Akademia e fëmijëve “Loja” për nder të Ditës së Fëmijëve ka organizuar festën “Dita e Lojës”, një prej organizimeve më të dashura për fëmijët.
Kjo festë bëri bashkë fëmijët e prindërit për t’i dhënë një rrezatim ndryshe oborrit të shkollës. Ngjyrat kishin mbërthyer vendin dhe buzëqeshjet e fëmijëve ishin krejt çka përçohej nga kjo ditë.
Në raste të tilla, lumturia është e pashmangshme, përveç fëmijëve, prindërit po përjetonin emocione të forta, madje mund të shihje edhe lot gëzimi e krenarie në sytë e tyre.
Krejt këto ndjesi po i bënin pafund të lumtur edhe stafin e shkollës të cilët për shkak të pandemisë, dy vitet e kaluara nuk kishte mundësi të organizojnë këtë festë tradicionale të shkollës, dhe për këtë arsye organizimi i sivjetshëm ishte shumë i rëndësishëm për ta.
“Festa ‘Dita e Lojës’ organizohet për nder të Ditës së Fëmijëve dhe zakonisht integron një temë të caktuar që fëmijët e kanë prekur gjatë vitit akademik. Këtë vit tema ishte ‘Bota nënujore’. Pas shumë mësimeve rreth asaj teme, fëmijët marrin informata të shumta dhe zhvillojnë aktivitete edukative duke përfshirë të gjitha fushat e edukimit dhe zhvillimit të hershëm”, tha Tringa Jusufi, udhëheqëse e programit edukativ në akademinë “Loja”.
Kjo festë është e veçantë sepse përveç programit artistik, të përgatitur nga koreografja Rreze Qerreti, me grupmoshat 3-6 vjeç, gjatë kësaj ngjarjeje, nëpër kënde organizohen edhe shumë aktivitete kreative dhe argëtuese nga mësueset, për fëmijët dhe për prindërit pjesëmarrës në festë
“Duam të theksojmë se të gjithë fëmijët vishen me kostumet tematike, e këtë vit kishin mundësi të promovojnë jetën e gjallesave nënujore përmes kostumeve fantastike që kishin veshur për festë. Si gjithmonë, fëmijët janë shumë entuziastë dhe secila pjesë e festës është shumë argëtuese për ta”, tha tutje Tringa.
Përkundër që fëmijët jo gjithmonë kanë dëshirë të dalin në skenë për të performuar përballë turmës, pjesën e klubeve e adhurojnë të gjithë fëmijët. Ata kanë mundësi të krijojnë punë dore, punime artistike, të luajnë lojëra të organizuara për ta dhe së bashku me prindërit.
“Jemi të lumtura që përveç fëmijëve që u argëtuan në festë, kishim komente shumë të bukura dhe motivuese edhe nga prindërit dhe familjarët që morën pjesë. Besojmë se e kemi finalizuar këtë temë në mënyrën më spektakolare që ishte e mundur!”, tha Tringa.
Ndërsa, Yll Dushi, një nga prindërit prezentë në këtë festë, u shpreh se janë shumë të kënaqur me kopshtin “Loja”, pasi që si kushtet ashtu edhe mësueset janë fantastike.
“Ne kemi vizituar shumë çerdhe në Prishtinë dhe më në fund e kemi përzgjedhur “Lojën”, sepse kushtet edhe mësueset që i ka “Loja”, e sidomos mësueset janë fantastike dhe shumë profesionale si dhe kriteret e përzgjedhjes së mësueseve janë shumë të mira. Një prej arsyeve është edhe ushqimi që e ofron ky kopsht që ka shumë dallim nga çerdhet tjera.
Ndërsa sa i përket aktiviteteve që i organizon “Loja” janë shumë të mira. Çdo vit organizohen nga dy aktivitete një në qershor dhe një në dhjetor. Aktiviteti i fëmijëve dhe emocionet që u japin fëmijëve janë shume fantastike, ata mezi e presin dhe është nja përmbushje për ata për një punë shumë të madhe që e bëjnë dhe ju shpërblehet me paraqitje në skenë”, tha Yll Dushi. / KultPlus.com