Miratohet mënyra e funksionimit të Qendrës Rajonale për Konservim

Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës miratoi sot funksionimin  dhe mënyrën e organizimit të Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim (QRKR) pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas vendimit, misioni i QRKR-së është formimi dhe përditësimi i njohurive të restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara, sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, hartimi dhe zbatimi i programeve të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale.

QRKR-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në ofrimin e programeve, trajnimeve, seminareve, kurseve të formimit profesional në fushën e trashëgimisë kulturore; ofrimin e programeve të formimit fillestar fizikisht ose nëpërmjet platformave digjitale, paketës e-learning; hartimin dhe zbatimin e programeve të kualifikimit në fushën e trashëgimisë kulturore materiale; administrimin e procesit të marrjes së krediteve për përfitimin e licencave profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore; rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me trashëgiminë kulturore, teknikat e konservimit, restaurimit, si dhe menaxhimit të pasurive kulturore materiale.

Në buxhetin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në pjesën për “shpenzime korrente”, miratohet një fond i veçantë buxhetor për realizimin e misionit të QRKR-së.

Vendimi përcakton se QRKR-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e QRKR-së dhe përgjigjet përpara drejtorit të përgjithshëm të IKTK-së dhe ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Kulturës të propozojë ndryshimin e strukturës dhe organikës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi./atsh/KultPlus.com

Vazhdon puna restauruese dhe konservuese në shtëpinë e familjes Morina

Në vazhdën e projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konservuese për objektet e trashëgimisë kulturore të rrezikuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren me sukses vazhdon në implementimin e punëve restauruese në një tjetër monument të rëndësishëm të qytetit të Prizrenit.

Si rezultat, shtëpia e Iljaz Morinës, monumenti me rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike për qytetin e Prizrenit, është përzgjedhur nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për ndërmarrjen e masave emergjente.

Monumenti në fjalë i cili gjendet brenda Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës, në rrugën Marin Barleti, shtrihet në kuadër të ndërtesave të vendosura në varg, të ndërtuara në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, që paraqesin njërin prej shembujve të rrallë të ndërtesave në form vargu të ruajtura nga kjo periudhë, me funksion banimi, të kombinuar me ndërtesa administrative, fetare dhe ato tregtare. Shtëpia i takon shtëpive me tipologji të tipit me çardak në tërë ballin kryesor, e ndërtuar në kat me material guri dhe qerpiçi, të sistemit “bondruk” me trarëza prej druri.

Bazuar nga vlerësimi dhe shqyrtimi në terren nga ekipi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shtëpia është konsideruar me disa dëmtime dhe defekte të cilat duhet të trajtoheshin menjëher. Këto defekte u identifikuan në strukturë të konstrukcionit dhe mbulesë të kulmit, të mureve të jashtme dhe të brendshme, si dhe në konstrukcion meskatësh.


Degradimi i vazhdueshëm do të shkaktonte dëmtime serioze në monument, andaj duke u bazuar në këtë gjendje faktike, u ndërmorrën hapat e parë për të mbojtur shtëpinë e familjes Morina, e cila është karakteristikë për trashëgimin arkitekturore të Przrenit. Projekti në implementim realizohet si investim i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, i cili po zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren./ KultPlus.com