Kopertinat e librave dhe rëndësia e tyre

Kopertina është sipërfaqja e librit, por kjo nuk është sipërfaqësore. Është si lëkura. Është identiteti,  i çfarëdo libri, mënyra sesi perceptohet, sepse përfaqëson leximin e parë kolektiv të asaj që është shkruar brenda. Po kush qëndron mbrapa kopertinave të librave, ilustrimet pa fund.

Dardan Luta për gazetën Flatra“.

Në tregun tonë sot shohim libra të shumtë, që përveç titujve na tërheqin vëmendjen edhe me kopertinat e tyre. Varësisht nga përmbajtja e librit, preferenca e autorit apo ndonjë element tjetër identifikues, ballina e librit shpesh herë është tregues i asaj çfarë fshihet brenda tij, edhe pse thonë se librin nuk duhet gjykuar nga kopertina. Në fakt përveç librave për fëmijë, kopertinat tjera duket se zgjedhin rrugën më të lehtë dhe vendosin që t’i prezantohen lexuesit me imazhe të huazuara apo blera nga interneti, duke lënë anash profesionalizmin që e gjejmë vetëm tek dizajnimet dhe ilustrimet autentike të artistëve.

Dardan Luta është një prej artistëve tanë që praktikon këtë art kaq të veçantë, duke u bërë kështu autori i shumë kopertinave të librave që shohim sot.  Ai thotë se të jesh ilustrator librash kërkon përkushtim dhe kreativitet, në mënyrë që prezantimi të jetë sa më i mirë dhe të mos bëhen kompromise për arsye të ndryshme. Megjithatë si nisi gjithçka dhe sot ilustrimet janë pjesë e veprimtarisë së tij artistike.

“Në çdo shtëpi një laps e një fletë, gjithmonë gjendet diku. Kështu si çdo fëmijë me ato pak gjëra të vogla, që na rrethonin me ato mundoheshim të shprehnim kërkesën tonë, atyre që vërtetë dëgjonin. Në fillim ishin vetura prototipe nga e ardhmja, pastaj tregime të ndryshme që dëgjonim nga gjyshërit, e më vonë imitonim pllakatet e filmave si dhe rikrijimin e skenave filmike, që na linin më shumë përshtypje. Me kohë, shokëve që kisha afër u linden pasione tjera ndërsa unë e shihja si një botë pa fund dhe mbeta ta eksploroj e ta studioj. Ndërkaq kur jemi tek librat them se ato më zgjodhën mua, ngase në shtëpinë time në Pejë, kam qenë i rrethuar prej tyre qysh se e mbaj n’mend veten. Përpara ka pas një përkujdesje se si është plasu libri në treg, prej thyerjes grafike, formatit, gjetjes tipografike e deri te mbështjellësi. Sot pak kush i kushton rëndësi elementeve të lartpërmendura, është gara me kohën dhe paranë. Në të shumtën e rasteve autori e vetëfinancon, vrapon poshtë e lartë për ndihma të ndryshme, që fjala e tij t’i ofrohet lexuesit. Sidoqoftë mendoj se gjithë krijuesit duhet të kenë prezantimin më të mirë të veprave të tyre dhe të mos bëjmë kompromise.”

Të dizajnosh një kopertinë libër është sfidë tjetër, që ashtu si çdo angazhim artistik kërkon përkujdesje, kreativitet, veçanti dhe të jetë i pranueshëm për ata, të cilëve u dedikohet. Dardani thotë se një gjë e tillë funksionon në varësi nga libri i caktuar.

Ka disa libra ose tema që ato shtjellojnë, që ngjallin kureshtje të hulumtosh dhe t’i përkushtohesh më shumë. Por ka edhe nga vetë autorët, që e kanë vizionin e tyre dhe t’i kryen punën e teknikut. Kjo  është më e mundimshme sepse merr kohë më shumë, por shërbimi duhet kryer me përpikëri si çdo punë tjetër.  Megjithatë un dëshiroj që kopertinat të cilat i realizoj, të kenë një njollë timen nëse mund ta quaj kështu, një lloj dore ku vërehet fryma ime. Prapë po them kjo ndodh me rastet kur puna më besohet plotësisht. Nuk kam dëshirë që kopertinën ta lë në fatin e programeve softuerike dhe kufizimeve që kanë ato, më pëlqen tradicionalja.”

Dhe sot kur duket aq e lehtë të gjesh një fotografi apo një ilustrim, dizajn nga faqe të ndryshme që i ofron interneti, për artistët kjo nuk është mënyra më e mirë për tu prezantuar denjësisht dhe tregon një lloj neglizhence kundrejt lexuesit.

Po, një pjesë e tyre mbrohet nga e drejta autoriale, ndërsa një pjesë e madhe janë në shitje. E keqja e template është se të njëjtën mund ta blejë edhe ndokush tjetër, pra nuk është e dedikuar posaçërisht për kërkesën e autorit. Po në vendet në tranzicion si te ne ku ligji ende nuk është në funksion të plotë, sa i përket të drejtave autoriale as që vërehen këto gjana. Është e shëmtuar kur merr një punim prej mjeshtërve të Impresionizmit dhe e vë në ballinë të librit, pak a shumë tregon për librin aq sa edhe për autorin.” ,- përfundon krijuesi dhe autori i kopertinave të ndryshme Dardan Luta. /KultPlus.com