Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi pati bërë të ditur anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artistëve vendor, me ç‘rast ka pasur reagime të shumta, përcjell KultPlus.
Andaj, sot ka reaguar edhe ministri Hajrulla Çeku i cili ka shprehur keqardhjen për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Disa sqarime mbi anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artit.
Fillimisht shpreh keqardhjen time për anulimin e procedurës dhe gjithë situatën e krijuar veçanërisht në raport me të gjithë artistët pjesëmarrës në këtë thirrje.
Sulmet ndaj artistëve që kanë qenë në listën e përfituesve dhe ndaj anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse janë totalisht të papranueshme. Fushata denigruese dhe kërcënimet që nisën nga momenti i shpalljes së listës janë veprime të ulëta.
Programin për blerjen e veprave të artit e kemi nisur me qëllimin më të mirë. Megjithatë, duke e përfshirë brenda Programit të Ringjalljes Ekononike kemi krijuar pritshmëri të gabuar. Do të duhej ta komunikonim më mirë në publik konceptin e programit. Gjithashtu, ankesat për konflikt interesi që i kemi pranuar kërkonin periudhë shtesë shqyrtimi. Këtë kohë nuk e kishim, pasi jemi në fund të vitit dhe brenda pak ditësh mbyllen edhe sistemet e pagesave. Për shkak se fondi përkatës i ringjalljes mund të përdoret vetëm sivjet, për shkaqe procedure kërkohej edhe anulimi formal i kësaj thirrje.
Menjëherë kemi filluar punën për thirrjen e radhës, e cila do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jemi të kujdesshëm, kemi nxjerrë mësimet tona. Blerja e veprave të artit nga shteti do të jetë praktikë e rregullt viteve në vijim dhe me buxhet të shtuar.
Edhe një herë, shpreh keqardhjen time më të thellë sidomos ndaj artistëve të listës fituese dhe bashkëndiej me ta për situatën e krijuar pa fajin e tyre. Ju siguroj që angazhimi ynë mëton fuqizimin e artistëve të Kosovës. Në këtë kuptim, besoj thellë që shteti duhet t’i blejë veprat më të mira të artit, duke e nxitur krijimin e tregut të artit, i cili e vlerëson dinjitetshëm artistin dhe artin cilëson. / KultPlus.com