Sot, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ata patën nderin të presin shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi.
Fillimisht, Ambasadori Isufaj e informoi profesorin Buxhovi për aktivitetet dhe funksionimin e Konsullatës në Nju-Jork ku, përpos shërbimeve të rregullta konsullore që ofrohen për qytetarët tanë në këtë pjesë të botës, ata janë përkushtuar edhe në zhvillimin dhe ruajtjen e raporteve me OKB-në dhe përfaqësuesit e Misioneve të Përhershme pranë kësaj organizate.
Nga ana tjetër, profesori Jusuf Buxhovi, përveç që bëri një përshkrim të shkurtër mbi historiografinë e tyre, që nga kohërat e lashta e deri në historinë më të re, duke qenë dhe vetë dëshmitar i saj, ai inkurajoi që si përfaqësues të shtetit të Kosovës të shpërfaqin historinë e tyre, gjithnjë të bazuar në argumente të besueshme historike.
Dëshmi që e përthekon tërë këtë historiografi është dhe vëllimi i tre librave të profesor Buxhovit, që kur flitet për rrënjët shqiptare-nga Dardania në kohërat antike dhe të Mesjetës te periudha e Perandorisë Osmane e deri te historia e tyre më e re-nga okupimi e deri te Protektorati Ndërkombëtar.
Këta libra nuk i kontribuojnë vetëm një realiteti historik, shoqëror, kulturor e politik të shqiptarisë, porse do të mbesin edhe përjetësisht në sirtarët e një historie të pamohueshme-histori që do t’u shërbejë gjeneratave të reja.
Me këtë rast, profesor Buxhovi i dhuroi atyre disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova”. / KultPlus.com