Organizohet trajnimi ‘Konservimi i mozaikut romak’ në Parkun Arkeologjik ‘Ulpiana’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkë organizim me Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Kosovës dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës, në partneritet me European Heritage Volunteers, nga 12-15 shtator 2021 organizojnë trajnimin “Konservimi i mozaikut romak në Parkun Arkeologjik Ulpiana – Kosovë”.

Qëllimi i këtij projekti është trajnimi i vullnetarëve nga vende të ndryshme të botës në fushën e trashëgimisë kulturore. Përveç punës praktike do të realizohen edhe ligjërata të hapura e prezantime rreth temave, eksperiencave të ndryshme në arkeologji dhe konservim.

Trajnimi do të fokusohet në konservimin parandalues dhe restaurimin e mozaikëve nga periudha romake pasi që drejtohet nga restaurues – konservatorë të specializuar në mozaikë. Ky projekt paraqet një mundësi të mirë që studentët e përzgjedhur të marrin njohuri teorike dhe praktikë profesionale rreth metodave të konservimit, restaurimit etj.

Instruktor është Tome Filov, konservues i mozaikut në Institutin Nacional të STOBIT, në Maqedoninë Veriore.

Pjesëmarrës janë studentë dhe profesionistë nga këto shtete: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Kili, Kanada, Greqia, dhe Spanja.

Për më shume detaje rreth projektit mund të gjeni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com
https://www.heritagevolunteers.eu/…/ConservationOfRoman…