Komuna e Budvës deklarohet për padinë e Kosovës për kthimin e 4.5 mijë metrave katrorë tokë

Një pronë në bregdetin Adriatik, me mbi 4.5 mijë metra katrorë, është bërë mollë sherri ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.

Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf beach properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës.

Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijët.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.

“Duke u gjendur para këtyre rrethanave, konform legjislacionit të Malit të Zi, ne kemi ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë, për shkak se Kosova tash e sa vite nuk është duke e shfrytëzuar, mbase juridikisht është pronë e Kosovës, që e dëshmojnë edhe dokumentet kadastrale atje”, thotë Istrefi.

Istrefi, i cili ka për detyrë të mbrojë interesin e Kosovës kur ka konteste brenda dhe jashtë shtetit, thotë se nuk ka asnjë problem politik ndërmjet shteteve dhe se kjo është vetëm një procedurë civile.

“Kosova në asnjë formë, e aq më pak Ministria e Drejtësisë apo Avokatura e Shtetit, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj shtetit të Malit të Zi, për ndonjë procedurë apo veprim qeveritar që mund të ketë ndikime të dy shtetet. Kjo është krejt e kundërta e asaj, për shkak se kjo është një procedurë civile”, thotë Istrefi.

Pllamenac: Kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë

Sekretari i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës në Komunën e Budvës, Nikolla Pllamenac, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes padisë, kërkohet të përcaktohet se Kosova është pronare e asaj prone.

“Si provë, ata kanë propozuar një marrëveshje për shitblerje nga vitet 1960 në Kotor, me të cilën [prona] është blerë nga Këshilli për Çështjet Sociale, Politike dhe Komunale i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thotë Pllamenac.

Në Gjykatën Themelore në Kotor, thonë se Padia e Republikës së Kosovës, e bërë nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Avokatit të Përgjithshëm, është ngritur në Gjykatën Themelore në Kotor në fillim të nëntorit të vitit 2020, ndërsa palët janë dërguar në takimin e parë me ndërmjetësuesin në fund të prillit.

“Më 4 qershor, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve i ka kthyer gjykatës dosjet e lëndës, pasi ndërmjetësimi ka dështuar. Në periudhën e ardhshme, gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin”, ka thënë zëdhënësi i gjykatës, Spiro Paviqeviq.

Komuna e Budvës thotë se procesi gjyqësor është në fazën fillestare.

“Rasti është fare në fillim. Është ajo koha kur ngrihet padia, pastaj palët e paditura i përgjigjen padisë dhe gjykata vendos nëse do të hyjë ose jo në procedurë për vendimmarrje. Ne në fillim kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë. Nëse vjen deri te kjo, atëherë thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Nëse vazhdon, atëherë fillon procedura gjyqësore, seancat dëgjimore, ekspertizat e çka mos”, thotë Pllamenac.

Sipas të dhënave të AKP-së, prona të kombinatit metalurgjik “Trepça” gjenden edhe në territorin e Serbisë.

Ish-pushimorja e fëmijëve në parcelën e diskutueshme është quajtur më herët “Ganimete Tërbeshi”, ndërsa më pas “Lahor” – sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër, selia e së cilës, pas vitit 1999, është zhvendosur nga Prishtina në Mal të Zi.

Më pas, ndërmarrja është privatizuar dhe shitur, ndërsa ndërtesa e pushimores është shembur.

Tani, në këtë vend është duke u ndërtuar një ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa pronar i saj është firma “Sunraf beach properties d.o.o.”, e cila pronën e paluajtshme e ka blerë në vitin 2017, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati i firmës, Millan Vujosheviq.

“Pasuria e paluajtshme është blerë të një oferte publike, gjatë procesit të shitjes së aseteve të ‘Nivel Invest’ – në falimentim, dhe oferta e ‘Sunraf beach properties’ është vlerësuar si më e pranueshme, në përputhje me dispozitat e Ligjit të falimentimit”, thotë Vujosheviq.

Sipas tij, ndërmarrja blerëse u ka besuar të dhënave zyrtare shtetërore dhe ligjërisht ka blerë pasuritë e paluajtshme, me pëlqimin e shtetit, përkatësisht të Gjykatës Komerciale.

“Andaj, është e qartë se në këtë proces gjyqësor, ‘Sunraf beach properties’ nuk mund të ketë asnjë pasojë, kur bëhet fjalë për pronësinë e fituar”, beson Vujosheviq.

Si e paditur, Komuna e Budvës ka kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë padinë e Kosovës si të parregullt, sepse, siç thotë Pllamenac, provat e bashkëngjitura nuk mund të çojnë në një konstatim, në lidhje me ligjshmërinë e paditësit sa i përket parcelave të diskutueshme.

