Më 10 dhjetor, ceremonia e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Festa për poetët shqiptarë po afron. Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa” po bën përgatitjet e fundit për të sjell mbrëmjen finale ku edhe do të shpërblehen fituesit e këtij edicioni.

Në mbrëmjen e 10 dhjetorit, hijeshia e fjalës dhe ngrohtësia e poezisë do të bashkohen në një valë emocionesh në KultPlus Caffe Gallery.

Kuruar me kujdes dhe pasion nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, në këtë mbrëmje finale, drita e fjalës do të ndezët në orën 19:00, kur poetët do të nderohen me çmime të veçanta për poezitë e tyre.

Edhe këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se mbrëmja finale e konkursit “KultStrofa” do të mbahet më datë 10 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Juria profesionale e këtij edicioni e përbërë nga Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda do të jenë prezentë në mbrëmjen finale dhe do t’i ndajnë çmimet për fituesit. Juria tashmë ka përzgjedhur dhjetë poezi- finalistë dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Të gjithë ju konkurrentë dhe dashamirë të artit të fjalës, jeni të ftuar në këtë mbrëmje finale ku do të ndajmë momente të mrekullueshme bashkë dhe do të përqafojmë poezitë e këtij edicioni të konkursit “KultStrofa”.

Historia e këtij konkursi ka ngjyra të veçanta, me emra të njohur si fitues ndër vite: Ragip Sylaj, Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj, të cilët kanë shtuar një kapitull të ri në pasurinë e poezisë shqiptare.

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Frutomania, Ujë Rugove dhe Veraria Labi . / KultPlus.com

“Cila është e vërteta?”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Urim Dullovi

Ca trupa milingonash
që i japin lamtumirën e fundit
anëtarit të shuar.
Grimca dheu që hareshëm bien mbi ‘tabut’.
Lisa që me hije mbulojnë
kujtimin e të vdekurve në harresë.
Të gjithë jemi një shaka e universit
që përsëritet e përsëritet
dhe bëhet aq bajat sa meken ndjenjat
e njëjtësia e përsëritur nuk na pengon.
Me a pavetëdije bëhemi pjesë e pandashme
(derisa të mos ekzistojmë)
e saj.

Vetëm në këtë moment arrita ta marr një përgjigje
për pyetjet e mia rreth jetës
dhe arsyes së saj.
E kuptova vogëlsinë time.
Vogëlsinë e botës sime.
Kotësinë e saj.
Kotësinë e përsëritshme e të pambarim.

Sa afër përgjigjes përfundimtare jam nuk e di,
por e di që e kam hedhur dhe një hap.
Një hap: kaq afër është përgjigja dhe kaq larg.

E pres një fund apokaliptik,
të tipit të filmave ‘sci-fi’.

Duket se akoma nuk e kam kryer ciklin jetësor të Dedalusit
drejt besimit në të bukurën
dhe vetëm të bukurën.

“Cila është e vërteta?” shkruar nga Urim Dullovi, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

“Ditar urbani”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Ajo mënjanoi perçen bojëgjake 
Për të gjerbur kafenë 
Kur nga të kuqet buzë si krahë engjëlli
Beftë i rrodhi lëng i bëshëm nga goja 
Më kot u mundua ta mbulonte mëkatin 
Me cepat prej mëndafshi 
Si Motra Tone 
Unë e pashë mirë gjakun që rrodhi 
Unë e pashë mirë sa rëndë e lau mëkatin… 

*

I dishrúmi drandojfil në ijën e saj të majtë 
Ku preken kuadrantet 
Katër dhe shtatë anatomik 
Sesi petalet e kuqe u hapen lartësive 
Sesi gjethet ndjellëse
Iu sulen thellësive 
Sa keq që një ditë do rrudhet drandojfili
Sa mirë që sot sfidon me përmbytje…

*

Si flatër e mori gjumi 
Mbështetur për dritaren e urbanit 
Mund ta ketë pasë zënë keq kyçin e majt
Por flinte aq qetë dhe endshëm 
Lullaby… Lullaby… 
Sa nisi të vinte përzhgjëndërrt 
Në ëndrrën time zgjuar… 

*

Qorrferman 
Syri poetik është si syri klinik 
Rrëmon pa ndalim tej damarit të ujshëm 
Pamjaftohet me shuarjet e etjes 
Pos me prekjet e ujanës 
Deri në përmbytje
Epikë e vargut të mbramë
Syri poetik mjegullohet nga metaforat 
Nga ironia… 
Avullohet përpara bekimeve dhe anasjelltas
Nënvizoj – ajo është veç bekim 
Pa anasjelltas… 

Kur qyteti dhe Ajo nuk ndeshen 
Sheshet dhe datat bëhen mirazhe 
Perënditë Erini zbrazin dufin 
Unë nisë me grushte ta hinkoj 
Ranën e Madhe të Ulqinit 
Uraganit të zemëruar 
I vë emrin e saj 
Që të mos mbetet data pa emër 
Që të mos mbetet urbani pa ditë… 

“Ditar urbani”, shkruar nga Argëzon Sulejmani, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

Hapet thirrja për konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë Arjola Zadrima.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com.

Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 1 dhjetor 2019. /KultPlus.com