janar 2020 parlamentarizmi shqiptar do të mbushë një shekull jetë.

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punën prej vitit të kaluar për një sërë aktivitetesh për celebrimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare.

Kongresi i Lushnjes i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920.

Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga reziku i coptimit të Shqipërisë.

Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshem i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur keshtu ceremonin e hapjes së Kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani.

Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t’i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar të nesërmen më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë.

Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxuarr si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike.

Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes. /KultPlus.com

Protesta e Kongresit të Lushnjës dërguar Konferencës së Paqes

Adil Fetahu

Kongresi i Lushnjes, apo siç e quajnë disa: Kuvendi Kombëtar i Lushnjes (21-31 janar 1920), ishte dhe mbetet një nga  ngjarjet me rëndësi në historinë e Shqipërisë, që shënoi një kthesë të rëndësishme, pozitive, në një moment kur shtetit shqiptar i kanosej rreziku i shpërbërjes, copëtimit midis shteteve fqinje dhe zhdukjes nga harta politike e botës. Territori  i shtetit shqiptar, të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), tashmë ishte i okupuar nga ushtritë e huaja, të cilat e kishin pushtuar qysh nga Lufta Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Ekonomia ishte e rrënuar tërësisht nga luftërat dhe e zhvatur nga fuqitë e huaja, ndërsa gjendja politike në vend ishte kaotike, ku vepronin grupe te ndryshme të përçara e të nxitura nga shtetet e jashtme.

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, në Paris u organizua dhe filloi punën Konferenca e Paqes, në të cilën zhonglerët e fuqive të mëdha, fituese të luftës: Anglia, Franca, Rusia dhe Italia, bënin pazaret e tyre në kurriz të shteteve humbëse të luftës. Shqipëria nuk ishte pjesëmarrëse e luftës në asnjërën anë, sepse vet ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve fqinje dhe të Italisë e Francës. Në këtë gjendje çfarë ishte, mund të ndahej e copëtohej, si pre e luftës, në bazë të do marrëveshjeve të fshehta: Marrëveshjes së shteteve të Antantës me Italinë (26 prill 1915), pastaj një marrëveshje po ashtu të fshehtë midis Italisë e Greqisë (Marrëveshja Titon-Venizellos, 29 korrik 1919) dhe marrëveshjeve tjera midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, etj. Ishte momenti i fundit të ndërmerrej diçka për shpëtimin e shtetit shqiptar. Patriotët dhe intelektualët shqiptarë të kohës, të cilët ndienin përgjegjësi morale e patriotike,  morën inisiativën për të mbajtur një kuvend kombëtar, për të unifikuar qëndrimet politike dhe forcat për mbrojtjen e vendit. Ata e organizuan Kongresin e Lushnjës, që filloi punën më 21 dhe përfundoi më 31 janar 1920, në Lushnjë. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, brenda kushteve që lejonin rrethanat e kohës. Kongresi mori disa vendime të rëndësishme për fatin e vendit, ndër të cilat do përmendur:

1)            Rrëzimi i Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit,

2)            Zgjedhja e delegacionit për Konferencën e Paqes,

3)            Zgjedhja e Këshillit të Naltë, i cili përfaqëson kryetarin e shtetit (forma e regjimit të të cilit akoma nuk ishte përcaktuar),

4)            Zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atribute të parlamentit,

5)            Zgjedhja e Qeverisë së Përkohëshme.

Një nga vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte edhe dërgimi i një proteste Konferencës së Paqes në Paris, në të cilën ishin diskutuar variante të ndryshme  në dëm të shtetit shqiptar, duke u bazuar në marrëveshjet e fshehta dhe alternativa tjera, që të gjitha në dëm të shtetit shqiptar

Pa hyrë në analizë më të thellë e të hollësishme të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, për këtë rast, në përvjetorin e 99-të të Kongresit dhe të asaj proteste,  zgjodhëm tekstin e Vendimit të atij Kongresi (Kuvendi), që iu dërgua Konferencës së Paqes, në Paris, më 30 janar 1920, me këtë përmbajtje:

“VENDIM I KUVENDIT KOMBËTAR TË LUSHNJES DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES

Kuvend iKombëtar, i mbledhur sot në Lushnje, ka votuar njëzërit të protestojë kundër vendimit të marrë nga Anglia, Franca dhe Italia për ndarjen e Shqipërisë në mes të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, duke vënë kështu në zbatim Paktin e Londrës të vitit 1915. Po ky Kuvend ka votuar sot pa kundërshtim rendin e ditës që vijon:

1) Proteston kundër vendimit që dënon një shtet asnjënës dhe të njohur si një nga kombet më të vjetër të Evropës, duke bërë që të realizohen kështu qëllimet imperialiste të qeverive fqinje. Kuvendi Kombëtar i bën thirrje botës së qytetëruar për shkeljen e parimeve të shpallura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe nga përfaqësuesit e qeverive të Antantës, pas një lufte që ka çliruar një varg kombesh nga zgjedha e të huajit.

Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë në kufijtë etnografikë dhe natyrorë, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që janë bërë nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913.

2) Kuvendi vendosi të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj.

3) Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër veç atij që të zërë një vend në Gadishullin Ballanik, duke u dhënë fund mjerimeve dhe për të gëzuar një jetë në paqe dhe në harmoni me shtetet fqinje.

Shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë të gjitha sakrificat, të derdhin deri edhe pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që mund të vërë në rrezik tërësinë territoriale dhe pavarësinë e tyre të plotë”.

***

Në situatën në të cilën u gjend Shqipëria, në kohën e Konferencës së Paqes, shpëtoi pa u copëtuar e ndarë midis shteteve të cilat aspironin trojet shqiptare vetëm falë syçeltësisë, vizionit, vendosmërisë dhe aksionit të patriotëve dhe intelektualëve të shquar të kohës, dhe me përkrahjen e politikës së drejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të Presidentit Wilson. Pastaj, dalëngadalë, me luftë diplomatike dhe luftë të armatosur, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj. /KultPlus.com