“Në padinë e tyre, ata i janë referuar Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ne jemi thirrur në atë rezolutë, në UNMIK dhe në Rregulloren për kompetencat e administratës së përkohshme në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Sipas mendimit tonë, këto rregullore nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, sidomos në rrethanat kur lënda ka të bëjë me disa përvetësime ose me ushtrimin e së drejtës në patundshmëri. Në këto raste, çështja drejtohet nga ligji i vendit ku ndodhet”, thotë Pllamenac.

Padia e Kosovës është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesja e shtetit të Malit të Zi që merret me mbrojtjen e të drejtave të pronës, Bojana Qiroviq.

Ajo është e mendimit se nuk duhet komentuar procedurat që janë në zhvillim dhe as provat që do të jenë subjekt i vlerësimit të lirë të gjykatës.

AKP thotë se Kosova ka 35 prona në Mal të Zi

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thonë për Radion Evropa e Lirë se “Sunraf beach properties“, nuk është aset shoqëror me të cilin administron Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“AKP ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin ndërmarrjeve shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit, shumica janë lokale dhe zyra”, thuhet në përgjigje.

Sipas AKP-së, 35 prona ndodhen në Mal të Zi, derisa në Serbi janë 99.

Aty thuhet se “me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP-ja pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera, AKP-ja zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të ndërmarrjeve shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave”.

Hasani: Kosova nuk mund të kërkojë prona në Mal të Zi

Profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kosova nuk mund të kërkojë pronë në Mal të Zi, sepse nuk ka bazë ligjore për këtë.

“Unë nuk mund të besoj se dikush në Kosovë mund të këshillojë Ministrinë tonë të Drejtësisë që të nisë diçka të tillë”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk ka kurrfarë baze për një gjë të tillë, sepse kjo nuk është një marrëdhënie privato-juridike. Qeveria e Kosovës, e as shteti i Kosovës, i cili është shpallur më 17 shkurt, 2008, nuk janë pasardhës privatë të së ashtuquajturës SAP Kosova [Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Metohisë]. Për të qenë edhe më i sinqertë, kjo që ka ndodhur është turp, sepse Kosova ka avokatë normalë që i dinë gjërat më themelore juridike”, thotë Hasani.

Sipas tij, çështja e trashëgimisë së ish-Jugosllavisë ka përfunduar në vitin 2001 me Marrëveshjen e Vjenës, kur Serbia ka trashëguar prona në emër të Kosovës dhe Vojvodinës.

“Kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, pasuria e paluajtshme që i përkiste ish-Jugosllavisë dhe ishte e vendosur në Mal të Zi, me Marrëveshjen e Vjenës të vitit 2001, i përket Malit të Zi. Nuk ka asgjë të diskutueshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare”, thotë Hasani. / Gazeta express / KultPlus.com

BE-ja s’e njeh Kosovën, mungon flamuri në Bruksel

Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje ta lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.

Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së, raporton Gazeta Express.

Albin Kurti dhe Josep Borrell, sot.

Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.

Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, të hënën.

Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në disa prej tyre, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.

Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.

“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, theksoi ndër tjerash kryediplomati evropian.

Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë. /Express/ KultPlus.com

Dy kadetë të Kosovës nderohen nga Akademia Ushtarake e Britanisë, Osmani: Ditë krenarie

Dy kadetë oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu u diplomuan sot nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, e ka cilësuar këtë ditë si “Ditë krenarie”.

Sipas Osmanit, sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

DITË KRENARIE SOT!

Sot, dy kadetë oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu diplomuan nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë.

Sot, Nëntoger Ilirianë Bunjaku u nderua me nderin më të lartë, me çmimin “Shpata Internacionale”, që jepet për kadetin më të mirë ndërkombëtar.

Kjo është dëshmi e përformancës së saj superiore në të gjitha fushat, përfshirë rezultatet akademike, shkathtësitë ushtarake, shkathtësitë në lidership, përgatitje fizike, etj.

Sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal.

Vajzat e djemtë e Forcës tashmë janë të dëshmuar në çdo cep ku shkel këmba e tyre. Ata janë premtimi ynë më i madh për një të ardhme të sigurt. Ata janë një nga shembujt më të mirë, të cilët duhen ndjekur për të kuptuar që në jetë mundi e puna vlerësohen e shpërblehen gjithmonë.

Urime Kadet Bunjaku dhe Kadet Deliu – në rrugëtimin tuaj ushtarak, qofshi gjithmonë faqebardhë! / KultPlus.com