Shkruan Ndue Ukaj
Me 22 nëntor 1908, përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, i cili, e miratoi alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.
Ky Kongres, shënon njërën nga lëvizjet më emancipuese të kulturës shqiptare. Sepse, vendimet e tij, ishin tejet të dobishme, dhe i dhanë shtytje të fuqishme zhvillimit të shkrimit dhe arsimit shqip, por edhe lëvizjeve kombëtare.
Po ashtu, kjo veprimtari titanike, ndikoi në procesin e Pavarësinë Kombëtare, të shpallur katër vite pas, më 1912.
Kongresi i Manastirit (1908), me kryetar të komisionit poetin kombëtar, Gjergj Fishtën, mbetet njëra nga ngjarjet më madhore të kulturës shqiptare. Në këtë Kongres, morën pjesë delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, dhe në përbërje kishte figura të rëndësishme atdhetare të kohës, siç ishin: Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, dhe shume të tjerë.
Ky Kongres i dha vulë identitetit europian te shqiptareve, dhe njëkohësisht, i shpartalloi tendencat joeuropiane, të cilat çonin krye herë pas here ndër ne.
Ky kongres, si i tillë, në planin kulturor, kombin shqiptar e lidhi përjetësisht me Europën.
Nëse tipar thelbësor i një aksh identiteti është gjuha, atëherë shkrimi, alfabeti, është esenca e këtij identiteti.
Shkrimi është dëshmi e emancipimit dhe qytetërimit.
Shkrimi shqip, i mbijetoi një katrahure të vërtetë, sidomos gjatë shekujve të errët të sundimit osman, kur u ndalua. Kjo u bë e mundur, në saje të dashnisë që treguan për të: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, dhe shumë e shumë titanë të tjerë.
Sot, përjetësisht, duhet të jemi krenar me heronjtë e kulturës, guximtarë e përparimtarë, të cilët na lanë këtë pasuri kaq të vlefshme, shënjues të identitetit tonë.
Brezat tanë dhe ata që do të vijnë, e kanë për detyrë ta ruajnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri.
Fjalët e Fishtës në këtë Kongres, janë kumbues dhe të vlefshme për secilën kohë- janë këshilla që na bëjnë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm- edhe përpara sfidave që kemi sot, si komb, gjuhë dhe kulturë.
“Cila zemër prej shqiptari do të qëndrojë e pabindur përpara kësaj dite të shenjtë, që nuk e kemi shojtur prej 500 vjet! Jo kurrë! Do të jetë turp i madh që të kthehemi si erdhme përveç që do të qeshemi nga bota e huej, por do të shtimë popullin në dëshprim.”
Vendimet e këtij Kongresi, duhet të shërbejnë si udhërrëfim për shqiptarët e përhershëm. Dhe sidomos për të sotmit: për ata që janë ligështuar, për ata që i ka kapluar amnezia historike, dhe për ata që i ka rrëmbyer dalldia kozmopolite./ KultPlus.com