Programi i BE, EU4Culture ndau lajmin se konservimi i pikturave murale të shekullit XV, në kishën e Shën Antonit në Kepin e Rodonit, po përparon.
Ky sit i vlefshëm i trashëgimisë i është nënshtruar stabilizimit emergjent përmes programit EU4Culture, i cili ndau online një album fotografik me pamje nga punimet që janë duke u kryer dhe që mundësojnë konservimin e pikturave të çmuara brenda kishës.
Dr Edlira Çaushi drejton këtë përpjekje konservimi, së bashku me ekipin e saj për të ruajtur atë çka ka mbetur nga pikturat murale.
Ndërsa vepra e artit e ruajtur mbulon një sipërfaqe relativisht të vogël në krahasim me brendësinë e kishës, mbeten disa veçori të jashtëzakonshme. Ndër pjesët më të ruajtura të pikturave ndodhen në pjesën e poshtme të absidës, nën nivelin e dyshemesë dhe motive të dukshme përfshijnë një shqiponjë dykrenare me krahë të hapur ose një figurë që i ngjan një kalorëseje grua.
“Jemi të entuziazmuar kur shohim këtë pjesë të rëndësishme të historisë duke u restauruar me kujdes për ta vlerësuar brezat e ardhshëm”, shkruan EU4Culture./atsh/ KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka dalë sot me një qëndrim publik lidhur me projektvendimin e fundit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) për Butrintin.
“Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë konteksti dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projektvendimit të QTB në fillim të javës së shkuar”, bën të ditur MEKI.
Sipas Ministrisë, dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e MEKI dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it.
“MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projektvendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt. Vëmë re me kënaqësi se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe pejzazhin e saj të mbrojtur”, shprehet Ministria.
Po ashtu, sipas saj, mirëpriten studimet shkencore dhe ato të ndikimit mbi pasurinë kulturore që i paraprijnë projekteve zhvillimore, progresi i bërë drejt formulimit të instrumentave të nevojshëm për konservimin dhe administrimin e Butrintit, progresi i bërë në përditësimin e planit të veprimit dhe mirëpërgatitjen e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit për zbatimin e tij.
Gjithashtu, thotë Ministria, aty mbështeten përpjekjet e MEKI-t për krijimin e një strukture të përbashkët me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit për administrimin e gjithë Parkut Kombëtar si një i tërë, si dhe punën e nisur për thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nënzonave përbërëse të tij.
Në projektvendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025.
“Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit”, thotë MEKI.
Gjithashtu, me qëllim shpeshtimin e komunikimit dhe forcimit të mëtejshëm të koordinimit me UNESCO, MEKI bën të ditur se është formuar një ekip i posaçëm ekspertësh dhe specialistësh me përvojë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit Kombër të Trashëgimisë Kulturore.
“Fokusi i këtij ekipi është procesi i vazhdueshëm i informimit reciprok, dialogimit dhe koordinimit cilësor me UNESCO-n dhe me palët e tjera të interesit, si dhe përkthimin e rezultateve nga ky proces në linja pune të bashkërenduar me ministritë e linjës, bashkitë, partnerët dhe komunitetin”, thuhet më tej.
Së fundmi, informoi MEKI, është përcaktuar dhe një agjendë takimesh për thellimin e bashkëpunimit, duke filluar nga takimi i radhës në Paris, në 27 qershor 2024, mes përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s dhe Ministrave të MEKI dhe MTM, së bashku me ekipet teknike përkatëse. Ky takim do t’i paraprijë sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Nju-Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024.